Kulturë
Përparim Hysi: Sistemi që vriste dhe dashuritë
E hene, 11.04.2016, 05:50 PM
Sistemi që vriste dhe dashuritë
"Ana- vajza e sekretarit", të Petraq Palit
(ese)
Nga Përparim Hysi
Tanimë për të folur për një shkrimtar si Petraq Pali është paksa më e lehtë. Se krijimtaria e tij letrare është e gjërë dhe ke, me të vërtetë,se çfarë mund të thuash. Sa është shkrimtar, aq është dhe poet dhe kjo "armë dygrykëshe" me të cilën ai hap zjarr në letërsi e bën profilin e tij krijues sa më të njohur, por dhe aq të vlerësuar nga lexuesit. Tematika e krijimtarisë së tij në prozë është e larmishme dhe brumi me të cilën gatuan "bukën" e kësaj proze, shpesh, është një realitet që, meqë e ka jetuar për vete, vjen e na i sjell dhe neve, lexuesëve.
* * *
Kur kërkon të flasësh për një autor si Petraq Pali, çdo lexues duhet të ketë parasysh se nuk kemi të bëjmë me një autor që studjoi për letërsi apo me një autor, tanimë mbi 70-vjeçar, që "vallen e krijimtarisë" e ka filluar vetëm pasi ra sistemi komunist. Por,sado vonë që i hyri kësaj "valleje", pa frikë mund të rreshtohet në një krijues që, me të vërtetë, duhet patur zili. Kur them kështu, kam parasysh biografinë e tij të pasur letrare: 20 vepra letare të ndara si më poshtë: 5 libra me poezi;9 libra me tregime e novela dhe 6 romane. Kaq nuk janë pak dhe, sikur mos mjafton dhe kaq, ka nxjerr dhe një melodradramë. Kur i sjell për lexuesin, vetëm lutem për një gjë: nuk i sjell si një invetar të krijimtarisë së tij, por si një investim krijues dhe cilësor.
Duke i dhënë më shumë parësi prozës se sa poezisë, ai shquhet në fushën e prozës, si një autor që të "prish" gjumin me larminë e temave. Ka prej temave që kërkojnë përfeksion të një specialiteti iinvestigues dhe, për çudi, ai jo vetëm ia del ndanë, por vjen aq i besueshëm sa nuk ke se si mos humbësh pas tij.
Kam folur dhe më parë për krijimtarinë e kltij autori dhe, duke patur frikë mos përsërit vetveten, e ndjej si detyrim që të them dy fjalë për librin e sapodalë të tij"Ana- vajza e sekretarit".
* * *
Sado shkurt që të flas për këtë novelë që është dominante në libër, me pak fjalë mund të them për ata që nuk e kanë lexuar: Ana është vajzë e një sekretari partie (titullar i një rrethi në kohën e diktaturës komuniste) dhe dashurohet me një moshatarin e saj. Kjo dashuri e pastër e saj, vritet për arsye fare banale. I dashuri i Anës nuk është i "sërës" së partisë dhe, për ta vrarë këtë dashuri, për të dashurin e saj sajohen lloj-lloj intringash e barrierash,deri sa e burgosin për një sherr provokativ.Para se të shkoj më tej, është me rëndësi të theksoj- dhe kjo e bën sa prekëse,aq dhe të besueshme,- se kemi të bëjmë me një ngjarje të vërtetë,por të sjellë nga autori si krijimtari artistike. Kuintesenca e kësaj novele apo pikat mbi i , është shumë domethënëse: sistemi komunist vriste dhe dashuritë. Drama që kalon heroi i novelës apo dhe heroina (Ana) as më pak dhe as më shumë e dëshmonn këtë. Tek e ndjek si lexues gjithë dinamikën e kësaj drame, mbushem me mornica se atë sistem e njoh mirë dhe, pse nuk kam zotësinë e Petraq Palit, megjithëse shkruaj dhe vet, nuk kam qenë i zoti që të tregoj si Petraqi. Përmasat e kësaj drame të rrënqethin, kur lexon epilogun dhe unë vërtet mbresohem, se kujtoj të gjashmit "viktima" që kam njohur dhe them:- E, Petraq Pali, m'i dogje letrat nga duarët. Se, kur gjykoj qoftë dhe për këtë novelë të tij, më vjen ndërmend filozofi i madh francez Denis Didero që thotë: " Nuk mjafton të dish diçka, por duhet ta tregosh mirë e bukur atë". Dhe për këtë duhet falnderuar,Petraq Pali. Mbresa që lë tek lexuesi është sa e dhimbshme,aq dhe mbresëlënëse. Se një shkrimtar, mendoj unë, nuk është vetëm informues (informues është një kronikan), por shkrimtari kthehet në një misionar dhe, parë me këtë sy, Petraq Pali e ka arritur.
* * *
Dy tregimet që i janë bashkangjitur librit, kanë peshën e tyre që, krahasuar me novelën, kanë peshë "specifike" më të lehtë. Sidoqoftë, në përshtypjen time, mund ta quaja pa frikë si të barabartë me "Anën...", tregimin "Adela". "Adela" për vet kohështrirjen ( nga koha e regjimit që iku e deri në ditët tona), ka një vend me peshë në libër. Sikur të ishte në pëlqimin tim, unë të gjithë librin do ta kisha titullar"Adela", se ka një dramacitet që të mban në ankth dhe ajo që dua të theksoj, jo kushdo mund të shkruaj një tregim pak specifik si "Adela". Mirëpo Petraq Pali ka një nuhatje investigive të çuditshme. Një "nuhatje" të tillë mund ta ketë një profesionist si hetues apo nga ata dedektivët alla Sherllok Holms. Dikur, kur kam shkruar për një roman të tij me këtë temë,e kam quajtur Zhorzh Simenon. I tillë është dhe në këtë tregim për Adelën dhe i vetmi dallim nga ai, mitiku, Zhorzh Simenoni francez, është se Petraq Pali nuk shkruan as për "Komisarin Megre" të Simenonit, por as pi duhan me çibuk si ai. E, sa për të nxjerrë dhe"dreqërit" nga vrima, lexoni "Adela" dhe do më jipni të drejtë.