Kulturë
Përparim Hysi: Letra në sirtar
E merkure, 04.05.2016, 07:01 PM
Letra në sirtar
Për A...
Tregim
Nga Përparim Hysi
Me Kapllan Bektashin, sado miq të vjetër, kishim kohë pa u takuar. Unë ikur, por dhe ai ikur (kohë e keqe: ik të ikim se na zunë?!!!), kështu që në gjithë këtë "postdemokraci", fare rastësisht u takuam në Tiranë. U takuam dhe,sado paksa larg nga njëri-tjetri, të paktën një herë në muaj e gjerbim ndonjë kafe. E gjerbim po dhe na ka një shije tjetër, se në aq kohë që qëndrojmë bashkë, pothuaj e përpijmë gjithë atë kohë kur puna na njohu. Unë mësues dhe ai veteriner, jabanxhi që të dy, flinim në një dhomë dhe jo pak, por për tri vjet të mira. Tri vjet dhe nuk lamë gjë mangut pa i treguar njëri-tjetrit që nga ato"proçkat e rinisë" dhe ç'na ndodhte o brenda ditës, o më tej. Por në fund të fundit, çfarë mund të bënim tjetër? Vërtet të profesioneve të ndryshme, por sa rëndësi ka profesioni, kur të plekset muhabeti.
Të një tipi nuk qemë, ç'është e vërteta. Por pse do ishim? Se mos ishim gjak a fis?
Sidoqoftë, po të nisesh nga ajo thënia "moj kasolle, ku na mblodhe", u bëmë miq dhe kështu jemi dhe sot.
* * *
Para 10-ditësh e ritakova. Këtë herë më tha:- Do marrim nga një raki, se kam për të treguar diçka. Ti raki merr,- ia prita. Po unë nuk e vë në gojë, qëkur kam rënë nga fiku. Kjo "kam rënë nga fiku", nga lexuesit duhet kuptuar: qëkur kam bërë një operacion dhe jam përcjell dhe me rakinë. Ai ma di hallin dhe u bind. Ai raki dhe unë expresin dhe po prisja shkakun e rakisë. Dëgjo,- më tha,- nuk të thashë kot për raki, por ti sikur do të rrosh njëqind vjeç.
Pastaj, si e ktheu gotën, më tha:
- A e di ç'më ka gjetur?
-Po nga ta di?- iu përgjigja pyetjes me pyetje.
Mirë,- më tha,- unë do ta tregoj copa-copa dhe ti, pasi të më dëgjosh, me ato "copërat" më ndërto një tregim. E dua që ta kem, se kështu si më ndodhi, sado që e përjetova, kam frikë se më humbet. Është një plagë që dhe të dhëmb, por dhe të kruhet.
Kurrë nuk e mbaj mend mikun tim që të flasë kështu si me "rrotulla", por siç duket këtë radhë kjo plaga sikur nën korë po i rridhte pak e nga pak.
* * *
-Ka lidhje me Senën,- më tha. Të kujtohet Sena që kishim kuzhiniere?
-Po si nuk më kujtohet? Pastaj, si për t'ia ngacmuar plagën, jo vetëm më kujtohet, por sikur t'u "hëngrën hudhrat" me të.
-Epo atje ta kam dhe fjalën. Për të dhe do të tregoj.
-Po kjo ka njëzet e pesë vjet të shkuara,- i them. Me siguri. do sajosh ndonjë nga ato "proçkat" që bëje andej nga stallat e blektorisë.
-Jo. Jo. Por ki durim se ti hidhesh si ajo zorra në prush.
Ç'është e vërteta, ashtu jam dhe fare pa e kuptuar as vet, shpesh e prish edhe muhabetin, qoftë dhe me miq të mirë. Duket më është bërë huq dhe huqi del me shprtin. Dhe filloi...
Me timeshoqe, Merushen, po ktheheshim në Tiranë (kishim qenë andej nga vendlindja), me autobuz. Aty nga kilometri 5, autobuzi ndaloi dhe,sakaq, hyri një vajzë e re. Sa hyri, imeshoqe që po shihte andej, më thotë ashtu me gjysëmzëri:
-Kapllan, sa të gjaka kjo bukuroshe! Dhe flokët të verdha, por dhe puçrrën po atje, në anën e majtë të hundës. Unë po mbeta me sy andej dhe çudia më e madhe( ore po si dy pika ujë:qoftë flokët dhe qoftë ajo puçrra në të njëtën vend). Por nuk qe vetëm kaq. I vetmi vend qe në kolltukun tonë tresh dhe, sa u drejtua për tek ne, i lirova vendin ngjitur me timeshoqe. Ajo u ul, por mua nuk po më rrinte kapela mirë. Ç'të ishte kjo ngjashmëri? Zuri dhe po më hante trupi. Vendosa ta hetoja ashtu larg e larg. Këtu ku hipi kjo vajza dhe andej nga vinte, unë kam punuar dhe njoh fshatrat me radhë. E, megjithatë, fillova ta pyesja.
- Nga cili fshat erdhe?
- Unë jam nga Sh...,- tha. Po kam qenë tek gjyshërit nga nëna në N...
Kur më tha në N..., atëherë, aty për aty, m'u kujtua Sena, ajo kuzhinierja nga fshati N... Dhe ajo, më duket se u martua në Sh.... Meqë je nga fshati N..., i them, nuk ma thuaj dot emrin e gjyshit?
-Nasi! Nasi S....- tha vajza.
