E marte, 30.04.2024, 11:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Profesori

E shtune, 26.03.2016, 07:30 PM


KRISTAQ TURTULLI

PROFESORI

Ngjarje e jetuar.

Ashtu si pylli në kodrat e qytetit ka zogj dhe rrugicat e ngushta me kalldrëm ka fëmijë dhe këta jemi ne...

Sheshi tonë i fushës së futbollit ishte një kryqëzim rruge shtruar me kalldrëm. Këmbët tona të zbathura qenë mësuar me trillet dhe tekat e fushës së futbollit, në verë gurët ishin të ngrohtë, dashamirës, topi i vogël prej llastiku kërcente gëzueshëm. Në pranverë gurët ishin të ftohtë. Në vjeshtë të lagësht, të trishtueshëm, sepse shumë shpejt do mbuloheshin prej dëborës së bardhë, të trashë dhe nuk do ndjenin për muaj me radhë shputat e zbathura të lojtarëve të vegjël të rrugicave të ngushta me kalldrëm.

Në qoshe të shtëpisë së ‘Profesorit’ ishte një çezmë me lëfyt bronci ku ne lagnim buzët e zhuritura dhe nenat mbushnin ujë me gjyma dhe stomna balte. Muret e shtëpisë së tij ishin të larta si një kështjelle. Ne s’guxonim të luanim pranë asaj shtëpie, pas saj qëndronte një grua plakë e thatë, nevrastenike, tmerri tonë, na bombardonte me ulërima edhe kur ne bërtisnim të gëzuar kur shënonim gola.

Ne lojtarët e vegjël nuk kishim kohë të vrisnim mendjen përse e quanin prindërit tanë mes tyre: njeriun enigmë, ‘Profesori,’ të korracuar nga plaka nevrike. Të katër rrugicat e kalldrëmta dhe sheshi i lojës mbështilleshin rreth shtëpisë së tij si rreth botës enigmë. Ne donim vetëm të luanim, të bënim gola, të dërmonim këmbët e zbathura, të gjakosnim gjunjët, gishtërinjtë e këmbëve dhe bërrylat.

Ne ishim çunakë pa pretendime, kënaqeshim me pak në të ngrënë. kur kërkonim bukë dhe hasnim në heshtjen e prindërve. Rrëmbenim një copë bukë, çfarë kishte shtëpia dhe turreshim jashtë ku na priste loja e nxehtë.

Na ishte bërë e zakonshme, para se të fillonte ndeshja dikush nga ne shfaqej me bukë të zezë në dorë e ngrinte lart dhe bërtiste:

‘Kush e gjen me se e kam bukën, do kafshojë njëherë?’

‘Me vaj dhe me kripë?’

‘Jo.’

‘Me sheqer dhe me vaj?

‘Jo, jo!’

‘Me sheqer dhe me ujë?’

‘Jo,jo,jo!’

‘Me marmelatë?’

‘Jo,jo,jo,jo!’

‘Me lëng fasule?’

‘E gjete, kafsho njëherë.’

Kjo gjë ndodhte çdo ditë dhe nuk bezdiseshim. Të pesta këto ishim menytë më të mrekullueshme të fëmijërisë sonë.

Ishte fund gushti dhe e dinim, së shpejti gurët e rrugicës do bëheshin të lagësht, të ftohtë, ndaj donim të shfrytëzonim kohën e mbetur në maksimum. Mua më kishte përfshirë loja dhe mërzia, skuadra ime ishte në humbje. Më erdhi një top dhe pa e menduar gjatë e gjuajta fort me majë, aq sa më theri në shpirt, thoi i madh i këmbës së majtë u gjakos. Topi u ngrit lart e mori era si për inat tonën, shkoi dhe ra matanë murit të lartë të plakës së tmerrshme.

Te gjithëve na ngriu zemra. Shokët më vështruan me inat dhe mëri.

‘Shkoi dhe vatë topi,’ i a bëri njëri prej tyre gati duke qarë.

Ish topi i vetën që kishim, kush guxonte të hynte në atë shtëpi të zymtë, me mure të larta, ku zgjateshin mbi hatulla degët e pemëve. Dritaret e mbyllura me grilla, asnjëherë s’ hapeshin. Na ngjante si shtëpia e shpirtrave.

Shokët u tërhoqën ne qoshe me trishtim dhe unë mbeta vetëm. U çapita me hapa të ngadaltë duke u dredhur. U afrova derës së vjetër me dru pishe. Qëndrova një moment u mbusha me frymë. Shokët ma bënin me dorë nga larg të hyja brenda, në sytë e tyre dallohej shkoqur frika.

Më kot përpiqesha të ndaloja drithërimën e lukthit, dorë plogët kërkova rripkën prej spangoje të thurur që mund të gjendej fshehur diku në cep të derës. Më në fund e gjeta e tërhoqa me frikë, ngadalë, gjuhën e çelësit, u dëgjua një kërcitje e lehtë. Kanati i rëndë i derës u drodh, lëvizi. Shtyra kanatin me sup, dera u hap aq sa unë të zgjatja kokën, të vështroja se çfarë bëhej brenda. Oborri ishte shtruar me pllaka të mëdha guri dhe kish një pastërti të akullt. Anash harliseshin trëndafila të mëdhenj shumëngjyrësh. Mu ndal fryma. Për fatin tim të keq, topi kishte shkuar dhe qëndruar mbi trëndafilin më të madh, të kuq dhe më të bukur të kopshtit, varej trishtueshëm. Zonja e shtëpisë ish e çmendur mbas trëndafilave.

Kjo gjë ma shtoi akoma më tepër ngurrimin për të hyrë brenda.

‘Hyrë brenda ç’ pret,’ dëgjova zërin e shokëve: ‘Plaka do ta çajë topin, do ta bëjë fërtele.’

Po e dinin ata se ai top kish këputur trëndafilin më të bukur të kopshtit!

Ngulmimi i tyre ish i padurueshëm:

‘Hyrë!’

Oborri dergjej në qetësi. Në pragun e derës së korridorit qe shtrirë një mace bardhoshe, symbyllur lëpihej me endje.

‘Hyrë, hyrë!’ Dëgjoja nga pas zërin e shokëve.

‘Le të bëhet ç’të bëhet,’ thashë me vete: ‘Nuk do ta le topin të çahet.’

Hodha një hap në pllakën e oborrit, lëviza rrëshqanthi, hyra brenda, dera mbas meje u mbyll. Qetësia ish e rëndë, sfilitëse. Vështrova rreth e rrotull me kujdes. Në të dy anët e kopshtit harliseshin pemët e larta. Si qenush i vogël ngrita veshët dhe tendosa përgjimin. Prej qetësisë  zotëruese ndjehesha i mpirë, i plogët si i futur në një qese plastike. Çdo hap që hedhja, qëndroja, përgjoja. Më dukej sikur oborri dhe shtëpia lëvizte dhe unë shkisja së bashku me të. Dreq o punë sa i madh ky oborr, zemra kërcente në kraharor!

Flaka  tutje plogështinë dhe frikën, vrapova drejt topit dhe trëndafilit të mrekullueshëm, të kuq, të këputur. Më në fund mbërrita, mbështeta i lehtësuar gjoksin në gardhin e thurur me rrjetë teli. Mora frymë i lehtësuar. Nuk qe aq e vështirë sa dukej, të zotët e shtëpisë flinin. I shpenguar zgjata duart të rrëmbeja topin dhe të zhdukesha.

Një shungullimë e tmerrshme si krismë rrufeje u dëgjua në krye të shkallëve. Ajri u drodh dhe unë ngriva me duart e vendosura në top. Rrezik të vdisja nga frika, zemra gati sa s’ pushoi së rrahuri. Lëviza me shumë vështirësi qafën. Në ballkonin e vogël, në krye të shkallëve, krahëhapur si shqiponjë, gishtërinj hapur si të bllokonte qiellin dhe ta çirrte ajrin me thonj, qëndronte e frikshmja, plaka, e profesorit. Ishin disa sekonda të tendosura në tmerr e llahtarë.

Unë as rija, as ikja. Ngurtësia ime e kish bërë dhe plakën të ngurtësohej. Atëherë kur ajo po shkriftohej, po bëhej gati të turrej mbi mua, për të më ndëshkuar për hatanë e madhe, këputjen e trëndafilit, u dëgjuan trokitje të ngutura në xhamin e dritares. Ajo u kthye me të shpejtë si me urdhër, hyri brenda. Në krye të disa sekondave, u gjend pranë meje, fytyra e saj kuqëlonte prej inatit, mpirja ime ishte gjithëpërfshirëse. Pa më thënë gjysmë fjale më mbërtheu nga krahu dhe më tërhoqi brenda në mugëtirën e shtëpisë.

‘Prite tani kur të më lidhe me spango të trashë, të më vdesë në dru,’ thashë me vete. Gjuhën e kisha të thatë trokë.

Për habinë time ajo më la brenda në dhomë dhe u largua duke sharë dhe bërtitur:

‘Plak i rrjedhur. Ky mistrec më këputi trëndafilin më të bukur. Ky do dru me muzikë. Ai e fut në shtëpi, phu...phu..!

‘Eja bir, ulu,’ dëgjova një zë të ëmbël.

Vështrova me kujdes andej nga erdhi zëri. Ulur në një stol të thjeshtë druri, dallova një plak. Dhoma rëndonte nga librat e llojeve të ndryshme me kapakë të trashë, dukej sikur do përmbysej. Prej dritares derdhej duke vallëzuar një dritë e lehtë.

‘Mos ki ndrojtje bir,’ ngulmoi ai me zë si gurgullimë burimi.

‘Plak i çmendur,’ hungëriti plaka. Ajo kish zgjatur kokën në dera. Ai bëri me dorë një lëvizje të plogët, të bezdisur.

Gjaku po më shkrihej dalë ngadalë dhe u përpoqa të përqendroja vëmendjen. Koka po më gremisej prej morisë së librave.

‘Të pëlqejnë librat?’ më pyeti ai.

Ngrita supet dhe luajta kokën lehtë.

‘Eja ulu këtu,’ dëgjova zërin e ëmbël të tij, dukej shumë plak me tesha të zbardhura, por të pastra dritë.

Ai plak kish kokë të shndritshme pa flokë, fytyrë të pastër, ballë të madh, sy të zgjuar. Nuk kisha parë dhe nuk kam parë deri më sot kokë më të bukur plaku se e tij.

Ai ishte profesori, i madhi Spiro Konda.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora