E shtune, 27.07.2024, 03:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Një fletë-posedim i vendlindjes

E shtune, 29.10.2016, 09:42 AM


NJË FLETË-POSEDIM I VENDLINDJES

Avni BEHLULI: «BREZNICA NË RRJEDHË KOHE» SHB – SHKËNDIJA, Prishtinë, 2016

NGA SHEFIK SHKODRA

Arsimimi i jonë sado i hovshëm, duhet ta pranojmë se jemi të vonshëm në krahasim me popujt  e tjerë...Me këtë, dëshiroj të them, që sa më shumë të kemi shkrime monografike:  Përshkrimi i pasurisë materiale e shpirtërore të një institucioni, të një ngjarje historike e kulturore, të një personaliteti me përmasa kombëtare, të një vendbanimi është kulturë qytetërimi. Por është edhe dëshmi e gjurmë për një etni. Është një fletë-posedim i një pronësie  për atë temë dhe objekt që flitet, kështu si ky libër që tash e kemi në shqyrtim. Besoj se Avni Behluli tashmë është i njohur publikun e gjerë, me ekspozita personale e të përbashkëta të artit pamor. Pra, si profil i skulpturës dhe i grafikës, i cili ka bërë emër në vend dhe jashtë, me shpërblime dhe me fitimin e dhjetëra mirënjohjeve për veprat e tij. Po dëshira e këtij intelektuali, ku është lindur e ku ka kaluar një pjesë të fëmijërisë dhe rinisë së vet, një mall që nuk i fashitet lehtë, me vetëdije të lartë e bëri një shenjë si tapi për vendlindjen...dhe tash kemi rastin ta njohim këtë artist edhe si autor me monografinë “Breznica në rrjedhë kohe” e Bujanocit.

Paraqitje e tekstit dhe vlerësime

Përshkrimi gjithëpërfshirës, në kushte modeste si te të gjithë shqiptarët para shumë viteve e deri më sot, nis nga parathënia e autorit në shqip e anglisht, libri  “Breznica në rrjedhë kohe”i  A. Behlulit me premisa monografike për lokalitetin e përmendur, është me interes për kulturën tonë. Na paraqitet i tillë, sipas mendimit tim, si lëndë e përmbledhur e e studiuar me karakter shkencor. Autori e ndau këtë tekst në pesë kapituj, duke na sjellë në vija kryesore, por edhe të detajuara realitetin e tërë nëpër shekuj të këtij fshati, i cili ishte nën administrim herë të një pushtuesi e herë të një tjetri...Edhe sot i mbetur në mexhë (me Bujanoc), na duket si një skaj mburoje në lindje të Kosovës. Shkrimi është me interes edhe për literaturën e përdorur për toponimin Breznicë që nga shekulli XVI-të. Dhe kjo paraqet emblemën e monografisë.

Në këtë libër kemi 182 foto, 2 harta (më të vjetra), tri tekste faksimile, të cilat e pasurojnë dhe e ilustrojnë mjaft mirë tekstin. Është i pasur me statistika dhe grafikone për gjenealogjinë,  e familjeve... Dhe krejt ky vëllim rreth 400 faqe na bëhet lehtë për ta absorbuar dhe analizuar në çdo pikëpamje. Ky fshat dikur ishte prej tri lagjeve: Breznicë e Epërme, e Poshtme dhe asaj të Muhaxhirëve – Bilinices, nisma e tyre dhe zgjerimi i dukshëm deri në ditët e sotme, në shtatë tjera nga familjet. Me një relief malor kodrinor, me kufizimin e tij, me klimën kontinentale, me hidrografinë dhe pasuritë tjera në te dhe përreth tij. Autori na e paraqet edhe një seri skenash të punës dhe të kulturave për mënyrën e jetesës së këtyre banorëve, duke numëruar edhe mjetet e punës, një mundësi që sa më lehtë të njihemi me ambientin e atyre kohërave, duke na dhënë një etnografi të dendur e në shtrirje të gjerë. Dhe kjo na del si një ogur i mirë për këtë lokalitet.

Vërtet banorët e vendeve rurale te ne kishin vetëm dy stinë, kështu është përmendur edhe nga autori i këtij teksti, Shmitër – Shëngjergj. Pra, dimrat e gjatë dhe të ashpër, gjithashtu verat e gjata, duke punuar qe nga shkrirja e borës e deri në vjeshtën e vonë, gjatë gjithë ditës, si thuhej në popull: “terr më terr”. Kjo punë nga këta banorë me sigurimin e  ushqimit për njerëz dhe kafshë është bërë me vetë iniciativë e organizim; shqiptarët, të shumtën, vetë mbaheshin.

