Kulturë
Kadri Kadiu: T'i tregosh gjërat apo t'i fshehësh?
E merkure, 06.04.2016, 06:34 PM
MË MIRË T'I TREGOSH GJËRAT APO T'I FSHEHËSH?
Nga Kadri Kadiu
Kanë filluar edhe këta të shtëpisë time që të mos llafosin shumë me mua. "Ty, më thonë, nuk të mban barku asgjë dhe çdo gjë e nxjerr në gazetë".
Ama, edhe unë nuk e prish terezinë fare, vazhdoj të shkruaj çfar më thotë radakja. Ja edhe për këto që po shkruaj sot, s'bëhem merak fare, le t'i lexojnë dhe ata që iu del emri, s'kanë ç'të më thonë fare, unë kam treguar vetëm të vërtetën, besnikërisht ashtu siç ka ndodhur. Ama, veç për një gjë jam i qetë, për këto që shkruaj nuk ka për të patur qeder asnjeri pasi janë gjëra të kaluara e të parashkruara.
1.Tekiu e Nekiu
Tekiu e Nekiu ishin dy shokët e mi studentë në Institutin e Lartë Bujqësor Tiranë. (Mbiemrat nuk po ua shkruaj por për të gjithë studentët e Agronomisë, të periudhës 1962-1967, ata janë të identifikueshëm menjëherë).
Ishin në vitin e dytë të Fakultetit. Ai vit ishte më i ngarkuari dhe me lëndët më të vështira për ne studentët, sa që thuhej se "po e morre vitin e dytë, ke mbaruar Fakultetin". Në këtë vit jepeshin 3-4 provime në sezonin dimëror, në janar dhe 5-6 provime në sezonin veror, në qershor.
Në sezonin e verës Tekiu pati disa probleme shëndetësore dhe nuk mundi që t'i jepte të pesë provimet; dha vetëm dy provime dhe tre të tjerët i ngelën për në vjeshtë. Rregulli ishte që deri në tre provime mund t'i rijepje në vjeshtë, ndërsa po të ngeleshe në 4 lëndë, përjashtoheshe nga shkolla. Tekiu i gjorë u vu në siklet të madh; ai mezi i mori dy provime në sezonin e verës, e tani si mund t'i merrte tre provime në vjeshtë? Aq më tepër që ngelës ishte në lëndët më të vështira, ndërmjet tyre dhe në fizikë. Gjysmë adashi i Tekiut, Nekiu, jo vetëm i kishte marrë të pesë provimet, por ai ishte student i shkëlqyer dhe në librezën e tij të notave kishte vetëm dhjeta e ndonjë nëntë. Aman, derman, i tha Tekiu Nekiut, unë do të jap dy provime në vjeshtë, por provimin e fizikës do ta japësh ti Neki për mua.
Shok të kam, vëlla të kam o Teki, i tha Nekiu, por këtë punë nuk ta bëj dot se është me zarar të madh, po u muarr vesh na fluturojnë të dyve nga shkolla.
E po do të ma bësh këtë nder o Neki, se përndryshe takomë mua që tani e më thuaj lamtumirë që unë të mos vij fare në shtator. Pastaj, me ton lutës i thoshte: O Neki, po ti e di bre se ai profesori i fizikës edhe kur na ka përpara sysh të dyve, na ngatërron emrat, e mua më thotë Neki e ty të thotë Teki, kështu që mos e merr me frikë këtë punë bre, ç'bëri Teki, ç'bëri Neki, për profesorin njëlloj jemi.
Ore Teki, i tha Nekiu, po unë nuk kam ndërmend që këto dy muajt e verës të merrem me studimin e fizikës, kështu që mund të bëjë vaki që të mos ta marr dot provimin tënd dhe të marr më qafë.
Ore, po unë kam hall se mos ti përgjigjesh mirë, se vetëm ashtu mund të dyshojë profesori, tha Tekiu. Mua më duhet vetëm një pesë or burrë i dheut dhe ti pesën e merr pa lexuar asgjë.
Unë për vete, shumë shok e kisha Tekiun por këtë gjë nuk do të kisha guxuar kurrë për ta bërë. Ja që lab Nekiu e bëri. Erdhi në shtator, mori librezën e notave të Tekiut, hoqi me kujdes nga libreza fotografinë e Tekiut, vendosi aty të vetën dhe u paraqit në Katedrën e Fizikës si Teki për të dhënë provim.
Profesor Temo Mandili mori librezën e notave të Tekiut dhe për disa çaste shikonte një herë fytyrën e studentit që kish përpara e një herë foton në librezën e notave. U bind që fotoja e librezës përputhej me fytyrën e studentit që kish përpara, kështu që i dha tezën e pyetjeve të provimit.
Temo Mandili ishte një profesor shumë i përgatitur, i studjuar jashtë Shtetit, ishte në fakt një shkencëtar i fizikës, por ai neve na jepte vetëm leksionet një herë në javë kurse seminaret i zhvillonim me asistentët e laborantët e fizikës kështu që ai nuk mund t'i njihte disa qindra studentë që iu jepte mësim.
Nekiu që ishte bërë Teki, qëndroi nja dhjetë minuta në bankë gjoja duke u përgatitur e pastaj erdhi tek tavolina e profesorit dhe filloi të përgjigjej. Ishte ezber fare që në përgjigjen e pyetjes së parë, kështu që profesori filloi të verë në dyshim veten e vet. "Ore Teki, i tha, po si të paskam lënë në provim unë ty"?
Nekiut i ra ndërmend që atë ditë ishte Teki, kafshoi gjuhën dhe dy pyetjeve të tjera iu përgjigj duke bërë gabime me dashje.
Në fund, profesori i vuri notën shtatë Nekiut në librezën e Tekiut.
Tekiu e priste përjashta në korridor Nekiun. Kur ai doli nga provimi, ia dorëzoi librezën kurse Tekiu e puthte, e përqafonte dhe e uronte Neki trimin nga Tepelena.
2.Mustaqet e verdha të profesorit
E vështirë sa edhe fizika ishte për ne studentët lënda e kimisë. Këtë lëndë na e jepte gjithashtu një profesor i shkëlqyer, Aleko Xoxe, edhe ky një shkencëtar i shkolluar jashtë Shtetit.
Kur të merrte në provim profesor Alekua, duhej të dërsije mirë pasi do të mbushje nja 2-3 herë dërrasën e zezë me formulat e kimisë. Por sa i rreptë ishte ky profesori në mësim, aq i çiltër, i qeshur, shakator e qyfyrexhi ishte me ne studentët jashtë procesit mësimor. Më shumë i pëlqente sidomos disa studentë që ishin të hedhur e me humor. Një i tillë ishte dhe studenti numeraxhi Qerim Muska.
Mirëpo ja që ky Qerim Muska u vu në një siklet të madh kur dha provimin e kimisë. Profesori mustaqeverdhë Aleko Xoxe, që ishte një artist në shpirt dhe humorist i lindur, bëri sikur nuk iu mbush mendja me përgjigjet që dha Qerimi për pyetjet e tezës dhe i bëri nja tre katër pyetje jashtë tezës së provimit. Edhe pyetjeve jashtë tezës Qerimi iu përgjigj mirë dhe profesori u bind që jo vetëm ta kalonte, por t'i vinte notë të mirë. Mirëpo profesori desh me ba lojë me Qerim Muskën dhe i thotë: "Qerim; nuk qenke përgatitur mirë, do të të bëj edhe një pyetje të fundit; po iu përgjigje kësaj pyetjeje, kalon, po nuk iu përgjigje, s'kam ç'të bëj, do të të ngel.
Po mirë profesor, ju e dini, ma bëj pyetjen, tha Qerimi, tashmë i trembur.
Pyetja eshtë kjo, i tha profesori: "Do të më thuash pse mustaqet e mia janë të verdha megjithëse flokët unë i kam të zeza".
Unë do të ta them o profesor, i tha Qerimi, por kam frikë se po të të jap përgjigje të saktë ti do të më ngelësh në klasë.
Jo, nuk të ngel, i tha profesori, thuaje!
Ti profesor, i tha Qerimi, mustaqet i ke të verdha sepse kur ke qenë i vogël, ke qenë qurrash.
Ikë, i tha profesori, e gjete, ke notën 9 në Kimi dhe 10 në trimëri.
3. Provimi i Nuredinit
Duhet të ketë qenë janar i vitit 1980. Në Fakultetin e Ekonomisë Agrare ishin caktuar nga Dekanati dy ditë provimesh për studentët e korrespondencës të Institutit të Lartë Bujqësor. Nuredin Peti, një brigadier blegtorie në Ndërmarrjen Bujqësore "Gjergj Dimitrovi" të Tiranës, vazhdonte studimet me korrespondencë për degën Zootekni dhe u paraqit në Fakultet për të dhënë provimin e lëndës "Ekonomi-Organizim". Kjo lënda e quajtur "Ekonomi-Organizim" ishte në fakt bashkimi i dy lëndëve të Veçanta, "Ekonomi Agrare" dhe "Organizim i Prodhimit Bujqësor". Këto dy lëndë jepeshin secila më vete për studentët e Fakultetit të Ekonomisë Agrare kurse për studentët e fakulteteve të Agronomisë dhe Zooveterinarisë jepeshin me një program më të reduktuar, duke i bashkuar në një lëndë.
Pedagog për lëndën e Ekonomisë isha unë kurse për lëndën e Organizimit ishte Koço Kote. Erdhën studentët e korrespondencës, ishin nja dhjetë veta; i futëm në një klasë dhe iu dhamë secilit nga një tezë me pyetjet e provimit. Pasi përgatiteshin për disa minuta, studentët paraqiteshin tek tavolina e ne dy pedagogëve dhe fillonin përgjigjeshin. Çdo tezë provimi kishte tre pyetje, të alternuara, disa kishin dy pyetje nga Ekonomia e një nga Organizimi, e disa të tjera të kundërtën. Studentët, pasi i përgjigjeshin pyetjeve të tezës dhe ndonjë pyetjeje suplementare që bënim ne pedagogët, dilnin jashtë dhe prisnin që në fund të provimit të merrnin rezultatin meqenëse ne ishim dy pedagogë, si punë komisioni, dhe në fund do të vendosnim për notën që i takonte secilit.
Ky student Nuredini, i cili dukej si moshatar apo pak më i madh se unë, erdhi i fundit për tu përgjigjur. Erdhi para tavolinës sonë i dërsirë, i skuqur, duke mbajtur në dorë tezën e provimit dhe një fletë formati të bardhë ku nuk kishte shkruar asgjë. Për fatin e tij të keq, dy pyetje i kishin rënë nga lënda ime dhe një pyetje nga lënda e Koços.
Urdhëro, i thamë, fillo përgjigju!
Për pyetjen e parë dhe të dytë, tha Nuredini, nuk kam përgjigje dhe filloi të fliste për pyetjen e tretë, duke thënë gjëra pa kuptim, ramba e tamba. Mirëpo vura re se Koçua ia miratonte përgjigjet duke tundur kokën. Kuptova se diçka jo e pastër po luhej në atë provim nga kolegu im Koço Kote, por megjithatë mendova se i duhej bërë edhe ndonjë pyetje tjetër jashtë tezës këtij studenti, për ta ndihmuar që të shprehej. I bëra 3-4 pyetje fare të thjeshta; nuk iu përgjigj asnjërës. Atëhere, pasi u binda se ky student kishte ardhur i papërgatitur dhe dukej se nuk i kishte hapur fare fletët e librave të Ekonomisë dhe Organizimit, i bëra një pyetje që ishte në fakt dërmuese për Koço Koten: Shoku student, i thashë, më thuaj sa tekste librash ka lënda e Ekonomisë dhe sa ka ajo e Organizimit?
Koçua, mundohej, fshehurazi meje, t'i bënte shënja duke ngritur dy gishta të dorës së majtë dhe tre gishta të dorës së djathtë, për t'i treguar se dy tekste kishte Ekonomia dhe tre tekste kishte Organizimi. Mirëpo Nuredini nuk e kuptoi dhe tha: "Tre tekste ka ekonomia dhe dy Organizimi".
Tani u bë e qartë se Nuredini akoma nuk i kishte blerë këto tekste, kështu që unë iu drejtova Koços duke i thënë: Unë mbarova nga pyetjet, ti Koço ke ndonjë pyetje?
Po tha Koçua, dhe bëri nja dy pyetje të tipit "sa këmbë ka lopa"?
Pasi doli Nuredini nga klasa, ne me Koçon filluam të tregojmë notat që kishim vënë për secilin student dhe nxirrnim notën mesatare që do të shënonim në librezën e secilit. Për nëntë studentë ramë në konsensus të plotë dhe i firmosmë librezat e tyre. Për Nuredinin unë kisha vënë dy nota katra për pyetjet e lëndës time ndërsa Koçua tha se "unë i ve notën shtatë në lëndën time kështu që mesatarja e të tre notave del pesë, pra Nuredini do të kalojë", dhe mori librezën për ta vendosur notën.
Po prit o Koço, prit, i thashë unë, se ai nuk iu përgjigj asnjërës pyetje as në lëndën tënde, kështu që unë nuk vë firmën për notë kaluese në atë librezë.
Po dhe unë, tha Koçua, nuk firmos librezën me notë pakaluese për Nuredinin.
U hëngrëm një copë herë dhe nuk lëshonim pe asnjëri. Atëhere, dolëm nga klasa e provimit dhe u drejtuam për tek Zyra e Dekanit Nevruz Malindi. Koçua mbante në dorë librezën e notave të Nuredinit.
Hë, tha Dekani, si e kini punën?
Po ja, i thamë ne, të dy në një gojë; "nuk po biem dakord për vlerësimin e një studenti".
S'kini turp, na tha Dekani, dy pedagogë dhe nuk vendosni dot një notë; po pse ardhët tek unë, që ta ve unë notën? Dilni jashtë!
Dolëm ne me Koçon kokëulur dhe u kthyem në klasë.
Më në fund Koçua e kuptoi se ishte i gabuar dhe e firmosi notën katër në librezën e Nuredinit, por nuk desh t'i dalë më përpara sysh atij dhe më tha mua që të dilja jashtë për t'ua ndarë librezat studentëve që prisnin në korridor.
Kur ia dhashë në dorë librezën Nuredinit, dhe e pa notën katër, më tha: Profesor Kadriu; ka mundësi ta pijmë një kafe bashkë se kam dhe nja dy gjëra për të thënë?
Mirë, megjithë qejf, i thashë, dhe u nisëm në drejtim të Kafes së Institutit. Duke ecur, të them të drejtën, pata dhe një frikë se mos, ky njeri i panjohur për mua, nga pakënaqësia, mund të më kish ftuar për kafe për të më ofenduar; ose, mendja shkonte edhe më keq, ai ishte më i fuqishëm se unë dhe mos kish ndërmend të bënte ndonjë skandal me mua.
Megjithatë, shkuam në Klub, porositmë kafet dhe, pasi i thamë njeri-tjetrit "gëzuar", Nuredini tha: Profesor; do të më falësh, unë isha i pa përgatitur për provim, Koço Kote më turpëroi. Ai më dërgoi haber që " nesër ka provim me studentët e korrespondencës kështu që eja për të marrë provimin e lëndës "Ekonomi-Organizim". Mirë që bëri gabim që më thirri mua pa u përgatitur, por të paktën ai duhej të kishte biseduar me juve paraprakisht dhe të kishit rënë dakord.
Po mirë o Nuredin, i thashë unë, ku njihesh ti me Koçon dhe pse e bëri ai këtë veprim?
Po unë, tha Nuredini, jam brigadier në Fermën e Lopëve në Ndërmarrjen Bujqësore "Gjergj Dimitrov" të Tiranës. Ti e di që Profesor Koçua ka mbrojtur disertacionin me temën "Normimi i Punës në Blegtori", kështu që unë e kam ndihmuar atë pasi bënja kronometrimin dhe rregjistrimin e kohës së punës që nevojitej për çdo proces pune në stallën e lopëve, që nga shtënia e ushqimit, pastrimi i stallës, larja e gjijve të lopëve, mjelja e tyre e kështu me radhë. Pra Koçua është borxhli ndaj meje, mirëpo gjeti mënyrë jo të mirë për të më shlyer borxhin.
Mirë o Nuredin, i thashë unë, mos u mërzit, pas dy muajve ka përsëri sezon provimesh dhe mund të vish ta japësh provimin.
U ndava me Nuredinin dhe shkova menjëherë në Zyrën e Koços: Koço; i thashë, na vure në situatë të vështirë me atë veprim që ke bërë; po ti o i uruar duhej që të më kishe thënë mua se si e kishe hallin dhe unë ndofta nuk do të ta kisha prishur.
E mo, ashtu thua tani ti Kadri, më tha Koçua, por unë isha i bindur që ti nuk do të pranoje, prandaj nuk të thashë.
Pas dy muajve Nuredini erdhi në provim. Le që ai këtë herë ishte i përgatitur, por tani mua më kishte më shumë mik se sa Koçon.
Fati e solli që pas disa viteve ne me Nuredinin e shtuam miqësinë pasi ishim të dy kryetarë kooperativash fqinje, unë në Bërzhitë dhe ai në Kllojkë të Tiranës.
4.Qarkullimi i kuadrove
Kjo historia e provimit të Nuredinit u mësua shpejt në Fakultet, pasi Dekani, në mbledhjen e parë të kolektivit të pedagogëve, na bëri një dush të mirë mua dhe Koços.
Në Fakultet unë kisha dy kolegë pedagogë të moshuar dhe me përvojë jetësore, Qazim Mezinin dhe Pëllumb Shkëmbin. Të dy këta më deshin shumë, prandaj pas mbledhjes së kolektivit, më erdhën në Katedër e më thanë: Me këta studentët e korrespodencës duhet patur kujdes mor djalë se mund ta pësosh si puna jonë. Mirë që ky Nuredini paska rastisur një copë brigadieri, por sikur të të ndodhte kjo punë me ndonjë babëlok të fuqishëm që vjen për të dhënë provimin me veturë, atëhere do ta shikoje të s'ëmës ti. Dhe të dy më treguan historitë e tyre, që në fakt unë i dija dhe më parë, por që tani ishte rasti të m'i përsëritnin edhe njëherë, për t'i vënë vëth në vesh.
Historitë e Qazimit e të Pëllumbit ngjasojnë si dy pika uji: Të dy këta kishin mbaruar studimet për ekonomi në Bashkimin Sovjetik. Kur u kthyen nga studimet, të dy i emëruan ekonomistë në Ministrinë e Bujqësisë. Mbas disa vitesh pune në Ministri, Qazimin e dërguan pedagog në Shkollën e Partisë kurse Pëllumbin pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor.
Ky vazhdimi i shkollës me korrespondencë ishte një rrugë për të masivizuar arsimin duke ndjekur studimet pa u shkëputur nga puna specialistët e drejtuesit e prodhimit, por njëkohësisht ishte dhe një mënyrë për t'i pajisur me nga një diplomë të shkollës së lartë edhe kuadrot e Partisë e të Pushtetit pa arsimin e nevojshëm.
Dhe ja, Shkollën e Partisë, ndërmjet të tjerëve, e vazhdonte me korrespondencë edhe Gafur Çuçi, një funksionar i lartë i Komitetit Qendror të Partisë. Qazim Mezini jepte në Shkollën e Partisë lëndën "Njohuri për Ekonominë Bujqësore Socialiste". Një ditë prej ditësh paraqitet tek Qazimi ky Gafur Çuçi për të dhënë provimin e kësaj lënde. U ul para tavolinës së pedagog Qazimit e i tha: Unë kam menduar që të bëjmë një bashkëbisedim dhe unë të të shpjegoj ty disa direktiva të Partisë për zhvillimin e bujqësisë.
Shoku Gafur; i tha Qazimi, të lutem, urdhëro e merr një tezë provimi, merr edhe nja 2-3 letra formati dhe ulu në një bankë për tu përgatitur; kur të jesh gati, eja t'iu përgjigjesh pyetjeve të provimit!
U zu gafil Gafuri, nuk e priste këtë sjellje të këtij pedagogu, që i dukej sa një mizë, kështu që, i zemëruar, i thotë: Më mirë po e lemë për një ditë tjetër këtë punë, o Pro-fe-so-or, duke e ndarë me rrokje këtë fjalë, me tallje. U ngrit e iku pa e përshëndetur fare.
Pas dy javësh Qazim Mezini nuk ishte më pedagog në Shkollën e Partisë. Këtë ish partizan, e zuri qarkullimi dhe u dërgua për tu çburrokratizuar pranë klasës punëtore. E emëruan kryenormist në Ndërmarrjen Bujqësore "17 Nëntori" në Tiranë ku punoi nja 4-5 vjet deri sa e sollën pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor.
Pëllumb Shkëmbi, në Institutin e Lartë Bujqësor, në atë kohë jepte lëndën "Organizim i Prodhimit Bujqësor". Edhe këtu kishte studentë me korrespondencë. Erdhi një ditë për të dhënë provimin e Organizimit një drejtor i madh e i njohur i një ministrie por që ishte gjithashtu vëllai i një ministri. Nuk u paraqit fare në Katedrën e Organizimit tek Pëllumbi por shkoi direkt në Zyrën e Rektorit. Rektori ia mori librezën e notave këtij drejtorit të madh dhe ia dha Sekretares së vet duke i thënë: "Çoja Pëllumb Shkëmbit këtë librezë dhe i thuaj ta firmosë dhënien e provimit për këtë shokun Drejtor"!
Pëllumbi, me gjithë të drejtën e Zotit, i thotë Sekretares së Rektorit: "Po si ta firmos unë këtë librezë, pa mu paraqitur personi për të dhënë provimin"?
Pasi Sekretarja u kthye duarbosh, Rektori i kërkoi falje këtij drejtor shokut dhe i tha: "Do të na falësh këtë herë, pas dy muajve ka përsëri sezon provimi, kusur e ke të lodhesh edhe një herë për ta firmosur librezën".
Pëllumb Shkëmbin nuk e zuri në Institut sezoni tjetër i provimeve; e zuri qarkullimi dhe iku në Rrethin e Beratit. Vetëm pasi bëri aty një stazh prej nja 6 vjetësh, mezi e kthyen përsëri pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor.
E po mbahen pa i treguar këto historira mo?