Kulturë
Viron Kona: Bardhoshi
E hene, 07.03.2016, 11:46 AM
Bardhoshi
Shkruan Viron Kona
Shoh këtë fotografi ku kam dalë me mikun tim Bardhosh Gaçe dhe sjellë në kujtesë kohën kur të dy ishim fare të rinj dhe shkruanim te gazeta lokale “Zëri i Vlorës”. Bardhoshi ishte nga korrespondentët më të pëlqyer, vinte nga fshati Lubonjë dhe vijonte gjimnazin në Vlorë, duke udhëtuar herë me makinë dhe herë në këmbë, i shoqëruar vazhdimisht nga ëndrra dhe pasione të moshës, por që përvijonin që atëherë fillimin e formimit të një personaliteti. Unë aso kohe punoja në Uzinën Mekanike “Kastriot Muço” të Vlorës me profesion “modelist”. Ishim të dy me pasione, përpiqeshim t`u jepnim krahë ëndrrave dhe përfytyrimeve tona për të ardhmen veçanërisht në fushën e letërsisë. Ndiheshim të vlerësuar kur arrinim të botonim artikuj në gazetë, kur shihnim emrat tanë në fund të shkrimeve, teksa ndiheshim edhe krenarë pasi mendonim se, edhe ne, po arrinim t`u jepnim të tjerëve diçka nga vetja. Atëherë, unë, priresha nga bindja se, gjithçka me vlerë, ndodhej në Vlorë, në Shqipëri, prandaj dhe përkushtohesha në shkrimet e mia. Kurse Bardhoshi sillte edhe freskinë e fshatit, të krahinës, të Vlorës si qytet dhe rreth. Ishin plot jetë e gjallëri artikujt e Bardhoshit, prandaj dhe kryeredaktori, i miri dhe i dituri Zoi Toska, e, më pas Dasho Matodashaj, u ndriste aq shumë fytyra kur shihnin të dukej në derën e redaksisë Bardhosh Gace, Bardhoshi i mirë, i urtë, i thjeshtë, shumë i dashur dhe i komunikueshëm, i edukuar që t`i donte shokët dhe respektonte e nderonte të rriturit...
Të dy u bëmë shokë të ngushtë, na bëri të tillë dashuria për gazetën, për shkrimet dhe letërsinë. Sa herë takoheshim biseda mes nesh rridhte e vrullshme, e bukur dhe e ngrohtë, diskutonim me pasion për këtë apo atë artikull, shfaqnim opinionet tona për libra artistikë që lexonim, bënim projekte për shkrime të tjera, për vjersha, tregime...libra. Unë e kisha më të vështirë të shkoja në fshatin e tij në Lubonjë, sepse gjatë gjithë ditës punoja në uzinë, por e kisha mundësinë ta kompensoja këtë duke e ftuar Bardhoshin në shtëpi. Mbaj mend, kur Bardhoshi erdhi për herë të parë në shtëpinë time. Takoi me respekt prindërit e mi të moshuar në shtëpinë përdhese në lagjen “Kume”(“I Maj”) të Vlorës, u shtrua në muhabet me babanë tim të moshuar e të urtë, biseduan gjatë atë natë si dy miq, ndërsa unë flisja më pak dhe më shumë ndiqja bisedën. Ndihesha mirë për shokun tim që dinte t`u përgjigjej pyetjeve, por edhe të bashkëbisedonte mençurish-t me tim atë, i cili atëherë ishte i njohur në profesionin e tij rrobaqepës, por, po aq i njohur, i respektuar dhe i dashur me njerëzit e lagjes dhe të qytetit...Edhe nëna ime e urtë, teksa përgatiste qerasjet dhe darkën, mbante vesh herë-herë nga kuzhina bisedën e Bardhoshit me babanë dhe më shihte me sytë e saj të butë dhe të ngrohtë si të më thoshte: “Je rritur tani bir, je bërë me shokë të mirë...”. Babai ishte më i përmbajtur në përcaktimet, por bisedat që bënte me Bardhoshin i kujtonte, kurse një ditë, mbaj mend që më tha: ”Bardhoshin e ke shok të mirë, ashtu siç na i ke përshkruar, ai është djalë i edukuar dhe i ditur. Me siguri ka për të ecur në jetë. Edhe shokët e tjerë si Bardhoshi t`i kesh”.
Në rini, Bardhoshin e
dëgjonin ashtu si dhe sot me respekt e vëmendje, ia pëlqenin idetë, fjalët dhe
mendimet, ndërkohë që, në sytë e dëgjuesve qysh atëherë shfaqej dukshëm dhe
plotësohej portreti i të ardhmes së tij. Si edhe sot, edhe atëherë ai fliste me
dashuri e pasion për gjuhën shqipe dhe letërsinë, për fjalë të rralla të
popullit, për projekte librash, për letërsinë e vjetër shqipe dhe të rilindjes,
për pavarësinë dhe figurat e mëdha të Vlorës e Shqipërisë... Kur mbaroi
universitetin për Gjuhë dhe letërsi shqipe, e caktuan të punoj mësues në Veri
të vendit, në Kukës e Tropojë. Atëherë, këto emërime ishin të zakonshme. Por në
këto zona të thella ku ai punoi me përkushtim si mësues, mësoi shumë për jetën
e vërtetë; atje nuk ishte falciteti dhe jeta e zbukuruar që paraqisnin gazetat,
librat dhe propaganda e kohës, por ishte jeta
e ashpër, e shoqëruar me mundimet
për mbijetesë. Nga ana tjetër, Kukësi dhe Tropoja, si dhe treva të tjera të
Veriut të Shqipërisë, janë vendlindja e legjendave dhe baladave të rralla
shqiptare dhe ballkanike, ku folklori popullor zhvillohet dhe harliset
duke paraqitur prej mijëra vitesh të
Bukurën e Dheut, Zanat e Shtojzovallet, që duken sikur shfaqen në dritën e
hënës, teksa lodrojnë e vallëzojnë në
malet dhe luginat veriore, në pllajat, pyjet dhe lëndinat me pisha, bredha e
lisa, te burimet rrjedhë kaltër, atje ku lulet shumëngjyrëshe shfaqen me bukuri
të mahnitshme, e ku lahuta dhe çiftelia jehojnë dhe përhapin histori, balada
dhe legjenda, që për nga bukuria konkurrojnë deri dhe begatinë e “sofrës” homerike. E gjithë ajo
kulturë, kryesisht gojore apo që shfaqej në këngë e vargje, la gjurmë të thella
te Bardhosh Gace, i cili dinte ta harmonizonte atë me Bukurinë tjetër
shqiptare, me gurrën e vyer të Shqipërisë së Jugut dhe të Mesme, sikurse, nga
leximet dhe bisedat, kultura e tij shkonte e bashkohej bukurisht edhe me
kulturën e Kosovës e trevat shqiptare të okupuara...Të gjitha këto, formonin
mozaikun e madh e të shkëlqyer shpirtëror, krijues, kulturor e historik
Shqiptar...
Do të ishte demokracia që do t`i jepte më shumë krahë dhe ritëm ëndrrave të Bardhosh Gaçes, këtij djaloshi të dashuruar me dijen, kulturën dhe folklorin, e ku me pasionin, vullnetin dhe këmbënguljen e tij ai vrulloi si përrenjtë e pranverës me artikuj, studime dhe libra të çmuar... Ky përkushtim bëri që, krahas të tjerave, Bardhoshi të fitoj respektin e popullit të Vlorës. Edhe në krahinat më të thella të rrethit, emri i tij është i njohur dhe i respektuar, ndërkohë që janë të shumë njerëzit, jo vetëm në kuvende, por edhe në biseda të lira i referohen Bardhoshit, citojnë dhe përmendin thënie dhe argumente të tij. Thuajse të gjithë e dinë se, kur Bardhoshi shkruan, ai u referohen fakteve dhe dokumenteve të vërteta, të gjetura e zbuluara në arkiva, të qëmtuara me seriozitet e kujdes të veçantë. Ndjejnë respekt për Bardhoshin edhe shumë personalitete të rëndësishëm të shkrimtarisë, historisë dhe të gjuhësisë, pedagogë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, anëtarë të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, studiues e specialistë të Instituti të Historisë, Gjuhësisë e Letërsisë, të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës. Respekti për veprat dhe arritjet e tij, bënë që Bardhoshi të zgjidhet një kohë deri kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare për Letërsinë për Fëmijë, e ku edhe aty ai shpalosi talent e përkushtim.
Nëpërmjet këtij artikulli përshëndes shkrimtarin,veteranin e arsimit dhe mikun tim të vjetër Remzi Gjika për refleksionin dhe artikullin përgjithësues dhe me vlera për Bardhosh Gaçen, vlerësimin që i bënë ai përmbledhjes “Bardhosh Gaçe, etnologu, studiuesi dhe pedagogu” të përgatitur me dashuri nga prof. Ilinden Spasse, prof. Faik Shkodra dhe Dr. Xhevat Syla, ndërkohë që më mbeten në mendje fjalët e shkrimtarit të talentuar shqiptar Faruk Myrtaj, i cili, në vijim të shkrimit të Remzi Gjikës botuar te “Fjala e lirë”, mes të tjerash përcjellë mesazhin: “Titujt që përmend Remzi Gjika, janë vendosur të tërë në etazherin e përgjithshëm të hulumtimeve e përfundimeve historike shkencore. Nuk mund të mos u referohesh atyre dhe jo vetëm atyre, kur të bije hera të argumentosh në lidhje me to.”
Falënderoj Bardhoshin edhe për shënimin që vë në librin që më ka bërë dhuratë e ku shkruan: ”Mikut tim të vjetër, Viron Kona, me respekt e mirënjohje të thellë. Bardhosh Gace. Tiranë, 27. 12. 2015.”
Bardhoshi ka një seri librash, vepra të vërteta të shkruara me kompetencë studimore dhe shkencore. Ai është sot ndër pedagogët e shquar të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, një personalitet i nderuar me tituj nderi dhe grada shkencore të merituara.
E ndjek me vëmendje dhe respekt Bardhoshin, ecjen dhe rritjen e tij dhe, gjithnjë, nuk di pse nuk e shkëpusë dot nga përfytyrimi djaloshin ëndërrimtar, që vinte me vrull e pasion të zjarrtë nga Lubonja në Vlorë, djaloshin që ishte nga emrat më të lexuar të gazetës lokale “Zëri i Vlorës” dhe që me artikujt e tij të freskët dhe realistë, bënte “xheloz” edhe gazetarë të sprovuar të kohës. Ndërkohë që bashkë me këto përfytyrime më shoqëron shikimi i ngrohtë i babait dhe i nënës sime kur më thoshte “Je rritur tani bir, je bërë me shokë të mirë...”.
Faleminderit Bardhosh Gaçe!