Nga autori nuk është harruar edhe Tipi i shtëpive për banim, zakonisht i njëjtë nëpër fshatra si dhe në Breznicë. Duke përshkruar interierin në tërësi, shkallët për katin mbi  përdhese, jashtë, por edhe brenda, një korridor i përcjellë me një ballkon; kthinat në dy anët. Punimi i dyer e dritareve nga mjeshtërit drugdhendës. Materiali ndërtimor prej guri, druri, qerpiçët (tulla të papjekura) e llaçit. Gjallërimi i banorëve në këtë vend me banesat e tyre, orenditë shtëpiake, prej një shkami (ulëse) trekëmbësh, pastaj ndriçimi me kashtilla, fitilaqe (gaznicë), fener dhe llambë me vajguri; dhomat e shtruara me jana, qilima prej leshit të deles, të punuara vetë në vek apo tezgjah; cerga prej leshit të dhisë, hasrave e kashtës. Dhoma e Oxhakut për ngrohje dhe për gatim e zierje, me orenditë si dhe enët tjera nga druri, qeramika dhe metali. Rreth objektit kryesor, gjithashtu shënohen edhe anekset si, qilari, hambari (koshi i drithit), pojata.

Ekonomia me bujqësinë dhe blegtorinë: Pasuritë natyrore dhe shfrytëzimi i tyre si uji, druri, toka për drithëra dhe perime e për bimët industriale, ishin bazë ekonomike e këtyre qytetarëve. Përveç bujqësisë edhe blegtoria si degë tjetër me  prodhimet e saj, ishte dobiprurëse për banorët. Ruajtja dhe kultivimi i bagëtisë së trashë (lopës, kalit, buallicës) dhe atyre të imëta: deleve, dhive, si dhe shpendaria (shpezëtaria). Bujqësia degë e parë, shihet se si në fillim toka punohej në mënyrë shumë primitive. Edhe  veglat e punës për bujqësi, njësoj si orenditë e enët, të cilat nuk janë aq të përdorshme dhe tashmë kanë mbetur si relikte, fillohet nga parmenda dhe veglat të gjitha sa ishin prej  druri të punuara gjithashtu nga vetë bujqit. Pra edhe një varg i mjeteve për punë të bujqësisë, do të ishte me interes për ta lexuar këtë libër brezat e ardhshëm, si një galeri muzeu, për t’u njohur me një jetë modeste të gjatë me shumë mundime, por me një vullnet e herë-herë me ndjesi të një jete idili e bukolike. Personat më të ngarkuar e më përgjegjës për punët e shumta shtëpiake dhe të fushës ishin nënat dhe etërit.

Në Pazar është dashur të blihet vajguri për ndriçim, kripa dhe sheqeri. Të shumtën e herëve bëhej shitja e produkteve bujqësore dhe blegtorale nga fshatarët në Pazar, për të blerë artikujt e nevojshëm për shtëpi. Një kohë edhe veshmbathja është siguruar, duke përpunuar e prodhuar nga vetë banorët, nisur nga opingat prej lëkurës së gjedhit; tirq dhe guna  për meshkuj, të punuara në vek prej lesh deleje. Të brendshmet i thurnin në vek gjithashtu prej liri apo konopi. Të gjitha veprimet e jetës së përditshme janë bërë nga vetë banorët e fshatit dhe kjo po thuaj, ka ndodhur në të gjitha viset rurale te shqiptarët, të shkëputur krejtësisht prej punës me pagë qeverie. Rrallë është blerë ndonjë teshë nga asortimenti standard i fabrikave shtetërore deri vonë.

Arsimimi i qytetarëve të Breznicës

Tashmë, të gjithë e kemi të qartë se, në kohën e Turqisë dhe të Mbretërisë SKS, shqiptarët nuk kishin të drejtë shkollimi në gjuhë amtare deri pas LDB, prandaj, kuadri i parë ishte ndonjë hoxhë, i cili në gjuhë arabe bënte përpjekje që t’i mësojë diç rininë tonë. Të shumtën, materia ishte me porosi religjioze. Ndonjë prej këtyre mësuesve, si autodidakt dhe njeri, i cili kishte kaluar kohë me njerëz të informuar për gjuhën shqipe dhe alfabetin, ai në mënyrë të fshehtë bënte përpjekje për t’ua mësuar të tjerëve shkrim-leximin në shqip. Pas LDB, Breznica, si shumë lokalitete të Kosovës, mori hapa të shpejtë në shkollimin dhe emancipimin e rinisë. Një pjesë të këtij libri e kemi një paraqitje të gjerë të arsimimit të Breznicës. Deri me sot, vargu i mësuesve del të jetë mjaft i madh, por edhe i të gjitha profileve të tjera, shumë prej tyre me grada akademike. Ata (ato), jo vetëm në arsim, por edhe në ekonomi, në shëndetësi, në kulturë e arte, pa dyshim dhanë kontributin e tyre në të gjitha trevat shqiptare.

Nga tradita – trashëgimia kulturore

Një hapësirë e këtij libri i kushtohet edhe traditës së ruajtur deri me sot, duke shënuar Ditët me shenjë, apo Ditët (Netët) e mëdha; ato ditë të caktuara e të përcjella që nga paganizmi si dhe festat e kohës; flitet edhe për besëtytnitë popullore. Në këtë kuadër do të shohim edhe jetën kulturore të organizuar nga të rinjtë sot, për përvjetor e festa nga historia kombëtare. Lojërat folklorike dhe ato të sportit me mundësi të limituara. Flitet edhe për doket, si  parafejesa e fejesa, për organizimin e dasmës – në shtëpinë e vajzës, përkatësisht nuses si dhe të dhëndrit. Për mikpritjen e bujarinë. Gjithashtu edhe për ritin e vdekjes. Shënohen edhe disa lloje të veshjes sipas moshës dhe gjinisë. Organizimi dhe vetorganizimi i rinisë për veprime të ndryshme në fshat. Organizimi i shoqërive kulturore artistike. Është shkruar edhe për shëndetin e këtyre qytetarëve, etj. Është dashur që të jepen edhe disa shembuj nga krijimtaria, nëse ka pasur (nga muzika, letërsia dhe artet). Konkretisht, pa modesti është dashur të paraqitet edhe krijimtaria e këtij autori, pra Avniut, nga grafika dhe skulptura, sigurisht që me ribotimin e këtij libri duhet të plotësohet.

Të dhënat statistikore për familjet

Në këtë libër i gjejmë edhe të dhënat me rëndësi për –  të shpërngulurit në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme... Kryesisht në Bujanoc, Gjilan, Prishtinë, Kamenicë, por edhe në Turqi e vende të tjera të Ballkanit e të Evropës; – të dhënat statistikore të të arsimuarve të Breznicës, sipas lagjeve dhe familjeve, të profileve të ndryshme, sidomos pas LDB; – të dhënat statistikore të banorëve të Breznicës – Bilinicës që punojnë dhe jetojnë në botën e jashtme. Kryesisht në vende të tjera evropiane si dhe në SHBA; – Gjenealogjia e familjeve të Breznicës me Bilinicë;  rrjedha dhe rritja e tyre, etj.

Nga historiografia

Historia shoqëritë njerëzore i përcjellë me kundërthënie e shtypje nacionaliste, racore, ekonomike-klasore, etj. Një vend i ndodhur si një sinor, jeta në Breznicë ishte problematike për banorët. Padrejtësitë, maltretimet dhe ndjekjet ishin permanente ndër shqiptarë, meqë regjimet ishin të pushteteve të huaja. Mirëpo, këtu është bërë edhe rezistencë nga vetë fshatarët. Është pikatur bukur rrëfimi për portretin e Lam Breznicës, kundërshtitë dhe luftërat, shokët e tij të NDSH-së, qëndresa e tyre. Lami  është njëra prej atyre shëmbëlltyrave, e njohur jo vetën në regjion për çështje atdhetarie. Në këtë rrjedhë autori e ka paraqitur edhe vetorganizimin e UÇPMB-së për luftë kundër regjimit të S. Milosheviqit nga mbarimi i shek. të kaluar dhe fillimi i shek. XXI. Është potencuar dhe shënuar rënia dëshmorë e luftëtarëve të kësaj lufte. Ekziston edhe shënimi i personelit organizativ dhe përgjegjësit e njësiteve.

Nga linguistika dhe të tjera

Monografinë mund ta shkruaj një njeri, sikur me këtë rast për Breznicën, Avniu, por mund të bashkëpunojnë disa profile, sipas disiplinave. Sepse, një përshkrim i krejt vendit në të gjitha fushat kërkohen njohuri të veçanta. Këtu shihet se Avniu ka bërë punë të madhe, me siguri edhe me ndihmën e bashkëfshatarëve dhe të tjerëve.

Nga onomastika kemi një regjistër afro dhjetë faqe me emra vendesh, që janë të domosdoshëm dhe me rëndësi për këtë materie. Rreth dhjetë faqe nga leksikografia, shprehje që kanë rrjedhë nga gjuhë tjera në shqip, apo arkaizma të përdorshme dikur, një numër i tyre deri në ditët e sotme. Gjashtë-shtatë faqe referenca – konsultime me njerëz të moshave të ndryshme si dëshmi me krahasime e verifikime për çështjen e jetës së përditshme të Breznicës nëpër kohë. Dhe në fund fjala e recensuesit.  Pastaj, shënimi i përdorimit  të literaturës.

Metodologjia e punës është mjaft e pëlqyeshme

Kjo materie është lehtë e pranueshme për lexuesin. Radhitja e saj bëhet në mënyrë serike, e cila na nxit kureshtjen prej faqes në tjetrën që të njihemi dhe të mësojmë se, çka do të dalë e re; se për çka flitet edhe më tej. Dhe kjo është mënyra më e mirë dhe më pranueshme, që asgjë para kohe nuk shpjegohet. Të gjitha janë verigore, duke filluar nga pozita gjeografike, relievi, kufizimi; pastaj hapësira dhe shfrytëzimi i pasurive natyrore. Disa referenca nga shkencat, që do të thotë, këtë parim e ka përmbushur autori, duke përmendur autorë shqiptarë e sllavë për toponimin – Breznicë. Perceptimi i tekstit është i lehtë për lexuesin, ngase nuk është i ngarkuar me imagjinatë të krijimtarisë letrare, as me terma shkencore (të domosdoshme), po as me shprehje të panevojshme. Kështu mund të themi se, libri është një shkrim krejtësisht shqip.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora