E merkure, 30.04.2025, 05:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Dhimitri Pojanaku ''Vallja'' e Kadaresë

E enjte, 31.03.2016, 08:50 PM


“VALLJA” E  KADARESË

(Ligjërim mbi “Kushëri i ëngjejve”)

Nga Dhimitri Pojanaku

Bobo`, ç`i bën valles gjeniu!

E përkund në djep,e mëkon me qumësht shpirti,e rrit.E mplak për pak kohë e, vdes.E rilind. Nuk ja ngre këmbët nga toka,diku,më tej  e larton si shqiponjë  në qiell.Herë e shurdhon, herë ja ngre veshët pipëz,ja tërheq gjuhën sa për të kumbuar qinda kambana.E bën memece,diku.Përnjëherë ndërron mendje,i vë në buzë  përrenj  dimri me fjalë.

Ç`i bën valles gjeniu,pupu!E tund, e shkund,e gjumos,e zgjon vrullshëm,e ul plumb përdhe,e çon vrikthi përpjetë!Edhe ato pak mend që kisha,po e lë atje, tek Përlocaj.

Ububu ç`i bën!

E armatos me heshta e shigjeta.E nis për luftë.Në përpjekje e gjakos,mes dështimesh, del fitimtare.Në palodhje,me durim fisniku,i pastron pluhurin e betejave.Rifeks të kuqin e xhufkave të opingave me penelin e Onufrit. Të zezën e ngjyen në puset e thellësive të kohrave. Qep mbi shaminë e  valltareve paraçka ngjyrë floriri dhe u`a lëshon mbi sipër vetullave.e.I krijon azhur të ri fustës.  I vë  valles  tabut mbi duar, me tutje ja mbush pëllëmbët me lule nga kopshti i Edenit.

E hedh nga morti në djegjen e shamisë së beqarit.

Një lexues i thjeshtë mund të arrijë gjer në maramendje.

Krijuesi me talent ,do kuptojë ca e nga ca se gjenitë, lindin nga ngjizje hyjnish,se nuk ka mbarsje muzash në sterilitet.Se tek gjeniu, e shkuara, e tashmja, e ardhmja e popujve jetojnë në odat e mendjes së tij me kthjelltësirën më të shkoqur.Gjeniu,  u`a kalon në çdo maratonë arkeologëve.Gjersa ata të zbulojnë vendin,pa ta rrethojnë, pa t`i pastrojnë antikat,të ngjitin pjesët,ehu,duhen vite.Gjeniu e ka gjithça afër dorës,mjaft të zgjatet.

Krijuesi me talent lexon dhe  faqe pas faqesh, kupton se  vetëm gjeniu, më një gur, ngre kështjella.Më një pikë uji, mbush barqet e lumenjve.Me një degë,qoftë edhe e thyer, rrit  pyje taborë-taborë.Ky lexues,tek konkludon se, ndoshta   mund t`i arrijë në thembër por nuk ja kalon dot as kërcirin gjeniut,urtë e butë,bindet,del nga sëkëlldia.I mbetet vetëm të gëzohet pa kurrfarë hidhësie,edhe pse kjo botë ,sidomos mes krijuesve,cmirën,xhelozinë,pse jo edhe uurejtjen, i ka aq me shumicë.

Krijuesi pa talent, tek e lexon ,ulërin:Po përse Ai?Vetëm, Ai?Brirë ka?Përse të mos jem unë - Ai?Unë! Dëshira e paarirrë për të rrokur në fokusin e tij  fabula kaq çudibërëse,zhytje kaq të thella pëlumbarësh,që nxjerrin pas çdo rënie,grushte perlash mbi sipërfaqe,i kthehet në mllef,Mllefi, në iluzione madhështie,Kështu kalon në marrëzi për të tjerët ndërkohë, që bie me vehten në një ujdi sa qesharake aq të pakthyeshme.

A ka faj?!As Don Kishoti nuk e dinte se mullinjtë e erës nuk ishin skuadrilje armiqsh,se për frymë kishin  vetëm erën!Azgje tjetër!Ndryshe,po ta dinte,përse t`u sulej me aq furri?!T`ia turbullonte vallë egërsia shikimin?!Servantesi  e di,patjetër që e di!

Sa për atë se ç`ndjejnë kur e lexojnë gjeniun Kadare  lexuesit e thjeshtë apo gjenitë kur lexojnë njëri-tjetrin,kjo mbetet një pikë e errët për mua dhe aspak kyçe në këtë ligjërim.

Teksa thekmosesha pas “Valles” të Kadaresë,teksa e tij-a fantazi,imagjinatë ,m`i pinte si e ziosur mendtë e  kresë, rresht pas rreshti,magjia ime krijuese sikur më thërrmohej pa më lënë asnjë gjurmë argjendesh nëpër gishta.

Pa pyetur as kënd,si një re e vogël,  kartë e bardhë, e lehtë,ikte pas maleve,arratisej.Kish një buzëqeshja që nga largësia nuk kuptoje dot nëse do më kthehej apo ikja do ish një lamtumirë aspak prej gjoje.

Pasi e mbarova”Kushëriri e engjëjve”,me duket se thashë”shyqyr,shpëtova”,ndoshta edhe me zë të lartë!Më doli sëpërbrëndëshmi,thua sikur sapo i kisha dhënë fund lodhjes që vjen nga gëzimi i tepërt prej një dasme të madhe.Sikur  isha çliruar sapo prej tmerrit nga loja e një tragjedie antike në skenat e sotme.Kur pas ca ditësh,po më fashiteshin pamjet e tabllove Kadare,doja t`i rikthesha librit.Por tashmë,dija t`i rezistoja tundimit,nuk bija aq kollaj në “grackë”.E dija se,në leximin sëdytazi, libri më ndillte si fasada e njohur e një vile lluksoze.E dija se, sa të hapja derën, më priste një bukuri edhe më e rrezikshme.

Përsëdytazi, nën tapetet persianë të sallonit,do gjeja  të tjera marifete të përsorura letrare.Parmakët e sapodyllosur mund t`i lëkundnin të tjera pabesi.Në sirtaret e  suitës mbretërore, do më prisnin jo vetëm unaza diamantesh që nuk isha i zoti t`i shihja që herën e parë por edhe ditare nga dashuri me llahtar , siç thotë Poradeci,fletë të verdha me krime dhe  inkriminime nga vetë duart e shteteve, qeverive. Mbi komo, veç shishkave të parfumit mund të gjeja, si gjoja ngatërruar edhe ndonjë flakon helmi gatitur për ndonjë princ a perandor nopran e kokëshkretë.

Në perdet e mëndafshta të dhomave , veç erës që i flladiste, edhe ankthi, kishte orët e veta ku lunate,po aty, dramën e vet

Çfarë nuk i bën valles gjeniu!

Tek e vërtit si orbitë në hapësirë,m`u kujtua një fenomen më i kapshëm për syrin e gjindjes.Në festën e verës,me rastin e pragvdekjes  të dimrit, fëmijët, poshtë majës së maleve a kodrave, ndezin zjarre me goma të vjetëruara makinash.Pasi mbeten vetëm  rradhët e telave ngjitur me copëza flake, i rrokullsinin poshtë.Është edhe këtu “Vallja” Kadare!Një rrotullim sa gazmor aq tragjik.Vallja e rrathëve, që djegin  dhenë e fjetur,natën e errët,vallen, që u bën dritë qiejve!

Eh,valles ç`i bën gjeniu,bobo!

E turfullon  tokën si thundrat e kuajve në revan.Në vendet e dheut të fluturuar, rendit plisa me copëza lëndine.Mbi çdo copëz,diku në mes,diku afër qosheve, vë lulebako të çelura enkas.

Tiranë

26-28 Mars 2016

Pogradec

29 Mars 2016



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx