E diele, 28.04.2024, 08:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Irena Gjançi: S'ta zhvesha dot shpirtin

E premte, 01.04.2016, 08:00 PM


Irena Ilo Gjançi

 

S`TA ZHVESHA DOT SHPIRTIN


Trupin ta kam zhveshur,

siç kam dashur unë...

t`i kam numuruar

gjithë poret me buzë...

Gjithë poret e trupit

t`i njoh si askush,

por dua të di

ç`fshihet nën lëkurë...

Herë të ndjej si fllad,

herë të ndjej furtunë,

m`i afro pak buzët,

mos rri larg nga unë...

Si të ta gjej derën,

të hy brenda shpirtit,

të numëroj ditët

te ditari i vitit...

Të lexoj të fshehtat,

ato që s`janë thënë....

Nuk ta çel dot shpirtin,

çelësin ku e ke lënë?.....

SYTË E TU

 

Sytë e tu si det me dallgë,

sytë e tu si pus me dhimbje...

Dallga e dhimbjes nga ka ardhur,

dhimbje e dallgës brenda syve?!

Çfar të bëj t`i gëzoj sytë,

sytë e tu me dhimbje brenda?

Shpirti i ëmbël kërkon dritë,

zemra çfar kërkon nga zemra?

AFROHU SONTE

 

Afrohu sonte,

pa kujtohu sa kohë ka kaluar?

Si s`më ke shkelur në ëndrrat e mia?!

Afrohu sonte,

ndjehu e dashuruar!...

E shikon,

dhe hëna ndjehet e dashuruar...

Ç`pret, afrohu sonte,

i gjithi për ty, e gjitha për mua...

S`E DUA LOTIN

 

S`e dua lotin ta shoh në sy,

në shpirt të mbetet thellë...

Të qeshin sytë, të kenë dritë,

të ndjehem si pranverë...

S`e dua lotin të më dhëmbë,

as të më djegë faqet...

Ta jetoj jetën siç më vjen,

gëzimet edhe hallet...

S`e dua lotin ta shoh në sy,

rrënjët e lotit unë i di...

EDHE PA SY 
PO BREDH PAS TEJE

 

S`e di si e shtyva sonte natën,

e rëndë ishte errësira...

Tik-taku i orës nuk punonte,

edhe pse mbrëmë e kurdisa...

E ndjeva veten sikur s`isha,

e gjitha isha verbuar...

Gjithë errësirën e kam unë sonte,

dhe yjtë e hëna janë shuar...

Edhe pa sy po bredh pas teje...

nga errësira morra leje..

LE TË JEM SKLLAV,

LE TË JEM MBRET...

 

Do të të marr sonte në krahë,

do të mbuloj me puthje....

me ledhatim, me ëmbëlsi,

si lule, moj vogëlushe....

Gjerdhan me yje do të thur,

gjithë qiellin dhuratë...

Vetëm më fal ti dashuri,

më ngjit në qiell të shtatë....

Të jem në ëndërr dhe i zgjuar,

aty te trupi yt...

Tek ne të dy të mbeten ndezur,

të gjitha dashuritë...

Le të jem skllav, le të jem mbret,

te buza jote që më pret...

LERI SYTË E TU

 

U këmbyen në rrugë si të huaj,

kokëvarur, buzë-shtrënguar, hijerëndë...

Pak më tutje, ktheva kokën e malluar,

mali i ndarjes, mbi kurriz më kishte rënë...


E mendova: Veç një herë ngrije kokën,

hidhi sytë tek të mitë, si atëherë...

Po të duan sytë e tu, të më qortojnë,

apo sikur s`jemi ndarë asnjëherë...

Si mund të qëndrosh prapë kaq i ftohtë,

kur përbrenda akoma ke zjarr?!

Leri sytë e tu të më qortojnë,

leri sytë e tu të shërojnë plagë...

SONTE FJETA DHE NUK FJETA

 

Sonte fjeta dhe nuk fjeta,

dhe kur fjeta, pashë një ëndërr...

Më mbuloi fryma jote,

ndjeva një puthje të ëmbël...

U tremba mos shihte nata,

më mbuluan dy palë djersë...

E mallkuar dhe kjo puthje,

edhe në gjumë s`më la të qetë.

MOS MË PUTH

 

Mos më puth se buzët nuk t`i ndjej,

mos më fol se zërin s`ta dëgjoj...

Vitet që kanë ikur më kanë vdekur,

ditën që vjen nesër s`e shikoj...

Më duket vetja se jam kthyer hi,

hiri i një trupi krejt të djegur...

Mos më puth se buzët nuk i ndjej,

bashkë me mua, puthjet më janë tretur.

 

PËR NJERZIT QË DUA

               "Mbama ndezur dritën e shpirtit,

                        bëhu dritë për sytë e mi!"

NËNA DHE VAJZA

 

Ma jep dorën vajza ime,

të mbështillem, të mbështetem,

bëhu prehër, ti për mua,

zemra ime të gjejë veten...

Përkëdhelmi prapë flokët,

folmë: nënë, e dashur nënë!

Puthmë prapë si e vogël,

përqafomë prapë si mbrëmë!

Mbamë ndezur dritën e shpirtit,

bëhu dritë për sytë e mi!

Mbushma zemrën me gëzime

dhe shpirtin me dashuri!

Kur të vijë ora e ndarjes,

përcillmë me gaz në buzë,

siç përcillet një i gjallë,

pa të qarë dhe pa kujë.

NËNA IME

 

O nëna, nëna ime e mirë,

o Shën-Mëria e vërtetë....

mbështillmë prapë, sonte te gjiri

ta ndjej se jam vërtet në jetë...

Te gjiri yt ka rrënjët jeta,

aty buron dhe dashuria...

Mbështillmë prapë sonte te gjiri,

që t`i humbas vitet e mia...

Të ndjehem bebe e parritur,

të ndjehem se jam në parajsë...

Cili fëmijë mund të harrojë,

se ç`është për të, gjiri i mamasë?!

Te gjiri yt më sosen hallet,

te gjiri yt më shtohen shpresat...

Te gjiri yt përkulen malet,

te gjiri yt nuk mbin gënjeshtra...

O nëna, nëna ime e mirë,

tek ty e besoj Shën-Marinë....

BABAI

 

Në krahët e tu jam e mbështetur,

që nga fëmijë gjer më sot...

Një mall të madh kam brenda zemrës,

që herë-herë kthehet në lot...

Gjithmonë të takoj mbasdite,

në atë orë kur u ndamë...

Dhe bisedojmë të dy në heshtje,

në heshtje themi, o sa fjalë...

Të çelen sytë kur jam gëzuar,

të dridhet zemra kur lotoj...

- Ku je baba, sa shumë të dua!

- Jam këtu, bijë, po të shikoj...

ORA E BABAIT

 

Vjeshtë e dytë qe atëherë,

e premte 18 tetor,

ora 4 e mbasdites,

kur vura orën në dorë...

Ishte ora e babait,

ma dhuroi me porosi....

"Vajzë ta vlerësosh kohën,

po s`është koha s`je as ti !"

Dhe pastaj babai u shua...

Orën ma dhuroi mua....

VËLLAI

 

Vëlla i dashur të kam larg,

na ndajnë kufi e male...

Por të ndjej pranë, këtu pranë,

ja të shoh në dritare...

Të ftoj për kafe në ballkon,

flasim vëlla e motër...

Kokën ma merr në kraharor,

në buzë i përtyp lotët...

Vëlla, të dua, s`të harroj,

gjithmonë do të të dua...

Kujtoj babanë e të mendoj,

je dhe baba për mua...

MOTRA

 

Eja motra ime,

eja se të dua.....

Pres e  m`u thanë sytë,

dita m`u bë muaj.....

Eja moj e mirë,

Eja moj e ëmbël...

Ndjej se m`u tret gjuha,

për gjuhën e nënës...

Eja ti moj dritë,

të më hapësh derën...

Që të shoh mëngjezin,

që të pres pranverën...

Eja të fjalosim,

si në vegjëli,

me gjuhën e nënës,

plot me dashuri....

Eja se po tretem,

në mërgim të largët....

E mbaj hapur zemrën,

i kam hapur krahët.....

NË SHPIRT TË MBAJ FLUTUR

(Mbesës sime, Stela)

 

Kur erdhe ti në jetë, në zemër ndriti-drita,

u deshëm në heshtje, duhemi pa fjalë....

Shihemi në sy dhe i kuptojmë të gjitha,

duhemi çuditshëm, o mbesa ime e rrallë...

Je rritur brenda meje, e mirë e bukur,

gjithë vitet e jetës,

në shpirt të mbaj flutur...

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora