E hene, 29.04.2024, 02:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Berberi: Meri Lalaj - Duke u kthyer në shtëpi

E diele, 03.04.2016, 03:19 PM


Mendime për librin me tregime “Duke u kthyer në shtëpi” të autores Meri Lalaj (botim i vitit 2016).

Nga Myzafer Berberi

Bukuria dhe vlera e letërsisë, midis të tjerash, qëndron në atë se ajo i krijon hapësira të tejskajshme subjektives dhe ndër to gjithësecili gjen zgjedhjen e vet, kështu që natyrshëm në çdo diskutim apo analizë letrare do të shfaqen mendime nga më të ndryshmet.

Një flutur e bukur, Vanessa, me krahë të praruar gjithëngjyrësh jetëzon në lulen e bukur Manjola e mbushur plot e përplot me gjelbërimin e këndshëm dhe me lule kambanore rozë e bardhë, dhe të dyja mbi të shenjtën Meri (Mari), motër e Lazarus-it dhe e Martës, nënë shenjtore e Jesus-it. E kështu me dedikimin amënor të autores hapen faqet e para dhe përfundojnë ato të fundit të këtij libri të bukur dhe me plot vlera.

Në vijim të krijimtarisë të saj, prej më se 16 veprash dhe të një publicistike të gjerë, shkrimtarja Meri Lalaj vjen kësaj radhe përpara lexuesit me një vëllim tregimesh si një refleksion i dëshirës dhe synimit të saj në pasurim të kulturës sonë kombëtare. Në mes të vlerave të këtij libri të realizuara cilësisht veçoj:

-Gjuhën e pasur, të përzgjedhur dhe të pastër me leksik të pasur, madje edhe me ndonjë neologjizëm të prurë nga vetë autorja (si: shitore – dyqan; arkëmort – arkivol, anësore e rrugës – trotuar).

- Në të gjitha tregimet gjejmë përdorimin e mjaft figurave letrare si metafora, krahasime, epitete, aliteracione ndodh që forma e tregimit jepet edhe si prozë poetike/

-Libri është i shkruar me subjekte dhe tematika të larmishme.

-Personazhet janë cilësuar me detaje të veçanta dhe janë gjurmëlënës në kujtesën e lexuesit.

-Episodet janë të thjeshta, nga jeta reale, tërheqëse dhe me ndjesi prekëse.

-Ka altruizëm të ngritur në ndjesinë e shqetësimeve dhe të dhimbjes shpirtërore (“Kukulla e vërtetë” e të tjera).

-Është zhvilluar cilësisht përplasja konceptuale midis të mirës dhe të keqes.

-Ka subjekte dhe episode të krijuara mbi naivitetin e sinqertë erotik dhe të zhvilluara në “lojën kapriçioze” të dashurisë së brishtë (“Ndodh edhe kështu” e tjera). Është zhvilluar botëkuptimi i hapësirës së tejskajshme dhe të pafundme të dashurisë si një e drejtë dhe ligj filogjenetik i natyrshëm i njeriut, por që nuk mund të mos ngacmohet nga veset, meskiniteti, smira, xhelozia etj. Të dashurosh është virtyt. Një subjekt ky që autorja e ka lëvruar me cilësi të larta artistike edhe në veprat e tjera.

-Në këtë libër preken dhe zhvillohen motive të ndryshme të jetës, ku midis të tjerave, e mira e ardhur para kohe (apo e pamerituar) krijon boshllëqe e mangësi në vazhdimësinë e jetës. (“Ambasadori i”nonës”etj.)

-Me ndjenjë të thellë dhe arritje cilësore artistike është zhvilluar përligjja e dashurisë së nënës në figuracionin letrar me episode dhe motive të thjeshta, e po ashtu edhe ajo e prindërve për fëmijët e tyre, ndër to veçoj tregimet “Mamin tim nuk e ndërroj me asgjë në botë” dhe “Nënat nuk mund të flenë kur fëmijët janë të uritur” etj.

-E veçantë (njëherësh edhe mesazh) është përplasja psikologjike midis botëkuptimit mashkullor dhe atij femëror (burrë-grua etj.) në problemet e dashurisë dhe në aspektet e tjera të ndryshme të jetës.

-Cilësisht zhvillohet në këtë libër indinjimi i autores ndaj plagëve të rënda të shoqërisë ndaj padrejtësive, korrupsionit, varfërisë të tejskajshme të krijuara nga keqdrejtimi politik e shtetëror. (“Mos u bëfsh për skaner” etj.)

-Në kërshëri dhe në dilemë mbetet ndonjë subjekt i veçantë (tregimi “Lino” etj.), një intrigim tërheqës i autores, që duhet ta zhvillojë vetë lexuesi me gjykimin e tij.

Të gjitha këto arritje i japin librit vlera dhe bukuri të veçantë.

Për të mos e marrë “mësysh” do t’i sugjeroja autores që ndonjë tregim mund të lehtësohej nga ngarkesa e numërt e personazheve, të cilët mund “të kriheshin” pak më me kujdes për të mos e zbehur subjektin e tregimit. Sidoqoftë, ky sugjerim nuk cënon aspak vlerat dhe bukurinë e librit që cilësova më lart.

Urimet më të mira për autoren dhe suksese të tjera.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora