E marte, 18.02.2025, 12:04 PM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Veza e artë

E enjte, 07.04.2016, 06:27 PM


VEZA E ARTË

Nga cikli “Koha e çudirave”

TREGIM NGA RESMI OSMANI

Na ishte mos na ishte…..

E bukura e dheut, do të thoni ju. Jo.

Na ishte një vashë e re e bukur si zanë, gazmore, e shkathët dhe e mençur që e quanin Blerina. Motra e vetme kanakare e pesë vëllezërve. Halla e dashur dhe gazmore e nipërve dhe mbesave. Ajo jetonte me familjen e saj në katundin e madh të Petanit, rrëzë kodrës që kishte nën këmbë fushën e gjerë të luginës së Shkumbinit me toka të pasura e pjellore.

Pas shirave, ditëve të ftohta, të zymta e me mjegull, dita e fundit e marsit, si për t’i uruar mirëseardhjen vëlla prillit, u gdhi me qiell të pastër plot dritë, paçka se dielli ende s’kish ngrohtësi. Blerina u ndje e lehtë si pupël dhe e nisi ditën e gëzuar. Në kokë i buisnin dhe jehonin si të vinin nga larg, melodi të bukura dhe ajo ia mori nën zë këngëve të saj të pëlqyera. Rinisë i këndon zemra. Detyra e saj ishte të kujdesej për gjënë e gjallë dhe shpendët e oborrit. E nisi me lopën, Larën: i gëzoi vithet. Lara u kënaq dhe e mbushi kovën me qumësht. Balua, qeni i shtëpisë nuk u afrua me dëshirë që ajo ta lidhte në koliben e tij, po iu bind të zonjës. E ndjente që ajo e donte dhe kujdesej për të dhe i lëpiu dorën me gjuhën e ngrohtë e pak të ashpër. Me kovën e mbushur me krunde dhe misër, u drejtua për nga qymezi t’u shtinte ushqimin pulave dhe të mblidhte vezët. Me ta parë pulat rendën pas saj dhe ulën kokën për të çukitur në koritën e drunjtë. Blerina hyri në qymez për të mbledhur vezët, por u çudit nga ç’i panë sytë: Gjeli ishte ulur rehat-rehat në furrikun me kashtë, i kapardisur e krekosur. Lafsha si flamur i skuqte si flakë, sytë e vegjël si rruaza të zeza i ndrinin. Reth tij, sillej duke kakarisur e zemëruar, pula Pikalore, por pa guxuar t’i afrohej.

-Po ti mor bukurosh, mos ke luajtur nga mendtë dhe kërkon të klloçitësh?

Blerina zgjati dorën ta nxirte nga furriku, por gjeli i dha një të gjuajtur me sqep.

-Uau, po kjo ç’na qenka!- tha ajo, e zuri nga krahët dhe e flaku përjashta.

Në furrik ishte çudia: një vezë e artë! Fërkoi sytë. Jo nuk ishte në ëndërr. Veza ishte aty dhe ndrinte me reflekse drite. Gjeli kishte pjellë vezën e artë! U shtang nga habia, por pula pikalore  nuk e la gjatë që të gabonte. Ajo pushoi kakarisjet dhe u ul në furrik, duke e mbuluar me trupin e saj vezën. Blerina e mori vezën dhe e mbajti në pëllëmbë të dorës. Ishte ende e vakët dhe ndrinte e llapste nën dritëne diellit. Ishte një mrekulli, patjetër një mrekulli! Ajo rendi në shtëpi.

-O nënë! O vëllezër! O kunata! Nipër e mbesa, ejani të shihni, se do t’u rrëfej një gjë të paparë e të padëgjuar!

Kush ishte në shtëpi u afrua . Ata ishin mësuar me rrengjet e Blerinës. Sot kushedi se ç’i kishte shestuar mendja. Kur u mblodhën të gjithë, ajo hapi dorën. U ndje një “ Uaaa” dhe kokat u qasën rreth dorës.

-Pula pikalore ka pjellë këtë vezë të artë, - u tha ajo duke parë habinë e tyre, që shfaqte edhe mosbesim edhe çudi.

E panë, e prekën, e morën në dorë atë gjë të rrallë që ndrinte,xixëllonte dhe fekste dhe u bindën. Në shtëpinë e tyre kishte ndodhur një mrekulli: pula pikalore kishte pjellë vezën e artë!

*     *     *

Në lajmet e mbrëmjes, shikuesit panë në televizionin lokal “Alfa & Omega” një vajzë të bukur fshatare, që në njerën dorë mbante një shportë, në të cilën rrinte urtë një pulë pikalore dhe në tjetrën një vezë, që ishte “Veza e artë”. E pyetur nga folësja simpatike, vajza dha shpjegimet që ju kërkuan. Sa për pulën, që kishte pjellë “Vezën e artë”, ajo tha se e kishin ndryrë në atë shportë dhe e mbanin me vete, se mos ua grabisnin.

Lajmi mori dhenë. Si ai topthi I vogël i borës, që shkëputet nga mali dhe rrugës kthehet në ortek, lajmi duke u zmadhuar dhe fryrë, u transmetua edhe nga mediat e tjera në kryeqytet. Ai lajm i rrallë tronditi mendjet e njerëzve. Harruan politikën e pragzgjedhjeve dhe  nuk flitej veç për të.

Televizioni “Alfa&Omega” nisi në terren gazetaren e talentuar Olta Fusha, e cila u vu në kërkim të pleqve qindvjeçarë, për të thënë se ç’dinin për raste të tilla. E para u pyet plaka Qeriba. Ajo nuk e mbante mend sa vjeçe ishte, por tha se në kohën e Sulltan Pekmezit, ajo luante me nuse prej lecke. E pyetur për “Vezën e artë”, ajo tha:

-Axheba, moj bijë, pa thuaj nënës ti, kot ka dalë ai llafi ”Hë moj se nuk është ajo nga ato pula që bën vezë të florinjtë! Apo ngordhi ajo pulë që bënte vezë të florinjtë!” Për sa thuhet llafi, duhet të ketë ngjarë që moti edhe vakija. Ajo vetë nuk kishte parë të tillë vezë, as pulë që ta bënte atë, por ama, ku ka zë, nuk është pa gjë!

Kur u pyet sesi e shpjegonte vetë ngjarjen, plaka Qeriba, u përgjigj: ”Bija e nënës, siç e ka lënë vasijet Çoban Babai këto janë isharete, se kësaj jallane po i vjen fundi!”

U pyet edhe plaku Ali Topalli, që thoshin se atë e kishte harruar vdekja. Ai nuk para shihte mirë, por veshët i kishte pipëz. Ai u mendua gjatë.  Kamera dha portretin e tij mjekërbardhë, tërë rrudha, sytë të futur thellë në zgavra dhe gojën e padhëmbë si shpellë.

-Vëri veshin llafit bija e babait: Nastradin Efendiu, kur ishte kadi, gjykoi një dava. Ankohej  një fukara, që kishte çuar në furrë për të pjekur patën. Kur shkoi, patën me gjithë tepsi, nuk e gjeti. Furrtari i tha se pata e pjekur kishte fluturuar. Nastradin Efendiu, si kadi i ditur që ishte e zgjidhi davanë: i tha fukarait, se një herë në njëqind vjet, fluturon një patë e pjekur! Thonë që në Librazhd, polli edhe një mushkë. Që në Bradashesh doli një gjel me tri këmbë dhe një kec me dy koka. A pjell mushka? Po ja që polli. Nashti unë them: Pse një herë në njëqind vjet, një  pulë të mos pjellë një vezë të artë? Hë?

*     *    *

Vëllai i Blerinës, Seferi, që kishte ngrënë shumë kohë kurbetin, ngriti hundën lart dhe nuhati ajrin. Binte era para. Iu bë sikur nga qielli në vend të fjollave të borës, nga retë binin kartmonedha. Ai e nuhaste paranë që larg dhe s’mund ta linte rastin e rrallë t’i dilte duarsh.  U hodh deri në qytet dhe pasdite u kthye  me një kuti të bukur, të veshur me pasqyra dhe shtruar me kadife ngjyrë kërmëzi. Aty vendosën vezën. Ballina e xhamtë linte të dukej veza dhe  mbyllej me një bravë të vogël. Kishte blerë një shportë të re fringo, me një si kafaz përsipër. Aty vendosën Pikaloren. Kishte porositur edhe blloqe biletash, ku shkruhej “Veza e artë” dhe vlera njëqind lekë. Kush donte të shihte vezën dhe pulën, duhet të paguante. “Sehir pa para nuk ka, tha ai. Si qejfi si halli duhen paguar. Ju mos u përzieni. Këtë ma lini mua.”  Kësisoj,ai mori përsipër marrëdhëniet me publikun.

Vizitorët e parë që donin të shihnin këtë “Thagmë” nuk vonuan të vinë. Të nesërmen, para portës qëndroi një furgon i bardhë. Prej aty zbriti profesori i dëgjuar i biologjisë dhe gjenetikës në Universitetin  e Rrogozhinës,  Sheme Sovjani, që mjekrën e kishte më të gjatë nga shtati dhe gjysmen e fytyrës ia mbulonin syzet xhamtrasha. E shoqëronin një grup studentësh. Pikalorja dhe veza ishin ekspozuar mbi një tryezë pas rrjetës së telit të qymezit. Pula i shikonte me ata sytë pa shprehje, teksa çukiste ushqimin, ndersa veza nën efektin e dritës dhe pasqyrave, llapste e ndrinte. Te porta e avllisë u habitën,  kur u thanë se duhet të prisnin biletat, por paguan pa bërë fjalë. Profesori deshi t’ia jepnin vezën që ta shihte, por nuk ishte e lejuar. Kërkoi që të merrte pak gjak për analiza nga Pikalorja. Blerta e refuzoi, Pikalorja mund të merrte ndonjë infeksion. Atëhere ai u lut t’i jepnin një pupël për të bërë analizat e ADN. Blerta i shkuli Pikalores një pendë nga bishti. Profesori e mori atë relike të rrallë, si një trofe të çmuar dhe e futi në një qeskë e pastaj në çantë. Do të bënte një studim të hatashëm për kondicionin gjenetik të ADN dhe korelacioni i ngjizjes së vezës së artë. Ky studim i hatashëm , do të ishte kulmi i karrierës së tij shkencore.

Për të parë “ Vezën e artë” u sulën i madh e i vogël, nga jugu dhe veriu, nga lindja dhe perëndimi i vendit.Ishte si njëvërshim i shoqëruar me shi lekësh. Radhët ishin të gjata. Seferi nuk lejonte të kalonin më shumë se tri veta. Vizitorët lodheshin. Ndonjeri donte të hynte pa radhë. Filluan zënkat, plasën sherret dhe zallahi e madhe, Fqinjët nisën të ankohen, por Seferi ia gjeti dermanin. Pajtoi policinë private për të mbajtur rregullin.

Ato ditë nuk munguan edhe kërkesat për ta blerë Pikaloren. Ofertat vinin nga pulari të fuqishme e prestigjioze. Seferi i priti të dy të dërguarit e pularive ”Boboshtica” dhe “Dumrea”, në lokalin e Selfo Qorrit. Ai propozoi një ankand të vogël:

-Çfarë çëmimi ofron “Dumrea”?

-Njëzet euro.

-Po “Boboshtica”?

-Njëqind!

-Njëqind e pesëdhjet!

-Dyqind e pesëdhjet!

-Treqind!

-Jo treqind,

-Po sa?

-Pesëqind!

Oferta shkoi deri në pesëqind euro,pastaj nuk pati më shtesë.Aty ngeci.

-Ankandi mbyllet. Pikalorja nuk shitet, - tha Seferi.

Blerina, që kishte ndjekur në heshtje pazarin, nuk duroi pa shfryrë mllefin e saj:

- Vërtet që pikalorja një shpend e aq ështe, por me ato që kanë ngjarë, dhe që ishin një mrekulli, ajo është bërë si pjestar i familjes. Më thoni ju: A mund të shitet një pjestar i familjes?

*     *     *

Në qytetin e vogël, që s’rreshtëte së përjetuari çudirat, “Veza e artë” ishte në qendër të bisedave: në kafenetë, lokalet, rrugëve dhe në shtëpitë. Nuk shpëtuan nga kjo as drejtuesit e dy partive të mëdha. Ata deshën ta përdornin këtë ndodhi për qëllimet e tyre politike. Ishte një rast i artë. Drejtuesi i shumicës në pushtet tha se ky ishte një paralajmërim për fitoren e zgjedhjeve. Ata që e kishin parë vezën me kujdes, kishin vënë re nëpër të disa pikëzime ngjyrë blu. Kjo fliste vetë, nuk duheshin komente.

Nga ana tjetër edhe drejtuesi i opozitës, nuk deshi të mbetej prapa kolegut të tij. Vuri në dukje se pula Pikalore,  që kishte pjellë vezën  nuk i kishte pendët ngjyrë blu, ishte e kuqërremtë me pika të bardha dhe se veza në majë kishte mbi sfondin e artë ca pikëzime të trëndafilta. Kjo mrekulli paralajmëronte fitoren e opozitës.

Nuk vonoi dhe drejtuesi i shumicës, partisë së “Kaltër”, bashkë me një aktiviste të thekur nga komuna, shkoi në Petanas. Seferi dhe Blerina e pritën te lokali I Selfos, jashtë, nën kurorën e rrapit të madh.

Miku hyri drejt e në temë, se nuk kishte kohë për të humbur. Kohë fushate  e prisnin shumë punë.

-Blerina, je e hijshme, tërheqëse, e mençur apo si i thonë francezët sharmante dhe me këtë rastin e vezës, u bëre e famshme. Kudo nuk flasin veçse për ty. Kam dëshirë të të antarësoj në partine tonë.Teserën e kam sjellë me vete. Gati,me vulë e me firmë, por ti duhet të na ndihmosh. Në qendër të komunës do të bëjmë një miting të madh, ku do të flasësh për zgjedhjet, që do t’i fitojmë. Prej tyre s’na ndajnë as tri muaj. Komuna juaj ka shumë vota dhe vendos fatin e zgjedhjeve. Këtu del deputeti. Do të përgatisim një fjalim të bukur, që të mbeten me gojë hapur, kur të të dëgjojnë. Të bësh thirrje që të votojnë për ne. Ty të besojnë dhe do të dëgjojnë se je bijë e tyre. Do ta shpërblejmë aq mirë, si s’ta merr mendja: në zgjedhjet e ardhshme vendore do të propozojmë për kryetare komune. Si thua?

-Kryetare komune? Por zgjedhjet vendore janë larg or mik. Kësaj në fshatin tonë i thonë: prit gomar që të vijë maji e të mbijë bari! Ja pat Seferi,që nuk i la radhë Blerinës të përgjigjej.

-Të lutem,unë pyeta Blerinën.

-Ne nuk kemi gjë të ndarë. Doni votat ju?

-Po,pra,i duam. E kush është ai që s’i do?

-Të gjitha?

-Ah sikur të ishte ashtu!

-Ua jep Blerina me Seferin.

-Do t’u jemi borxhlinj për jetë!

Seferi u ngërdhesh. Pa shih! Miku,i donte votat xhaba! Ngriti dorën e djathtë dhe para fytyrës së mikut nisi të fërkojë gishtin e madh me numrusin.

-Hidhu! Fyellit i bie kush paguan!

-Epo, edhe pa gjë nuk do t’u lemë.

- Ç’pa gjë mor zotëri. Fol mirë! E di sa e kanë harxhin ato vota?

-Hë? Thuama.

-Fund pazar dyzet mijë euro!

Mikut i kërcyen sytë si koqe fiq dhe iu shtrembërua goja.

-Janë shumë. As mos të të shkojë ndër mend!

-Pse, shumë të duket të japësh një apartament për një deputet?

-As që bëhet fjalë!

-Si të duash, por ta dish: ai që qe këtu para teje na dha më shumë, por neve ajo parti nuk  para na pëlqen- ja futi kot Seferi,- Tham të merreshim vesh e të binim në ujdi  bashkë.

Miku i çakërdisur, i hipi makinës dhe e ngau si era, duke lënë pas një re bloze dhe pluhuri.

-Ke për të parë, do kthehet prapë. I njoh mirë këta biçimër. Zere se e kemi marrë apartamentin në qytet.- I tha Sefer së motrës që gjer ahere s’kishte nxjerë fjalë nga goja.

*      *      *

Kaluan ditë e javë dhe kërshëria për “Vezën e artë”u fashit. Vizitorët u pakësuan shumë dhe gati ngjarja po harrohej. Bash në këtë kohë, gratë e fshatit pllakosën portën. Ato kishin një mendim: Po sikur vezën ta vinin për të çelur zog? Do të lindte prej saj zogu i artë? Më në fund Blerina u kandis dhe vezën e shtruan në furrik, ku ishin vënë klloçkat.

Gjithë katundi nisi të numëronte ditët, por ditët iknin ngadalë e mezi shtyheshin. Kishte që shihnin ëndërra me zog të artë. Dhe ja: erdhi dita e shumëpritur,ajo e njëzetenjëta. Gra, vajza, fëmijë, të rinj e të reja, pleq e plaka sehirxhinj u dyndën në oborrin e madh para qymezit. Klloçka klloçiste dhe zogjtë e sapodalë ciasnin ciu,ciu, sa të kënaqnin shpirtin. Të gjithë ishin me sqep të verdhë, larushë e të mbuluar me një si push të butë si mëndafsh e të kuqërremtë, me ca sy të ndritur si rruaza të zeza. Zog të verdhë apo të artë nuk kishte.

Blerina u përkul mbi furrik . “Veza e artë” nuk kishte çelur zog. E mori në dorë. Vende vende e arta ishte zhveshur dhe kishte dalë një shtresë e përhinjtë, si e zbërdhylët, e ndotur nga glasat. Ky ishte fundi.

Bëri përpara drejt daljes, në rrugicën e shtruar me kalldrëm. Përball ishte turma, që në pritje po mbante frymën.

Blerina e plasi mbi gurë vezën. Kërciti  kur u thye dhe prej saj u derdh një lëng i trashë e i turbullt, që qelbej erë squfur.

Një “Oh, mooos…” i zgjatur doli nga gjokset si një rënkim i dhembshëm e i çuditshëm. Sytë u shqyen dhe fytyrat u shtrembruan.

-Kaqë ishte,- tha Blerina fare e qetë, pa iu dridhur qerpiku.

Në fillim gjindja u hutua,por pastaj i thirrën mendjes:

-Si? Ti ke një muaj që tallej e gaxhitesh me neve?

-Aspak ,-tha ajo,- Pikalorja e polli vezën në tridhjet e një mars, apo jo?

-Poooo!

-Po të nesërmen çfarë u gdhi?

-Një prilli.

-Po një prilli çfarë është?

-Dita e gënjeshtrave.

-Epo u bëftë mirë! E mbajtçi me shëndet shakanë e një prillit!

U bë zallahi e madhe. E shanë, e kërcënuan. Deshën ta pështynin.  I thanë kuçkë e zuskë, delenxheshkë, e pafytyrë, zabërhane, mashtruese, këllirë, vrromë…..Por Seferi i vuri përpara, u tha të shporreshin dhe ua mbylli portën në fytyrë.

E vogël ishte veza që u thye te oborri i shtëpisë, por era e rëndë e saj qelbi tërë katundin.

Maj 2013.

Ng vëllimi me tregime”Letër mbretit”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora