E diele, 28.04.2024, 04:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Flora Peci: U verbova

E premte, 29.04.2016, 08:00 PM


Flora Peci

 

U VERBOVA...

 

Nanurisjet e djallezisë tënde
Djepi i dashurisë sime
Nuk i dëgjoi
Dallgët e fëshfërimat
E puthjeve tjera
Nata m'i fshihte
U verbova
Nanurisa djepin
E shumë nanurisjeve tjera.
Ike
I pananurisur deri në fund
Ike
Fëshfërima e kurmit tënd
Iku dhe nuk la gjurmë.

 

RRUGA PËR TE TI

 

Shtruar me sfida ,rrënjë shkurresh 
Si metor rashë sa herë për tokë
U ngrita, një zë më pëshpëriste
Çapitur, zvarritur
Gjemba shkela
"Hap dritaren"
Më pëshpëriste Zëri
"Ngrihu"
-Vazhdo te foleja e lumturisë-
Dëgjova Zërin
U hap dritarja
Erdha te ti
"Të dua" të thashë
U shndërruam në një
Heshtja foli vetë.

 

MENDIME TË THYERA

 

Mas kohën ,tik-taket e orës

Ikin të gjitha

Davaritem, përpëlitem

Pres...

Nuk dua të pres

Ajo që iku

Edhe po u kthye

Është e thyer

Ngjitja gjurmë lë...

Nuk dua të pres.

 

FOLE HARRESE

 

Gjurmët tua frymojnë në folenë time

Zemrës i fale zhgënjim

Brut i kohës moderne

Erdhe për të thyer gotën

Jo për të uruar një dashuri

Erdhe

Për të rrënuar një fole

Ik

Shko

Shtegëto në fole tjetër.

 

ARGJEND HISTORIE

 

Flokët e thinjura të nënës sime

Argjend historie të ditarit

Plot dhembje

Rrudhat e ballit të zhubrosura

Dhembja më shumë ia shtoi.

Sa e madhe më duket nëna ime

Nënë shqiptare

Lindi Gjergja

T’i  luftojnë Balozat, mos t’ia turpërojnë

Oxhakun, fisin e konakun.

 

NATA TË ZURI TË GJAKOSUR

 

Popull i heshtur

Murana ndërtuan mbi supet tua

Shekujt të shkelën pamëshirshëm

Ti heshte...

Nata të zuri të gjakosur

Mëngjesi ta thau gjakun

Në këmishën e zhubrosur

Ti heshte...

Ti mos hesht

Ke dinjitet

Zgjohu, ora tik-taket i numëron

Koha nuk zmbrapset

Posejdonët gjakun ta thithën

Mos hesht...

 

PRITA

 

Prita të zbardh mëngjesi

Në gjysmështrat gjumi nuk më  zuri

As yjet nuk më bënin shoqëri

Prita...

Erdhe me agun

Mllef zbraze në pafajësi

Ika me mëngjesin, shpirtvrarë

Rri  ti dështak i jetës tënde

Mos  bredh dinakërisht

Në ndjenja të çiltërsisë

Ik...

Nuk ka vend për ty.

 

PAMËSHIRSHËM

 

Gjethe vjeshte binin në tokë

Era luante me to

Njerëzit i shkelnin

Koha degëdisej mbi to

Pamëshirshëm

Ajo numëronte gjethet e shkelura

Shihte veten aty.

 

NUK FAL

 

Asgjë nuk dua

Mos u përgjëro

Dhemb më shumë

Përgjërim në fajin tënd

Si?

Si mund të përgjërohesh

Kur prapë do të përgjërohesh

Ti nuk mund t’u ikësh mëkateve

Je papjekuri e moteve të shkuara

Ik përgjëroje veten

Koha iku

Mëkatet ajo nuk t’i fal.

 

FOLE TRADHËTIE

 

Ëndrrave ua shove shandanin e shpresës

Kolltukun e dashurisë

Në fole tradhëtie e shndërrove

Natës ia more yjet

Hëna qau në shtratin tim.

Ti Kazanovë i lindur

Katrahurë i jetës sime

Ik nga aty ku nuk ke vend

Foleja ime është mbushur me dashuri

Yjet shndërrisin tani  e hëna

Nuk qan më në shtratin tim

Jetoj në ishullin e lumturisë

Ik e mos lë gjurmë

Më presin shtigjet e reja.

 

BIOBIBLIOGRAFI

Flora Peci u lind në qytetin e Mitrovicës ku aktualisht jeton dhe punon si profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Shkollimin fillor dhe të mesëm i mbaroi në vendlindje, kurse studimet në Fakultetin Filologjik (Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe). Me shkrime u mor që nga bankat e shkollës fillore, por lufta ia mori pesë vëllime në dorëshkrim të cilat u dogjën nga zjarri i armikut. Është anëtare e SH SH "Jakup Ceraja" në Mitrovicë. Krijimet e saj iu botuan në revistën mujore "FJALË E VALË"- Mitrovicë, si dhe në gazetën  "Muzgu"-Shqipëri  dhe në disa revista të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Veprat: "Kosova e kullave të heshtura", "Shpirti im lirik në vetë të dytë" , "Shtigje jete" dhe "Sfidë në heshtje". Kjo e fundit është e dërguar në botim.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora