E hene, 29.04.2024, 05:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Atdhetarizmi në art

E marte, 15.03.2016, 09:11 PM


Atdhetarizmi në art

Nga Ilir Muharremi

Ne kosovarët kemi shumë orë që i lejojmë vetes një atdhetarizëm të përzemërt, njëjtë si çdo evropianë i mirë i cili rrëshqet dhe bie preh e anktheve të lashta. Të gjithë përjetojnë orë shqetësimesh kombëtare, madje thellë edhe ankthe atdhetare, fajtor është rikthimi i ndjenjave të lashta. Problemi ngritët në atë se a do të vazhdojmë me atdhetarizëm përmes artit dhe pas artit, apo si t’ia dalim mbanë brenda harqeve kohore. (problemi më shumë tejkalohet me globalizim sesa atdhetarizëm ose nacionalizëm që i ri përbrenda kësaj.) Shpirtrat e rëndë mund t’ia dalin mbanë, ose shpirtrat e hapur të lirë që kuptojnë peshën njeri e jo ndasinë dhe unë i vërejë veçanërisht artistët e topitur të cilët pas çdo prezantimi botëror me duar krijojnë shqiponjën. Arti tejkalon atdhetarizmin, nacionalizmin dhe racizmin. Këta njerëz duhet të jenë Evropianë të mirë dhe të lirë. Teksa endem së vëzhguari ndodh të jem dëshmitar jo veç dëgjimor, por edhe shikues i artistëve si p.sh Dua Lipa , krijon shqiponjën me duar si shenjë atdhetarizmi, porse kjo epokë e masave po gëlltit diçka që e njeh, dhe nuk ka nevojë të shfaq patetiken, ose të identifikohet fajtori evropian se gjoja skepticizmi për dashurinë e nacionalizmit. Gjermani nuk klith në art: “unë jam gjerman” sepse i ka veshët për këtë. Poashtu edhe kombet tjera nuk e identifikojnë ose patetizojnë, mitizojnë kombin e tyre. Nga kjo na del se gjithçka shtrydhet për komb e jo art, sepse kjo tentohet të instalohet. Ekziston fakti për atë se Kosova trajtohet si vend i vockël, i pazhvilluar, i panjohur, dhe ata ndjejnë nevojën e propagandës. Nuk kemi nevojë të ngremë kulla mitike, perandori, por të globalizojmë ndjenjën, të bukurën në art. Kjo disi më duket si politikë e madhe në territor të artit. P.sh vërej edhe Eliza Dushkun e cila bënë portretin e Shqiponjës në formë të imponuar. Sikurse një aktor ose regjisor Polak të ulërinë për mitin e Polonisë. Bëhet fjalë për Roman Polanskin, francezo- polak, i cili asnjëherë nuk pozon për Poloninë. (ndonëse ata nuk rriten në frymë nacionaliste sikur Ballkanikët.) Ose aktori Porto Rican Benicio Del Toro, asnjëherë nuk shpërfaq elemente nga Porto Rico-ja.

Nuk jemi në epokën e atdhetarizmit, historisë, por bashkimit global dhe harmonisë ndërmjet kombeve. Një burrë shteti (i vërtetë me mendim global pozitiv) dënon popullin e tij për të gjitha nëse i bënë politike, historike ose nacionale, sepse ai tenton të çlirohet nga neveria djallëzore e popujve grindavecë që bëjnë politikë. Ndjehet i përulur para pamjes së jashtme (pozimit të mitit, ose figurave kombëtare), menjëherë zhvlerëson prirjen e brendshme nëse fokusohet në këtë propagandë, përmbys vetëdijen, instinktin e drejtë, e detyron shpirtin duke e “kombëtarizuar”. Nuk po them ta përjashtoj kombin, ta dojë, por jo të mendoj si nacionalistë. Çfarë po kërkohet këtu? Një filozof do përgjigjej: I fortë, i fortë, i fortë. Por, unë do shtoja:  I madh. Qëllimi është që artisti të jetë i madh. Si do të vlerësohet një njëri i fortë nga një tjetër i fortë? I forti kërkon më të fortin. Artistët duhet ta dinë se bota posedon plot të fortë. Qëllimi është te madhështia. Këtë nuk e vërejta te artistët tonë të famshëm. Mund ta përjashtoja Sislej Xhafen i cili është globalizuar në lirinë e tij artistike. Nuk mbeti nën kthetrat e të fortëve për të propaganduar fortësinë historike, nacionale kombëtare. Bota është ngulfat me kombe. Xhafa trajton tema: psikologjike, sociale, juridike, ekonomike, shtetërore....

Le të themi se artistët nga Ballkani vijnë me formula politike. P.sh periudha e realizmit socialist qe më ekstremja për sa i përket dinamikës vetëshkatërruese dhe ndikimit poashtu që pati në shoqërinë shqiptare. Kjo retorikë përveç që me kalimin e viteve u rrit, ajo jeton ende me nocionet e militantizmit si: të jesh krenarë për racën, përçmimi për gjithçka të huaj, hyjnizimi i komunizmit, krijimin e individëve të cilët nuk kanë nevojë të mendojnë ose të ndjejnë, por të jetë prezantues i doktrinës alla-shqiptare. Arti këtu u përdorë si mjet propagandistik, opium letargjik. Në artin pamor, veprat janë të qëndisura me njerëz të armatosur deri në grykë, me thika, shpata, pushkë e kallashnikovë, topa, tanke.... Personazhet e pikturave dhe skulpturave, apo grafikëve, ngjanin si fantazma dhe zombi. Të pajeta, mekanizma të pashpresë, të kontrolluara nga dikush tjetër, të përhumbura duke pritur armikun imagjinar i cili nuk erdhi asnjëherë. Dikund vërehej ndonjë buzëqeshje groteske e pakuptimtë nën shtrëngimin e pushkëve dhe shpatave. Derisa në këtë atmosferë militare në njërën dorë mbahej kazma dhe në tjetrën pushka, mendohej se erdhi njeriu i ri Shqiptar. Por, nuk erdhi e ardhmja, dhe ende kjo e ardhme tretet në mitet e lashta.

Komunizmi në Shqipëri dogji çdo objekt mesjetar dhe pasmesjetar - kulti duke vendosur njeriun në inkubatorin ideologjik. Kjo frymë depërtoj fshehurazi edhe në veprat e artistëve kosovar, porse në revoltë. Në veprat e kosovarëve pasqyroheshin etapat e betejave, ku rrëmbeheshin të pafajshmit nga okupatori nazifashist, heronjtë e tyre, trimat, adhuruesit.... Asnjëherë nuk pati art personal. Arti kosovar si pas vitit 1950 e deri më sot në masë tejet të madhe ka përjetuar metamorfozë të shquar. Arti shqiptar dhe ai kosovar kishte një kronologji, pikënisje sa i përket tematikave. Vërejmë pluralizmin e shprehjes figurative të pasluftës. Kjo ndodhi edhe pas 1999-ës. Këto shenja qenë individuale dhe kolektive. Arti jonë qëndron në atë se duhet identifikuar si shqiptar. Arti është veç art dhe asgjë tjetër. Nuk është shqiptar e as Gjerman, Italian, Anglezë, Holandezë....    Më duhet ta citoj thënien e Volterit se “Unë para se gjithash jam njeri, dhe krejt rastësisht jam francez”. Në këtë të parën, gjejmë të vërtetën, te e dyta, politikën, frenimin dhe kufizimin. Artistët tonë duhet ta ndjejnë vetëm atë të parën. Këto “izma” të pjesa dërmuese e krijuesve kosovarë u eliminuan, porse ata nuk u formuan si emra me fizionomi, individualitet të vet, por mbetën kopjues të Evropës dhe SHBA-ve.

Arti na del imitim i zbehtë si në rastin figurativ ashtu edhe letrar, filmik, teatral, poetik, muzikë.... Te arti pamor dominonin: realizmi, impresionizmi, ekspresionizmi dhe kubizmi analitik. Ky i fundit lindi enformelin si drejtim si aventurë kalimtare e artistëve figurativë kosovar dhe asnjëherë nuk krijoj ndërmarrje hulumtuese njerëzore, të natyrës, shpirtit, komplet ekzistencës. Kosovarët qëndronin gjithnjë karshi Evropës me motive autoktone. Shqiptarët tek thika, kallashnikovi dhe tanket. Evropa lulëzoi me pop-artin. Derisa dadaizmi, hepiningu, op-arti, arti minimal, shkëlqenin në botë, veprat e kosovarëve shquheshin me motive burimore, elemente të vjetra arkitekturale. Respektivisht qenë motive nga ambienti jonë vendor. Koloriti qe i fisnikëruar, plot folklorizëm, rrugët dredharake, kullat e ftohta të gurit, koncepti qe ekspresiv dramatik, në thelb pasqyronte kontraste të ashpra. Këto qenë karakteristika të përbashkëta të artistëve kosovarë. Gjermani në atë kohë karakterizohej me natyrë specifike, si për nga shprehja ashtu edhe nga tematika: degradimi i moralit, tragjikja familjare, depresionet, korrupsioni, droga, alkooli... Ndërsa, artistët kosovarë pasqyronin ambientin me veçori nacionale. Kurse, kosovarët sa i përket surrealizmit nuk kishin realizime. Ata qenë më shumë ekspresive duke trajtuar dramat e njeriut, momentet historike, luftën për ekzistencë, e tërë qëndronte në ekspresionizmin dramatik. Ngjyrat qenë të kuqe, e herë në të bakërt, veçonin fytyrat sidomos sytë e mëdhenj. Gama ishte e mbylltë. Individi nuk u distancua. Grupi i tyre figurativ qe heterogjen për nga subjekti psikologjik e individual. Artistët jetonin në bashkësi dhe propagandë, lavdëronin njëri tjetrin dhe shkruan për të ardhmen dhe “zhvillimin e artit kosovar”.  Shqipëria në këtë kohë mësonte fëmijët në djep qysh t’i mbante armët, të luftonin me shpata, të vishen si partizanë duke vrarë sa më shumë: grekë, gjeneral, romak, pashallarë turq, fashist italian etj. Ky qe eksperiment historik. Helmi qe demagogjik dhe propagandistikë. Ndikojë në shpirtrat e atyre brezave, përtej armiqve të cilët ende na kanë hale në sy, insektet më të egra nacionale gërryenin nga poshtë shoqërinë shqiptare, nga kjo pjellën përbindësha, njerëz të paaftë të mendojnë dhe shijojnë botën ndryshe nga ç’janë mësuar ta shohin atë qysh në fëmijëri. Këtu qëndron vega e shpërfaqjes së Shqiponjës. Atëherë, nuk është çudi pse shoqëria jonë kalon ende nga nacionalizmi dhe atdhetarizmi. Ndoshta shpresa ndonjëherë do të agojë.

Tashmë nuk kemi më artist të fortë, por të madh dhe logjika e tij tok me artin duhet të inkuadrohet në pronën globale. P.sh Homeri, Aristofani qenë burim frymëzimi sot e mijëra vjet më vonë që do vijnë. Da Vinçi, Mikelangjelo, Shekspiri, Aligeri, Ticiani, Volteri, Balzaku, Van Goghu, Viktor Hugo, Pikaso, Salvador Dali, Matisi, përmes artit të tyre rrëfejnë ëndrrat njerëzore, instinktet dhe u drejtohen të gjithëve, edhe atij fshatari më të vogël, njeriut më të brishtë, magjypit, vetëvrasësit, milionerit, të divorcuarit.... Arti i vërtetë dhe i madh pasuron çdo individë në botë, arti në Shqipëri, mbeti art i pushkës dhe thikës, kosovarët lulëzuan me kaçakë, kulla, folklor, ndonëse jemi më të prirur për kopjim dhe imitim, gjithnjë bëhet fjalë për artistin i cili përpiqet të distancohet. Më vijnë ndërmend disa vepra si e Delakroit “Liberty Leading the People”, “Guernika” e Pikasos, të cilat u ndikuan nga përvoja kombëtare, por e shtjelluan problemin në aspekt tejet më të gjerë, kishte humanizëm mbarënjerëzor. “Guernika” është e mbushur me poza tragjike, mes të cilave një dem me kokën e prerë dhe kalë me barkun e shqyer (ai i toreadorit.) Në tablo dominon protesta njerëzore kundër barbarisë, kurse në artin shqiptar dominonte “trimëria” e rrejshme dhe fitorja. Arti tejkalon luftën me madhështinë e tij. Van Goghu, gjithnjë ishte i tërhequr nga jeta e fshatit, ose ajo e punëtorëve, dhe vetë çmenduria e tij. Për punëtorët e fshatit klith ai: “Ajo kërkon që piktori ditë për ditë të rrojë në kolibet e fshatit apo të qytetit, të qëndrojë bashkë me ta në arë apo gjetiu, në diell, në zheg, dëborë, acarë”. Njeriu sipas tij, nuk duhet të punojë në shtëpi, por në ajër, dhe jo kalimthi, ose sipërfaqësor, por vazhdimisht si fshatar. Ja edhe një tjetër nga Goghu. Ai rrëmbehet nga një vajzë fshatare e veshur me fundin bojëtymi, të arnuar dhe me jelekun e po kësaj ngjyre, nën ndikimin e vrenjtësirës së motit, të erës që fryn dhe të diellit që herë duket e herë zhduket. Këtu ai nxjerrë ca nuancime të holla, që e bëjnë të duket edhe më bukur se ndonjë zonjë e pasur e stolisur. Ai e vesh edhe fshatarin në arë me shajak dhe duket shumë piktoresk se të dielave kur shkon njeriu në kishë i veshur me kostum zotërie. Tablove nuk i duhet t’i jepet shkëlqim i rremë siç ndodhi me Shqiptarët dhe kosovarët, por limit të vërtetë nga artisti. Ai qe Holandez, por në art nuk e shfaqi këtë. Te piktori Dali konkretisht punimi “Fytyra e luftës” (1940), vërejmë kokën e tmerruar, ulërimë, klithmë ndaj tragjedisë, dhe në thelb posedon revoltën njerëzore. Nuk kemi kamuflim, patetikë, por art. Dali qe spanjoll dhe nuk e morri Spanjën me vete në SHBA, ku edhe u bë i famshëm. E kuptoj që arti është vetëm art.

Jam dakord me vlerësimin e Kantit siç thotë: “arti i bukur është art i gjenive”, porse gjenia është talenti, dhunti natyrore pa dëshirën e tij. Këtu ai vendos rregulla artit. Kurse talenti është vetëm aftësi krijuese e lindur e artistit. Gjeniu përkufizohet me vokacionin e lindur mendor, në të cilin vetë natyra vendos rregulla të artit. Kanti harron se arti i tejkalon këto rregulla dhe vendos rregulla të reja. Mund të konsiderohet se arti i bukur i përket vetëm gjenive e jo nacionalistëve, folkloristëve, komunistëve.....

Është e nevojshme të thuhet se populli jonë vuan nga ethja e fuqishme kombëtare dhe nga ambicia politike, vetë dëshiron të vuaj nga këto. Këto më duken si sulme të vogla budallallosje p.sh tek shqiptarët e sotëm qëndron marrëzia antigreke, antisllave, dikund edhe antikrishtere, këto koka janë të mbështjellura mjaftë trashë. Këto janë turbullira të shpirtit dhe vetëdijes. Elementi historik mund të ndikon këtu. Mos të harrojmë se po flitet për artistët. Shenja e parë e infektimit është ajo politik, pastaj radhitet historik, folklorik e në vazhdimësi. Një artist i cili ndërgjegjen e tij  e rëndon me prezencën historike, do të jetë mbrapa me Evropën. Marrëzia nacionaliste vazhdon të futet midis popujve, në sajë të politikanëve që janë dritëshkurtër dhe dorashkëthatë. Politika e di se Evropa jep sinjale të bëhet një. Njerëzit e thellë, mendjegjerë punojnë në këtë drejtim të shëndoshë, por paksa kjo më duket eksperiment evropian i së ardhmes. Njerëzit u përkasin “atdheve” vetëm me pamjen e tyre të jashtme, nganjëherë edhe në orët e vështira. P.sh në pleqëri, ose pasluftës së fundit në Kosovë, u bënë shumë atdhetarë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora