| E merkure, 23.03.2016, 08:07 PM |
QAZIM D. SHEHU
PLAGË E TRETË
Gjerdan plagësh lidh kujtesa,
Në rruazat që shquan vesa,
Ngashërim ,dhimbje, ngashërim,
Një trini pa mbarim
Në minera fjalësh pa mineral
Lindi plaga e parë,
Dhe në puse të shterta pa ujë,
Plaga e dytë vuri kujë.
Dhe plaga e tretë çfarë qe?
Ajo që dy të parat s`i vuri re…
ZË I ZJARRTË
Një zë më pingërin nën sisë,
Si zë zogu në ngricë,
Zogu zëpak aty u strehua,
Çfarë u boshatis e u largua,
Mos zëri i moshës u trishtua,
Që thërret zogun e ngricërimës,
Në afshe të flakta dridhëse.
Dhe sa mëkate dhe inate
Aty nuk turfullojnë,
Veç një zog me pingërimë,
Dridhet për moshën që vetëtin
Pa bubullimë…..
NJË FIJE BARI NË ASFALT TË ÇARË…
Marri fshatari mësyer
Nga një fije bari.
Marria bie,
Vetëm nga një fije.
Po nëse ishte një shtëllungë
Qoftë e thënë një lëndinë,
Atëherte gjëmimet e marrisë
Do i shuaja hapësirës së poezisë…
NDOSHTA
Ndoshta ky dru gjethëron
Se aty rri shpirti jot,
Dhe kjo rreze që ndriçon
Atë mbase thotë.
Ndoshta ky dru rritet shpejt
Shikimi jot e rrit,
Dhe kupe e qiellit zgjatet drejt
Vështrimeve që mjaltë në të ngjit.
Ndoshta ky dru ,kjo pemë dhe ky pyll,
Nuk e thonë çfarë marrin prej teje,
Dhe heshturazi të shkelin synë
Prej sekreteve që u shkëput pa leje…
PARA SE LULET TË SHKONIN NË FARMACI
Para se lulet të shkonin në farmaci
Për t`u kthyer në një bar,
Më lanë aromën në brendësi,
Dhe pamja e tyre aty qan.
Dhe nuk e di si do shpëtoj
Nga duf i kaltër, tymues
Në farmakore ndodh të shkoj,
Të qetësoj dufin e tyre kaltërues…
SFERË
Unë nuk jam sferë
Po fati shpesh na rroklullis,
Në tokën më të blertë
Rrënjët e hapave ngul.
Po të isha sferë
Fatit do ia thyeja dhëmbët
Dhe do rrokullisej pa u ndjerë
Për të më kërkuar falje ndër këmbë…
KALI
Shpesh kalë i baladës
Shkau si rreze në majë të shpatës,
Tringëllima e patkoit të çeliktë
Shkoi drejt dhimbjes e përpiktë.
Pse gjithnjë në balada gjendet një kalë
Dhe asnjë kafshë tjetër,
Ndoshta se diçka duhet zbardhë,
Sfondit krejt mos me ia dhënë të zezën…
TMERRI
Në një pllajë ku kufijtë e saj
Fillohen e mbarohen me gurë,
Ca gurë të vegjël si vezë gjigandi
Shënohen,e rrinë ngurtësuar.
Dëshmitarë të pagojë rrinë në heshtje
Ata të shkëputurit s`di nga ku,
Apo janë sytë e të vrarëve në një përleshje
Që nga tmerri ngrinë …gur..
DIELLI NGANJËHERË...
Dielli nganjëherë hënën porosit
Të spërkasë rrugën e dashurisë,
Frikë ka t`i japë më shumë dritë
budallepsjes së saj prej lumturisë.
PORTA
Si një portë që hapet rrallë
Hapet mendja ime,
Kush e grisi idilin?
Një portë që hapet rrallë ka shumë mall,
Më lini t`ia gjej fillin…
GRISHJE E LARGËT
Koha shkon dhe buzëqeshjen e vitit të kaluar
E mbaj ende në vezullimin e saj,
Dhe ish aq e fortë
Aq e dashur ishte sa çuditem
pse kaq gjatë e mbaj.
Që atëhere e gjer më sot
Ajo s`erdhi më,
Por besoj kaq mjafton
Sa veten me shpresë ta zë…