E hene, 11.11.2024, 12:06 AM (GMT)

Kulturë

Meri Lalaj: Në vendlindjen e Sterjo Spasses

E shtune, 29.10.2016, 04:43 PM


Në vendlindjen e Sterjo Spasses

Nga Meri Lalaj

Librat e hershëm të Sterjo Spasses i kam lexuar qëkur kam qenë nxënëse shkolle. Shkrimtarin tonë të madh nuk e kam njohur nga afër vetëm e kam parë rrugëve të Tiranës kur isha studente dhe sjell ndërmend një burrë të gjatë me kokën krenare dhe flokët e thinjura kaçurela që ia merrte era. Shumë vite më vonë jam njohur me të birin e Sterjos, Ilindenin (edhe ky shkrimtar) dhe kështu ndodhi që planifikuam një vizitë për në Prespë. Ne ishim katër: Myzafer Berberi mjek shkrimtar, Edmond Papa mjek dentist, Ilindeni dhe unë. Ishte një ditë e shkëlqyer me diell e qiell të kaltër, 1 tetor kur udhëtuam drejt Prespës, pasi lamë rrugën kryesore që të shpie për në Korçë u kthyem majtas drejt fshatrave të minoritetit maqedonas. Dhe mbrritëm në Gllomboç, vendlindja e Sterjos dhe e Ilindenit. Në sheshin e fshatit duke pasur përballë liqenin është vendosur busti i shkrimtarit Sterjo Spasse aty bëmë disa fotografi në krah të shkrimtarit, ndërsa më tutje lart ndodhet shtëpia e tij e lindjes e cila tanimë është në një gjendje thuajse të rrënuar. Duke kundruar fshatin, liqenin përballë, shtëpinë e Sterjos më kalojnë para syve si në një film fëmijëria dhe rinia e shkrimtarit, prindërit e tij, kushërinjtë, dimrat me dëborë pranë vatrës me zjarr, të gjitha përshkruar aq bukur në librin e Ilindenit “Im atë, Sterjo”. Dhe vizitën e parë e bëjmë tek shtëpia e Gjermanit, kushëriri i parë i Ilindenit, kujtoja se ai ishte thjesht personazh libri, por na shfaqet dhe na jep dorën një burrë pak a shumë në moshë i cili ka qenë mësues  (tani në pension) dhe në shtëpinë e tij të bukur në korridorin e madh ballë për ballë është një bibliotekë deri lart e mbushur me libra në gjuhën shqipe dhe maqedonase. (Emri Gjerman nuk ka lidhje me gjermanët, por me një shenjtor). Aty pimë raki të bërë vetë, rreth e rrotull shtëpisë një kopsht i mrekullueshëm me pemë dhe perime gjithçka rritet aty mund të zgjatësh dorën të këpusësh çfarë të duhet dhe të gatuash drekën. Prej aty shkuam në fshatin Goricë e Vogël, aty është ngritur një obelisk kushtuar dëbimit të goricarëve në vitin 1933 nga beu i fshatit. Kjo ngjarje është e pasqyruar aq bukur në librin e Sterjo Spasses “Ata nuk ishin vetëm”.

Është një mot i bukur me diell të ngrohtë me qiell të kaltër pa një re, kështu marrim një varkë me motor dhe fillojmë shëtitjen nëpër liqen, bashkë me ne vijnë e na shoqërojnë dy vendasit kushërinjtë e Ilindenit Gjerman Kristo dhe Jovan Male, të dy janë shumë të kulturuar nuk lenë libër pa lexuar. Dhe biseda rrjedh e këndshme me ta. Në bregun përtej zbresim dhe drejtohemi tek Manastiri i Kishës së Shën Marenës e ndërtuar në vitin 1926 dhe për çudi më kujton Manastirin dhe Kishën e Shën Marenës në malet e Llëngës tek buron Shkumbini. (Siç më kanë rrëfyer gjyshet në vogëli, Shën Marena ishte e motra e Shën Naumit dhe u përndoq nga kundërshtarët e fesë, kështu iku nga liqeni i Ohrit dhe u fsheh në shpellën lart në male). Më 30 korrik të çdo viti në këtë kishë vijnë e kremtojnë besimtarët edhe nga vendet e largëta, në manastir ka disa konakë të ndërtuar si dhuratë nga njerëz që kanë emigruar nëpër botë. Hipim sërish në varkë dhe lundrojmë nëpër liqen përballë shkëmbinjve ku përveç shpellave natyrore ka edhe guva të gërryera nga dora e njeriut në të cilat kanë jetuar murgj eremite, të cilët rrinin gjithë jetën aty, në guvat që ngjasojnë si kishëza janë gdhendur shkallë dhe janë pikturuar figura shenjtorësh. Kthehemi në fshat dhe ulemi në klub ku na pret një darkë e shijshme me peshk nga liqeni i Prespës dhe jo vetëm kaq, por edhe biseda mikpritëse sipas zakoneve të vendit me dolli e me rrëfenja e dy miqve tanë të çmuar Gjeros dhe Jovanit.. Në mëngjesin e ditës tjetër pasi kemi bërë shumë fotografi të peizazhit të bukur përqark liqenit vijojmë rrugën e kthimit dhe vëmë re fshatarë që shesin prodhimet e tyre, prodhimet e begata të vjeshtës: mollë, patate, qepë, arra, ftonj e të tjera. Kështu përfundoi ky udhëtim i këndshëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora