E merkure, 30.04.2025, 10:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Një antologji me dukuri të reja

E hene, 28.03.2016, 12:15 PM


BASHKE AUTORE

Vladimir Muça, Agim Bajrami

NJE ANTOLOGJI ME DUKURI TE REJA

(Reflkesione mbi antologjinë për fëmijë “Lule për lulet”)

Antologjia e letërsisë shqiptare për fëmijë “Lule për lulet” e shoqatës mbarë shqiptare për fëmijë dhe të rinj, e themi pa ngurim, se duhet vlersuar si një nga ngjarjet me të shënuara të librit shqip për fëmijë dhe një kontribut i jashëzakonshëm, në këto 25 vitet e fundit në këtë fushë. Themi kështu, edhe pse janë hartuar më pare të tilla antologji nga autorë dhe grupe autorësh, ato nuk kanë mundur ti shpëtojnë evidentimit dhe njohjes me të plotë të zërave më përgjithësues të kësaj letërsie, ose në raste të tjera, këto antologji janë hartuar me tendencën për të evidentuar një grupim letrar, të përkëdhelur nga politika zyrtare. Edhe ndonjë antologji e botuar ne Kosovë dhe Maqedoni, përkundër dëshirës së mirë, nuk ka mundur ti shpëtojë pasqyrimit të cekët, duke vuajtur kësisoj mungesën e njohjes së plotë të kësaj letërsie.

Në të kundërtën, antologjia “Lule për lulet” shquhet për një evolim psiko- shoqëror dhe një substancialitet të ri.

Tek shumë autorë të kësaj antologjie prestigjoze vëmë re pasqyrimin e inoviacioneve dhe modernitetit në perceptimin e jetës dhe aktivitetit fëminor. Shfletimi i kësaj vepre librare, përveç kënaqësisë estetike që përftohet, është njëkohësisht një udhëtim nëpër kohëra, profile dhe individualitete të reja krijuesish.

Parë në këtë kontekst, përfaqësimet e shkollave dhe brezave të ndryshme krijuesish, i sjellë letërsisë sonë një pasuri dhe larmi të theksuar. Vullneti i grupit te hartimit të kësaj antologjie, me në krye kryetarin e shoqatës Pandeli Koçi dhe studiuesve të njohur Astrit Bishqemi, Fatmir Gjestila, Vangjush Saro, Vasil Premçi, Xhahit Bushati etj., ka qenë jo vetëm evidentimi i profileve, por edhe ballafaqimi i krijimtarisë së tyre në një kohë që lëviz dhe një brezi lexuesish të vegjël në kohëra, gjithnjë në rritje.

Ashtu siç thuhet në prezatimin e antologjisë, me krijimet e tyre autorët përzgjedhës: Krijimtaria më e spikatur për fëmijë priret drejt gërshetimit mes figurave të hershme popullore, me ato të kohrave moderne, duke jetësuar mitet dhe bashkëkohësinë.

Kur lexuesi e merr në dorë këtë antologji edhe pse mund të jetë i rritur, ndjen vetëvetiu proçesin e transformimit të viteve të moshës dhe rikthehet si pa ndjerë në moshën e bukur, me emrin fëmijë.

Janë këto arsyet për këtë:

1-         Fryma e thellë e moshës fëminore. Në shuminë e krijimtarisë së tyre, krijuesit kanë vënë në epiqendër botën, ëndërrat, karakteret dhe veçoritë e moshës që u përkushtohen.

2-        Spontaniteti dhe thjeshtësia e komunikimi.

3-        Filozofia e shtjellur e natyrës fëminore, sintaksa e komunikimit shpirtëror mes fëmijëve dhe botës, rrjedhshmëria e ritmin narrativ, muzikaliteti i theksuar i vargut dhe i fjalisë, shkrirja e krijuesit me lexuesin që i drejtohet.

Në këtë antologji janë trajtuar një shumësi problematikash që preokupojnë fëmijët e sotëm si:

a-         Marrëdhëniet mësues- nxënës.

b-        Prindër fëmijë.

c-         Ambjenti shoqëror dhe fëmija.

d-        Indikacionet shkencore dhe fëmijët.

Këto vijnë si një gamë e gjerë problematikash të cilëve autorët e kësaj antologjie kanë marrë përsipër të u japin përgjigje. Dhe përgjigjet vijnë sëbashku me profilet e prozatorëve dhe të poetëve përkatës.

Nëse në tregimin fantastiko shkencor përfaqsohen Flamur Topi, Bardhyl Xhama, Qamil Batalli, Kujtim Stana, Tregimet me temë baritore vijnë nëpërmjet Sazan Golikut (alias Pandeli Koçi) që përfaqsohet me tregimin “Baresha zemërmirë” dhe “Qoftëlargu”, apo Riza Braholli, Ramadan Pasmaçiu, Nehas Sopaj, Klara Kodra, Jonus Fetahaj.

Në tematikën me bazë përrallën spikasin Gaqo Bushaka, Moikom Zeqo, Izet çulli, Mina Qirici, Kalosh çeliku, Kozma Gjini, Viron Kona, Petraq Risto, Naum Prifti, Kastriot Mahilaj, Frederik Reshpja, Fatmir Terziu etj.

Në tregimet me bazë mitikën dhe legjendën spikasin tregimi i Moikom Zeqos “ Vdekja e një njeriu që s’vdes”, Klara Kodra me tregimin “Ku janë zanat”, Astrit Bishqemi me tregimin gojdhënë “Njeriu dhe djalli” dhe Anton Nikë Berisha, Alketa Dervishaj.

Me tregimet fabuliste me kafshën spikasin emrat e Aleko Likajt, Arif Demolli, Aqif Malaj, Rovena Rozhani (Kalaja) etj.

Në tregimet me temë jetën e përditshme të fëmijëve spikasin Petraq Zoto, Ramadan Pasmaçiu, Shpresa Vreto, Vasil Premçi, Viktor Cenosinaj, Adem Abdullahu etj.

Risi në këto krijime janë përdorimi i metaforave polifunksionale, figuracioni i larmishëm dhe simbolika e kapshme, si dhe futja e një informacioni të ri jo vetëm shkencor, por dhe artistik dhe kulturor.

Me valencat e larta artisitke që mbartin këto metafora, të përdorura me efektivitet, mendjet e krijuesve vijnë lirshëm duke gjeneruar ide, koncepte dhe vizone të reja tek fëmijët.

Fjalën e shkruar dhe mendimin njerëzor, zhvillimin shkencor dhe teknologjikë, në kohën e sotme, si kurdoherë nuk e konkurojnë dot këto zhvillime. Fjala e ndërthurur artistikisht me njëra- tjetrën i paraprin këtij zhvillimi duke krijuar një materie librare.

Grupimin më të madh në këtë antologji e përbëjnë poemat dhe poezitë, në një ndërthurje interesante brezash, krijuesish dhe moshash.

Kështu, duke filluar që nga Abdullah Thaçi, Adelina Mamaqi, Agim Deva, Arjan Leka, Avdush Canaj, Nikolla Spathari, Bardhosh Gaçe, Faslli Haliti, Agim Bajrami, Hajro Ulqinaku, Milianov Kallupi, Odise Grillo, Rifat Kukaj e deri tek më e reja Alketa Dervishaj. Në të gjitha poezitë e tyre lejtmotivë qendror janë portretet e fëmijëve të pikturuara me ngjyra dielli dhe ëndërrat.

Detajet interesante dhe motive me të cilat autorët e trajtojnë botën e fëmijëve, karakterizohet dhe nga dhënia e psikologjive të veçanta, këndvështrimeve interesante dhe tejdukshmëria e frymës poetike.

Akti i ligjërimit poetik, tonet e ngrohta, raportet e ndërsjellta, i portretizojnë fëmijët më së miri, si pjesa më e bukur e universit njerëzor.

Kjo vjen, në më të shumtit, nga thjeshtësia dhe natyraliteti, që është një veçori tjetër e këtij botimi e cila, duke marrë trajtat e bazuara në ekstraktet popullore, të trashëguara brez pas brezi, e ka pasuruas dukshëm botën fëminore, duke e shtrirë në tejskajshmëri të një horizonti në imagjinatë.

Vargjet për fëmijët kanë shumë liri e diell, janë të shpenguara, hera herës marrin trajtat e zogjve, pyllit, burimit, ëndrrave. Ky lloj figuracioni, kaq i pasur, vjen gjithnjë në funksion të zbërthimit të ideve poetike të krijuesve.

Nuk mund ti mbyllim këto refleksione mbi këtë antologji pa evidentuar poetët humoristik dhe fabulistë si: Gjikë Kurtiqi, Dionis Bubani, Ferit Lamaj, Shkëlzen Zalli, Tatjana Kurtiqi etj.

Këto krijime, kaq të bukura dhe me kaq humor, janë si qershia mbi tortën e kësaj antologjie.

Pandeli Koçi si menaxheri mbledhëtar dhe grupi i punës, me korrektimin dhe redaktimin e kësaj antologjie, aq të këndshme për fëmijët, pse jo dhe për të rriturit, ja ka arritur qëllimit. Në të, harmonia dhe thjeshtësia, por dhe modernia, janë shkrirë me njëra- tjetrën, duke i shkuar për shtat këtyre inovacioneve artistike, aq shumë të domosdoshëm në kontekstin e zhvillimeve kohore. Gjithçka vjen e mjaltëzuar si një perceptim i ri i një fëmije të kompletuar me dije dhe filozofi të jetës.

Ndonëse, mes tyre ka edhe krijues të rinj, do i quaja babagjyshë shkrimtarë, mbushur me gonxhet e botës shpirtërore të fëmijëve.

Së fundmi, do të shtojmë se botimi i kësaj antologjie, me vlera, do i shërbejë në të ardhmen unifikimit të mëtejshëm të letërsisë për fëmijë në të gjithë trevat shqipfolëse. Sofra e krijimeve për fëmijët tanë është e shtruar bukur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx