Kulturë
Qazim Shehu: Nuk jam Leka i Madh
E enjte, 03.03.2016, 07:42 PM
QAZIM SHEHU
NUK JAM LEKA I MADH…
Nuk jam Leka i Madh ,nuk të pushtova
Në trojet e shpirtit tënd brodha,
Më duket nja tremijë vjet
Mollën e Adamit s`e hëngra krejt.
Nuk jam Leka i Madh,erdha u ktheva
Nga me(j)-katet e mishit gjithë mërzi,
Me to u ngopa, në tehe sërish u nisa,
Si Leka s`desha të vdes i ri…
VAU
Gjurmët e një lundre putrojnë,
Pasqyrat që rrihen nga rreze,
Si shkopinj që lodrojnë
Mbi daulle pellgjesh të ndezur.
Herë vërshoi lumi, herë u mpi,
Kur lundra u mbyt me një njeri
Që shkonte të lidhte një dashuri.
Tani ujë i pakët jep shpirt,
Pakësuar prej dhimbjes,
I lumtur se rrugën
Ia hapi gjindjes…
KUR PRET NËNA…
Mund ta ndezësh natën me prushin e shpirtit
Po yjet s`të lënë,
Me një dritë si kandil i dimrit,
Tek fryn një erë e rëndë.
Me ca fjalë mund ta ndezësh natën
Gjethet s`të lënë,
Në rënkimin e tyre të ngathët
Fëshfërit malli pa lëndë.
Dhe më tutje çka nata
Ti marrësh me radhë,
Një sofër që nuk shtrohet pa ardhur
E ndez natën e bardhë…
Ca fjalë për të dashurën e zemrës
Të dashurën më të dashur
E kush mund të jetë ,veçse nëna,
Ia heqin çdo trill natës dhe
Aty fillon vërtet ndezja
Aty fillon kënga… kënga…
POEZIA
Një krah i thyer zogu i dhimbset poetit
Dikujt nuk i dhimbsen njerëzit.
Zemra e plagosur përpëlitet
Dhe e plagosur më mirë vritet.
Kudo mbretëron qetësia
Mbajtur në këmbë nga poezia.
Lidhur si fashë në krahun e zogut,
Hapur si derë për njeriun e lodhur,
Ajo e bukura, e përjetshmja
E sotmja dhe e nesërmja…
PISHTARI
Pishtari që u ndez për ty
nuk është pishtar kështjellash,
po dritë për të parë çelsin që hap një dry,
në një zemër që humb këndelljesh.
Lutemi të ndizet sa herë kjo dritë
Çelsi mos humbë,
Pishtarit t`i japë fuqi,
Zemra pa u bërë shkrumb…
SHKËMBI
Currat vesh i shkëmbit në stuhi
Si një kalë i bardhë që ndjen rrezikun,
Dorë e rrufesë e përdredh shpesh me mëri,
Atij krenaria s`i ikën.
Matet gjithnjë me to,
Me një çallmë mjegulle kokën ftoh,
Dhe vetëtima kur do,
Me shenja të largta e josh…
Vetëm në krenari mos ndjehet bosh..
RREMTARË…
Rremtar në det të jetës…, na u duk
Se ikëm larg.
I humbëm brigjet pa kuptuar
Po në këto brigje erdhëm prapë.
Ah, brigje të fashitura në kujtesë
Që na tërhiqni me magnet,
Kur rremat u këputën ,krahët tanë
I rremuam gjer i këputëm krejt…
PENELOPA…
Penelopa që ditën ishte vetë
Natën shndrrohej në tjetër,
Brenda dridhjes së shpirtit femër.
Ishte apo nuk ishte a ia dhanë
Pamjen e gruas besnike,
Të gjitha gratë që dashuri kanë
E shohin si armike..