E hene, 29.04.2024, 02:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Faik Shkodra: Rrëfime mbi rrugëtimin e kombit

E hene, 14.03.2016, 08:33 PM


RRËFIME MBI RRUGËTIMET E KOMBIT DREJT LIRISË DHE PAVARËSISË

- Tregimet që prekin shpirtin e vrasin mendjen-

Dibran Demaku, Rrëfime jete, Shkëndija, 2016

Nga Dr. sc. Faik Shkodra

Vepra letrare, pa marrë parasysh në çfarë zhanri shkruhet, bosht të pasqyrimit duhet t’i ketë ngjarjet historike e shoqërore, jetën e fatin e njeriut, të atdheut dhe të kombit të cilit i takon krijuesi. Nëse këto të vërteta kihen parasysh, atëherë Dibran Demaku në vëllimin me tregime “Rrëfime jete” ka arritur që lexuesit t’i ofrojë proza mbi ngjarje të rëndësishme të historisë, të lirisë, të traditës, të kulturës, të arsimit, të aktualitetit të kohës, duke i paraqitur dramat dhe problemet komplekse të shoqërisë në rrjedhë të shekujve.

Tregimet të shkruara me kulturë dhe frymëzim të lartë artistik

Dibrani me një vëzhgim të mprehtë, me intuitë të zhvilluar, imagjinatë krijuese dhe kulturë të gjerë për letërsinë e traditën kombëtare në përgjithësi - ka bërë që përmes tregimeve të vëllimit jo vetëm të dëshmohet si krijues i njëmendtë, i mirëfilltë e i ndjeshëm, por të shquhet si mjeshtër, si përjetues, si artikulues, si njohës dhe depërtues në thellësitë e kuptimit e zbërthimit të temave, motiveve, ngjarjeve, personaliteteve të veçanta e të jashtëzakonshme, të cilët në çështjet madhore kombëtare u bënë simbole e metafora të lirisë, të atdhedashurisë, të arsimit, të letërsisë, të kulturës, të shkencës, u bënë prijës shpirtërorë e ideorë dhe këto personalitete në tregime janë dhënë me një vërtetësi e ndjenjë të thellë shpirtërore, me një trajtim artistik të vetvetishëm, duke lidhur kohën me historinë, me dramën individuale e kolektive të popullit shqiptar, sa lexuesi i përjeton si ngjarje që i ka jetuar vetë, ngjarje që prekin shpirtin dhe vrasin mendjen.

Të gjitha këto flasin për kulturën letrare të autorit, kulturën që bashkon komponentët jetësorë të njerëzve me komponentët artistikë që, u mor vesh, në tregime janë dhënë me mprehtësi psikologjike, me të dhëna historike, sociologjike, me shembuj konkretë të krijimtarisë gojore dhe gjithandej tregimeve bën thirrje se probleme si komb do të kemi kurdoherë, por duhet të vetëdijesohemi që të mos bëhemi rrënues të vlerave tona historike e kombëtare, vlerave njerëzore dhe të mos lejojmë të na përsëritet e kaluara e zymtë dhe shkatërruese në të gjitha fushat e jetës.

Tregimet e vëllimit “Rrëfime jete” janë shkruar me kulturë dhe frymëzim të lartë artistik dhe ngjarjet që përshkruhen me stil të rrjedhshëm artistik, hedhin dritë mbi tema e personalitete që për çdo lexues janë domethënëse për fatin e historinë e shqiptarëve të Kosovës, në veçanti,  dhe shqiptarëve, në përgjithësi, nën sundimin e pushtuesve të huaj nëpër shekuj. Tregimet janë shkruar me një frymë të thellë realiste dhe se historia e jonë kombëtare frymon fuqishëm në subjektet e këtyre tregimeve.

Vëllimi sajohet nga tregimet: Heroika dhe Jasharajt, Kulla e qëndresës, Lisi, Në rrugën e lavdisë, Kryengritësi, Dasma, Zemër burri, Kënga e trimit, Në kodër t’kuqe tre luanë..., Viti 1979, Gjenerata ime dhe libri, Profesor Agani, Rilindësi i lirisë, Si e njoha Rifat Kukajn, Lotët e profesorit, Ora letrare, Mungesa e atdheut, Dita më e rëndë e jetës, Dikush thumbit - dikush patkoit, Madhështia e heroit, Kur mësuesi bie për liri - liria është afër, Midis ëndrrave dhe idealeve, Misrat e mësues Miftarit, Tregimi për vëllezërit dhe livadhin, Komunistë të devotshëm - dje, demokratë të zjarrtë sot, Profesori im dhe arsimi, Familja dhe Ministër - po, njeri jo.

Përmbajtja e tregimeve të lë me gojë hapur

Gjatë leximit të tregimeve bindemi për frymëzimin spontan të shkrimtarit, shohim se sa dhimbje, kujtime, dashuri, respekt, krenari dhe ndjeshmëri mban për figurat që për lirinë e pavarësinë e Kosovës u vetëflijuan, u shkrinë për idealet dhe për zjarrin që ua kallte shpirtin çështja kombëtare dhe tragjeditë që shqiptarët i përjetonin nën sundimin barbar të Serbisë dhe sistemit komunist socialist. Përmbajtja e tregimeve të lë me gojë hapur, të bën përshtypjen se autori i tyre kushedi sa net e ditë ka mbetur pa gjumë, madje, siç thotë një poet, ka mbetur i përlotur me ditë e vite. Me të drejtë për mësuesin, që janë drita e kënga e ardhmërisë, thuhet: “Në shkollë fillore na kanë mësuar, në orët e lëndëve të historisë – sidomos, se për të jetuar dikush i lirë me të tëra të mirat e kësaj toke dhe bote qenka dashur të vdesë ndonjë tjetër”. (Ali Sutaj, Mbresa, f. 20).

S’ka dyshim se për lirinë dhe këto të mira që do t’i gëzojnë brezat, vetëflijohet tërë familja e Jasharëve me në krye heroin që u shndërrua në mit, në legjendë, në Gjergj Elez Ali, Oso Kukë dhe në Mic Sokol - Adem Jasharin. Pathyeshmëria e heroizmit, trimërisë dhe atdhedashurisë së familjes së Jasharajve para dhunës, barbarisë dhe masakrave që Serbia bënte mbi shqiptarët, nuk i trembi. Përkundrazi, me qëndresën prej anteu - Jasharajt dëshmojnë qëndresën shqiptare - atë qëndresë që nis nga Skënderbeu e këndej, që ishte bërë simbolika e përmbajtjes, simbolikë që do t’u flasë brezave se, pavarësisht nga stuhitë e pushtuesit, shqiptarët u mbeten besnikë rrënjëve të kombit. Përkushtimi atdhetar i familjes së Jasharajve, Fehmi Lladrovcit bashkë me heroinën Xhevën, vdekjet e mësuesve, nxënësve, studentëve, profesorëve, intelektualëve, luftëtarëve të njësiteve të UÇK-së dhe të gjithë martirëve anembanë Kosovës, na e bëjnë më të fuqishme, më të kohshme dhe gjithsesi më universale thënien se: “Të largohesh nga kjo botë - është njerëzore, të largohesh me dinjitet - është hyjnore”.

Në tregimet që për motiv kanë figurat emblematike, qoftë të çështjes së luftës e rezistencës për çlirimin e Kosovës, qoftë të zhvillimit të arsimit, të letërsisë, të shkencës e të nxjerrjes së shqiptarëve të Kosovës nga terri i paditurisë dhe prapambetja shekullore e dijes, e kulturës, siç janë familja Jasharaj me të veçantin Adem Jasharin; Hana Demaku, Ukë Ymeri (Demaku), patriotizmi i të rinjve e shqiptarëve në përgjithësi për t’iu kundërvënë pushtetit serb - çfarë bënë me policët serbë në rrëfimin “Në rrugën e lavdisë” - Rasim Kiqina, Xhemajl Kurrumeli, Tahir Topilla, Tahir Plaku, të cilët vriten nga ushtria serbe; Hasan Kiqina i cili me zemrën bjeshkë e shpëton nga vrasja e komandantit serb; Sabit Xhemajlaj, që ishte memec, Kamber Hysenaj, mësuesi Vesel Demaku dhe nxënësit e tij Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdari, Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovci, që me përkushtimin e idealin më të zjarrtë për tokën e Kosovës, vetëflijohen për të mbetur kolonë e panteonit të shpirtit shqiptar për jetë e mot; Adem Demaçi, i cili tërë jetën u dëshmua si simbol, si metaforë, si feniks, si shkëndijë dhe si veprimtari më i përkushtuar i çështjes kombëtare, duke u bërë frymëzues për të gjithë shqiptarët për lëvizjen çlirimtare nga pushtuesi serb. Organizatorët e demonstratave studentore të vitit 1981, disa prej tyre kaluan vite të rënda nëpër burgjet e Serbisë; Figura e ndritur e Fehmi Aganit, që ishte lokomotiva e LDK-së dhe veprimtar i rrallë për çështjen kombëtare, pedagog me vlera e dije të thella nga shkencat shoqërore, që studentëve u shërbeu si ligjëruesi më i veçantë në pajisjen e tyre me dije shkencore e me virtyte më të larta njerëzore, e që forcat serbe në territor të Lipjanit e ekzekutojnë; pedagogu, studiuesi, poeti dhe veprimtari i çështjes kombëtare Latif Berisha, i cili me gjithë të vërtetën se ishte i urtë, i dashur, i respektuar, modest, elegant, gojëmbël, i këndshëm, njeri që kishte vizione të qarta për të ardhmen - tipare këto sikur ia kishte falë emri Latif, që vjen nga arabishtja dhe ka kuptime: Urtar, i urtë, i butë, i këndshëm, i dashur, zemërmirë, i këndshëm, i lezetshëm, mendjehollë, inteligjent, depërtues, subtil, virtuoz - më 24 mars 1999, kriminelet serbë dhe shërbimi sekret serb ia morën jetën në shtëpinë e tij. Se poeti vuante për lirinë e Kosovës, kjo shihet nga vargjet që i shkroi nga shpirti e zemra e përcëlluar:

Po del para botës Kosova krenare

Me ballin e hapët… Dhe na po festojmë!

Me gjak e stolisën po del dëshmitare, eni të këndojmë.

Tema që trajtojnë probleme të prekshme mbi të djeshmen dhe të sotmen

Poeti Rifat Kukaj, sipas rrëfimit të Demakut, por edhe studiuesve të veprave të tij, del se pati një botë të pasur artistike, pati aftësi fenomenale që në veprat e botuara, sidomos në ato për fëmijë, mbetet emblemë e botës psikologjike e fantastike të fëmijëve. Me aftësitë njohëse, me talentin e veçantë, me horizontin e gjerë me dije, kulturë, imagjinatë, me mendjemprehtësinë e zgjuarsinë, me ligjërimet e ngrohta, me aftësitë e  treguara me njerëzit - të gjitha këto tipare, sipas Demakut, e bëjnë Rifat Kukajn të veçantë, të rrallë dhe të pakapërcyeshëm në fushën e letërsisë për fëmijë. Sipas tregimit, lexuesi kupton se Rifat Kukaj gjatë gjithë jetës pati për moto udhëtimin me fëmijët, me ëndrrat, me lojërat, me këngët e tyre dhe një udhëtim i tillë e bëri të mrekullueshëm, ashtu siç janë të mrekullueshme buzëqeshjet, fjalët, shikimet dhe fytyrat e fëmijëve.

Ndërkaq figura e profesorit me kulturë e dije enciklopedike Hasan Mekuli, në thellësi e gjerësi është dhënë në tregimin “Lotët e profesorit”. Është e vërtetë se profesori Hasan ishte ndër intelektualët dhe studiuesit e rrallë dhe si i tillë dallohej për energjinë e pashtershme. Për punën e madhe që bënte në fushën e studimeve të veprave të letërsisë shqipe, letërsisë jugosllave, letërsisë botërore në vlerësimet e të cilave dëshmon një aftësi e njohje të pashoq. Edhe autori i këtij vështrimi ka pasur fatin të jetë student i profesor Hasanit, për të cilin ruaj kujtimet më të mira dhe krenohem me horizontin e dijes, kulturës dhe të mendimit shkencor të tij. Demaku e ka dhënë figurën e tij me të dhëna që përkojnë plotësisht me karakterin, me vrullin për punë, me dinjitetin, me parimësinë, me kriterin e vlerësimit më të drejtë e më objektiv se çdo pedagog tjetër në nivel të Universitetit. Veprimtaria e pasur dhe e gjerë, kultura e madhe në fushën e shkencës e të letërsisë, roli që pati me studentë me të cilët, siç shihet nga tregimi, Hasani ishte vërtet zëri i një studiuesi e një intelektuali, që për moto kishte lirinë për shqiptarët, ndërgjegjen për veprime e gjykime dhe besimin për respektin dhe dashurinë midis njerëzve.

Dibran Demaku në vëllimin “Rrëfime jete” ka shkruar tregime për disa tema që trajtojnë probleme të prekshme mbi të djeshmen dhe të sotmen. E djeshmja për artin, kulturën, arsimin, letërsinë, orën mësimore, orën letrare, për shqiptarët, në përgjithësi, ishte e vështirë, madje me pasoja të rënda, sepse, përveç punonjësve të shërbimeve sekrete serbe, që ndiqnin çdo veprimtari e aktivitet në këto fusha, qoftë të njerëzve të penës, të mësimdhënësve, të krijuesve - në mesin e tyre kishte edhe ca shërbëtorë nga radhët e shqiptarëve, të cilët ndonjëherë edhe krijonin farsa e trillime në dëm të bashkëvendësve të vet. Një fakt të tillë autori e ka konkretizuar në tregimin “Ora letrare”, e organizuar nga grupi letrar “ Jeronim de Rada” të Fakultetit të Filologjisë dhe në atë orë letrare, veç pse një student kishte lexuar një poezi për Vlorën dhe flamurin kombëtar, gati se i kushton me përjashtim e me heqje lirie për shkollim. Këtë hallakamë të panevojshme e bën njëfarë ideologu, siç e thotë Demaku, i Rinisë Socialiste - vetëqeverisëse të Titos.

Dhimbja e malli, nostalgjia dhe ëndrrat për atdheun e munguar

Temën e ndjeshme dhe me pasoja për shqiptarët, kurbetin, shkrimtari e ka trajtuar në rrëfimin “Mungesa e atdheut”, rrëfim që flet për ndrydhjet e vuajtjet e autorit, i cili, për shkak të dhunës dhe të pasigurisë që pushteti diktatorial e represiv i Serbisë bënte me metodat e mjetet më barbare mbi shqiptarët, detyrohet jashtë dëshirës ta lëshojë Kosovën e të kërkojë fat e jetë nëpër rrugët e Evropës - konkretisht në Gjermani, ku edhe tani vazhdon të bëjë jetën me fëmijët e gruan. Në tregim autorin e mundon mungesa e atdheut dhe, duke u brengosur për Kosovën, ai preket edhe më shumë kur vëren paradoksin që manifestohej rreth atdheut midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Derisa shqiptarët e Kosovës, mungesën e atdheut e shprehnin dhe e ndienin me dhimbje e nostalgji, duke derdhur lot malli dhe duke shfaqur fuqishëm ndjenjën e lartë kombëtare për mungesën e atdheut - shqiptarët e Shqipërisë sikur nuk i shpërfaqin këto shqetësime as për atdheun as për flamurin dhe me të drejtë Demaku thekson: “Kur një gjë e ke të ndaluar, rrjedhimisht atë gjë nuk e ke. Ose e ke veç si një ëndërr apo fiksion”.

Në tërë tregimin dhimbja e malli, nostalgjia dhe ëndrrat për atdheun e munguar mbeten kryefjalë që metaforikisht shpreh kuptimin e sentencës se: “Atdheu mbrohet me zemër”. Pra, në tregim bëhet përshkrimi i së djeshmes dhe i së sotmes dhe për këto çështje mendimet e Demakut  vijnë herë si rrëfim me kohën, me vendlindjen, herë si këshillë, të shumtën si gjykim meditativ.

Për temën e atdheut dhe moskthimin e  shqiptarëve që e kanë lëshuar gjatë luftës, por edhe pas 16 vjetësh të çlirimit të Kosovës dhe lirisë së fituar nuk kthehen në atdhe, bën fjalë tregimi “Dita më e rëndë e jetës”, tregim që përshkohet me përjetime të shumta, me mendime që vijnë nga shpirti i përcëlluar, nga çaste e biseda të çiltra mes babait e djalit, të cilët vërtet shpalosin një botë shpirtërore të ndjeshme përplot me emocione e me të dhëna të sinqerta. Tërë subjekti i rrëfimit është sa rrëqethës aq mbresëlënës. Brenda tregimit gjejmë fraza e mendime që nuk mund të harrohen lehtë për faktin se ato janë domethënëse për dashurinë që njeriu ka për atdheun, për natyrën e tij, për njerëzit e vendlindjes, për vlerat e folklorit të kultivuar në atdhe, i cili, sipas vargjeve të Çajupit, na sjell në mend thënien se: “Njeriu i mirë e merr pas kudo që vete baltën e mëmëdheut”.

Tregime me përmbajtje të rëndësishme që përhapin të vërteta të hidhura, të vërteta që Demaku, falë mjeshtërisë artistike për t’i transponuar ngjarjet e së kaluarës nga rrafshi historik e jetësor në atë artistik dhe estetik, spikasin çastet psikologjike, prekëse të thëna me një poetike të thjeshtë me shprehje proverbiale, me frazeologji dhe me leksik popullor e që tregimeve u japin vlera të qëndrueshme artistike dhe estetike. Kështu, fjala vjen, shprehja: “Dikush thumbit e dikush patkoit” flet për filozofinë e thellë të popullit shqiptar.

Dëshpërimet e pakënaqësitë, skenat e detajet tronditës  - subjekte të tregimeve

Zvetënimi i një feste, Madhështia e një heroi, Kur mësuesi bie për liri - liria është afër, Midis ëndrrave e realitetit, Misrat e mësues Miftarit, Tregimi për vëllezërit dhe livadhin, Komunistë të devotshëm - dje, demokratë të zjarrtë - sot, Familja, Ministër - po, njeri - jo, janë tregime që flasin për imagjinatën e pasur të shkrimtarit. Nga syzhetë e tregimeve të sipërshënuara lexuesi përfytyron nivelin e ulët kulturor, burrëror, human e kombëtar të personazheve karshi interesave personale e në dëm të atyre kolektive, duke shkelur mbi drejtësinë, demokracinë, ndërgjegjen, karakterin dhe ëndrrën e lirisë. Tregimi, në përgjithësi, e vë lexuesin në dijeni me probleme të shumta dhe të pazgjidhura në të gjitha fushat, e posaçërisht në sistemin e kalbur të drejtësisë, në sistemin e rrënuar të arsimit në të gjitha nivelet, në shëndetësinë e sëmurë nga udhëheqja e klasës politike, e cila vendin e ka sjellë para një varfërie të paimagjinueshme. Pra, Demaku, me aftësitë e një krijuesi të talentuar, ka arritur të shpërfaqë gjendjen në të cilën ndodhet Kosova pas 16 vjetësh lirie - një gjendje dëshpëruese, dëshpërimet e pakënaqësitë i paraqesin skenat e detajet tronditës të dhëna në subjektet e tregimeve.

Tregimet vënë në pah korrupsionin, krimin e organizuar, hapjen e universiteteve politike si të ishin shkolla të mesme, nepotizmi që për klasën politike është bërë kriteri kryesor për punësimin e njerëzve në të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike, madje edhe universitare e diplomatike, sepse pa kurrfarë morali e etike vende pune kanë vetëm “vëllezërit, motrat, tezet, hallat, xhaxhatë, dajat, nipat, mbesat, kushërinjtë, miqtë - vetëm këta janë të privilegjuarit e sundimtarëve e sulltanëve në Kosovë”. Kjo gjendje dëshpëruese i detyron të rinjtë dhe popullin e Kosovës të shpërthejë me mllef duke thënë: “Kjo udhëheqje është bërë gërditëse e neveritëse”!

Me keqardhje Dibran Demaku shkruan për fatin dhe tronditjet shpirtërore të të rinjve, të cilët nëpër rrugët e Evropës janë të fyer, të vrarë dhe të mbytur! Këto të vërteta që reflektojnë tregimet t’i sjellin para syve këto radhë që flasin për të rinjtë shqiptarë të Kosovës, që bredhin rrugëve të Evropës dhe “janë ata që enden sot udhëve të botës nga një vend në tjetrin, nga një kontinent në tjetrin për një copë punë, për një copë bukë. Heqin bukën e gojës për t’ia shpënë nënës, për ta ndihmuar babanë që të rritë vëllezërit e motrat e vogla. O Zot! Bëj që Kosova jonë të mëkëmbët sa më shpejt; djemtë e vajzat tona të punojnë këtu dhe prindërit t’i kenë plot sytë me fëmijët e nipërit e tyre”.

Në vend të përmbylljes

Dibran Demaku, me tregimet “Rrëfime jete”, ka trajtuar tema të realitetit objektiv dhe mesazhet e tyre janë patriotike, janë vepruese, janë mobilizuese. Autori me ndjeshmëri, me frymëzim dhe me mjeshtëri shquese ka arritur t’i përjetësojë konceptet e veta mbi të sotmen e të ardhmen e Kosovës. Demaku në tregime demonstron një gjuhë e komunikim që përjashton entuziazmin, patosin, retorikën, por përdor një gjuhë dhe një kuvendim meditues të çiltër, të arsyeshëm, të ndërgjegjshëm dhe për këto cilësi ai në radhë të parë dëshmohet origjinal dhe krijues veprues. Autori flet me gjuhën që ta kuptojnë të gjithë. Shkrimet e Dibranit janë larghedhëse për çështjet e mprehta të problemeve me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe populli i saj.

Konsiderojmë se Dibran Demaku me këto tregime “u jep frymë të re intelektuale dhe kulturore gjeneratave të shumta krijuese, të cilët përmes veprave të tyre t’i përjetësojnë të gjitha rrjedhat dhe ngjarjet, pra, edhe rrugëtimin e kombit dhe të atdheut, i cili rrugëtim asnjëherë i lehtë, siç nuk është edhe sot e kësaj dite”. Gjatë leximit të kujdesshëm të tregimeve, lexuesi do të kuptojë se Demaku si shkrimtar dhembjet e veta i ka ngritur në rang arti dhe, u mor vesh, edhe lexuesit do t’i gjejnë dhimbjet e veta.

Tregimet janë shkruar me gjuhë të qartë, të pasur dhe të pastër. Tregimet i shquan një gjuhë me funksion të veçantë artistike tipizuese, gjuhë paraqitëse, shprehëse dhe emocionale! Të gjitha këto flasin se gjuha e përdorur i shërben funksionit pasqyrues e komunikues me lexuesin. Përmes dialogut dhe monologut të përdorur në tregime autori krijon mundësi që lexuesi më lehtë të zbulojë realitetin shpirtëror dhe emocional të personazheve. Si dashamir i veprave të Dibran Demakut dhe lexues i pasionuar, kam kënaqësinë që nga zemra për këtë vëllim të vërtetë e të rëndësishëm për letërsinë shqipe, t’i uroj shëndet e suksese të reja në nxjerrjen në dritë të veprave ideoartistike në të ardhmen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora