Kulturë
Xhevahir Shtupa: Ligjërim për përkatësinë tonë ilire
E diele, 17.04.2016, 10:07 AM
LIGJËRIM PËR GJUHËN E PËRKATËSINË TONË ILIRE
(Tregimi “Iliriani” i autorit Gani Mehmetaj)
NGA XHEVAHIR SHTUPA
Tema e tregimit e protagonisti
Tema e tregimit; përkatësia ilire. Protagonisti është Iliriani, i identifikuar me autorin (rrëfyesin).Rrëfimi është në vetën e parë, njëjës. Autori rrëfen bukur e me besnikëri dy biseda, krejt të pazakonshme, të bëra në vende të ndryshme, me njerëz të ndryshëm, por që i bashkon tema për të cilën bisedohet.
Kur janë zhvilluar këto biseda? Autori shkruan:
A)“Ishte mesi i viteve të tetëdhjeta.” (shekulli XX, paragrafi 19)
B) “…në kohën kur në gjithë ish-Jugosllavinë, apo në pjesën më të madhe të këtij shteti mujshar, shtypi dhe televizioni sa nuk tërboheshin, sepse e kishim shkruar në librat shkollore që jemi ilirë.” (parag. 15)
C) Kur Beogradi zyrtar me “prekurorët e mediave” zhvillonte një fushatë të egër kundër përkatësisë ilire të kosovarëve dhe protagonisti ynë do të ballafaqohej me këtë realitet të ashpër. (sipas parag. 15 e 22)
Koha ditore (për më saktë), kur dhe ku?
1.Në një mëngjes udhëtimi gjatë bregdetit dalmat, në autobusin e linjës Zarë–Split. (biseda ose episodi i parë)
2.Në një mbrëmje të mrekullueshme, me vapë korriku, me kolegët kineastë, në qytetin e Pulës (në Dalmaci) gjatë një festivali filmi… vonë… në një anije... në detin e hapur. ( biseda e dytë)
Personazhet e tjerë me të cilët bisedon autori ose, më saktë, ata bisedojnë me të, duke marrë shkak (shtysë) nga prania e tij dhe përkatësia e tij ilire janë; në episodin e parë, shoferi i autobusit dhe, në episodin e dytë, grupi i kineastëve.
Protoganisti i këtij tregimi është një stërnip i ilirëve; nga gjaku, nga gjuha (e ruajtur) dhe nga pamja ( e trashëguar). Fizionomia e rracës e bën atë që të dallohet nga të tjerët. Shoferi i autobusit, një pasardhës i dalmatëve, pasi e pyet me kurreshtje se nga ishte për të vërtetuar konstatimin e tij dhe udhëtari nga Prishtina i përgjigjet kumbueshëm në gjuhën e tij, i thotë:
-Nga pamja të njoha që je ilirian…
-Pse si duken ilirianët?...
-Ashtu si ti. Prandaj të pyeta…
“Franjo quhej bashkëbiseduesi im”. (parag. 11) Nga Zara. I moshës mesatare. Ai, edhe pse e pyeti prishtinasin për emrin, -i drejtohet atij me emrin Ilirian gjatë gjithë bisedës duke kaluar nga emri i përgjithshëm ilirian ( si pasardhës i ilirëve) tek emri i përveçëm, emri vetjak Ilirian, duke u shndërruar në një emër simbolik.
-E di, ti, Ilirian, -më pagëzoi, duke ma harruar emrin,…(parag.7)
E pastaj biseda vazhdon për bukuritë e vendit (të bregdetit dalmat), për detin fantastik, për buzëmbrëmjet që të linin pa mend, për netët e freskëta, për verën e bardhë e të shkëlqyeshme, por sidomos për njerëzit e sjellshëm e të butë e muzikën plot mall. Pastaj biseda kalon në rrjedhat historike… Në fund, këmbime adresash e telefonash si lidhje e një miqësie të re dhe urimi (më i bukur): “Rrofsh Ilirian!”
Biseda e dytë, me kolegët kineastë. Një Podgorican (Marko) me prejardhje nga Limi, një hercegovas (Stipe), një dalmatinas (Josip) dhe një shqiptar (Gani) nga Prishtina, duke pirë verë të bardhë dalmate me proshutën e mrekullueshme të Istrës e peshkun e skuqur që “e dehin” me verën e bardhë, bisedojnë atje në anije, në detin e hapur për filmin, për letërsinë, për muzikën e pastaj biseda futet në kullitë e historisë. Autori ndjen dashamirësinë e kolegëve kineastë për ilirianët e përjeton mburrje (krenari) për përkatësinë e vet. Falë kësaj përkatësie protagonsiti tërheq kurreshtjen, simpatinë e admirimin e shoferit dhe udhëtarëve të tjerë në episodin e parë dhe të intelektualëve artistë në episodin e dytë.
Autori mjeshtërisht, natyrshëm e bukur ka kombinuar në këtë tregim tre elementet e tekstit epik; përshkrimin e vendeve, të kohës ( çasteve), të personazheve etj.me rrëfimin e me dialogun. Ai kalon aq bukur e kombinon rrëfimin e qëndrimin e tij me rrëfimet e personazheve. Shoferi Franjo, podgoricani Marko e regjisorja boshnjake nga Neretva, gjatë rrëfimeve e fjalëve të tyre, shpalosin njohuritë e tyre historike, karakterin e tyre e qëndrimin qytetar dhe emancipues për çka bisedojnë. Qëndrimi i tyre është më i miri i mundshëm në ato rrethana.Ata e simpatizojnë autorin për përkatësinë ilire, mburrin bashkëkombasit e tij që nuk e bjerrin gjuhën e të parëve e që janë të qëndrueshëm dhe i japin atij kurajo (zemër) për përballjet e ardhshme.Meritojnë falënderimin e mirënjohjen.
Rrëfimet e personazheve
1.Rrëfimi i shoferit Franjo, një vendës, nga qyteti Zarë (nga qyteti i Shën Jeronimit të Ilirisë): “Të gjithë ne dalmatët ishim ilirë, por u përziem. Zoti e di a jemi sot dalmat apo diçka tjetër. Dalmatin i themi vetes. Unë ende e ndjej veten dalmat-ilir, por fatkeqësisht nuk di asnjë fjalë ilire, ndërsa ju e keni ruajtur gjuhën.” (parag. 8)
Rrëfimi i shoferit alternohet me rrëfimin e autorit, me informacionin historik e me meditimin. Autori vazhdon: “Për përkatësinë e tyre ilire i kisha dëgjuar të flasin edhe sllovenët sa herë u tregoja nga jam…Kroatët…ishin edhe më të zëshëm në deklarimet e tyre se të gjithë ata janë ilirë…Mirëpo dalmati temperament e vuante humbjen e identitetit dhe mallëngjehej me të qenit ilirian.” (parag. 9)
-Të vjen habi me ato që them?
Nuk ia fsheha habinë. Ndërkaq ai vazhdoi: “I kam dëgjuar edhe nga gjyshi im, i pushoftë shpirti në paqe. Ai veten e konsideronte ilir. Më tregonte se kemi të gjakut tonë tutje në jug, duke menduar për ju dhe për ata përtej kufirit,” -ndërsa nguronte të përmendte Shqipërinë. Ato ditë ky shtet i vogël i mbyllur pas shtatë drynash ishte nën breshërinë e kryqëzuar të artilerisë së propagandës jugosllave.
Në Split shkrimtarit i duhet të ndërrojë autobus për të vazhduar për në Prishtinë.Ja çfarë kujton ai: “Më la mbresa shpërthimi nostalgjik i dalmatit, i cili i mburrte bashëkombësit e mi që nuk e bjerrin gjuhën e të parëve dhe që janë të qëndrueshëm e kryeneçë. Gjuha e dalamtëve, iku e vajti,-pikëllohej ai. Ka mbetur vetëm ndonjë fjalë dhe malli për atë që ishim,…’’(parag.13) “Gjithë rrugën e mendova dramën e dalmatëve dhe dramën tonë: me shpërngulje e gjenocid, me luftra të pafundme…” (parag. 14)
2. Marko, kineasti nga Podgorica rrëfen… Rrëfimin e tij e pohon Stipe, hercegovasi me pamje babaxhani, nga shkrepat e pas Dalmacisë dhe e plotëson me të tjera informacione pikante dalmatinasi Josip. Në atë natë të mrekullueshme, edhe nga efektet e verës, katër kolegët artistë bëhen më të afërt e më të sinqertë mes tyre. Autorit i bën përshtypje që gjatë kësaj bisede miqsh të gjithë i drejtoheshin atij, “ilirianit të moçëm”.
Tërë paragrafi 17 ka rrëfimin e Markos. “Ishim ilirë, pastaj erdhi Bizanti, ndërruam edhe një herë fe. Prapë kur u tërhoqën ata thonë se të parët e mi iu kthyen fesë së parë katolike. Dikur në muzgun e mesjetës apo mbase shumë më vonë, prap ndërruam fe e gjuhë dhe u ngatërruam as vetë nuk e dimë se si.” Më pas vazhdon: “E di, ti, stërnip i ilirëve se gjyshja ime Zoja, ndjesë pastë, nuk e fliste asnjë fjalë në këtë gjuhë të cilën e flas tash. Gjyshi im, Leka, po ashtu fliste edhe në gjuhën e gjyshes, gjuhën iliriane si tuajën.Ai thoshte se dikur kishte qenë edhe gjuha e tij.” Përshëndetja e fundit e Markos si përshëndetja e Franjos: ‘‘Rrofsh Ilirian!” (parag. 19)
Në vazhdim, në këtë paragraf, autori pohon konstatimin se dalmati dhe hercegovaci…nuk e fshihin simpatinë ndaj ilirëve.“Mos u dorëzoni, s’kanë ç’u bëjnë”,-i jepte zemër Ilirianit tonë dalmatinasi Josip. Autori vazhdon rrëfimin e tij për ne duke iu afruar Prishtinës njëherësh edhe fundit të tregimit.
3.Regjisorja boshnajke. Autori shkruan: “Derisa sistemoja përshtypjet e bisedave në detin e hapur me kolegët e mi, më kujtohej në prapakthim këmbëngulja e regjisores boshnjake të krishtere për gjakun e njëjtë, por gjuhën e bjerrë. Rrëfimi i saj ishte më pak patetik, por malli për identitetin e mbetur nëpër cepat e shekujve nuk ishte më pak tronditës.Ajo tregonte se si ana nga vinte nuk e flisnin gjuhën e shtetit derisa nuk arsimoheshin në Sarajevë apo Zagreb.”(parag.21)
Në Prishtinë autori do të ballafaqohej me fushatën e egër kundër përkatësisë ilire. “Mos u dorëzoni!…”, “E keni më lehtë ju, nuk pranuat gjuhë tjetër”. Autorit edhe tani i tingëllon në vesh urimi i Franjos dhe i Markos: “Rrofsh Ilirian!” Dhe Iliriani rron.“Jo, mor jo, nuk humb shqiptari.” Mu kujtua, në këtë çast që po shkruaj, ky varg përmbledhës i këngës popullore “Mëmëdheu nëpër shekuj”.
Drama e protagonistit
Fjalët e regjisores nga Neretva: “E keni më lehtë ju, nuk pranuat gjuhë tjetër”, -që ajo i thotë Ilirianit si një formulë ngushëlluese e bëjnë atë… të qeshë thartë. Pse ? Ja pse: “…më ndrydhej zemra kur kujtoja se me të mbrritur në Prishtinë do të ballafaqohesha me fushatën e egër kundër përkatësisë ilire. Kthehesha në një botë tjetër më reale dhe më të ashpër.” (parag. 22)
Sikur nuk mjaftonin luftërat e vazhdueshme të së kaluarës, gjenocidi e shpërnguljet masive me dhunë të bashëkombasve të tij, ja tani edhe një fushatë tjetër shtetërore, e egër. Pse?Sepse shqiptarët po thonë dhe po mbrojnë një të vërtetë historike, prejardhjen e tyre ilire.
Është kjo fushatë e egër që e bën protagonistin e këtij tregimi të jetë i kujdesshëm në sjellje e në të folur. Ai më shumë hesht, dëgjon e përpiqet të duket i shkujdesur se…, por ai ndjehet mirë, ndjehet krenar kur sheh se e simpatizojnë pikërisht sepse është një stërnip i ilirëve e kur i mburrin bashkëkombasit e tij që e ruajtën gjuhën e të parëve, që e ruajtën identitetin e që dinë të qëndrojnë.
Drama e personazheve të tjerë
1.Franjo “Të gjithë ne dalmatët ishim ilirë, por u përziem.”(parag. 8)
2.Autori për Franjon: “…dalmati temperament e vuante humbjen e identitetit dhe mallëngjehej me të qenit ilirian.” (parag.9)
3.Marko, me prejardhje nga Limi: “Ishim ilirë,… ndërruam fe e gjuhë dhe u ngatërruam,…” (parag. 17)
4.Autori për Markon: “Ai rrëfente si për diçka të vdekur, sikur edhe ai të kishte marrë pjesë në mort”.(parag.18)
5.Autori kujton rrëfimin e Markos: “Ndërsa fliste nën ndikimin e vërës së bardhë dhe euforisë për ilirët, kishte pamjen e njeriut të humbur.”(parag.20)
6.Nga rrëfimi i regjisores të krishtere boshnjake: “…ana nga vinte (një krahinë e deltës së lumit Neretva) nuk e flisnin gjuhën e shtetit…”(parag. 21)
7.Autori: ‘‘Rrëfimi i saj ishte më pak potetik, por malli për identitetin e mbetur nëpër cepat e shekujve nuk ishte më pak tronditës.”(parag.21)
Po të bashkojmë pohimet e dalmatit Franjo dhe Markos me prejardhje nga Limi thënë në vende të ndryshme e në biseda të ndryshme shohim se ata vuajnë të njëjtën dramë, humbjen e gjuhës, humbjen e identitetit.Njëri thotë “u përziem” tjetëri thotë “u ngatërruam”. Në qoftë se ne lexuesit do të pyesnim; kur u ngatërruat, pse e si, ja përgjigjja e Markos: (Kur ) “…erdhi Bizanti, (Pse? Sepse) ndërruam edhe një herë fe… Kur u tërhoqën ata iu kthyem fesë së parë katolike. Dikur në muzgun e mesjetës apo mbase shumë më vonë, prapë ndërruam fe e gjuhë dhe u ngatërruam (Si?) as vetë nuk e dimë se si.” (parag.17)
2
XHEVAHIR SHTUPA
LIGJËRIM PËR GJUHËN E PËRKATËSINË TONË ILIRE
(Tregimi “Iliriani” i autorit Gani Mehmetaj)
Ndjesi, reagime e vlerësime të autorit
A) Në bisedën e parë:
1…një kureshtje dashamirëse pashë që rrezatoi nga sytë e tyre …(parag. 2)
2. Qesha nën buzë, sepse unë i tregova nga isha dhe nuk i thashë përkatësinë time kombëtare, … (parag.4)
3. …iu përgjigja… kumbueshëm në gjuhën e tij.(në fillim me një lloj indiference)
4. Pati kureshtje edhe për emrin tim. Ia thashë pa entuziazëm …(parag. 5)
5.-E di, ti Ilirian,…Dalmaci vjen nga fisi dalmat,…ia pohova.(parag. 7)
6.-Të gjithë ne dalmatët ishim ilirë, por u përziem… E shihja me simpati dhe buzëqeshje të lehtë duke ia pohuar me kokë.(parag. 8)
7.Edhe të tjerët (bashkëudhëtarët) më shihnin me simpati për përkatësinë time ilire apo ilirine sikurse më thoshte dalmati.(parag.12)
B) Në bisedën e dytë:
1.Prap e njëjta dashamirësi e një grupi kineastësh për ilirianët.(parag. 16)
2.Nga efektet e verës dhe të natës së mrekullueshme,… u bëmë më të afërt, më të sinqertë. (parag. 16)
3.Ishim ilirë,…(rrëfen Marko në parag. 17)
4. Ai rrëfente si për diçka të vdekur, sikur edhe ai të kishte marrë pjesë në mort…Dalmati ia pohonte me refrenin “Gjaku ujë nuk bëhet.”-thua se ai rrëfente edhe për tragjedinë e tij, a të familjes së tij. (parag.18)
5. Në të kthyer nga Pula kujtoja rrëfimin e Markos. Ndërsa fliste…, kishte pamjen e njeriut të humbur. E kujtoja me habi : një anas nga shkrepat e Malit të Zi, kundër të cilëve të parët e mi nga Dukagjini e Rugova kishin bërë luftra të përgjakshme në njëqind vjetët e fundit. Na vranë dhe i vramë mizorisht.Dhe sipas rrëfimit të tij binte se kishim luftuar kundër gjakut tonë. Nuk e flisnim të njëjtën gjuhë, prandaj nuk u morëm vesh më.(parag. 20)
Lexuesi i dashur ! Çfarë po ndjen tek po lexon këtë rrëfim e këtë meditim histork të shkrimtarit ? A e sheh se çfarë sjellka humbja e saj ?Largimin e mosnjohjen e gjakut. Humbjen e vetvetes…
Fjalët çelës e fjalia bërthamë
Fjalët çelës në këtë tekst janë: Emrat; Ilirian (nga ilir), gjak, gjuhë, fjalë, vendës, identitet, komb, mall, simpati, dashamirësi, humbje e ligjërim: Mbiemrat; i humbur e i përhumbur. Përemri vetor ne, këtu i përdorur në vetën e dytë, ju, dhe tri foljet; jam, ruaj, flas.
1.Iliri-vendi, ilirë-banorët. Për Ilirinë:
a) Të gjithë ne dalmatët ishim ilirë. (parag.8).Unë ende e ndiej veten dalmat-ilir, por fatkeqësisht nuk e di asnjë fjalë ilire.(parag. 8) Ilirian, emër vetjak i prejardhur nga emri Iliri, që bart kuptimin e pasardhësit (trashëguesit), identitetit, dallueshmërisë (pamja ndryshe, por jo vetëm pamja) nga të tjerët. Pamja ndryshe: Ilirian e jo tjetër; ky është identitet.
b) Grupe emërore e foljore me fjalën Iliri: përkatësia ilire, “Lëvizje ilire”, “ilirianit të moçëm”, stërnip i ilirëve, gjuhën iliriane, fjalë ilire, ishim ilirianë e urimi: “Rrofsh Ilirian!”
2. Gjaku.
a)Nga rrëfimi i Franjos: “…gjyshi im… veten e konsideronte ilir. Më tregonte se kemi të gjakut tonë tutje në jug, (në Kosovë e në Shqipëri)…” (parag. 10)
b)Gjatë rrëfimit të Markos dalmati Josip ia pohonte me refrenin: ‘‘Gjaku ujë nuk bëhet.” (parag. 18)
c)Regjisorja boshnjake këmbëngul në argumentin për gjakun e njëjtë, por gjuhën e bjerrë.(parag.21)
d)Meditimi i autorit për rrëfimin e Markos: “…sipas rrëfimit të tij binte se kishim luftuar kundër gjakut tonë. Nuk e flisnim të njëjtën gjuhë, prandaj duket nuk u morëm vesh më”. (parag. 20)
3.Gjuha. Gjuha iliriane,… fliste edhe në gjuhën e gjyshes, gjuhën iliriane…, bashkëkombësit e mi… nuk e bjerrin gjuhën e të parëve… “… ju, nuk pranuat gjuhë tjetër.” (regjisorja) ‘‘…ndërruam fe e gjuhë…”- pohon me dhimbje Markoja.Kjo është vërtet tragjike.Humbja e gjuhës është humbje e identitetit.Kjo është plaga e popullatës bregdetare.‘‘Gjuha e dalmatëve, iku e vajti…”-thotë i pikëlluar Franjo.
Kur gjakun tënd e ke ruajtur të pastër e të papërzier dhe gjuhën e të parëve po ashtu, atëhere e di që nga vjen e cili je, që ke një emër e s’je kopil.Ja, dy strofa, dyvargëshe nga poezia “Gjuha shqipe” e poetit Dritëro Agolli:
“Kjo emblemë e fisit shekullor
Më tregon se kam në botë oborr,
* * *
Më rrëfen ku rrënja zuri fill,
Ku kam nënë e atë e s’jam kopil”,
(D. Agolli “Fletorka e mesnatës”, Shtëpia Botuese “Dritëro”, Tiranë, 1998 faqe 129)
A nuk është gjuha, shenja (simboli), shtylla kryesore e identitetit kombëtar?Po. T’ua lëmë brezave të ardhshëm, ashtu si të parët neve na e lanë.
“…N’për gjuhë shqype bota mbarë,
Ka me u njohtë se ç’fis ju kini,
Ka me u njohtë ju për shqyptarë;”
(Gjergj Fishta “Gjuha shqipe” marrë nga vëllimi “Mrizi i Zanave”, shtypur “Reklama” në kolanën “Shtyllat e Kombit”, faqe 12)
4.Identitet. Drama e personazheve që e kanë humbur identitetin:
a)…dalmati e vuante humbjen e identitetit...
b)…malli për identitetin e mbetur nëpër cepat e shekujve… ishte tronditës.
5.Komb. Grupe emërorë: përkatësinë time kombëtare, i një kombi tjetër, lëvizja kombëtare kroate, bashkëkombësit e mi, disa intelektualë nga të kombit tim, bashkëkombësit e brezit tim .
6.Mall: mallëngjehej…, fliste i mallëngjyer, fliste me mallëngjim, malli për atë që ishim, në këngën e përmallshme, muzika plot mall.
7.Simpati: “Edhe të tjerët më shihnin me simpati për përkatësinë time ilire”… (parag.12) “Dy të tjerët: dalmati dhe hercegovasi,... nuk e fshihnin simpatinë ndaj ilirëve”. (parag.19)
8.Dashamirësi: kureshtje dashmirëse, “Prapë e njëjta dashamirësi e një grupi kineastësh për ilirianët”.(parag. 16)
9.Folja jam, e përdorur në të dy numrat, njëjës e shumës në të tri vetat dhe në të gjitha kohët e mënyrës dëftore (sepse autori dëften): më pyeti me kureshtje nga isha, pamja ime ishte ndryshe, je Ilirian, i tregova nga isha, mund të isha i një kombi tjetër. Është e mrekullueshme, ishim ilirë, jemi edhe sot, nga jam, të qenit ilirë, të qenit sllavë. Ishin edhe më të zëshëm, ata janë ilirë, mallëngjehej me të qenit ilirian, është shtëpia jote, janë të qëndrueshëm, malli për atë që ishim, jemi ilirë, qe një freski shpëtimtare. Ishte mbrëmje…,dikur kishte qenë edhe gjuha e tij. Ishte mesi i viteve të tetëdhjeta, ishim të huaj për ta,… ishte e sigurt ajo.
10. Janë fjalë çelësa: emri humbje e mbiemrat i humbure i përhumbur të formuara nga folja humb. Përdorimi i tyre në tekst: vuante humbjen, kishte pamjen e njeriut të humbur, me po atë pamje të përhumbur,… ai vëzhdonte.
11.Si antitezë e personazheve që vuajnë humbjen Iliriani ynë (autori) është krenar si pasardhës i ilirëve, është fitues. Kujt i takon (përket) merita?Bashkëkombasve që qëndruan kryeneçë, që ruajtën gjuhën e tyre e nuk pranuan gjuhë tjetër.
a) Franjo: “ Ndërsa ju e keni ruajtur gjuhën.”
b) Autori: “…dalmati… i mburrte bashkëkombësit e mi që nuk e bjerrin gjuhën e të parëve…”
c) Regjisorja:… “ju, nuk pranuat gjuhë tjetër…”
Në tre grupet foljore të më sipërme theksi logjik bie mbi fjalën gjuhë, që është njëherësh edhe theksi i insistimit.Është fjalakryeçelës.Për të kuptuar e interpretuar përmbajtjen e tregimit e për të dhënë e marrë mesazhet.U ruajt ajo në shekuj e kombi është. E autori ndihet “Zot e kranar”,- siç do të thoshte Mitrush Kuteli, kudo që të ndodhet.
Fjalia bërthamë e gjithë tregimit është pjesa e bashkërenditur kundërshtore: “…ndërsa ju e keni ruajtur gjuhën,”- nga fjalia e shoferit të autobusit.(parag.8) Analiza sintaksore e kësaj fjalie: Kallëzuesi është; keni ruajtur, i shprehur me foljen ruaj, veta e dytë, numri shumës, mënyra dëftore, koha e kryer e plotë. Kush e ka ruajtur?Ju (autori e bashkëkombësit e tij), kryefjala, e shprehur me përemrin vetor, veta e dytë, numëri shumës.Kë keni ruajtur?Gjuhën.Kundrinor i drejtë, i shprehur me emër në trajtën e shquar, numëri njëjës, gjinia femërore, rasa kallzore.Kjo fjali kumton (thotë) një konkluzion logjik e historik, një të vërtetë thelbësore të ekzistencës sonë.
Autori do të thoshte: “Ne e kemi ruajtur gjuhën”. Por më bukur kështu, kur të njeh e të vlerëson tjetri.Këto tri fjalë çelësa; emri, folja e përmeri vetor ju (ne), të përdorura kështu në fjali, mbledhin, (sintetizojnë) gjithë tregimin; temën, përmbajtjen e mesazhin.Bukurtingëllim.Kjo fjali është pjesë e ligjëratës së drejtë, pjesë e ligjërimit të dalmatinit Franjo.Ja fjalët shoqëruese të autorit: “vazhdonte të fliste shoferi me një ligjërim të kthjellët e të sigurt.” Akademikët do të ligjëronin më bukur ?
Fjalët e më sipërme të nxjerra nga teksti janë fjalët më të rëndësishme që lidhen me temën e tregimit, me idenë, me përmbajtjen, me dramën e përjetimet e personazheve, me qëndrimin e tyre e me mesazhet që përcillen. Ato, të përdorura në togfjalësha, në fraza e në fjali, kanë ngarkesë të madhe emocionale e mendimi.
Në mbyllje të kësaj pjese të shkrimit tim po përsërit, si një insistim, tri thënie (tri aforizma) të përdorura nga personazhet e tregimit:
1.Dalmati Franjo që vuan humbjen e identitetit thotë me pikëllim “Gjuha e dalmatëve, iku e vajti,”
2.Dalmatinasi tjetër, Josip pohon me refrenin “Gjuha ujë nuk bëhet”.
3.Fjalët e Franjos të thëna në çastin e ndarjes me Ilirianin: “Nuk i dihet jetës, shtëpia ime është shtëpia jote në çfarëdo kohe,…” Sa fisnikëri ka në këto fjalë zemre !Sikur i thotë një shqiptar i moçëm.Fjalë të tilla të ngrohin zemrën.
Nga fillimi i tregimit. Shoferi i autobusit e pyet autorin se nga ishte, e ai i përgjigjet. “Përgjigja ime i zgjoi nga përgjumja… edhe të tjerët”.Me shumë nënkuptime më ngjan kjo fjali.Një fjali e figurshme.Një metaforë shumë e bukur.Shkrimi tingëllon si një ligjërim për gjuhën e përkatësinë ilire të shqiptarëve.Autori me zërin e tij kumbues kërkon të zgjojë të përgjumurit.Ai meriton falënderimin.
Falënderim për autorin
Isha me Ju, i dashur Gani, në udhëtimin e mrekullueshëm gjatë bregdetit dalmat dhe në atë mbrëmje, natën e pa harruar në anije, në det, duke pirë verë e duke dëgjuar bisedën tuaj e cila më ve në mendime. Artistët ndihmojnë afrimin e njerëzve e të kombeve (veçse edhe ata duhet të çlirohen nga komplekset e së kaluarës).Gjithsesi arti është lubrifikant, është emancipues.
Kam qëndruar gjatë me Ju (me tregimin tuaj) duke përjetuar dhimbjet e Franjos, e Markos dhe të të tjerëve e duke u ndjerë krenar, bashkë me Ju, për qënien shqiptar, për identitetin tonë kombëtar.
Si lexues e si mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë, them se tregimi Juaj është një nga më të mirët me këtë temë, një ligjërim artistik dhe, për vlerat që ai bart e mesazhet që përcjell, do të desha që t’ua rekomandoj kolegëve të gjuhës shqipe e të letërsisë, por edhe atyre të historisë e të tjera që ta përdorin si lexim plotësues, si lexim jashtë klase në shkollat shqiptare kudo që janë .
Tregimi Juaj është thellësisht realist, me përmbajtje edukative parësore, gjithnjë aktual dhe i dobishëm e me vlera artistike cilësore (sipërore).Si strukturë, gjuhë e stil është një model.
Si bashkëkombas Ju përgëzoj e Ju falënderoj.