Kulturë
Selimi: Intervistë me shkrimtarin Mehmetali Rexhepi
E enjte, 14.04.2016, 08:33 PM
Intervistë
me veprimtarin dhe shkrimtarin Mehmetali Rexhepi
Disa kahe të rrjedhave të sotme të kulturës e të shoqërisë shqiptare...
Nga Tefik Selimi
Me profesor Mehmetali Rexhepin shkëmbejmë mendime për çështje të kulturës, të letërsisë dhe dukuri të tjera, para se gjithash për tema që lidhen kryesisht me dy të parat, pa i shmangur edhe disa kahe të rrjedhave të sotme të kulturës e të shoqërisë shqiptare.
Njëkohësisht shkasi për të vjelë pikëpamjet e shkrimtarit të urtë, z. Rexhepi është përfundimi i veprimtarive të “ Flakës së Janarit”, ku ishte angazhuar, veçmas për shtyllën e letërsisë. Në konkursin letrar anonim të “Flakës...”, Mehmetali Rexhepit iu dha çmimi i dytë për prozë të shkurtër... Për këtë krijues nuk është hera e parë që shpërblehet me çmime të treta, të para dhe të dyta...
T. Selimi: Le ta nisim për gjuhën. Çfarë gjuhe përdorim në komunikimin publik, sot?
Mehmetali Rexhepi: Përmasat e lirisë dhe të demokracisë sollën hapësira për shfaqje shprehjesh, deri në kthesa të pakuptimta, ndonjëherë kthim prapa, ndonëse gjuha e njësuar shqipe arriti shkallën e një gjuhe standarde. Sipas akëcilit prijës letrash, treve a krahine, “pakënaqësia” për gjuhën e “njesueme”, “imponuese”(Arshi Pipa), mund të shfaqet dhe përmes kthimit te variantet dialektore ose nëndialektore të shqipes! Pra, kthimi i përdorimit të shqipes në dy dialekte! Pothuaj se gjithçka sikur duhej të ribëhej, ri shtrohej, ri korrigjohej, madje dhe e arritura e shqipes, që në rrethanat e shkëputura me Shqipërinë administrative nga Jugosllavia Federale, megjithatë arriti të jetësojë njësimin, njërin nga synimet shekullore të Rilindjes sonë të ndritur Kombëtare, e zbërthyer në moton: Njësia e gjuhës është njësia e kombit, ose deviza madhore: Një gjuhë, një komb! A shtrohet njësimi i gjuhës kombëtare në stilin: pse ndodhi njësimi në periudhën e komunizmit?!... Mundësia e dhënë nuk mund të përjashtonte kronologjinë e historisë...
Brengosëse është sjellja e papërfillshme, veçmas, e shtresimit intelektual ndaj shqipes standarde. Kush do ta mbronte shqipen më bindshëm, në qoftë se nuk e mbron elita e saj intelektuale dhe shkrimtarët? Madje për keqpërdorimin e shqipes në veprimtaritë publike, do të duhej të vepronte ligji dhe gjoba. Kush u gjobit deri tash për paraqitje të stërkequr të shqipes? Askush?!
Në një kongres të ardhshëm gjithëkombëtar, për rishikimin e ri-plotësimin e shqipes standarde, me trajta të shmangura, që kanë një përdorim të dendur në variantin e gegërishtes së gjallë, ka vend për përfshirje e kodifikim në gjuhën shqipe standarde, qoftë të trajtës përcjellore të gegërishtes a të ndonjë trajte tjetër. Evoluimi i shqipes sotme ka arsye të plotësohet, por njëkohësisht dhe të ruhet arritja, gjithnjë jashtë vështrimeve të ngushta krahinore, ideologjike e politike.
Gjuha e njësuar kombëtare, tashmë e ka rrumbullakuar funksionin e përdorimit. Provoje po munde të lexosh rrjedhshëm në variantin e gegërishtes tash, pas mbi dyzet vjetësh të zbatimit të shqipes si gjuhë mbidialektore?! Laramania e të shprehurit shqip nuk i bën nder as gjuhës, as standardit të saj, as unitetit komb-bashkues e shtet-ndërtues.
T. Selimi: A po zvetënohet libri në “vërshimin”e librave sot?
Mehmetali Rexhepi: Pas Luftës Çlirimtare një varg rrethanash i shpërqendruan lexuesit tonë të paktë. Depërtoi kompjuteri, “mrekullia informative” dhe iu kthye shpina librit. Te ne librit, në vitrinat tona, ka filluar t`i trashet pluhuri. Pse ndodh kështu? Kjo shfaqje paradoksale, kur pas LÇ-së(Luftës Çlirimtare) te ne “vërshoi” botimi, publikimi i librave të ndryshëm, të gjitha llojeve letrare, shkencore a pseudo shkencore, me vlera e pa vlera, me kritere, por të shumtën pa kritere, libra kujtimesh, publicistikë me meritë e pa meritë, mjaftonte të kesh paratë... Përkitazi kësaj rrjedhe më reflektoi pohimi ironik- satirik i Nolit “hallvaxhinë e pamë mbret”! Jemi vërshuar nga “poetët”, “shkrimtarët”, “kritikët”dhe grado-mania, nga doktorantët që kopjojnë arritjet e të huajve... Po ashtu, mjedisin tonë krahinor e përmbush grafomania. Ç`është grafomania? Dëshirë e sëmurë për të shkruar sa më shumë, sëmundje për të shkruar, pa marrë parasysh cilësinë dhe përmbajtjen e shkrimit. Grafomanët e mjedisit tonë kulturor, pothuajse për çdo muaj e nxjerrin nga një vëllim libri! Për t`i reklamuar vëllimet e tyre poetike grafomanët tanë, me pak para i”blejnë” “recensentët”, “kritikët”e “redaktorët”, të cilët gjejnë “ risi” poetike te akëcili poet a shkrimtarë grafomanë! Natyrisht pason rutina e përurimeve pompoze dhe pamjet qesharake, kur në sallë ka më shumë grafomanë se sa lexues të mirëfilltë!
T. Selimi: Pse aq lehtë redaktorët e recensentët, i nxjerrin emrat e vet në vëllime librash pa vlerë ose me vlera të dyshimta?!
Mehmetali Rexhepi: Vlerat letrare, artistike a shkencore, i tumirë ose jo zbatimi i kritereve letrare, artistike, përkatësisht shkencore, nëpërmjet redaktorëve e recensentëve kompetentë për fushat përkatëse. Si duket, autoritetet vlerësuese për t`i larguar telashet nga vetja, të gjitha kriteret për publikimin e morisë së librave, ia deleguan një kriteri të vetëm anonim: kriterit kohë?! A mund të jetë kriteri kohë (j)organ i njëjtë: si për dimër ashtu dhe për verë?! Jemi në baltën e gjallë të logjikës paradoksale... Le të prodhojnë (j)organe kriteresh të tjerët pas nesh!... Institucioni i redaktorit e recensentit, pothuajse është komprometuar. Libri e humbi fronin e tij, mund të na shërbejnë faqet e librave për të nisur zjarrin në koftorë për ditët e ftohta!
T. Selimi: Si thua: për të kthyer librin në fronin ballor duhet zhvilluar beteja për librin?
Mehmetali Rexhepi: Gjithsesi, por duhet rekrutuar ushtrinë e lexuesve...
T. Selimi: Pohimet tuaja për librin a nuk ju duken tejet të skajshme?
Mehmetali Rexhepi: Një mik imi i përvuajtur, njëkohësisht mik i librit , para një viti nxori një pohim të prerë për librin: “tashmë nuk ka libër, ai ka vdekur!”Pjesërisht ka të drejtë, miku im, Femi Halimi. Meqë ende vijoj të jem në veprimtarinë arsimore, le të më lejohet të sjell dëshmi nga përvoja e tashme në gjimnazin e Shkencave Shoqërore në Gjilan: në pesë klasa të njëmbëdhjeta, prej pesë veprave letrare të letërsisë botërore e kombëtare, të parapara për lexim, në paralelet me nga 35 nxënës, për këtë vit mësimor, vetëm një nxënëse e ka lexuar “ Don Kishotin” e Servantesit, vëllimin e parë!
T. Selimi: Si është pozicionuar kritika letrare kundruall prodhimtarisë letrare e kaheve kulturore te ne?
Mehmetali Rexhepi: Mendimi i kritikës letrare, me përjashtime, është anemik, kryesisht subjektiv, ngase lëvdon ku nuk duhet lëvduar, heshtë kur nuk duhet heshtur, ose edhe kur rrënon për të ndërtuar, i mungon arkitektura për rindërtime bashkëkohore.
Në tërësi kritika jonë e kultivon mbresën, ende jo shkencën. Edhe kur e ngre zërin e dijes, zëri i saj nuk ndihet nga kakofonia e jo vlerave, nuk spikatet, ngufatet. Ndoshta, pa të drejtë, është duke pritur ditë më të qeta, sepse ka shumë për të bërë, pos tjerash, hartën e konfigurimit të mal-brezave poetike, etj. Tashti çelësi ideologjik i vlerësimit, i ndryshkur, nuk hap brava për hyrje në përmbajtje ideologjike, ideore-politike; por është fabrikuar një çelës tjetër, ai i ideologjive fetare, i imponimit të dogmave, madje dhe censura e “ estetika” e tyre e dukjes së jashtme!
Pikëpamja ime kundruall imponimeve tërësisht asimiluese kulturore dhe shpirtërore është e qartë: më lejoni të jem i lirë, të kultivoj autoktoninë time shqiptare e shpirtërore, vetëm shqip! Edhe lutjet dua t`i bëj vetëm shqip! As latinisht, as arabisht, as greqisht sepse edhe shqipja antike është gjuhë e Zotit, sikurse tri të parat. Në qoftë se nuk më lejohet të besoj si ndjejë dhe di unë, atëbotë të tjerët për mua janë pushtues shpirtërorë. Ndaj, nuk e duroj dot dogmën imperialiste të mjekrave! Në rrethanat tona, ka një tendencë politike në emër të shpirtërores: zhvlerësimi i trashëgimisë historike, i figurave e mitologjisë kombëtare: Gjergj Kastriotit, Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kthimi kokëposhtë i identitetit, i etikës etnike në pacifizmin islamik, “ rehabilitimi” i sulltanëve nga pushtues në “miq!...”; “Korrigjimi i historisë”! ...Dhe apetite të tjera neokoloniale nga të tjerët, por që kanë jehonë te një shtresim yni shqetësues...
Ky depërtim djallëzor mëton të ketë pushtetin shpirtëror dhe të diktojë kahen tonë edukative... Kësisoj tkurret hapësira e kombëtares... Ajo, kombëtarja kategorizohet si një shtresim i dorës së dytë a të tretë! “Partizanë” të këtij pacifizmi të kombëtares, gjithandej hapësirës sonë etnike kanë përvjelë mangët... I kemi madje dhe në katedra fakultetesh... Ndërsa ne, sikur na vjen turp prej përkatësisë së vlerave, të cilat i kultivuam me shekuj, duke mbajtur të pashuar identitetin dhe, shiko se si po ia lëmë indiferencës asimiluese!...
Shkrimtari i mirëfilltë vazhdimisht e mban të ndezur luftën ndaj dogmave... Ai është luftëtari i dogmave.
T. Selimi: Si mendon, a ka hapësirë të mjaftueshme për shkrimet artistike? A mbrohet sa duhet e drejta e autorit?
Mehmetali Rexhepi: Cikli i kamjes dhe skamjes edhe në sferën e kulturës e të krijimtarisë letrare, vijon shfaqjen e theksuar: kush ka para boton dhe përuron me pompë e bujë mediesh publikimin e vet, ndërsa kategoria e krijuesve skamnorë, por të talentuar, dergjet në heshtjen vrastare të injorancës, jashtë vëmendjes së ngjyrimeve partiake, nëse nuk ka simpatinë, vardisjen a shndërrimin e autorit në instrument të akëcilës parti në pushtet. Vardisja e shkrimtarit rreth pushtetit, do të thotë, zhveshje nga mëvetësia e dinjitetit dhe autonomisë së tij. Shkrimtari dhe vepra, në të shumtën e herëve, janë antipode mes etikës së jetës dhe veprës, përjashtimet janë fare të mundshme, megjithatë, vepra e jeton jetën e vet e shkëputur prej autorit... Shkrimtarët duhet t`i nuhasin erërat e pakëndshme, t`iu prijnë rrjedhave të qytetërimit, ndryshe nuk do të jenë shkrimtarë.
Sot është e pa sigurt të publikosh shkrime origjinale e të mos vidhen, të mos përvetësohen, duke i kamufluar, të shkëputura nga tërësia e manipulime të tjera... Autori është i pafuqishëm për tu përballur me piraterinë, sepse ende nuk të mbron as ligji, as e drejta e autorit, as gjyqi, as kritika letrare, as vetëdija e pa zgjuar qytetare për këtë lloj veprimtarie shpirtërore e intelektuale.
T. Selimi: Mos po vonohet rikthimi i kritikës së mirëfilltë në letrat shqipe?
Mehmetali Rexhepi: Prodhimi letrar, përmbledhjet poetike, proza, llojet
shkencore, trashëgimia kulturore e kombit, padyshim presin shqyrtime jashtë diktateve
ideologjike e dogmave të çfarëdollojshme... Presin shqyrtimin, analizën dhe
sintezën e prurjeve të reja, me metodologjinë e një kritike moderne, gërshetim
dijesh, duke përtrollitur, në radhë të parë, dijen bashkëkohore që ngrihet mbi
nivelin e konstatimit të tekstit, zbërthen nivelet e nëntekstit dhe të
metatekstit, mat thellësinë e gjerësinë e shtrirjes së figurës, frymëmarrjes
ose ngufatjes së kumtit brenda saj, shkëlqimit ose errësimit të pamjeve për
formësime e rishfaqje idesh... Shikimi bardhezi i akëcilës vepër artistike
është i tejkaluar.
Kritikës sonë i duhet ripërtëritja, gjakftohtësia e guximi për tu përballur me aneminë e prurjeve artistike, për të shmangur snobizmin, anarkinë e kritereve, për të mbrehur gjykimin kritik, për tu kthjellur nga dehja e kritikës së mbresës, për t`ia fuqizuar rolin shkencor asaj
Rutina e përurimeve të dendura tek ne nuk i sjell cilësi prodhimit letrar. Akti i përurimit është akt solemn. Tek libri i ri vështrohet vetëm sipërfaqja e librit, pa depërtime të thella në shtresë-kumtime, në strukturën e brendshme, në forcën reflektuese të ideve dhe të porosive, filozofinë a mungesën e saj, figuracionin rrezatues a errësimin e tij, e tjera.
Në dinamikën e jetës, kur njerëzit janë të prirë më tepër të shikojnë se sa të lexojnë, kritika e mirëfilltë do të ishte një mëlmesë për të joshur shijen e leximit. Të zellshëm në këtë fushë, për t`i vjelë vlerat nga ferrat, paraqiten dendur kritikët letrarë, si Prend Buzhalan, Ramadan Musliu...
Disa të vetëquajtur kritikë letrarë, në gazeta e revistat e pakta, që mezi mbahen, në portale e medie pamore, kryesisht e përurojnë mendimin e flashkët kritik, por jo shqiptimin e mirëfilltë të analizës kritike. Diapazoni i tyre nuk i kapërcen klishetë e njohura të kritikës soc-realiste, zëvendësuar me terminologji të improvizuar të rrethanave të shumë-mendësisë.
T. Selimi: Në Kosovë organizohen veprimtari vjetore kulturore, letrare, artistike. Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës organizon takimin vjetor poetik “Drini poetik”në Prishtinë, Prizren e rrethinë; po ashtu, në Gjakovë vijon të mbahet “Mitingu i Poezisë”; në Vushtrri “Takimi i poeteshave”; në Stubëll të Vitisë “Takimet e Dom Mikel Tarabulluzit”. Në Gjilan, për çdo janar, organizohet veprimtaria, tashmë tradicionale, e katër shtyllave të artit: pamor, dramatik, muzikor dhe letrar, “Flaka e Janarit”, për të mbajtur gjallë frymën e dëshmorëve të lirisë, me theks të veçantë, rënien në Janar të vitit 1982 të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës dhe të dëshmorëve të janarit nëpër periudha të ndryshme kohore... A i vlerësoni këto veprimtari se i japin gjallëri e shtytje, krijimtarisë letrare-artistike në Kosovë e më gjerë, etnisë dhe gjeografisë shqiptare?
Mehmetali Rexhepi: Padyshim. Mirëpo, këto veprimtari i përcjellin një varg dobësish... Për dobësitë mund të flasin ata të cilët janë afër pikëtakimeve e pikëvështrimeve të tyre. Dobësia kryesore është tendenca e ngushtimit në rrethe lokale, dhënia e mundësive shprehëse vetëm mjedisit lokal...
LSHK(Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës), pas përmbylljes së “Drinit poetik” në Prizren e rrethinë, duke bashkëvepruar dhe me poetë të Kukësit, nxjerr poezi të disa pjesëmarrësve të kësaj veprimtarie poetike në revistën “Metafora”. Përzgjedhja e poezive për publikim në revistën e LSHK-së, të shumtën e herëve nuk është gjithëpërfshirëse... “Mitingu i Poezisë” në Gjakovë, duhet të kultivojë karakterin kombëtar dhe të mos e ngufasë atë në përmasën e ngushtimit lokal.
Më lejoni të shfaq një qasje më të përqendruar për manifestimin e shumanshëm të Gjilanit “Flaka e Janarit”, që sivjet shënoi 25-vjetorin e rrugëtimit, bartjen e flakës atdhetare e kulturore, dramatike, letrare, duke iu dhënë shtytje dhe artistëve pamorë, skulptorëve, muziktarëve, këngëtarëve dhe frymë garuese poetëve e të tjerëve.
“Flaka e Janarit” është themeluar, madje, pa u fikur as në rrethanat e përndjekjes serbe në Gjilan e gjetiu në Kosovë. Kam pasur fatin të jem njëri nga krushqit, bartës i flakadanit poetik të lirisë, së bashku me veprimtarët e përkushtuar kombëtarë e kulturorë, si Beqir Musliu, Zejnullah Halili, Ibrahim Kadriu, Hydajet Hyseni, Shefik Shkodra, Hysen Këqiku, Sabit Rrustemi, Hasan Bunjaku, Avdush Canaj, Beqir Buzuku, Ramadan Mehmeti, Bajram Kosumi, Sarë Gjergji, Nexhat Rexha, Aziz Mustafa, Albinë Idrizi, Xhevat Latifi, Njazi Ramadani... Secilin prej atyre që nuk i përmenda dua ta respektoj. Ka pasur pyetje: kush është ideatori i “Flakës...? Më pak ka rëndësi ideatori se sa mbajtja ndezur e “Flakës...”Mund të ishte shkrimtari Beqir Musliu... Ka peshë se “Flaka...” asnjëherë nuk u shua. Ajo barti porosinë madhore në breza; herë më me nivel, herë më e zbehtë, por nuk lejoi fikjen e kujtimit dhe të frymëzimit për dëshmorët; megjithëse secilën herë partitë politike u përpoqën t`i jepnin ngjyrimet e veta manifestimit.
“Flaka e Janarit” është ngritur mbi katër shtylla të artit dhe ka karakter garues. Tashmë veprimtaria shumë disiplinash e “Flakës...”përkrahet në mënyrë institucionale nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht, drejtpërsëdrejti, nga kryetari i Komunës. Kjo veprimtari e shënuar për më të çmuarit tanë, do të duhej të përkrahej dhe nga Ministria e Kulturës, të mos i lihet barrë vetëm Komunës së Gjilanit. Gjithsesi, pse të mos inkuadrohej edhe Qeveria e Shqipërisë, që kjo veprimtari të jetë vërtet gjithëkombëtare?
T. Selimi: A jeni të kënaqur me përbërjet e jurive që nxjerr “Flaka...”?
Mehmetali Rexhepi: Gati e kapërceva çfarë desha të pohoja: “Flaka e Janarit”është bashkim veprimtarish vetëm për dëshmorët e kombit, jo për figura të profilit politik, qoftë madje dhe figura e Kryetarit të Parë të Kosovës, të ndjerit Ibrahim Rugova. Filozofia e politikës paqësore të Rugovës e ka vendin në profilin e vet.
“Flaka ...”e sivjetme nisi me një ndërhyrje të papëlqyer, duke shmangur logon, e cila shënonte vijimësinë dhe identitetin e “Flakës...” Logoja e deritashme u zëvendësua me diçka të pashije krahasuar me të deritashmen. Nuk pati konkurs për gjetjen e një logoje të re, nëse u dashka të ndryshohej e “vjetra”! Kushdo që e bëri ishte veprim arbitrar, pa i përfillur bartësit e saj të viteve të përndjekjeve!... Në këtë vështrim, mendoj se reagimi i veprimtarit kulturor, poetit dhe bartësit shumëvjeçarë të shtyllës letrare të “Flakës...”z. Sabit Rrustemi, shfaqet si një artikulim i drejtë i pakënaqësisë, për ndërhyrje të tilla në dukjen e fizionomisë së dëshmuar të “Flakës së Janarit.” Besoj, zëri i Sabitit nuk do të jetë i vetëm...
T. Selimi: Juritë e “Flakës...”?
Mehmetali Rexhepi: Juritë për përzgjedhje dhe vlerësime të shkrimeve letrare: poezi, prozë, pikturë, arti dramatik, skulpturë, për këngët, gjithsesi të mos jenë të njëjtit njerëz... Të dëshmojnë se njohin dhe vlerësojnë vetëm vlerat, të mos iu jepet përparësi të njëjtëve, ngase nuk ka të pazëvendësueshëm e gjëra të tilla të ngjashme. Gjatë tri-katër viteve të fundit, vërehet një qasje më e kujdesshme, sa u përket jurive letrare, të cilat përurojnë cilësinë e vlerave. Gabimet e qasjet e pakëndshme, pas shpalljes së çmimeve nga ana e jurive, janë përfolur gjithandej me vite. Nëse para disa vitesh kishte ankesa, gjithnjë kam parasysh artin letrar, tashmë duket një mbarëvajtje e përzgjedhjes vlerësuese... Viteve të kaluara në “Orën e madhe letrare” kishte mjaftë parregullësi, mungesë rendi, kriteri e përzgjedhjeje... Cili kriter vlerësues e përzgjedhës është ai, kur paraprakisht dihet se kush do ta fitojë shpërblimin e parë për poezi në Orën e Madhe Letrare?!
Sivjet “Ora letrare” e “Flakës...”ishte më e përzgjedhur, solli vlera të lakmuara dhe vlen të merret si model për vijimin e dinjitetshëm të kësaj shtylle fisnike... Shtrirja e pjesëmarrja e poetëve mori përmasën etnike e gjeografike. Dhe kjo shënoi një arritje të kënaqshme kaherë të dëshiruar. Mirëpo, ende mbetet për të dëshiruar...
Doemos dua të theksoj këmbënguljen për botimin vjetor të revistës letrare, “Agmia”, pasqyruese e shkrimeve letrare të “Flakës së Janarit”.Tashmë kjo revistë ka fizionominë e veçantinë e vet. E çmuar është përkujdesja e vijueshme e shkrimtarit Sabit Rrustemi, për përgatitjen, përzgjedhjen e renditjen e shkrimeve që publikohen në këtë revistë. Gjithsesi, z. Rrustemi iu ka shmangur personalizimit të revistës, andaj kjo është për tu vënë në pah. Për vonesat e daljes së kësaj reviste nuk është faji i kryeredaktorit.
T. Selimi: Ndonëse letërsia nuk njeh ndarje regjionale, ngase ajo ose është ose nuk është letërsi; cili, sipas Jush, është kontributi i trevës së Gjilanit për pasurimin e mozaikut letrar të kulturës e të letërsisë kombëtare?
Mehmetali Rexhepi: Gjilani me rrethinë çështjes madhore shqiptare, luftës për pavarësi e mëvetësi i dha veprimtarë e luftëtarë të sakrificës, si Idriz Seferi në luftërat për pavarësi nga Perandoria Turke; në periudhën e LDB-së, prijësin e vullnetarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Idriz Hajrullahu, përkatësisht Mulla Idriz Gjilani; vijojnë figura të qëndresës në Jugosllavinë Federative, si Metush Krasniqi, Rexhep Mala, Kadri Zeka, Zijah Shemsiu, Skender Kastrati, Isa Kastrati, Hydajet Hyseni... Malbrezi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës... Agim Ramadani...
Kjo trevë, etnisë e letërsisë shqiptare i dha poetë e stilistë të veçantë: poetët për fëmijë: Ali Huruglica e Zejnulla Halili, poetin martir Rexhep Elmazi, bohemin Mirko Gashi; shkrimtarët: Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ibrahim Kadriu, Ramadan Mehmeti... Disa nga këta, tashmë e kanë përmbyllur veprimtarinë letrare, të tjerë vijojnë vokacionin e tyre shkrimor. Në qoftë se në këtë mes ka të tillë, që e kanë përmbushur opusin e tyre letrar, ndonjëri është ndërprerë nga censura politike, si Rexhep Elmazi...Disa pena të penguara, si Mehmetali Rexhepi e ndonjë tjetër, vijojnë lëvrimin e shkrimit në fushën e letrave shqipe; përderisa kaheve të përmbushjes letrare janë: Musa Ramadani, Shefik Shkodra, Hysen Këqiku, Sabit Rrustemi, Sabile Keçmezi-Basha, Isak Ahmeti, Ibrahim Kadriu, Ramadan Musliu, Avdush Canaj, Zeqir Fazliu, Beqir Buzuku, Avni Azizi, Nexhat Rexha, Sarë Gjergji, Aziz Mustafa, Xhevat Latifi, Albinë Idrizi, Sinan Sadiku...
Megjithatë, le të më lejohet të nënvizoj se përmasat dhe depërtimet poetike të Beqir Musliut, sipas peshores sime artistike, mbeten të pa tejkaluara dhe një model i pa përsëritur në letrat shqipe. Ndërsa mendimit kritik, eseistik e vlerësues i kontribuojnë: Faik Shkodra, Isak Ahmeti, Hasan Bunjaku, Ramadan Musliu, Mehmetali Rexhepi, Nuhi Ismajli (i ndjerë), Hysen Matoshi, Sarë Gjergji, Tahir Arifi, Nexhat Rexha... Polemikës do t`i mungojë, tashmë i ndjeri, Nuhi Ismajli.
Si individualitete poetike, të cilët e kanë gjetur botën e vet poetike, do të veçoja Shefik Shkodrën, Sabit Rrustemin e Halil Matoshin; si kultivues të prozës Tahir Dalipin, për prozën e të cilit heshti kritika. Për llojin e prozës së shkurtë janë premtues Aziz Mustafa e Muhamet Halili...Për gazetari e publicistikë, ritme dinamike e depërtuese në rrjedhat shoqërore sollën gazetarët e çmuar: si Halil Matoshi, Nexhat Buzuku, Enver Sadiku, Musa Sabedini... Nga ky mjedis kulturor letrar e artistik, pos Ibrahim Kadriut, nuk përjashtohet angazhimi i dendur i gazetarit e publicistit Tefik Selimi.
T. Selimi: Cilat janë planet tua për të publikuar ndonjë libër të ri?
Mehmetali Rexhepi: Brezave të rinj do të dëshiroja t`ua nënvizoja një fragment të përvojës sime: libri i mirë nuk bëhet lehtë e shpejtë. Libri pa kritere letrare-artistike e shkencore do të dal, por pas daljes do të duken dobësitë, lëshimet, gabimet e pakthyeshme. Do të dëshiroje të zhbëhej, mirëpo libri kalon dorë më dorë...
Botimi i librave pa talent i solli opinionit tonë lexues ftohje për librin. Kështu ndodh kur me çdo kusht autorët e shpifur, duan të botojnë librin sa për tu dukur, sipas modës se ja: jemi poetë, prozatorë e kritikë letrarë! Sa më përket mua, ndjek parimin krijues: nxito ngadalë. Deri më tash kam nxjerr tre libra, njërin me bashkautorë. Pra, janë pak për moshën time, megjithatë do të mund t`i nxirrja 30 libra... Tri dorëshkrime: poezi, prozë dhe kritikë me eseistikë i kam në dorëshkrim. Do të përpiqem që brenda gjashtëmujorit të vitit 2016, të shoh dritën e botimit një tip proze moderne, me synimin për të sjellë risi metodologjike e stilistike në prozën shqipe. Dorëshkrimeve iu kthehem dendur, pa prerë, gjithnjë duke shtuar e hequr, për të arritur një shkallë, mundësisht, përsosmërie?
T. Selimi: Shkrimtari nuk është indiferent për politikë-bërje të keqe, për keq qeverisje të shqiptarëve. Si ndjehesh përballë këtij korrupsioni e papërgjegjshmërie, ngase keni qenë i burgosur politik?
Mehmetali Rexhepi: Kurrë nuk i kam shikuar gjerat nga këndvështrimi i përfitimit personal, as grupor. Kjo është arsyeja e mungesave të vazhdueshme materiale për vete dhe familjen time. Kombi tragjik shqiptar nuk e meritoi këtë qeverisje kaq të vrazhdë, kaq të pa përgjegjshme, kaq feudale, kaq servile... Por tragjedinë e komedinë për shqiptarët po e shkruajnë vetë shqiptarët, klasa politike tejet e etur për pushtet dhe e pa angazhuar për shtet! Fatkeqësisht politikë-bërësit tanë, me përjashtime të vogla, i ka mbuluar materialja.
Çfarë të ardhme mund të kenë shqiptarët, si në Shqipërinë administrative, si në Kosovë, së fundmi e shpallur shtet, kur çdo i ri nuk mendon tjetër, pos si të ikin nga Kosova përkatësisht nga Shqipëria?! Si të mos zhgënjehesh kur asgjë tek ne nuk funksionon sipas ligjit?! Nuk jemi çliruar ende nga mendësia feudale! Po jetësohet pohimi parashikues i para një shekulli, i vizionarit rilindës, i mendjes së ndritur kritike, Faik Konicës, se”Armiqtë e Shqipërisë janë vetë shqiptarët” Politikë-bërja jonë sillet asisoj sikur me Serbinë ka përfunduar gjithçka!!! Kjo ndodh kështu, për derisa Serbia me të gjitha mënyrat e mjetet, vepron pa ndalur, si në veriun e shkëputur të Kosovës, ashtu edhe përmes enklavave të saja brenda Kosovës, ndërsa pjesa lindore e Kosovës, e quajtur Luginë e Preshevës është lënë në mëshirën e vetvetes!
Për të gjitha këto këndvështrime, doemos të ketë kthesa rrënjësore sa nuk është bërë tepër vonë! Këndellja dhe shërimi ynë moral është i ngutshëm, sepse a po e shihni se si na ka mallkuar gjaku i dëshmorëve, i martirëve dhe qindra-mijëra viktimave të pafajshme!
O Zot! Shpëto shqiptarët nga vetvetja dhe armiqtë e tyre!