E hene, 09.12.2024, 08:43 PM (GMT)

Kulturë

Namik Selmani: Nën dritat e Bostonit

E diele, 24.04.2016, 09:55 AM


NËN DRITAT E BOSTONIT

 

(Cikël me poezi nga Amerika)

 

Namik Selmani

 

DREJT QIELLIT AMERIKAN

 

Eci me një bark metalik të stërmadh në tokë e oqeane,

Ku përralla bëhet e vërtetë nën këto re puplore

Dikush rrufit kafenë si në një klub të largët lagjeje.

Dikush dremit dhe dikush shpleks kujtimet që sharrohen.

 

Nuk ka dallandyshe e pëllumba të prekin krahët e celikta.

Nuk ka zogj që të të vijnë në xham si miq të vjetër,

Shkronjat e një libri të dehin më shumë se kaltërsia

Kur ti bëhesh kalorës  a këmbësor i përjetshëm.

 

E të gjithë i merr pa pritur malli për pragjet e lënë pas

Për një duarzgjatje gjer kur sytë nuk shohin në qiell.

O, më jepni një pikë loti që në faqe lë vrragë,

T;u jap një simfoni, t;u jap në sy një tjetër diell!.

 

E të gjithë presin të heshtur çastin kur dyert të hapen

Në një tokë ku yjet rrinë në sup bashkë në flamur.

Të tjera sy të presin, të tjera duar zgjaten.

Duke lënë një urim që rimbillet si lule në buzë.

 

(24 prill 2016)

 

NË KISHËN E SHËN-GJERGJIT NË BOSTON

Noliane

 

Vjen një zë o nga Shën-Gjergji,

zgjohet fjala dhe kuvendi,

ma dredh trupi një këmbanë,

një kujtim ma sillka pranë!

 

Pa më celka lule shpirti

tek vaditet nga nderimi,

tërë drita, tërë hire

dritë të kuqe shqiptarie.

 

Dhe përhumbem thellë ëndrrës,

krahë të rinj ia jepkam këngës,

Me  jep kënga frymë lirie,

gjoksi merr fllad krenarie.

 

Po kujtoj sot Bunën, Drinin

kujtoj Lanën dhe Shkumbinin,

kërkoj Vjosën,  Lumëbardhin

më vijnë syve xixa stërralli.

 

Sjell  të fala si pëllumba

shkoj me Nolin nëpër fusha,

prek  këmbana  shenjtërie

marr bekim të flas me yjet.

 

Marr bekim për ardhmërinë,

bashkë me Nolin zgjoj urtinë,

i them ditës : “Mirë se erdhe!”

në çdo rrugë e dëboj heshtjen.

 

 

PESHA E FJALËS

Ati ynë që je në qiell na jep fuqi

që të heshtim kur nuk kemi se çfarë të themi!

Faik Konica

 

Mos më fut në sinorët e mëkatit , o urtaku Faik Konica

para teje jemi gjithmonë nxënës të urtë fytyrëskuqur,

në uturima avionësh Bostonit ia marr një kurorë me drita,

ta vë në këtë pllakë mermeri me lule mbushur.

 

O Atë i mençur, zgjona nga vullkani i nxehtë i fjalës

kur lumenjtë e gjokseve mbysin ditëve tryeza,

kemi nevojë të heshtim qoftë dhe para përrallës,

kur të hedhin hapa në agimin me ëndrrën e freskët.

 

Na merr për dore në Livadhin e Urtësisë së Munguar,

dhe pse këmba e dora do të na gjakoset sërish,

E nisëm me gjak udhën e shqipes së ëmbëltuar,

e prapë na ndjek bekimi i shenjtë në prushërim.

 

Prishi tribunat e rreme që sytë na verbojnë,

që udhën e djemve na e mbushin me ferra!

Falna, o Atë i Shqipes në këtë kohë të pakohë

që dhe shkronjëshqipes kërkon t’i vërë lesa!

 

Boston. 16 prill 2016

 

NË KULLËN E LARTË TË BOSTONIT

 

Nga kjo kullë prek si me pëllëmbë Bostonin magjik

Nuk kam frikë nëse do më ndalin drita semaforësh.

Qielli është afër e i prek me dorë kaltërsinë.

Pëllumbat bardhoshë luajnë me puplat e dëborës.

 

Këtu dëgjoj këmbanat që ditën ma shenjtërojnë

Me sy përpij avionët e anijet si pulëbardha.

Pallatet duken si kukulla që ecin dorë më dorë.

Ëndrra bëhet dritë  e fortë që më ndrin në maja.

 

Këtu jam Anteu që ia merrkam pa iso këngës

Jam gjenerali që spaletat i ka thellë tek vetja.

Të ishit me mua të tjera flatra do ia vinit ëndrrës

Të tjera këngë të pathëna do merrni në shkrepa.

 

Jam në Tokën e Zotit mes djersës  të punës.

Jam lulishtar që sjell nderim nga mbarë bota

Këtu dua ta largoj në hon krismën e pushkës.

Në emër të një ditë ku flet vetëm MIRËNJOHJA.

 

Këtu kujtoj stanet e livadhet në vendlindje

Ca fëmijë e qengja që ecin drejt lojës engjëllore

Këtu prek agimin e Jonit dhe Tomorit me vargje mitike

Në një sinor magje ku dhe përralla dorëzohet.

 

MANEKINËT E VETRINAVE

Duke udhëtuar në supermarketet e Bostonit

 

Ashtu të ngrirë

Dëgjojnë njerëz anonimë  që japin e marrin dollarë

Nën drita verbimi

Që kurrë  nuk shuhen asnjë minutë, asnjë ditë

Të dashuruar

Me këtë botë që nxiton si në agimin e parë

Me një buzëeqeshje

Të montuar  mes reklamave në vetrinat me dritë.

 

Ua  ndërrojmë

Të gjithë veshjet sa herë vjen e ikën stina

U vëmë

Këpucë kapele, fustane me ngjyra, kravata.

Na mbeten në sy

Teksa ngjitemi e zbresim nxitimthi nga makina.

Mes dollarëve

Që hyjnë me një “Thank you” të pambarimtë në arka.

 

Mbase garojnë

me vetveten në kërkim të një zemre a të një shpirti.

Mbase garojnë

dhe me ne në garën që po e humbim pak nga pak

Ata

Manekinët, na shohin tek thinjemi vit pas viti

E një pikë loti

nuk derdhin kur një ditë na dërgojnë në varr.

 

E dollarët

Sërish ndërrohen në vetrina e në rrugët që s’mbarohen.

Me kafe,

makina, lule, avionë, celularë që blihen e shiten.

O botë manekinësh

Tek ti ditët si një një mokër rrotullohen!

Drejt një fundi

që është fillimi i një ëndrre që pret rilindjen

 

LETËR NGA BOSTONI

Mikut tim Fuat Memelli

 

Më jep një pranverë  magjike Devolli,  miku im

Më dërgo një Sinicë ku të prek lulet e mollës

Ylberi i lumturisë na fton në udhët pa mbarim

Po kurrë nuk matet me madhështinë e sofrës.

 

Na  bëri pjesë të një deti vallesh në Devoll

Të lodrojmë mbi fustanella e të dehemi nga kënga.

Me rakinë  e fortë urimet një nga një t;i numurojmë

E të bëhemi kalorës të rinj kur të na vijë ëndrra.

 

Më jep një vjeshtë me dasma të bëhem krykrushk

E të rilind sërish si Sfinksi tek fjala jote e mencur

Na morën oqeanet e qiejt me retë si shtëllungë

Na vunë në lakun e jetës së kësaj bote të ndezur.

 

Më jep një poce dDevolli tqë poi verën  e e papirë

Ta rrufisim si Khajami a  si kapedanët në vallë

Dhe shoh shpirtin ku do celë trëndafili erëmirë.

Si do më bëhet fjala si kopësht me manushaqe.

 

E  të gdhijmë lumturisht  mbi flatra engjëllore  serenade

Bota e stërmadhe të na duket sa një kitarë Korce

Do dëbojmë pshertimat në shpatet e kohës në theqafje

T’i japim miqësisë kurorë margaritari dripëplote.

Boston, 20 prill 2016


NËN DRITARET E BOSTONIT

Në vend të një letre malli për viset e mia

 

Dashkam sonte dritë Tirane

Që lodron nëpër rrugica

Shushurimë që vjen prej Lane

Në agim ku më puth drita.

 

Dashkam sonte lule Dajti

Me urime të mbush sofra

Do zgjoj lulet te livadhi

Të mjaltos udhët te bota.

 

Dashkam sot fllad prej Osumi

T’ia vë këngës oqean.

Si fëmijë u bëka burri

kur për vatrën zgjoka mall.

 

Do zgjoj vjeshtat plot me dasma

Në një breg, në oqean.

Të gdhij netët me kitara

Në një zemër djegur zjarr.

 

Nënë dritat bostoniane

Një nga një ndez drita malli

Zgjoj lirikat lasgushiane

Më të shtrenjta se thesari.

 

Pika loti gjoksit fsheh

Kur dëgjoj zëra, sirena

Fjala bëhet det i thellë

Kur përcjell zëra në breza.

 

Po zgjoj  këngët udhë pas udhe,

Larg, nga shtigje Çamërie

Amanetet mbaj mbi supe

Si një trastë që kurrë s’hidhet.

 

AH MOJ LARGËSI!

 

Largësia më hapi bujarisht portën e lotit të nxehtë.

Po nuk dua të më shohësh me sytë e mëshirës.

Ca pika shiu do njomë pupla zogjsh nënë strehë

Mallkimi pa emër do më mbesë mes gjoksit e  brinjës.

 

Më kot do kërkoj në çantë një shami mëndafshi.

A  ca letra me parfum të vëna në një pako, në radhë

Lëre lotin ta fshijë  dita e  dielli, lulja dhe flladi

Lëri t’i futë kjo jetë në Muze e në sirtarë!

 

E sërish mos më quaj të marrë a fëmjë të vogël.

Kur mund të zbresë një lotë në qerpikë e në faqe

Merr një pikë e mbille në zemrën e brengosur!

Mbille në livadhin e kujtesës si manushaqe!

 

Vrite me kërbaç të hekurt  këtë kuçedër largësie

Mos u lodh e mos i fshij bulat e djersës

E kur të vijë sërish ditë me ngjyrë kaltërsie

Bëhu Arkitekte e pagabuar e mallit dhe kujtesës.

 

FOTOGRAFITË E EMGIRANTËVE

 

Në mjaft familje emigrantësh sheh foto të vendlindjes

Fotot e emigrantëve janë si mollë e dardhë e ëmbëltuar

Janë si kroi  i largët ujëkristal që ende për ty curgon.

Janë  pika loti që derdhen  nga sytë e ty të menduar

Janë  eho pa fund që treten si grurë i bluar në gjoks.

 

Fotot e emigrantëve janë  si letra të padërguara malli

Është rizgjimi i dashurisë së parë  që të skuq sërish

Është kënga e parë që këndove një një shpat mali

Është një ninullë nëne me fjalët si rrezet në agim.

 

Aty është dialogu me vitet që kurrë më s;kthehen.

Janë njerëzit që flenë larg, diku,  mes varreve të trishta.

Aty cel jargavani, zambaku, trëndafili e luledelet

Aty zgjohet ëndrra e parë me krahët e brishta.

 

Aty janë pengjet që ditët me trishtim t;i mbushën

Si të ishin trastë që të mbeti nëpër vite jete mbi supe.

Për fjalën e pathënë që na thau zemrën e  buzën

Dridhet dora mbi fletë  e faqja bëhet lulëkuqe.

 

Boston, 23 prill 2016

 

MBRËMJET E BOSTONIT

 

Në mbrëmjet e Bostonit marr pa fund aromë të freskët shqiptarie
Teksa Noli meshon shqip mes tingujve paqësore të këmbanave
Konica më kujton urtinë e heshtjes para marrisë së dhimbshme
E peshën e fjalës ta vë në një kandar pa zinxhirët e prangave.

Dritëzojnë avionët e vihen në radhë gjithë gjuhët e botës
Shkojnë e vijnë pa njohur stinimin e dallandysheve në kthim
Një flamur me yje garon me qiejt si fitimtari mes kurorës
E në horizonte të largët shkojnë e vijnë ëndrrat që thurohen shqip

Këpus ca fije bari e lule kuqëlore te pragu i nënës t’i mbjell
Një ditë t’ua vë në duar e në zemër dashurisë më të re.
O mbrëmje merrmi rrudhat e përcillja oqeanit dallgërreptë
E shpirt nga shpirti i Amerikës jepmë në gjoks e në hapin që hedh.

Këtu këpus flizët e ligësisë që më dhanë ca shpresa të vrara
E nis të shtroj ca udhë që më baltosën pa fund këmbën e shpirtin
E ulem në gjunjë ballëdjersitur nga lodhja e shtigjeve të largëta
E prek një qiell me shaminë kaltërore pa menduar errësimin

Këtu marr një grusht dheu të mbjell fidanë buzëqeshesh
Nipi e mbesa të gazmojnë me to në ditëlindjet që vijnë
E ulem të nxjerr një torbë ëndrrash që aq klithshëm m’u tretën
E nis një këngë ku fjalët më ngatërrohen në buzën e mpirë.

*Shteti i Masaçusesit ku Bostoni është kryeqyteti i tij quhet ndryshe edhe “Shpirti i Amerikës”



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora