Kulturë
Shefqet Sulmina: Ajo nënë po qan
E diele, 30.10.2016, 11:49 AM
Shefqet Sulmina
Turtujt
Gjahtarë dhe turtuj në muzg.
Turtujt me pushin e butë,
Gjahtarët me gjuhën e gjatë.
Turtujt si turtujt,
fluturojnë ulët.
1988
Varrët
Varrët nën dritën e hënës s'duken,
S'duken, as në largësi mes vitesh.
Duken sa më afër kohës
Dhe sa më afër pikëllimit.
1991
Ajo nënë po qan
Në Jonin e përthinjur një nënë po qan.
Po ikin djemtë e saj.
Nuk qan për vdekjen e Ali Pashait,
As për vdekjen e Mujo Ulqinakut,
Nuk qan as për male e male dhe fusha të pakta...
Nuk qan për ushtarin e panjohur...
Ajo po qan.
Fshijani lotët!
Oi!
1991
Shpresë dhe frikë
X+y, x+z s'bëjnë hiç.
As ëndrra plus trille.
Jeta plot dëshira dhe ëndrra,
Zhurmë iluzionesh e gjitha...
Dy trëndafila në dritaren tënde,
I vura tinëz një ditë.
Shpresë e madhe që ta kuptoje
Dhe frikë stuhie, natyrisht.
As shi, as stuhi s'pati,
S'pati as krisma pau-pau,
Trëndafilat e bardhë në dritare
As vjeshta, as koha s'i thau.
1984
Gjërat e tua, janë tuajat
Do pi një dolli për shëndetin tënd.
Një tjetër do ta pi prapë për shëndetin tënd.
Dy mijë dolli do pi për nderimin tënd.
Tre mijë dolli për miqësinë me ty.
Një do ta pi për kalin tënd,
Një tjetër prapë për kalin tënd të huaj,
Një për burrërinë tënde,
Një për burrërinë tënde me një malë prej burri.
Dhe s'do të pi për gruan tënde
Dhe as për poezinë tënde s'do të pi.
Në fakt, unë nuk pi kurrë për gjërat e tua,
Për gjërat e tua respekt! dhe dashuri.
2000
Merrnin...
Përditë merrnin gurët nga fjalët,
Njerëzit flisnin dhe talleshin për gurët që mbartnin.
Gurët talleshin me njerëzit që i ndanin gurët nga vetja
Nga toka, hallet, fjalët, rrezet, të vërtetat
Dhe të habitur shihnin si lindnin në vend të tyre gjerdhet.
Fjalët zinin vend në fjalën e fundit të vatrave
Dhe digjeshin me drutë në zjarre.
Digjeshin me pyjet,
me mëritë,
me ujërat
Bashkë me to fushat dhe monopatet.
Kur panë që njerëzit lëshoni gurët dhe fjalët,
Ata që ndanin vetën nga fjalët,
Vinin britmat në krye të rradhës.
Filluan të merrnin me britma lulet,
Binin me gurë mbi diellin dhe rrezet,
Mbi të vërtetat për njerëzit, ujërat dhe pemët.
Njerëzit mbushnin tregun me lule dhe fjalë,
Çmendëshin dhe pinin mbi pjatat me meze.
Deheshin vetë për ta,
Pastaj qeshnin si të marrë,
Kur shihnin se ata mbillnin në trevat e tyre
Jo mollë, por gurë dhe britma për fjalë...
Pastaj ata filluan të merrnin fjalët dhe emrat,
Njerëzit u kujtonin emrat njeri-tjetrit.
Ata u vunë përballë rrethimit me gurë të vjedhur,
Bërë masa masa dhe kala/
Shihnin shpesh me druajtje prapa vetës të pasigurtë
Dhe pyetën se mos me ta po talleshin
Po tallëshin dhe për çfarë?
Pastaj për tu ruajtur, për të qënë të sigurtë
Ndërtuan ndarjet,
Ndërtuan doganat
Ndërtuan fetë, kalatë dhe gardhët.
Njerëzit pyetën:
-Mos doni të merrni edhe malet?
-Po, u thanë ata të zbehtë, të heshtur.
Atëherë mendoni me se do ti mbani
Ne malet i kemi si gishta,
Ne malet i mbajmë në këmbë,
në duar,
në valle.
Doni këtë malin, më të madhin?
Doni këtë të mesit...?
Doni këtë të voglin?
Donin këtë në pëllëmbë,
të mesit?
Malet mbetën tek janë,
Me njerëzit që në valle i mbajnë.
Ata që deshën të mesit
Të mesit e lanë menjanë.