Bobo,- thashë me vete, por Nasi është babai i Senës dhe... Këtu, miku im, e ndërpreu bisedën, e gjerbi dhe njëherë gotën dhe, kur pa që nuk kish më, i bëri zë kamerierit që t'ia mbushte prapë.
-Do tundke këmborë të rënda, Kapllan-aga,- shpova me bodec unë. Ai, siç duket donte të bëhej çakërrqejf, se kishte qejf të malconte atë plagë që kish filluar të rridhte. As nuk e hapi gojën sa erdhi gota dhe, pasi e gjerbi, vazhdoi. Ore, thuaj si të duash, por kur kjo vajza që më"ngjante" më tha emrin e gjyshit, unë për t'u bërë pak më intim, i them:- Moj, po mos je çupë e Senës, ti? Ajo, sikur të kish bërë ndonjë faj, u zu disi ngusht nga pyetja ime, se pashë që puçrrën sikur ia ngacmoi një tis nervor (edhe mua kështu më ndodh, kur nuk më pëlqen diçka apo kur nxehem) dhe më tha si pak e ligështuar:- Po. Unë jam vajza e Senës, por mamaja ka vdekur, po bën gati pesë vjet.
Kur më tha që ishte e bija e Senës(bëra tutje në ato vite), por, ç'është e drejta, u ndjeva aq liksht kur më tha: ka vdekur. Isha gati ta pushtoja me të dy duarët për dhimbjen që i shkaktova. Ajo, si u qetësua, më pyetI:- Po ju ku e kini njohur gjyshin tim dhe ca më tepër mamanë titme, të ndjerë. Unë kam punuar andej dhe mamaja jote ( ka qenë zonjë e vërtetë), ka qenë kuzhiniere. Kam ngrënë bukë e gjellë nga ato duar dhe e ndaj dhimbjen me ju. Imeshoqe më pa drejt e në sy dhe sikur më thoshte:- Ore po nuk ke punë tjetër ti, po të rëmosh tutje në vite. E pashë që nuk ndjehesh mirë, se lëvizte mbi kolltuk sikur po e hanin pleshtat dhe sytë nuk ia ndante asaj vajzës që më gjante. Kushedi se ç'tirrte me mendjen e saj. Sidoqoftë, tek vështorja timeshoqe që hidhte sytë sa nga unë dhe aq nga vajza, nuk kisha si të bëja "shenjtin" që, me demek, fare kot po pyes dhe as që ka rëndësi, në më ngjan kjo vajza dhe, fare rastësisht e njohëm në autobuz. E mbylla shkarpën për të mos u lënë vend keqkutpimeve dypalëshe (sidomos nga imeshoqe), por me mendje trapita larg në kohë e distancë: atëherë kur Sena qe kuzhiniere dhe, siç thuaj ti, mua kish zënë e më "haheshin hudhërat me Senën". Epo pse t'i vimë anës, or byrazer, unë pata ca çaste me Senën dhe përkoi bash atëherë, kur kjo sa do martohej në qytet. Duket..., po pse ta zgjasë muhabetin. Pa më lënë kohë për ta "shpuar" përsëri, sakaq nxori nga portofoli një letër dhe ma zgjati. E kam ruajtur në sirtar dhe, kur ma gjeti Merushja, i thashë:- Është e Papit se ai ka "frikë" nga Sika dhe ma ka dhënë që ta ruaja unë. E pe, nxore merakun dhe nuk të duhet me të.
Tani, aty në letër, do gjesh një pjesë nga dashuria ime me Senën dhe, pastaj, do ta marrësh vesh pse më gjante aq shumë ajo vajza me atë puçrrën në të njëjtin vend me puçrrën time.
E mora letrën dhe, pasi e lexova, po e sjell po ashtu si është shkruar nga Sena që, për të thënë të drejtën, kish një bukuri të pashoqe.
Ja dhe letra që është (gjasme për Papin që ka"frikë" nga Sika).
* * *
I dashuri im!
Unë të dua sipas mënyrës sime. Kurrë nuk kam pyetur se ti je disa vjet më i madh se unë dhe, pse ndryshe nga unë, je i martuar dhe me fëmijë. Unë të dua se më pëlqen dhe nuk kam kërkuar nga ti që të prishësh familjen. Të dua pa kushte dhe pa detyrime karshi meje. Unë dhe pak dhe do martohem paksa larg që këtu, por ti do jesh pranë meje kurdoherë. Vitet që ke ti mbi supe,as dua që t'i vë re. Sa ndihem mirë, kur të shoh ty të qeshur, po aq ndihem keq, kur të shoh të nervozuar. Sidomos, kur ta shoh atë puçrrën që sikur të lëviz nga nervozizmi, jam gati që ta fut të tërën në gojë, vetëm e vetëm që të të shoh të qetë e të qeshur. Vitet? Lëri të bëjnë punën e tyre. Ti je dhe do të jesh përherë i ri dhe unë deri sa të vdes, kurrë nuk do të harroj. Vetëm për një gjë do të lutem: kudo që të jesh dhe sio që do ta kesh jetën, mos e harro Senën. Se Sena të ka dashur dhe të do.
Tani,- tha miku im,- t'u fala dhe pres që me këto "copëra" të ma bësh atë tregimin. Siç e shihni, e kreva porosinë dhe tek "Letra për Papin që ka "frikë" nga Sika", kam hequr ndonjë frazë pak diskrete, Sidoqoftë, vetëm kam treguar ashtu siç di.
*Çdo përkim në emra është krejt i rastit.