Kulturë
Cirongu: Oksigjeni në veprat e Gani S. Pllanës
E diele, 30.10.2016, 11:32 AM
Oksigjeni i vargut në veprat e Gani S. Pllanës
Nga Xhevahir Cirongu*
Të shkruash varg poezie, në radhë të parë, duhet që të flasë shpirti. Dhe, kur flet ndjenja shpirtërore, s’ka se si të ndodhë ndryshe. Kështu, poezia del vetvetiu nga skutat e fshehta të galerisë së mendjes e shtrohet si një tapet pranveror, plot ngjyra lulesh, mbi fletët e bardha, për te libri. Gani S. Pllana bisedon me atë shtruar në ”livadhin gjembor” dhe prekë, padashur, edhe poezinë e tij.
Poezia e poetit Gani S. Pllana, ka të veçantat e saj. Ajo është e thjeshtë në të shkruar, ka gjetje tematike të shumëllojshme, por nuk mungojnë edhe gjetjet metaforike, krahasuese dhe, mbi të gjitha, lirika e stili i të shkruarit, që rrok kohën e djeshme dhe të sotmen. Ai, me stilin e vetë, që e kërkon vazhdimisht te vetvetja dhe në hapësirën mbarëshoqërore, jep mesazhe të qarta, me vargjet aq të ngrohta. Ato e bëjnë për vete lexuesin,në përgjithësi, dhe atë lexues, që e do poezinë si oksigjeni, që ne thithim në mushkëri.
Poeti ka ditur të përzgjedhë edhe fjalën e gdhendur, atë e ka vendosur aty ku duhet për te vargu me kolor ndjenjash. Kjo gjetje e ka bërë edhe më elastike, por edhe më të ngrohtë, poezinë e shkruar në këtë vëllim të ri, me titullin ”Kërkoj yllin e fatit”. Në këtë libër gjenden, si një gjerdan njëra pas tjetrës, plot 32 poezi. Poeti Gani S. Pllana, ka shkruar edhe më parë poezi. Dhe, si i tillë, ai është paraqitur para lexuesit me dy vëllime poetike, për të rritur. Në vitin 2013, na paraqitet me vëllimin e titulluar, ‘’Për një pikë ujë’’ dhe ”Melodia e përjetësisë”,në vitin 2014.
Përgjatë tërë gamës së krijimtarisë së tij, sikurse në dy vëllimet e mëparshme, edhe në vëllimin më të ri të përmbledhjes ”Kërkoj yllin e fatit”, ai vjen më i plotë si krijues. Pra, materies poetike në shqyrtim i jep edhe më shumë vlera artistike e letrare. Ky poet e shprehë këtë gjë qartë, nëpërmjet vargut edhe në poezinë, që ka marrë titullin i libri. Ashtu si ylli i mëngjesit që ndriçon në qiell, edhe bijtë e bijat kosovare janë në kërkim të fatit të tyre. Poeti ka një revoltë të brendshme, që i cili e shpreh me vargje në kërkim të fatit, se si do jetë e ardhmja.
Poetët, nëpërmjet vargut të poezisë, këndojnë si bilbilat në pranverë. Atyre u këndon shpirti, të cilët bëjnë gurët e pemët të vallëzojnë në vargun e shkruar prej tyre. Vargu i poetit Gani S. Pllana është i gjallë, e ”puthë” me dashuri gjirin e tokës mëmë. Në këtë kohë aritmike, ai i këndon Kosovës së bukur, asaj gonxhes së trëndafilit të larë me gjak e sakrifica nëpër shekuj, për të qenë e lirë dhe e pavarur, për të qenë një Zonjë e denjë, në vatrën e truallit arbëror. E, pse jo, një ”nuse” më e bukur, në mes të Evropës. Poeti shprehet thjeshtë, me vargjet e shkruara, te poezia me titullin aq domethënës e të dëlirë, por edhe me llavën e shpirtit të tij, si zjarr dashurie për Atdheun.
Emocione poetike gjen edhe tek poezitë e tjera, që jepen me aq forcë e dinjitet, në poezinë me titull aq domethënës, ”Kosovë ujë bilur”: ”Kosova, përherë ishte/ Një nënë e mirë,/ Për bijtë e bijat e vetë,/ Mikpritëse për miq./ Zoti i dhuroi edhe begati,/ Të veshur me kostumin / E ylbertë”.
Pra, në këtë krijim, poeti rrezaton fuqishëm dashurinë për vendlindjen, ecën i sigurt me hapin e kohës. Ajo shprehë edhe miqësi, jep mesazhe jete, kur e thotë aq hijshëm, me vargjet ‘’Mikpritës për miq,/ Zoti i dhuroi edhe begati...”. Pra, janë të veshura me kostumin e ylbertë, që rroket deri në skutat e shpirtit tonë, me aq dashuri.
Poeti Gani S. Pllana është i vetëdijshëm edhe për ngjarjet e kohës, në të cilën jetojmë ne, por edhe vetë ai. Pra, është fjala për eksodet, që janë bërë si një çiban, në trupin e shoqërisë sonë shqiptare. Ai vajton me gjithë shpirt, derdhë lot e dhimbje në zemër, e shikon të nesërmen si një kornizë xhami të thyer. Pra, e lexon qartë kohën, që jeton edhe vetë poeti. Poeti ka ditur t’i fusë në rrjedhën e kohës ngjarjet e kobshme, si një plagë e shoqërisë, që duhet rikuperuar. Synimi është që, në fund të fundit, të sjellë begati, në Kosovë e për gjithë shqiptarët. Një poezi, që na përcjell dhimbjen me vargjet e saj, është ajo me titullin kuptimplotë, “Matrapazët e pamëshirë”. Edhe poezia ”Nënëloket tona” ka gjetje të bukura metaforash, që të mban fort pas saj, me vargjet e shpresës, që krahët janë si të shqiponjës, por me bardhësinë e borës së maleve, plot mesazhe jete: ”Donin Nam’ e Arbëri,/ Mbronin pragun e shtëpisë,/ Më të forta se guri e stralli,/ Të fuqishme si zana mali...”
Vargjet e këtij libri rezatojnë shpresën për jetë, perspektivë dhe krenari. Në veprën e autorit defilon Atdheu me aromë pranvere, Vargjet e tij janë mesazhe të qarta dritëdhënëse, për sot e për nesër.
(*Poet, publicist, shkrimtar, Durrës, Shqipëri)
CURRICULUM VITAE
Gani S. Pllana u lind në Kçiq të Madh të Mitrovicës. Shkollën fillore e kreu në Smrekonicë, të mesmen – teknike (makinerinë) në Mitrovicë (Republika e Kosovës). Fakultetin Teknik, Dega e Inxhinierisë Mekanike, e mbaroi në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar në Universitetin e Zagrebit, në Fakultetin e Makinerisë dhe Anijendërtimtarisë dhe mori titullin magjistër i shkencave teknike. Ka mbrojtur disertacionin, me titull: “Krijimi i leksikut shqip të terminologjive teknike” (Procese të krijimit, të pasqyrimit në gjuhë dhe të standardizimit)”, në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe mori titullin Doktor i shkencave në Gjuhësi, specialiteti Terminologji. Tani ka në përfundim disertacioni e dytë nga inxhinieria mekanike, me titull: ”Untersuchungen zu den experimentell ermittelten Kerbwirkungszahlen nach DIN 743 mit der Finite Elemente-Methode”, në Universitetin Teknik të Vjenës.
Përveç në Prishtinë, ka bërë studime në Tiranë, Zagreb, Freiburg, Lausanne, Bournmauth, Berlin dhe Vjenë. Ka publikuar artikuj nga fusha e inxhinierisë mekanike dhe terminologjisë. Gjithsejt janë 130 punime të tilla: në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, Bullgari, Rumani, Austri, Itali, Poloni dhe Japoni, nëpër revista dhe simpoziume kombëtare e ndërkombëtare. Ka mbajtur mësim në disa fakultete dhe qendra universitare: në Fakultetin Teknik në Prishtinë-ku është në marrëdhënie pune edhe tani, në Fakultetin Xehetaro-Metalurgjik në Mitrovicë, në Shkollën e Lartë Teknike në Mitrovicë, në Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj, në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Ka shqipëruar nga gjuha serbokroate pesë libra, për shkollat e mesme profesionale të Kosovës. Publikimet e tij për shkollat e larta janë: 7 tekste universitare dhe 12 dispensa.
Kur ishte nxënës i shkollës fillore, ka botuar vjersha për gazetën e murit “Drita” në Smrekonicë. Ishte kryetar i grupit letrar “Migjeni”, në Shkollën e Mesme Teknike të Mitrovicës. Po kështu, ka botuar vjersha në gazetat dhe periodikët e kohës. Veprat e botuara me poezi: ”Për një pikë ujë”, Prishtinë, 2013. ”Melodia e përjetësisë”, Prishtinë, 2014 dhe “Kërkoj yllin e fatit”, Prishtinë, 2015, me një varg vlerësimesh kritike të nivelit të lartë. Në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, libri i tij më i ri, “Lot për Kosovën”, e sheh dritën e botimit në Bukureshtin e famshëm të rilindësve tanë. Dr. Gani Pllana jeton familjarisht dhe vepron në Prishtinë.