| E premte, 29.04.2016, 08:00 PM |
Flora Peci
U VERBOVA...
Nanurisjet e
djallezisë tënde
Djepi i dashurisë sime
Nuk i dëgjoi
Dallgët e fëshfërimat
E puthjeve tjera
Nata m'i fshihte
U verbova
Nanurisa djepin
E shumë nanurisjeve
tjera.
Ike
I pananurisur deri në
fund
Ike
Fëshfërima e kurmit
tënd
Iku dhe nuk la gjurmë.
RRUGA PËR TE TI
Shtruar me sfida ,rrënjë shkurresh
Si metor rashë sa herë për tokë
U ngrita, një zë më pëshpëriste
Çapitur, zvarritur
Gjemba shkela
"Hap
dritaren"
Më pëshpëriste Zëri
"Ngrihu"
-Vazhdo te foleja e
lumturisë-
Dëgjova Zërin
U hap dritarja
Erdha te ti
"Të dua" të
thashë
U shndërruam në një
Heshtja foli vetë.
MENDIME TË THYERA
Mas kohën ,tik-taket e orës
Ikin të gjitha
Davaritem, përpëlitem
Pres...
Nuk dua të pres
Ajo që iku
Edhe po u kthye
Është e thyer
Ngjitja gjurmë lë...
Nuk dua të pres.
FOLE HARRESE
Gjurmët tua frymojnë në folenë time
Zemrës i fale zhgënjim
Brut i kohës moderne
Erdhe për të thyer gotën
Jo për të uruar një dashuri
Erdhe
Për të rrënuar një fole
Ik
Shko
Shtegëto në fole tjetër.
ARGJEND HISTORIE
Flokët e thinjura të nënës sime
Argjend historie të ditarit
Plot dhembje
Rrudhat e ballit të zhubrosura
Dhembja më shumë ia shtoi.
Sa e madhe më duket nëna ime
Nënë shqiptare
Lindi Gjergja
T’i luftojnë Balozat, mos t’ia turpërojnë
Oxhakun, fisin e konakun.
NATA TË ZURI TË GJAKOSUR
Popull i heshtur
Murana ndërtuan mbi supet tua
Shekujt të shkelën pamëshirshëm
Ti heshte...
Nata të zuri të gjakosur
Mëngjesi ta thau gjakun
Në këmishën e zhubrosur
Ti heshte...
Ti mos hesht
Ke dinjitet
Zgjohu, ora tik-taket i numëron
Koha nuk zmbrapset
Posejdonët gjakun ta thithën
Mos hesht...
PRITA
Prita të zbardh mëngjesi
Në gjysmështrat gjumi nuk më zuri
As yjet nuk më bënin shoqëri
Prita...
Erdhe me agun
Mllef zbraze në pafajësi
Ika me mëngjesin, shpirtvrarë
Rri ti dështak i jetës tënde
Mos bredh dinakërisht
Në ndjenja të çiltërsisë
Ik...
Nuk ka vend për ty.
PAMËSHIRSHËM
Gjethe vjeshte binin në tokë
Era luante me to
Njerëzit i shkelnin
Koha degëdisej mbi to
Pamëshirshëm
Ajo numëronte gjethet e shkelura
Shihte veten aty.
NUK FAL
Asgjë nuk dua
Mos u përgjëro
Dhemb më shumë
Përgjërim në fajin tënd
Si?
Si mund të përgjërohesh
Kur prapë do të përgjërohesh
Ti nuk mund t’u ikësh mëkateve
Je papjekuri e moteve të shkuara
Ik përgjëroje veten
Koha iku
Mëkatet ajo nuk t’i fal.
FOLE TRADHËTIE
Ëndrrave ua shove shandanin e shpresës
Kolltukun e dashurisë
Në fole tradhëtie e shndërrove
Natës ia more yjet
Hëna qau në shtratin tim.
Ti Kazanovë i lindur
Katrahurë i jetës sime
Ik nga aty ku nuk ke vend
Foleja ime është mbushur me dashuri
Yjet shndërrisin tani e hëna
Nuk qan më në shtratin tim
Jetoj në ishullin e lumturisë
Ik e mos lë gjurmë
Më presin shtigjet e reja.
BIOBIBLIOGRAFI
Flora Peci u lind në qytetin e Mitrovicës ku aktualisht jeton dhe punon si profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Shkollimin fillor dhe të mesëm i mbaroi në vendlindje, kurse studimet në Fakultetin Filologjik (Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe). Me shkrime u mor që nga bankat e shkollës fillore, por lufta ia mori pesë vëllime në dorëshkrim të cilat u dogjën nga zjarri i armikut. Është anëtare e SH SH "Jakup Ceraja" në Mitrovicë. Krijimet e saj iu botuan në revistën mujore "FJALË E VALË"- Mitrovicë, si dhe në gazetën "Muzgu"-Shqipëri dhe në disa revista të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Veprat: "Kosova e kullave të heshtura", "Shpirti im lirik në vetë të dytë" , "Shtigje jete" dhe "Sfidë në heshtje". Kjo e fundit është e dërguar në botim.