E merkure, 01.05.2024, 07:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Plagë e tretë

E merkure, 23.03.2016, 08:07 PM


QAZIM  D. SHEHU

 

PLAGË E TRETË

 

Gjerdan plagësh lidh kujtesa,

Në rruazat që shquan vesa,

Ngashërim ,dhimbje, ngashërim,

Një trini pa mbarim

Në minera fjalësh pa mineral

Lindi plaga e parë,

Dhe në puse të shterta pa ujë,

Plaga e dytë vuri kujë.

Dhe plaga e tretë çfarë qe?

Ajo që dy të parat s`i vuri re…

 

 

ZË I ZJARRTË

 

Një zë  më pingërin nën sisë,

Si zë zogu në ngricë,

Zogu zëpak  aty u strehua,

Çfarë u boshatis e u largua,

Mos zëri i moshës u trishtua,

Që thërret zogun e ngricërimës,

Në afshe të flakta dridhëse.

Dhe sa mëkate dhe inate

Aty nuk turfullojnë,

Veç një zog me pingërimë,

Dridhet për moshën që vetëtin

Pa bubullimë…..

 

 

NJË FIJE BARI NË ASFALT TË ÇARË…

 

Marri fshatari mësyer

Nga një fije bari.

Marria bie,

Vetëm nga një fije.

Po nëse ishte një shtëllungë

Qoftë e thënë  një lëndinë,

Atëherte gjëmimet e  marrisë

Do i shuaja hapësirës së poezisë…

 

 

NDOSHTA

 

Ndoshta ky dru gjethëron

Se aty rri shpirti jot,

Dhe kjo rreze që ndriçon

Atë mbase thotë.

Ndoshta ky dru rritet shpejt

Shikimi jot e rrit,

Dhe kupe e qiellit zgjatet drejt

Vështrimeve që mjaltë në të ngjit.

Ndoshta ky dru ,kjo pemë dhe ky pyll,

Nuk e thonë çfarë marrin prej teje,

Dhe heshturazi të shkelin synë

Prej sekreteve që u shkëput pa leje…

 

 

PARA SE LULET TË SHKONIN NË FARMACI

 

Para se lulet të shkonin në farmaci

Për t`u kthyer në një bar,

Më lanë aromën në brendësi,

Dhe pamja e tyre aty qan.

 

Dhe nuk e di si do shpëtoj

Nga duf i kaltër, tymues

Në farmakore ndodh  të shkoj,

Të qetësoj dufin e tyre kaltërues…

 

 

SFERË

 

Unë  nuk jam sferë

Po fati shpesh na rroklullis,

Në tokën më të blertë

Rrënjët e hapave ngul.

Po të isha sferë

Fatit  do ia thyeja dhëmbët

Dhe do rrokullisej pa u ndjerë

Për të më kërkuar falje ndër këmbë…

 

 

KALI

 

Shpesh kalë i baladës

Shkau si rreze në majë të shpatës,

Tringëllima e patkoit të çeliktë

Shkoi drejt dhimbjes e përpiktë.

 

Pse gjithnjë në balada gjendet  një kalë

Dhe asnjë kafshë tjetër,

Ndoshta se diçka duhet zbardhë,

Sfondit krejt mos me ia dhënë të zezën…

 

 

TMERRI

 

Në një pllajë ku kufijtë e saj

Fillohen e mbarohen me gurë,

Ca gurë të vegjël si vezë gjigandi

Shënohen,e rrinë ngurtësuar.

 

Dëshmitarë të pagojë rrinë në heshtje

Ata të shkëputurit s`di nga ku,

Apo janë sytë e të vrarëve në një përleshje

Që nga tmerri  ngrinë …gur..

 

 

DIELLI NGANJËHERË...

 

Dielli nganjëherë hënën porosit

Të spërkasë rrugën e dashurisë,

Frikë ka t`i japë më shumë dritë

budallepsjes së saj prej  lumturisë.

 

 

PORTA

 

Si një portë që hapet rrallë

Hapet mendja ime,

Kush e grisi idilin?

Një portë që hapet rrallë ka shumë mall,

Më lini t`ia gjej fillin…

 

 

GRISHJE E LARGËT

 

Koha shkon dhe buzëqeshjen e vitit të kaluar

E mbaj ende në vezullimin e saj,

Dhe ish aq e fortë

Aq e dashur ishte  sa çuditem

pse kaq gjatë e mbaj.

Që atëhere e gjer më sot

Ajo s`erdhi më,

Por besoj kaq mjafton

Sa veten me shpresë ta zë…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora