E premte, 29.03.2024, 04:42 AM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Udhëtim në kohë epokash

E enjte, 28.04.2016, 07:33 PM


Udhëtim në kohë epokash

(Shokut e kolegut Bedri Tahiri, në  gjashtëdhjetëvjetorin e  lindjes)

Shkruan: Hazir Mehmeti

Një agimi nëntori shtatëdhjetë e nëntë, udhëtimit tonë i shtohet një mirëmëngjes në autobusin përplot nxënës, i cili ecte dredhas nga pesha njerëzore lakesave teposhtë Dushkajës drejt Vicianumit plak.

-Jam Bedri Tahiri, tha dhe rregulloi çantën e studentit që i rrinte varur anash.
       - Po, ndërhyri  anasi ynë, Nasuf Ahmeti, ky është ai kandidati për të cilin kemi biseduar, tani i pranuar  profesor i  ri në gjimnazin tonë.
     -  U gëzova pa masë pasi do ta kemi dhe një bashkudhëtar nga ana jonë, të paktën shoqëri udhëtaresh, mendova, natën e ditën, shpeshherë, në këmbë,  tri deri në katër orë.

Udhëtimin e dytë, e kaluam duke biseduar rreth jetës me ditar e asaj studentore, rreth problemeve në organizimin e mësimit, metodave, qëndrimit, shoqërisë, shqetësimeve të  punës sonë.
       Gjatë Udhëtimin të tretë kuvenduam rreth programeve, ideve, çka i duhet nxënësit, çka duhet biseduar rreth vështirësive të jetës, padrejtësive sociale, çka nuk guxojmë ta themi hapur, me kënd të jemi të kujdesshëm, cilët janë veshmëdhenjtë e cilët gojëmblit e mundshëm.

Udhëtimin e tretë e patëm të vështirë nga dridhjet që vinin rrugës së groposur kohëve dhe, si për ironi, drejt kolonëve shkëlqente asfalti i ri, ngjitas me trenin, i cili ftonte udhëtarë me fishkëllimën e tij që kur. Këto dridhje shtuan urrejtjen tonë dhe ne, si për inat, e filluam bisedën heshtur, me sy, ofshamë e frymëmarrje  dhe thamë: deri kur kështu?  Miratuam shënimin e  gjashtë dhjetëvjetorit të shtetit shqiptar me Dy Vlora në djepin e shpresës. Pësst! Dëgjon Veshmadhi!

Udhëtimit të  radhës biseduam rreth porosive  trashëguar gjeneratave, rreth Naimit, Fishtës, Çajupit, Mjedës, Alfabetit, Manastirit, dhe për Shën Stefanin, E  Londrës, E Berlinit,  Lidhjen e Prizrenit, Konferencën e Bujanit, Mukjes, për Tivarin, Çamërinë. Po të mos ishte pikëcaku i përbashkët dhe të shpërthenin gomat e autobusit, sigurisht do ta harronim stacionin.

Udhëtimin e pestë  nuk folëm, çile guri gojën. Nga hartimi i nxënësve kuptuam se amaneti priste në portën e “Çukut që kërcet”.  Lexoi Bedriu, lexova unë, pa folur. Na mësoi flokëbardhi në Shtëpinë e Muzeut në kryeqytet: “Jeni të rinj, na duheni, tri palë mençuri tani kur nata ha njerëz, mbajeni mend!”

Bota u krijua për pesë ditë sipas librit, që e quajtën të shenjtë,  ne vazhduam udhëtimet më shumë, fundja tani formohet jeta jonë mbi këtë Dhe të bekuar shekujve nga stërgjyshërit tanë. Ne nuk lodhemi së ecuri, thamë.

Udhëtimi i gjashtë na përcolli me erë gazi lotsjellës, me qepë në xhepa, me hartime të përgjysmuara, vetëm për dy fjalë “Kosova Republikë”. Ndodhte vetëm për dy shkronja të vogla KR që nuk shiheshin më larg se një dm nga syri. Vigjilentët e kohës shihnin çdo gjë vetëm fundin e tyre jo. Ky udhëtim ishte i veçantë e i vështirë me plotë biseda informative, diferencime, përgjime, kërcënime deri në përjashtim nga puna.

Udhëtimin i radhës biseduam rreth luleve për kurora të freskëta, dëbimin nga shkolla, bankat e zbrazura e të shkretuara, për Këngën e Ndaluar dhe për Dashurinë e Pafat, për orarin e ruajtjes së mësimit e  shkollës shtëpi nga banditët shqipfolës, për gjakosjen e Nazit nga shqipbarbarët.  Folëm për pasojat e  helmimit të nxënësve, për bjeshkën, për Dragonjtë e Kuçedrën që nxirrte zjarre mbi tokën tonë, mbi nënshtrimin, nënçmimin, mbi politikën e durimit e verbësinë e mbjellë, folëm se ku ta fshehim kompletin e Kadarës. E, për çka nuk biseduam derisa u vu kufiri deri ku guxojmë të marrim frymë.

Koha kaloi, kaçuba ku lenim opinga, çizme e këpucë, me të cilat udhëtonim deri në stacionin e autobusit Buzëkala, u dogj bashkë me to, ne vendosem përsëri të ecnim. Secili sipas hapit të tij drejt cakut të ëndërruar. Sipër pllajës së rrëpirët, ku fillonin shtigje. u pa ariu që lëpihej me hundë të gjakosura. Kjo nuk është shenjë mirë, thanë besëtytët.

Në udhëtimin e tij njeriu takon njerëz e përjeton ngjarje që bëhen pjesë e rrugës së tij, pjesë e një kohe që ndonjëherë për nga dinamizmi dhe pragu kapërcyes, quhen epoka. Ne, si gjeneratë kërkuese drejt progresit të ri në rrugën e dijës e ndienim barrën që na detyronte historia në hapjen e shtigjeve të trasuar nga rilindësit drejt lirisë kombëtare. Ashtu kërkohej, ashtu duhej bërë se “Liria nuk ka çmim“,  ashtu si dikur krisma Galicase...

Bedri Tahiri ishte një fat më shumë për nxënësin, shoqërinë, shkollën, rrethin e vendin. Ambiciet e tij prej një hulumtuesi, shkrimtari, publicisti e atdhetari u jetësuan me fuqi vullkani përmes penës së tij, aq shumë e duhur dhe e pritur në kohë.  Derisa vendit nuk i mungonin trimat asnjëherë, mungonte pena, libri. Partiturës së  çiftelisë nga Dervish Goxhuli, “Lumja kulla kënd ka brenda”,  duhej shtuar notat e munguara të Orkestrimit në dhjetëra forma tingujsh, artesh e ngjyrash deri tek liria, deri tek parlamentet e auditorët botërore, ku ishte hedhur baltë e pluhur mbi historinë e kulturën shqiptare. Aty varrosej liria jonë, gjaku ynë. Por tani, pena e Bedri Tahirit e bashkuar mes penave liridashëse do i tregojnë botës të vërtetën e legjendave shqiptare, dje e sot. Të vërtetën e Ilirisë shekullore të shkruar mureve të Piramidave e Kështjellave të zaptuara nga ardhacakët e përtej Karpateve.

Dhe, nuk është e rastit që Bedri Tahiri të cilësohet si “djallë shpirti” nga pushtuesit shovinist e bashkëmbështetësit e tyre që flisnin shqip. Vepra e parë hulumtuese e tij “Azem Bejtë Galica” do merr dheun në kohën e duhur, ajo ishte porosi e trasim rruge nga Heroi Galicas. Tani nga Galica vinte Bubullimë Moti në vepra që do lexohen anë e kënd Globit. Zëri i saj arriti deri në Bibliotekat botërore, aty dhe Universitetin e Insbrukut. Popujt miq e presin ringjalljen tonë, shkrimin e së vërtetës mbi historinë tonë të gjymtuar nga robëria shekullore. Mes tyre Prof. Dr. Hermann Oblerg, i cili, admiruar nga faktet, i shkruan autorit letër shumë përmbajtjesore dhe miqësore.

Falë penës së artë të Bedriut heronjtë do jetojnë librave gjatë në kujtesën e themeltuar në shkrime e këngë si asnjëherë më parë. Kjo na duhej, shkolla, njeriu i shkolluar me shembullin e tij frymëzues. Liria mbëltohej gjithandej kopshteve të gjëra të trojeve shqiptare, me porosinë e Rilindësve të Mëdhenj: Amanet gjuha e kombi! Bedriu u bë kronisti i ditëve të vështira, kur ngulfatej çdo gjë shqiptare, veçan mësimi shqip. Gjimnazi ynë si “qendër irredentiste” duhej ndaluar me çdo kusht. Populli e pa, hapi portat dhe çdo shtëpi u bë shkollë e mundshme. Vandalët pushtues u çmenden, suleshin të armatosur me pancirë e automatikë brenda klasës, mbi nxënësin e mësimdhënësin, mbi nikoqirin. Këto i përjetuam dhe do shuheshin bashkë me trupat tona  në Dhe, po të mos ishte pena e mbrehtë e largpamëse e Bedri Tahirit, me fuqinë e së cilës tregimet do mbesin përmendore gjithandej në motet që vijnë.

Të udhëtosh me njeriun pesëmbëdhjetë vjet nga tri orë në ditë, do të thotë  afër dy vjet udhëtim i pandërprerë dhe kjo do mjaftonte për katër herë rrethim toke me rrotë gome. Me bashkudhëtarin me të cilin kuptohesh, rruga bëhet e lehtë. Tatëpjetat ishin sprovë e madhe e jona, gjithkund nxënësin e shihnim ardhmëri, atdhe, liri, shpresë. Ne nuk ndienim dhembje e frikë, çdo ndjesi shqisore ishte  kthyer në frymëmarrjen e nxënësit synonim i së nesërmes.

Dhe, nuk gabuam. Lufta me laps e protestë, u zgjerua në male. Kushtrimi për liri mblodhi Ushtarët e Lirisë, aty dhe nxënësi, aty dhe Bedri Tahiri, me pushkë e top. Dikur: “Ua morëm pushkët, ua lejuam shkollën”,- foli naivi. Jo, e keni gabim,  tha hija tjetër, “Ua morët pushkët, ua dhatë Topin”. Dhe vërtetë, Topi ka kohë që kishte buçitur auditorëve, tani buçiste maleve me zërin e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Një ditë shkrimtari, në takim me njërin nga komandantët e orëve të para, i thotë: “Dua dhe unë të dalë me pushkë në pritë, të renditem në istikam”. “Jo, ti nuk duhet ta lëshosh topin dhe vetëm vazhdo kështu”- ia ktheu ai  me seriozitet, tek e mbushte gulinovin...

Uragani nuk ndalet, koha rrjedhë, lulëkuqet e freskëta mbinin gjithkund vendit, kënga e rapsodit nuk pushonte. Aty dhe pena e shkrimtarit kujdestar në paharresë. “Adem Jashari-Legjendë e Legjendave” do merr dheun  në kuptimin e ri të epokës së re shqiptare. Aty dhe krenaria jonë e rilindur nga lëndimi i gjatë i zezonës. Kreshnikët nuk i kanë munguar atdheut, dëshmi Gurët në Morinë, e tani emrat një shpatkodre para tyre. Lahuta, çiftelia tani duan partiturë pjesore në orkestrën ndërkombëtare me notat e arta të kompozuesit, shkrimtarit. 
      Në këtë detyrim artistik e atdhetar do vijnë nga Bedri Tahiri  tridhjetë e shtatë vepra me dhjetëra promovime gjithandej hapësirave shqiptare dhe më gjerë. Bibliotekave, teatrove, orkestrave do u dhurohet brumi për gatim në Magjen e Re të atyre që do lindin në Liri që nga sot. “Flakadanët e Lirisë” do ndriçojnë moteve në  Agu i Lirisë”, “Nga Shqipëria, në Shqipëri” për ndërtimin e “Përmendorja që mungon” me “Abdyl Krasniqi- Frymëzes brezash”,
“Drenica- një shekull trimërie”, “Përtëritja”,“Hasan Prishtina”,“Diferencimi”,“Për Flamurin kuqezi”,“N? Gryk? t? Valbon?s”,“Toponimia e Galicës”...

Vargu i veprave nuk ka të ndalur dhe tani, në pranverën e gjashtëdhjetë, shkëlqimi i tyre vjen e rritet bashkë me shpresën e shumë veprave tjera. Lirisht mund të themi, se  Bedri Tahiri është krenaria e kombit dhe ta njohësh e të punosh me të është kënaqësi për secilin. Unë pata fatin ta kem redaktor, lektor, mësues dhe frymëzues në shumë shkrime. Për çka i detyrohem thellësisht. Nga pushimi im prej mërgimtari në atdhe, krahas ajrit të freskët të Bjeshkës dhe aromës së Detit, Bedriu është forcë freskuese në punën time si mësues e krijues.

Urime gjashtëdhjetëvjetori, shëndet e lumturi!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora