Kulturë
Kadri Kadiu: Edhe opingat i kishte të grisura
E marte, 19.04.2016, 08:02 PM
SULUA I XHA ZURABAIT, JO QË S'KISH KALË ME SHALË, POR DHE OPINGAT I KISHTE TË GRISURA.
Nga Kadri Kadiu
Po tregoj një histori të moçme por që mbetet gjithmonë e re me mesazhin që jep edhe për ditët e sotme. Me të dëgjuar e kam, babai ma ka treguar, por që disa nga protagonistët e kësaj ngjarjeje, unë dhe moshatarët e mij në Fshatin tim i kemi njohur dhe i mbajmë mend.
Ngjarja është kjo: Dera e madhe e Fisit Rusi në Mançurisht të Devollit fejovi një djalë, Hysenin, me një çupë të bukur perri, Demirhanin, edhe kjo nga një familje e sërës së lartë në Baban. Të gjithë Fisi Rusi ishin goxha të pasur, pra mbaheshin si agallarë të Fshatit. Mirëpo këtij Fisi i përkiste edhe Sulua i xha Zurabait, i cili ishte një njeri i ndershëm por ishte më fukarai i Fshatit. As shtëpi e as katandi nuk kishte ky Sulua kështu që jetonte në krye të Fshatit në një shpellë, së cilës atëhere i thoshin "Vërra e Qelqes" kurse sot e quajnë edhe "Stena e Sulos të xha Zurabait". Krushku i Mançurishtit, Ismail Rusi, desh t'ia fshihte krushkut të Babanit, Ismail Hërrit, kushëri Sulon kështu që nuk e nxorri në skenë as në fejesë, as në dasmë, as në pritjen e shtatorëve të Babanit në Mançurisht e as në Gostinë për dhëndrin që u bë në Baban. Kur shkuan në gosti në Baban Ismail Rusi i Mançurishtit mori me vete gjysmën e Fshatit, edhe ata që nuk i kishte asgjë fare, por mjaftonte që të ishin të veshur e të paraqitshëm dhe të kishin kalë me shalë. Ndërmjet të tjerëve mori edhe Rexhepin e Hajros dhe Tefik Muson pasi dhe këta ishin pasanikë, ishin të veshur e të pispillosur e me kuaj me shalë dhe që dinin edhe të këndonin bukur, megjithëse nuk i kishte as gjak e as ilaka.
Në Gostinë që u bë në Baban ka qenë pjesëmarrës edhe babai im, Safeti, i ftuar nga ana e familjes së nuses, pasi kishte lidhje miqësie me prindërit e Demirhanit në Baban, kështu që ishte në grupin e atyre që do të prisnin krushqit mançurishtarë.
Krushku i Babanit, Ismail Hërri, që ishte një burrë pe tamami, pasi i uroi mirëseardhjen të gjithë miqve, iu drejtua krushkut të Mançurishtit e i tha: Ku ma ke Sulon e xha Zurabait o Ismail? Ti atë e ke gjak, e ke kushëri të parë, atë të ma kishe sjellë. Tefikun e Rexhepin që m'i paske sjellë, unë i kam miq por ti nuk i ke asgjë. Sulon duhej të më kishe sjellë, se unë kur të bëra mik, të pranova megjith Sulo, pra ta bëra kabull fukarallëkun e Sulos tënd me opinga të grisura, e s'ke as pse e bën hasha e as pse ma fsheh mua Sulon tani.
Bëri autokritikë Ismail Agai i Mançurishtit, dhe pas nja një muaji, kur krushku i Babanit me njerëzit e tij më të afërt erdhi për herë të parë, për ta parë të bijën në Mançurisht, në krye të sofrës gjeti tamam atë që i takonte, Sulon e xha Zurabait. E ndezi muhabetin, i mahniti gjithë miqtë dhe e tundi gjithë fshatnë Sulua me këngët që i dilnin nga shpirti e me vallet që i kërcente si kaprua mali.
Babai im ishte përsëri në këtë gosti, me grupin e babanarëve. Në fund të muhabetit, krushku i Babanit i tha krushkut të Mançurishtit këto fjalë: E po dëgjo o krushk Ismaili, herë tjetër mos m'i sill në Baban Rexhepin e Tefikun, por ma sill këtë Sulon e xha Zurabait pasi ky të nderon edhe ty, edhe mua.