Kulturë
Bajram Canameti: Kurt Kola - Në Shqipërinë Burg
E hene, 02.05.2016, 07:08 PM
NJË LIBËR I KURT KOLËS QË DËSHMON KORIN E VUAJTJES KOLEKTIVE PËRMES NJË ZËRI RRËFYES AUTENTIK
Nga Bajram CANAMETI
Libri i Kurt Kolës “Në Shqipërinë Burg”, na rrëfëhet me një zë ekzistencial kori i një vuajtje kolektive, pjesë e së cilës ka qenë edhe vetë autori.Me një rrëfimtari të rrjedhshme ai përcjell përmes ngjarjesh, faktesh, gjithë atë ferr të vuajtjes kolektive dhe individuale të gjithë të burgosurve politikë që vuajtjen në mënyrë të pafajshme monstruozitetet e gjyqeve të inskenuara, internimet, burgjet, një kalvar i gjatë i keqtrajtimit dhe fyerjes, por gjithnjë ditën ta mbajnë gjallë frymën e lirisë dhe mospajtimit.Mendoj se pas librit të Atë Zef Pëllumbit”Rrno pwr me tregue”, ky është libri më i plotë, botuar me kujtime dhe dëshmi të dhimbshme për atë periudhë.Në librin e tij zënë vend kujtime e mbresa të dhimshme për personalitete të mëdha të kombit si Eqerem Çabejn, Arshi Pipën , Et`hem Haxhiademin, vuajtjet në kampin e Vloçishtit, në Kampin e Tepelenës, në burgun e Spaçit, të Burrelit, po kështu vizatohen me penelata të holla figura të urryer të komandatëve të burgjeve , apo kampeve të internimeve si ajo e Tasi Markos që në kënetën e Maliqit i detyronte të burgosurit të futeshin në ujë dhe mbi ta të kalonte ky kriminel; figura të hetuesve dhe xhelatëve të tillë që kryenin mizori e që i tejkalon caqet e një fantazie normale.Kështu, Kurt Kola bën një tablo të territ dhe dhunës komuniste, ai e merr përsipër për çfarë ka parë, si i ka parë dhe me një ndërgjegje të tronditur edhe sot nga hijet e asaj vuajtje , rrëfen rrjedhshëm e me saktësi.Autori nuk është nisur të zbukurojë as të zmadhojë, parimi kryesor i të rrëfyerit ka qenë realizmi konstruktiv dhe fakti burimor që vjen përmes një kujtese ku është rrënjosur e kaluara e dhimbshme e këtyre martirëve.Qëllimi i autorit ka ardhur dhe është konkretizuar me gjithë ato tablo të gjalla ku luheshin skena shekspiriane të krimit dhe torturës.Dhe natyrshëm, përmes kësaj ai tregon sesi këta njerëz u dënuan vetëm se kishin mendim të lirë, vetëm se ishin intelektualë të vërtetë, kishin mbaruar shkollën në Perëndim, dhe diktatura nuk e duronte kulturën e tyre ose e kishte frikë.Po kështu , gjatë gjithë rrëfimtarisë së autorit del dhe të mahnit, duke të sjellë vetiu respekt, forca e tyre morale, durimi, besimi se një ditë diktatura do të binte.Shumë prej tyre e arritën këtë gjë dhe gjetën një farë ngushëllimi për vuajtjen , kur panë sesi ra diktatura.Torturat dhe tmerret, vijnë në kontrast me forcën morale të këtyre njerëzve, të cilët e mbajtën gjallë frymën e besimit dhe të shpresës.Kjo është një shinë e caktuar nga kalon rrëfimi, ndërsa shina tjetër mbetet solidariteti i pakundshoq i këtyre njerëzve me njëri tjetrin, solidaritet që sillej çdo ditë në rrethana të vështira dhe merrte vlerat e inkurajimit ndaj njëri tjetrit dhe tregonte shpirtin e tyre fisnik.Kurt Kola e ka quajtur si mision fisnik, si detyrë të posaçme që të bëhet zëri i atyre shokëve që i pa të vdisnin në tortura, që çuan veten me uri vetëm t`i iknin vdekjes së ngadalshme, të atyre njerëzve që u martuan me vonesë, të atyre artistëve të mëdhenj si Lukë Kaçaj që i kënaqte me këngët e veta në burgjet e errta, të atyre grave dhe nënave që shkonin për të takuar të afërmit në burg dhe në kthim nuk i merrnin makinat se ishin “armiq” dhe ato nëna për të mos u shqyer nga ujqërit në borë detyroheshin të hidheshin makinave përpara, të gjithë asaj ajke të nacionalistëve shqiptarë e cila u sakrifikua në emër të formimit dhe atdhedasjes;kështu, zëri i tij dëshmon gjithë atë kor vuajtje njësoj si në skenat biblike, atë kor që sikur vjen nga humnerat e thella dhe si një tërmet trondit ndërgjegjet e sakta.Ky libër është shumë i vlefshëm sepse dëshmon dhe përmes shkrimit gdhend një histori e copëza të përgakura historike gjithë atë të vërtetë e cila duhet njohur, duhet çmuar dhe duhet nderuar në maksimumin e një respekti të meritueshëm edhe nga brezat e rinj.Kështu , rrëfimet marrin vlerë polifuknsksionalizuese dhe bartin filozofinë e madhe të qëndresës, dëshmojnë më së miri një histori tmerri që, në shumë aspekte, afrohet me kampet naziste, madje në disa raste ua kalon atyre.
Autori , gjithashtu bën një paraelizëm midis burgut dhe “burgut”jashtë, me gjithë ata njerëz që vuanin edhe pse , gjasme nuk ishin në burg, për njerëzit e tyre që ishin në burg.Sigurimi i detyronte gratë të ndaheshin nga burrat, ose mllefi dhe inati komunist arrinte deri aty sa të internonte familje të tëra.E famshmja kobzezë, lufta e klasave synonte shkatrrimin e tre brezave si në mitin e Atridëve.Fëmijtë e tyre liheshin pa shkollë, pa bukë, vepronte uria kronike.Skizofrenët agresivë, xhelatët, spiunët, puthadorët dhe makutërit e indokrituar me një ideologji false, vrastare, ashtu si hijet mesjetare me gjak të ftohtë, me ftohtësi lugati dhe etje vampiri vepron herë hapur e herë fshehtaz, ata injektonin shiringa vdekjeprurëse me veprim të ngadalshëm.Autori i ka njohur mirë, I përmend me emra dhe bën mirë për këtë.për të qëndruar besnik ndaj së vërtetës, jo me qëllim thyerjen e ndonjë skeme, Autori tregon edhe për ndonjë rast kur ndonjë komunist apo roje shfaq ndonjë gjest të vockël humanizmi, po kjo nuk ishte veçse një oaz në një shkretëtirë të madhe, po ata ishin si gishtat e dorës, të rrallë.Libri wshtw shkruar me një stil të rrjedhshëm, rrëfyer me zë ekzistencial, përcjell ngjarjet brenda rrethit të shtatë të diktaturës komuniste, zbërthen padrejtësinë e rëndë të gjysëmshekullit duke na dhënë besueshëm dramacitetin e çmendurisë komuniste.
Në këtë libër voluminoz, që do ta quaja vepër historiko-letrare, gjejmë Mathauzenin dhe Aushvicin, djajtë e kohës së zezë, arkitektët e pushtetit mizor, që goditën genin patriotik dhe përgjakën e dogjën Shqipërinë si asnjë pushtues i huaj.
Autori duke qenë një pelegrin i përgjakur dhe i martirizuar që në fëmijëri, ka “filmuar” me saktësi tragjedinë perverse në burgjet dhe kampet e internimit duke vënë në rresht kriminelët, që nga arqitekti sadist e deri te polici vegël që torturonte deri në vdekje fisnikët e pafajshëm. Aty gjejmë kalvarin e dhimbshëm të gjysëmshekullit absurd të dhjetra familjeve patriotike, genin dhe mendjen e Kombit që u sulmuan barbarisht. Në vepër lexojmë tragjedinë e fëmijëve jetimë që torturoheshin, provokoheshin, burgoseshin e dënoheshin si armiq të popullit. Këtu gjejmë tragjedinë e grave trimëresha që burrat ua kishte vrarë komunizmi me e pa gjyq dhe me fëmijët për dore e në krah i degdisnin në kampet burgje duke i torturuar, fyer e kërcënuar. Autori ndriçon dramën e vajzave që mbetën virgjëresha dhe të shumë djemve fisnikë që u plakën nëpër burgje dhe nuk arritën të krijojnë familje.Megjithëse ngjarjet përshkruhen brenda burgut, autori ka ditur që edhe atyre skenave rrënqethëse t’u japë frymëmarrje dhe shpresë duke i shkruar me një kolorit dramatik.
Refleksi intelektual i autorit dhe rrebelimi ndaj drejtësisë, vishet me një shije të hollë duke e mbërthyer lexuesin me aromën e metaforës, me fotografimin shumëdimensional të ngjarjeve, duke ndriçuar plagët, dhimbjet, e duke nxjerrë në dritë konfliktin dhe analizën. Vepra “Në Shqipërinë Burg” me nëntekstet: Çfarë ndodhi?! Çfarë pashë?! Çfarë hoqëm?! është histori dhe letërsi, dramë dhe tragjedi, analizë dhe studim, akuzë dhe homazh, shkruar me mjeshtëri dhe kulturë artistike.
Kurt Kola, punjoll i një familjeje patriotike me emër në historinë kombëtare, i burgosur dhe i internuar për 45 vjet, me 12 të pushkatuar nga sllavo-komunizmi, ndër ta: 2 vëllezër, babai, tre xhaxhallarë, dy daja, dy nipa, dy dajat e të atit dhe dhjetra të tjerë të pushkatuar nga gjaku, gjinia dhe miqësia e familjes; me shtëpi të djegura dhe të konfiskuara, të shëmbura deri në themele, internuar familjarisht që në moshën 8 vjeçare, me mbi 500 vjet internim familjar, dhe 30 vjet burg bashkë me nënën e tij, është autori i katër librave, mes tyre dy romaneve dhe tashmë i dhuron, lexuesit, historisë dhe fondit të letrave shqipe këtë vepër monumentale, botuar nga Shtëpia Botuese Universitare “UET Press”.
Autori ka ditur të lidhë dhe gërshetojë jetën e tij me mijëra familje fisnike që bandat e pushtetit të krimeve për hir të ideologjisë bolshevike, i vranë, i humbën, i burgosën dhe i internuan në grupe. Kurt Kola e kishte vrarë frikën që në moshën 8 vjeçe, kur e rrëmbyen nga shkolla më 10 maj 1945. Pasi u dogjën shtëpitë, nëntë fëmijë ku më i madhi ishte Kurti, nëna e tij me tre kunata, u degdisën barbarisht drejt burgjeve dhe internimeve. Dhunë fizike dhe psiqike, terror, britma dhe ulërima, imazhe të frikshme të ngjashme me veprimet naziste ndaj hebrenjve.
Revolta e autorit shkaktuar nga padrejtësia perverse matej të mundte pushtetin e krimeve gjë që të kujton Migjenin: “A sikur të kisha një grusht të fuqishëm dhe t’i bija në zemër malit…”. E megjithë rrebelimin e tij, rrëfimi është shkruar me fjalë të matura dhe të gdhendura, stolisur me kolorit të pasur dhe me një polifoni të figurave letrare. Ai me mjeshtëri ndriçon heronjtë e dhimbjes, patriotët, luftëtarët e lirisë, fisnikët, intelektualët dhe nga ana tjetër përcjell personazhet negative të gjakatarëve, barbarëve, kanibalëve dhe të injorantëve që për hir të ideologjisë dhe pushtetit vranë dhe prenë, burgosën dhe internuan familjet e mëdha, inteligjencën, patriotizmin, dogjën dhe shkatërruan Shqipërinë.
Autori e quan kohën e diktaturës, epokë të krimeve, e cila kishte kryqëzuar popullin, sikur kryqëzuan Krishtin. Dhuna bashkë me propagandën helmuese dhe mashtruese degradojë njeriun, saqë fëmija spiunon prindin, vëllai vëllanë, babai djalin, miku mikun. Gjë që solli rrethin vicioz: burg-internim dhe anasjelltas. Diktatura zhduku edhe varret e të burgosurve dhe të internuarve. Mijëra vdiqën nga tortura, uria dhe sëmundjet. Gropat e kufomave i mbollën me pemë. Mishi i të burgosurve dhe të internuarve shërbeu si plehërim!
Autori në rrëfimet e gjata trajton qendresën e grave, por dhe të fëmijëve, që pasi u rritën, u burgosën e u rridënuan në burgjet e tmerrshme. Ai parakalon para lexuesit kampet e internimit dhe burgjet në Shqipëri. Vendi ynë ishte kthyer në burg! Burgu i madh Shqipëri që kishte habitur dhe çuditur botën me arkitektët dhe ideologët e djallit, për fat të keq nuk u bë humnerë për kriminelët. Demagogjia e paturpësisë të politikës, nuk pyeti për të kaluarën kriminale por ndryshoi rroben. Makbethët e pilatët fshehën duart e përgjakura. Uqërit ndërruan lëkurë dhe u shpërndanë me maska demokratike në anarshinë e pluralizmit shqiptar. E djathta e vuajtur, vrarë dhe burgosur, në një gjysëm shekulli terror, mendoj se turpit të krimit komunist i kishte dalë boja, paçka se ai fatkeqësisht ai filloi të nusërojë. Marshi i liliputëve triumfoj në emër të demokracisë. Tinzaria, mundi ndershmërinë…
Këto e shumë të tjera, autori i rrëfen me analizën që i bën pluralizmit të këtij çerekshekulli. Ai ka ditur ta kthejë rrëfimin e tij në një vepër cilësore jo vetëm për të treguar ngjarjet e dhimbshme, por edhe analizën e saj. Libri jep fakte, shifra, ngjarje, qëndresën, kundërshtitë dhe rezistencën deri në vetmohim.
Autori rrfën ato që ka pa me sytë e tij, të vërtetat e pamohueshme, ndaj ai mundi të zbulojë vetëm pak, vetëm majën e përgjakur të ajzbergut. Realiteti i asaj kohe të zezë, që derdhi breshëri plumbash mbi zemra patriotësh dhe atdhetarësh, me rrëke gjaku që mundën lumenjtë, me eshtra heronjsh të hedhura në humnera, me mbi 500 shekuj burg dhe internim që bënë shqiptarët, me pellgun e krimeve që krijuan mbi popullin nuk ka libër që i nxë. Arkitektët e botës mizore, vranë patriotizmin dhe atdhetarinë, shkencën dhe kulturën, moralin dhe fisnikërinë.