E merkure, 30.04.2025, 10:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Armela Hysi: Një Ëngjëlli nga larg

E marte, 29.03.2016, 08:53 PM


Një Ëngjëlli nga larg

Për Glein

në një vjetorin e largimit

Nga Armela Hysi

Nuk di pse kam një si mpirje dhe nuk arrij të bindem për të marrë telefonin. I them sërish e sërish vetes se e kam gati të pamundur. Telefoni duket mjeti më grotesk, pas kaq kohësh pa u parë, pa u dëgjuar e pa u lidhur.

“Ka ndodhur diçka e tmerrshme. Mikesha jote e fëmijërisë I, ka patur një humbje të rëndë në familje. Bija e madhe...17 vjeçe...sëmundje e pashërueshme...!” dhe mesazhi ndërpritet nga hutesa e shpirtit, si këmbët e një njeriu që përçapet pa kontroll për të mbajtur drejtpeshimin nën një peshë që e ka përkulur...thellë.

Dhe në këto momente ndjen shuplakët e fatit të të shpërfytyrojnë vizionin për veten dhe njeriun e mirë që kujton se je. Rritur bashkë, ndarë dhjetra buzëqeshje, ndarë lodrat, librat jashtëshkollor dhe rrëfenjëzat fëminore, ndarë hyrjen e një pallati për banesë, ndarë të njëjtën rrugë të përditëshme, të njëjtat hije pemësh, të njëjtat stinë në kthinën tonë të botës, të njëjtën copëz qielli, të njëjtat ëndrra për jetën dhe së fundi fatin e mërgimtarit. Unë përtej ca malesh, ajo tej detit. Nuk kisha gjithë këto kohë të ndaja disa minuta për ta pyetur si kalon, si janë vajzat e saj, familja, të afërmit; si është. Po, e thjeshtë për të bërë ndonjë “like”, për të ndarë një kompliment poshtë ndonjë fotoje dixhitale me doza vërtetësije, ndoshta zilijeje, ndoshta malli të vërtetë, ndoshta thjeshtë të gërmëzuar me iniciale anglishteje të moderuar me fytyrza si pineza të verdhëllyera, por asnjëherë me kohën të ndalojë si atëherë, asnjëherë me sublimen e të qenit tërsisht, plotësisht i interesuar.

Tani si mbi një pirg sheqeri që tretet poshtë valëve e ndjej se sa të nevoshme e ka dikush të ketë pranë njerëz. Njerëz me mish e me shpirt, me prezencën për të përqafuar e marrë në gjoks, për të të bërë një filxhan kamomil të ngrohtë, për të hedhur shpinës një kuvertë, kur të ka dremitur mankthi i jetës jashtë krevatit pupulor. Nuk e di si ta marrë në telefon për një ngushëllim të thjeshtë, kur nuk isha pranë saj asnjëherë, kur nuk e dija çfarë kalonte këto momente që janë më të tmerrshmet për një prind, bërja realitet e frikave të ferrit. Pa qenë aty për pak kurajo, për pak shpresë, për pak ndihmë. Është e qartë alibija e largësisë, ndoshta nuk mund të jepja asgjë, edhe po t'i dija, por sa veta janë këtu, rreth e rrotull meje, me sytë që kërkojnë një mik dhe unë e humbur në hallet e mija plastike nuk marr mundimin të vë re asgjë.

Ëngjëlli që unë s'pata asnjëherë rast ta njoh, ka dy sy të qartë si dy burime drite që i ngjajnë të ëmës, mikeshës time, buzëqeshjen e saj, mirësinë e prindërve, e gjyshërve, edukimin e familjes, ka një rreth familjar që e admiron dhe do, një rreth të madh shoqëror që e quan bijë të vetën, shumë ëndrra që vijëzohen në aureolën e saj, shumë trimëri titani në qënien delikate për t'i dalë ballë çdo dite, çdo sekuence; vetë jetës, vetë vdekjes. Ka dhjetra shokë që i fitoi me të qënit vetvetja e që ndanë me të të gjitha gëzimet e saj fëminore dhe i qëndruan pranë në momentet e vështira, sepse ajo vajzë 17 vjeçare, kishte urtësinë e një njeriu të mençur, lumturinë e një të dashuruari me jetën dhe krijimin, shpirtin e pasur të një qënieje fisnike. Ka dy prindër të mrekullueshëm dhe një motër që qenë gjithshka për të, në çdo moment. Në kujtimet e gjithë këtyre shpirtrave, ajo është përherë e gjallë. Në jetën e tyre, ajo do të jetë përherë prezente. Do të rrezatoj mirësi dhe lutje nga Ati.

Ëngjëlli që unë s'pata rast ta njoh nuk kishte nevojë për mua, por unë humba rastin për të njohur një shpirt të ardhur nga qielli, dhe për tu bërë një njeri më i mirë.



(Vota: 42 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx