E marte, 10.09.2024, 04:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Dhimitri Pojanaku: Xhixhushka ose Anh

E diele, 28.02.2016, 10:57 AM


DHIMITRI POJANAKU

Xhixhushka ose Anh

(Nga ciklet “Dredhitë e pasionit”)

Xhuxhushka jetonte në katet e mesëm të gradaçielave të qelqta.Në krahësim me moshën e njomtë, kjo ish një arritje e padëgjuar  për krejt fisin,sidomos për t`ëmën,adhuruese që në vogëli e letërsisë ruse,por që tërë jeta po i shkonte në katet përdhes.Po si lulëzuan kaq shpejt talentet dhe fama e Xhixhushkës,nga dhe si  buruan ato?!

Xhixhushka,në fakt, nuk nga vinte nga ndonjë fis me tradita të shquara në art.Po ta ngasim hollë-hollë,kish marrë pak nga gjyshërit e  të ëmës.Gjyshi krijonte poçe.Kur dha shpirt,edhe pse zemra i kish ndaluar,njërën dorë e  rrotullonte në ajër,thua po i jepte rrumbullaksitë  e fundit, poçes së fundit.Dora nuk i ulej me qamet.Një prift nga dhioqeza afër  erdhi me të katra,seç i nomatisi dhe  dora u bind,u ul.Më pas prifti pat treguar se nuk i tha asnjë gjysëm fjale të ndjerit,se katragjyshi i tij kish qënë poçar me talent të madh, se edhe atij ashtu i pat ngjarë.Dora,pas pushimit të zemrës, i vërtitej e vërtitej  sikur kish para një strumbullar me argjilë  dhe i jepte formë.Gjyshja,po nga e ëma, qëlloi qëndistare e madhe,ç`ka zografiste mbi gjergjef,përnjëherë i merrte krahë.Nuk i  hoqi asnjëherë cincillaqet nga duart(grepin).Aq e pati shtërnguar njërin  syresh kur zemra i  ndali,sa gishtat e mbërthyen si në morsë,s`kish burrë mbi dhe ti`a rrëmbente grepin,ishte dhe i mbeti si gishti i saj i gjashtë.Kështu edhe, u varros.

Vërtet këto zanate nuk kishin aq qibërtarë sa talentet  e Xhixhushkës,por familjen  nga e ëma,e mbajtën në bollëk,nuk ju dhembi koka asnjëherë.

Ndoshta për të atin Xhixhushka nuk dontë të dëgjonte por edhe bëmat e tij mund të kenë ndikuar tek talentet e pashoqe të së bijës.I ati, e braktisi familjen që kur Xhixhushka ishte dy vjet.I pëlqente peshkimi mbi lumë.Aty afër kish ngritur  çadrat edhe një kamp gabel.Një gabelkë,peri prej perie, pak e mitur dhe pakëz  e rritur,pa e pyetur, i vinte krimbat në grep që i mblidhte me zell  nëpër pllaça buzë lumit,në gjysëm lluca.I shkonte krimbat në grep  sa të mbuloheshin nga barku i krimbit cip më cip.I këndonte romanca filispanjës,kallamit.Dhe,kur grepi binte në lumë,plaste  hataja.Peshqit,turreshin,zireshin,luftonin edhe mbi ajër për grepin.Dhjetra fotografë nga eksporel kanal,xhiruan  skenat e fluturimet të peshqeve dhe grindjet për të zënë grepin në ajër.Disa televizione    të civilizuara, me ato pamje hapnin edhe emisionet qëndrore të lajmeve. Si mos marrosej i ati dhe mos binte në dashuri?Pas një muaj dalldie,nuk u kthye më.Gjysëm dite peshkonin ,gjysmën tjetër thurrnin shporta.Ai u bë endës i shkëlqyer aq sa ja kaloi për nga përdredhja e thuprës edhe kryetares së fisit.E pra,edhe Xhixhushka kur thurrte vargje,i këndonte dora e mendja.Ai s`kish këtu ngjashmëri edhe nga i ati?!Kot se takonte.Ai e kërkonte nëpër tërë sheshet e famës së sajpor ajo kish lajmëruar rojat dhe gjithnjë e gëlltiste mallin.E ëma.ja kish ndaluar rreptësisht takimin me të atin.Po për vete ama…jo,s`më pëlqejnë llafkat lart e poshtë,por dëgjojmë aty-këtu se ajo, i shkon ende  buzë zabelit ku ndeh çadrën mandje ,e ndjek edhe kur ndërrojnë lumenj.Edhe ai i shkon tek pallatatet e qelqta. E shihni  atë shportën në sallon ku fijet e shelgjishtave ende fëshërijnë këngët e zabelit? Ja fali ai, ajo e ruan nga syri i keq,atje mban fletoret me poezi që i pat nisur që kur ishte  vetëm tre vjeç.Bah, çfarë shkrimi ka ,rruazë!Ta çlodh syrin me një të parë!

Vetëm në intimitet e joshura  prej  saj, poetesha të lejonte ta thërrisje “Xhixhushka”, emrin e fëmijërisë. I`a kishte vëne e ëma me ca kombinime të shkrimtarëve rusë,të preferuarit e saj. Edhe  këtu, nëse e kaloje cakun,e thërrisje mbi tri herë, ajo me disiplinë ushtarake largonte nga darka ose shtrati edhe yllin me hollivudian të momentit.Thonë se këtë disiplinë e trashëgonte nga katragjyshi,gjenaral me grada në ushtërinë e perandorisë osmane.Xhixhushka  njihej brenda dhe jashtë vendit si Anh,pseudonim letrar.Poetja tregonte se kish dy arsye qe kish zgjedhur këtë pseudonum,Anh,si Ana Ahmatovna, dhe Anh,si ankth, se fama e saj ishte magjepsëse deri në ankthe mbytëse.Në  pallatet e qelqta Anh, shqyhej për muzë në rimat foljore.I qante me lot! Nëse vargu mbaronte p.sh “laj”,tek lexuesi kthehej vetiu në lartoj,oj,oj,oj,si një ngjitje drejt paradisit..Kjo i kish dhënë famë, ajo ftohej në çdo juri  prestigjioze, aq sa së fundmi ,do  merrte pjesë në konkursin botëror se kush përllogariste më  saktë  përqindjen e dritës tek të verbërit.Dhjetra agjentë studionin deri në detaj ftesat  për të eliminuar çdo aktivitet dyshues për art të vërtetë, ku mund të rrezikohej ,qoftë edhe një grimë,fama e Anh.Vjet në panaret e  librave ajo s`kish botim të ri,por sapo hyri,turma u hap gati një kilometër,dhe ajo e përshkroi rrugën plot pompozitet,si ecja e mbretëreshës drejt fronit në çastin e kurorëzimit.Të pranishmit në panaire,në disa vende të botës, luteshin t`i prekin duart,por nuk mundeshin,mjaftoheshin me shumë vështirësi, prej truprojave,t`i  puthnin  të paktën kindat e fustanit,  si besimtarët e përunjur,fundet e rasove priftinjëve në ritet më të  përhapura fetare.Teksa krijonte  tatuazhin me  gërmat Anh përsëgjati qafës kaproll, piktorit të ri i dridheshimn duart.Qafa i dukej si një membranë që ai mund edhe ta griste,njësoj sikur të shpoje me gjilpërë një sumbull vese.U mblodh galiç,u nemit para saj.Xhixhushka e  shihte si shqiponja në fluturim territorin e vet.Tundu, e zgjoi me një zë grykor,që mend çuditi edhe truprojat.Ish një zë aq në kontrast me trupin e saj të brishtë, thua sikur një balerinë me petkun e mjelmës,po ngjitste apo zbriste nëpër ashensorët nëntokësorë të një miniere.Lëviz,ç`pret,përsëriste,ah mor i mjerë,ti nuk vrake dot një rabeckë …apo të janë mërdhirë e mbledhur si rrushka   rrumbullaçkat…Sikur të kalonte Bajroni asaj rruge,pa përë skenën e tatuazhit,do e merrte si thirrje për luftë, dhe  do i shtonte një strofë të veçantë grave suljote,frymëzuar nga Xhaxhushka.Por ajo nuk  donte ti`a dinte për këtë.Eh, Bajroni,kohë e perënduar…Deri tani, poetucë si pazh nën urdhërat e Xhixhushkës ,por edhe disa kandidatë nobeli,i kishin përkushtuar jo vetëm vjersha por poema të gjata,pafund të gjata.Anh,  vjet  nuk ishte e pranishme në panairet e librave,mungesë e cila u reklamua gjatë e me dhimbje nga mediat. Ish tepër e zënë me xhirimet  në Dubai të vidioklipit të quajtur “lere mos e zer”,ku veç zërit meliodioz, ajo kish krijuar tekstin,muzikën madje  edhe aranzhimin.Iku me avion special,balerinët i nisi me aviona të linjës.I dashuri  ja shtiu në vesh idenë se kish zë.Pasi talenti tek shkruesit pa talent të dukshëm,nuk ndikonte mbi talentet e tjera,poetët ishin të lirë të zgjidhnin çfarë u pëlqente. Po ti ,vetëm buzët kur hap,duket që ke një zë të mrekullueshëm i pat shigjetuar ai.Ua,ua ç`u bëkë zanoreve, i marroske,dridhëroke,!Pa le kur zëri të bie viktimë e tekave,të del nje fibrato,pa një fallcet që të zhurit brengat e shpirtit.Je një Edith Piaf,.kish vulosur ai!Je!

Dhjetra gjyzare bilbilesha po fluturonin si  për të zënë ndopakëz  vend tek klipi,edhe për t`u treguar shoqeve në kthim,për zërin e saj,fibratot që përkulin si kallamat në shi edhe kritikun më të rreptë muzikor.Nuk dihej nëse gjeraqinat do e kryenin misionin e tyre,pasi klima e Dubait për `to,në atë periudhë të vitit mund  të ish vdekjeprurëse.Por  u qenë betuar shoqeve,patën marrë ,si heroinat ,rrezikun ndër sy.

Xhixhushka qëlloi edhe pastërtore,një nikoqire  e shkëlqyer. Të linjtat, nuk i`a besonte asnjëherë makinerive. Një natë me hënë,kur rojat dremisnin mbështetur tek gardhi i kopshtit të të linjtave,(natën rojat katërfishoheshin se Anh nuk donte t`i hiqte të linjtat natën,edhe nëse ishin tharë,se donte t`u qepeshin si azhur rrezet e hënës.E,thoni tani, a nuk është një poete e lindur?)Pra,një natë,një idhtar i Anh ,hyri në kopshtin e të linjtave.Ai rrëmbeu një palë sutjena rozë,jo se ato kërkoi,ai ish njeri i ndershëm,por i kish pëlqyer ngjyra rozë që fëmijëri dhe veç ai  artikull,me atë ngjyrë, londronte mbi tel.Ai e ndiqte idhullin e vet tek parakalonte në tapetin e filmit në Venecia,e ndoqi edhe në Kanë,por nuk i tregoi!Ai donte t`i puthte këmbët,të paktën atë gishtin e pabindur që sikur kish dalë enkas për të nga sandalet,sepse  e ndillte kenaja rozë mbi thua ,por rojet e shmangën,duke evituar një skandal tejet të bujshëm.

Në mbrëmjet e vonta,përsëritej i njëti ritual.

Guvernantja më e moshuar i përshpëriste,mjaft u dërrmove,mbete çdo natë në pesë stacione televizive,promocione. Të dërrmuan shpirkë,kjo famë  po të bren si molja, mjaft ,eja ,shkojmë në fshatin tim buzë detit,eja, çlodhu,shkel edhe nganjëherë  në tokë,sikur merr fuqi,xhankë Xhixhushkë,(ajo nuk mësohoj dot me emrin Anh).Pastaj, edhe zogjve që fluturojnë ,Zoti u bëri edhe këmbka,ja të vockëla e të imta si të tuat,ju bëri këmbka, që herë pas here të ulen në Tokë.Po duhet edhe Toka moj bijë,sikur të jep avdes,nuk rrohet vetem në qiell,jo… mos shko  tek benalja e Milanos,e di që piktura jote do fitojë,por , mos,je kaq e lodhur…dhe Anh, ja kthente  si nëpër gjumë,Po,po,mendon se paparacët do më lenë të qetë edhe atje,jo,do më rrethojne si uji një ishull tropikal.Truproja u thua këtyre që më kanë zgjedhur, ata gënjehen edhe me një shamiçkë ,pa le që po u afrua ndonjë spiunkë spitullaqe nga pallatet tona,bjenë shakull përdhe dhe kallzojnë çdo detaj.Të kujtohet?Edhe tek Buda më gjetën!Edhe tek mbretëresha e Anglisë ku më premtuam se do ruhej fshehtësia e takimit.Ç`i thua kësaj,kujt t`i zesh besë? Po më qorrojnë paparacët! Po sikur të shkoj ca ditë në zabel tek im atë?Po sikur…,

Edhe talentin për pikturë i`a kish pikasur i dashuri,ai i “Edith Piaf-it”.Mbi një xham të avullt,një mbrëmje të vontë,Xhixh, seç shkarraviti me gisht.Mos e loj, kish thënë ai dhe rrëmbeu  aparatin.Një Pikaso i gjallë je!Dhe ajo,pak orë më vonë,bleu një dyzinë me bojëra,kavaleta, telajo.U mbyll në pallat me ditë e net.Fotoreporterët,vareshin pallatit,u kthyen në bimë kacavjerrëse për të rrëmbyer ndonjë copkë pesazh për faqet e para të gazetave që afronin shuma marramëndëse.Pikturat e Anh,u përcollën drejt ekspozitave nëpër kamionë të blinduar,shoqëruar nga kordona të hekurt  policie.Agjenturat e huaja më në zë, u gozhduan çdo njëzet e katër  orë në përgjim.

Pasioni për të shkruar tek poetët pa talent të dukshëm ose i padukshmi i përndritur,siç do e pagëzojmë tani ,që   kish ndjekur  nga afër skenat,me shpretkën plot gaz, doli në ballkon , këndonte nën zë,por akustika e natës shpërndante këto vargje:

Rro ti rro,rro,

Ti, Elyar,

Ti, Edith Piaf,

Ti, Pikaso,ti Rembrandt,

Rro ,

dhe  oooooooooooooooo-ja përhapej ndër lëndina,merrte majat e pemëve, kapërxente horizontet….

Teksa kthehej për në dhomë,i padukshmi i përndritur dëgjoi kuvendimin e guvernates që e tërhoqi dhe u pozicionua  pa u dukur.Jo,Xhinxhushkën ,do e shpëtoj,nuk e lë më,morri fund!Si, më thua si? E kam menduar gjërë e gjatë.Dhjetra krerë partie e shtetesh më kanë kontaktuar të bind Xhixhushkën time  të kandidojë për senat,kongres a parlament.Qindra zarfe joshje i kam aty,nën dyshek,mandje edhe nga idhtarë partish.Do e bind të shpëtojë njëherë e mirë nga kjo e flamosur famë,mos e thashë dy herë  figurën e flamosur,se gurvernatja nuk donte përsëritje fjalësh të goditura dhe me sytë në tavan,po mendohej si ta zvëndësonte..Po ja moj,e sheh,s`të vjen as ty gjynah,shih  si po ventitet kjo bukuri prej famës? Ja sheh një ngjyre gri lodhje nën sy,po shqyqyr zoti i ka vizatuar  ca qerpikë të mëdhenj,që edhe kur fle edhe edhe kur s`fle, i arrijnë deri tek majat e mollëzave e më tejposhtë dhe, nuk i duken  rradhët cmirëzinj tek gropkat e syve të shkruar.

Më duket ,shpotiti guvernantja e re se nuk i ka të vetat qerpikët.Kafsho gjuhën,ajo është yllonjë e lindur,pasaj ti, a nuk e di  që u përzgjodhe mes 200 kandidateve,përse të zgjodhen thua,për sytë e bukur që s`ti kanë parë askush? Unë u betova se jo vetëm ishe  pus për llafe,por edhe se jetoje si pusi kur kovës ja kanë prerë litarin,se litari dhe kova janë gjuha e pusit, e ke dëgjuar?!

I padukshmi i përndritur u drodh,Si? Mund t`i rrëshqiste Xhixhushka nga duart? Rrrezja e tij e dritës mbi xhamat e qelta?Kish erdhur fundi i gjenive ose do vinte nëse..nëse , ndodhte kjo!Si mund t`i mbronte gjenitë,si t`u jepte jetë po të linte pallatet e qelqta Xhixhushka?Vërtet ajo ish një gur i vogël në kurorën e gjenive,por edhe një gur po ra,kurora gërvisht syrin e adhuruesve. Solli ndërmend se një natë dëshpërimi Xhixhushka i pat thënë,mos po më gënjen Paso?(Kështu e thërriste pasionin me përkëdheli.)Nuk do jem asnjëhere mes poetëve,ajo,ajo  lulekuqja që feks mbi fushat me grurë,asnjëhere nuk do jem ajo,ajo luledielli,e vetmja,ngjyrë floriri dhe  me faqen sa të henës?Mos më mashtro Paso!Është mëkat ta tjerësh talentin atje ku nuk ekziston!Mëkat Paso!Mos punon për gjenitë?

I padukshmi i përndritur ,doli përsëri në ballkon,i brengosur.Për herë të parë po e shihte gurvernanten e Xhixhushkës si armike të betuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora