Kulturë
Nebi Dragoti: Dialog me poezinë
E diele, 20.03.2016, 08:06 PM
DIALOG
ME POEZINË
NGA NEBI DRAGOTI
Vazhdimisht dhe ballëpërballë është autori me bukuroshen poezi, që, gjithmonë, veç virgjine qëndron, që, veç e lakmuar është nga secili poet për ta futur në shtratin magjepës të krijimtarisë poetike. Poezia është, njëkohësisht, edhe pasuri për shoqërinë.
***
-Ngaherë, ti poezi, je e dashuruar nga lexuesi, je e gatuar prej brumit të ëmbël të fjalëve, saqë, shpesh , përsërisim: “Ç’ mjaltë poezie!”
-Tamam, përkufizim i saktë është ky, se siç ka nevojë për punë për të prodhuar të mira ushqimore e materiale njeriu, ka nevojë edhe për artin e fjalës poetike, se, kështu, gjithçka, në kompleks, krijohet në mënyrën më sublime harmonia dhe bukuria e jetës…
-Ti, poezi, ke ndjerë në intimitet nga autorë të panumërt melodira, ritme, thurje të larmishme, të cilat nuk janë në një nivel për nga ana e vlerave.
-Ah, vlerë, vlerë…, është i zoti ai që rrok vlerën, domethënien dhe shërbimin më pozitiv të këtij koncepti. Për mua vlera është veshja e florinjtë (në kuptimin metaforik) që pasqyrohet në sytë dhe mendjen e lexuesit, i forcon dhe pastron karakterin dhe kulturën për të qënë i devotshëm për ta jetuar jetën. Kush më brumos me këtë veshje, ai ka jetëgjatësinë. Kjo është e provuar…
-Dakortësia ime është qindpërqind e plotë me mendimin tënd, e dashura poezi, por…desha të shtoj, se ka vlerë e vlerë:vlerë në ide e strukturë, vlerë në veshjen e mendimit me mjete stilistike (ndërtesa e krijimit kërkon vëmendje në përmbajtje + formë), pra, me një fjalë, ka temë e temë për shtjellim, që i duhet dhënë përparësi për ta bërë lëndë të krijimit më të arrirë në pikëpamjen gjithpërfshirëse…
-Jam dakort edhe unë me linjën e mendimit si me një linjë me ngarkesë elektrike me voltazh 220 volt, ku ndriçimi bëhet i plotë…E kundërta, ka frymëzime fiktive, kalimtare, emocionale, grimcake, të vockëla, që ngacmojnë poetin, i japin inerci, por këto janë pa efektivitet, pa interes, si shkreptima në qiellin e kaltër, kur tokës i duhet shi: e shkruan sot, harrohet nesër…Kjo më dëmton së tepërmi mua si poezi dhe , si të tilla, nuk e meritojnë të quhen krijime.
-Tamam, kështu është, tamam, se dhe ai bujku e zgjedh farën kokërr më kokërr, që të jetë e shëndosh, që filiza e mbirë të zhvillohet e të japi rendiment. Shkruajnë shumë, nguten, dhe ka që shkruajnë shumë e për lumë duke e futur poezinë nëpër skuta të errëta, krejt të panevojshme, krejt të mërzitshme për lexuesin.
-Unë, poezia, shoh tek vetja, se ka autorë që nuk dinë rregullat e vjershërimit, nuk dinë ç’është vargu i lirë, nuk dinë ç’është vargu i bardhë, nuk njohin elementet që japin muzikalitet, nuk njohin llojet e strofave; vagun e krijimit njëshkolonë e thyejnë vend e pavend. Në vend që të japin poezi, japin prozë, madje, prozë të rëndomtë etj. etj.
-Po, po me vend është kjo dukuri e papranueshme dhe në këtë bashkëbisedim shtoj: ka që nuk njohin as gjuhën me rregullat që ka, bëjnë gabime drejtshkrimore; pa le, nuk përdorin as shenjat e pikësimit, kur vargëzojnë.
***
“Dy” zërat, bashkëbisedues të këtij shkrimi, shkrihen në një zë me aprovim të unifikuar mendimi: poezia kërkon impulse të reja, që t’i përshtatet shoqërisë (të influencojë pozitivisht tek lexuesi), që t’i paraprijë e të jetë koherente, të jetë e azhurnuar me problematikat që kërkohen. Poezia ta ushqejë moralisht njeriun. Psikollogjikisht kjo realizohet instiktivikisht; kjo, përgjithësisht, bëhet edhe nga tërë llojet e arteve. Pse jo? Poezia kërkon Rilindje. Koha e kërkon: duhet Rilindje edhe në poezi.