E enjte, 03.10.2024, 04:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Debat me një koleg

E enjte, 25.02.2016, 08:30 PM


Vangjush Saro

Debat me një koleg

(Fragment nga romani humoristik “Kurora e Ballkanit”)

I çmuari Qako!

Falemnderit për vlerësimin ekselent që iu kishe bërë vjershave të mia në atë bisedë me të huaj. Ato vjersha janë vërtet të veçanta. Ndonjëra meriton të vihet si citat në librin tjetër me tregime që ti, me siguri, je duke e përgatitur... E nejse. Je me të vërtetë një kritik i sojmë. Ne meritojmë më shumë, vëlla. Por me kë të flasësh! Ti nuk e di ç’ka ndodhur sot. Ishte tek unë për vizitë Leksi, ai që e mban veten kështu... shkrimtar elite! Me gjithë të shoqen, Adelinën. E nejse. Pimë nga një gotë. Disa gota. Folëm për hallet e Shqipërisë. Si do të bëhet?, thamë. Zhurmë e madhe. Politikë shumë. Zgjedhjet duhen zhvilluar sipas standardeve.

E nejse. Erdhi biseda te letërsia. Erdhi. Domethënë e solla unë. Fola për tregimin tënd të fundit. I thashë Leksit se ai duhet përfshirë me doemos në antologjinë që po përgatit Instituti i Kulturës Letrare në Tiranë. Madje duhet nisur me urgjencë edhe në Akademinë e Vlerave Ballkanike. Ti e di që ai ka disa miq… Këtu plasi sherri. Nuk duhet të nxitohemi, më tha Leksi. Të gjithë ne jemi duke u nxituar. Në këtë fushë, ka plasur një zell komik. Kur shkruajmë, mbase duhet të kujtojmë një shprehje të Dostojevskit, që thotë diku: “Për hiç gjë do t’i zgjoj njerëzit...” Dhe pastaj, zu të bënte analiza miku. Na tha se vetëm në vitin 2012 ishin organizuar 69 festivale të poezisë dhe ishin ndarë 177 çmime letrare dhe prapë vetëm në një numër të revistës më të fundit letrare gjallonin plot 181 shkrimtarë e poetë... Marshallah (!) duhej thënë, edhe pse kjo nuk është një fjalë shqip. Por Leksi mblodhi turinjtë. I dashur, më tha vrenjtur, nuk krijohen vlerat ashtu, fët e fët...

Ndjeva sakaq një si ngjethësirë. Fët e fët! Me kë fliste ai? Sikur s’e dimë ne si i ka botuar librat në atë kohë… Brofa sakaq.

-Dëgjo këtu ti, Leksi, - i thashë goja plot - Mua s’ka ç’më duhen shifrat dhe zelli komik për të cilin flet zotrote. Unë po të them qartazi: Tregimi i Qako Proçkës duhet përfshirë në atë antologji se s’bën. Është një tregim madhështor.

-Po ç’thua, o Qato! Pastaj, ç’m’u qepe mua, sikur është në dorën time.

-Madhështor..., - ngula këmbë.

Dhe dridhesha i tëri. Gruaja, Dezdemona, më bënte shenja të qetësohesha. Po unë kisha marrë zjarr. Ti të më shash mua tregimin e Qakos, iu shkreha. Ti të më thuash mua nuk është për antologji? Zu sikur të më qetësonte. Merre shtruar, vëlla. Pothuaj m’u lut. Mandej me të gërricur sërish. Kur dikush bërtet më fort, kjo nuk do të thotë se ai ka të drejtë pa një pa dy. Por sapo e ndjeu se prapë do t’i hidhesha në grykë, filloi ta rrumbullakoste bisedën. Pra, ai nuk kishte thënë që tregimi s’është për antologji, por ja, le të përzgjedhin ekspertët. Ne shkrimtarët kemi për detyrë të shkruajmë. Fundja, jo çdo ngjarje apo episod vetiak mund të bëhet tregim… E ke parasysh atë thënien e Kamysë: “Ngaqë s’kam ndonjë gjë të madhe për të thënë, prandaj hesht.” Janë fjalët e një personazhi të tij...

Hm. Flet me citate miku! Po mirë, kush na qenka ai që u dashka të heshtë? Unë? Ti? Hë se u kujtova. Përkundrazi, është koha për të thirrur me të madhe, i thashë. Ti e di që z. Proçka është parë me sy të keq në rendin e mëparshëm. Gruas së tij i kanë marrë pronat. Familjes. Edhe unë pa le ç’kam hequr për të botuar ndonjë vjershë tek-tuk... Por ai e përcolli këtë episod ftohtë fare. Zu të fliste në erë. Sipas tij, e shkuara ka përherë vendin e vet në të tashmen. Duhet t’ia bëjmë asaj skanerin, por me kusht që të mos fshihemi dhe të mos fshehim asgjë. Sepse një takëmi, vazhdonte të zbrazej zotëria, çfarë nuk u gjen prapa këtij togfjalëshit “në rendin e mëparshëm”: mungesën e talentit, vanitetin, spiunllëqet... Epo, këtu s’mbajta më. Menç iu hodha në grykë. Ç’e do! Doli përpara e shoqja, Adelina.

-Prit, o zoti Qato, - më tha ajo pothuaj me lot në sy - Një mendim dha Leksi i shkretë.

-Po dha mendim të gabuar ama… Ja kështu.

Thashë se e disiplinova një çikë bisedën, por jo. Letërsia, tha miku, pa hequr dorë nga ato të vetat, është një gjë e bukur, është ngasje. I tërheq të gjithë. Disa mendojnë se është e lehtë të shkruash. Ngjarja më e parë që iu bie në dorë, ia vënë emrin tregim. Për kë e kishte fjalën ky i paudhë? Për ty? Për prozën tënde të shkëlqyer? Ja edhe vjershat e tua të fundit, më tha. Ou! Atje ka disa probleme… si ta shpjegoj, për shembull, një pjesë e vargjeve nuk prodhojnë stilistikë. Një fjalë është të rendësh pas kurorave. “Skrupujt kushtojnë shtrenjtë...”, thotë Graham Grin. E? Gri... Grin... Ça ishte kjo? Epo, këtu u sos durimi. Rrëmbeva diçka atje, as vetë s’e di çfarë, një gjë si shkop a si bastun, edhe më t’iu hodha… Ç’e do! Na ndau ime shoqe, Dezdemona. Zemërpulë.

-Dale, o burrë, - më foli - një mendim ishte.

-Po ishte mendim i gabuar ama, - thashë unë, gjithnjë i gatshëm për t’ia zbutur atij kurrizin e për t’ia dhënë përgjigjen citat më citat...

E nejse. Ashtu, ecengec shkoi e tërë mbrëmja. Por unë e plasa bombën. Kurora, thashë, të rrijë në kokën e duhur... E qepi. