E premte, 03.05.2024, 10:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Riza Dreshaj - Alfabeti poetik

E shtune, 23.04.2016, 05:45 PM


(Recension)

KËNDIM POETIK

MBI BAZË TË SHKRONJAVE TË ALFABETIT SHQIP

/Riza Dreshaj, Alfabeti poetik, Pejë, 2012./

NGA MR. SKËNDER R. HOXHA

Ndonëse poeti Riza Dreshaj më herët ka botuar përmbledhjen “Pengu i fatit” me poezi për të rritur, kësaj radhe i qaset me përkushtim bërjes së një tufe poezish me një tematikë më të veçantë, që nuk është bërë herë më parë – poezi dedikuar shkronjave të alfabetit tonë, ku poeti gërsheton frymëzimet poetike me secilën shkronjë.

Në poezinë e parë të kësaj përmbledhjeje, “Alfabeti poetik”, na del akrostiku i nxjerrë nga shkronjat e para të çdo vargu, duke formuar titullin e kësaj poezie, e cila njëherit është edhe  titull i librit.

Poezitë e këtij libri paraqesin një tërësi motivore si përkushtime për atdheun, ambientit të vndlindjes së autorit, shkollarëve, prindërve, etj.

Kështusoji, me shkronjën A – janë dy poezi:  e para “Atdheu”, në të cilën poeti flet për trojet tona që e quajmë Shqipëri, ku “Alfabetit ia vëmë një gjuhë/ Flasim drejt rrimë si flamur”, kurse poezia tjetër “Abbilabba”, që harmonikisht i paraqet si  djalë e vajzë, por edhe me një ëmbëlsi vargjesh – edhe motër e vëlla:

AlbbLabba motër e vëlla

Më të dashurit sa më s’ka” (f. 9)

Në vargun e parë të kësaj poezie do vënë re se poeti ka përdorur një neologjizm, fjala Menatja, që tingëllon bukur: “Menatja e fisit më uroi” (Po aty.).

Me disa vargje të këndshme për fëmijë, krijuesi Dreshaj i stolis dy poezi titujt e të cilave nisin me shkronjën B të alfabetit tonë: “Babagjyshi” dhe “Buliera”.

Tek  i këndon portretit të babagjyshit, aty gjen vend edhe karakteri i nipçes së tij:

Jam nipçja jote Labba/ Njëshin nuk e bëj dysh.” (f. 10.).

Ndërkaq, për një enë të drunjtë tradicionale që shërben për të mbajtur ujin në të, e që quhet Bulierë, ua përkujton të vegjëlve se ç’është ajo enë e cila nuk përdoret më, apo e gjejmë të përdoret shumë rrallë:

Bulierat me fresk ujin mbajnë/ N’Tedel uji verës me vrap lëshon” (poezia “Buliera”, f. 11.). Gjithashtu për Cakullën – një lloj traste, në të cilën barinjtë e mbanin bukën dhe ushqime të tjera kur shkonin në fusha për të kullotur bagëtinë, shpjegohet përmes vargjesh se në cakullë, përveç kësaj, cakulla ka shërbyer edhe për mbajtjen e librave shkollore: “Si trastë buke shkollë poshtë

lart/ Me nënën fisnike Abetare”. Kështu pra na flet shkronja C, në f. 12 të kësaj përmbledhjeje me poezi për fëmijë.

Shkronjën Ç e përfaqëson me poezinë përkushtuese me titull “Çamëria”: “Çamëri – një natë e gjatë botërisht”, apo vargjet: “Çamëri, zëri ynë i zgjatur”…, “Çamëri – qava shumë nëpër stinë”, (f. 13.), ku poeti shpreh brengën gjithëshqiptare për Çamërinë tonë të okupuar.

Me këto vargje autori sikur ngjall kureshtjen, por edhe ndjenjën e brendshme të çdo shtrese lexuesish, e në veçanti të lexuesve të vegjël e të rinj, të cilat kulmojnë me porositë didaktike ku nuk mungon edhe shija artistike

Kur lexojmë këto poezi vërejmë se autori gjen frymëzime që sipas ndonjë shkronje të shkruajë më shumë se nga një poezi, si te, A: Atdheu, Abbilabba; B: Babagjyshi, Buliera; L: Lulet, Libërlindja; Sh: Shqipëria, Shpirti në ekstazë, etj.

Këto poezi përshkohen  me disa fije stërkalash të amplitudave iluministe..,duke përdorur aty-këtu edhe dialogun dhe bashkëbisedimin për t’iu dhënë vargjeve atë nektarin e ëmbël poetik. Por, ndonjëherë hetohen edhe çrregullimet logjike brendapërbrenda një poezie. Megjithatë, në  kompozicion vargnor krijohen edhe situata  të këndshme për fëmijë: “Xixa xixa flakë e ndezur/ Diçka ditë më tepër natë/ Zemërdjegur” (f. 57).

Poezitë e këtij libri paraqesin një tërësi motivore dhe mund të kundrohen si jëfarë idealizmi i dukurive, vendeve historike  e heronjve për të cilët shkruan, me një vrojtim të patheksuar artistik, pa pretendime të tepërta të ekspozohet para fëmijëve.

Më tej shohim se poeti i do lindjet e sidomos rilindjet e kombit të tij, sepse nëpër kohë thotë: “Ndjeva shekujt që më përbuzën çdo ditë”, por edhe: “ja lindja ime shekulli im qëndresë” (f. 41.) E, vargje që mbajnë shpresën në ardhmërinë dhe stacioni i ri do të jetë:”Stacioni i ri je Ti në Ardhmëri” (f. 44.).

Poeti Dreshaj, në këtë formë vargëzimi të angazhuar, te shkronja Sh artikulon disa vargje për Shqipërinë, si: “Shqipëri je Shqipëri nga jugu në veri”…”Shqipëri – dashuri deri në pakufi” (f. 45.), si dhe “Ditë e imja je/ Si shpirti n’ekstazë.: (Shpirti në ekstazë, f. 46.).

Poezitë Viti Plak, si  dhe Vija e kufirit rrjedhin nga shkronja V, ngase për kufijtë:

Erdhem e shkuam në

Luftëra të reja tërbuar” (…), prandaj: “Duam kufirin e atdheut/ Kjo është kujtesa e Madhe” (f. 56.)

Përndryshe, poezitë për fëmijë të  librit “Alfabeti poetik” i  Riza Dreshajt, shpërfaqen si  një komunikim poetik me të vegjëlit sipas një figuracioni të caktuar, sipas shkronjave  dhe rendit të tyre në alfabetin e gjuhës sonë të shenjtë. Në këto poezi hetohet edhe njëlloj plani ideor që rrjedh në imagjinatën e poetit Riza, prej nga, sikur, spontanisht dalin edhe përceptimi i kuptimit dhe universalja e porosive në vargje.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora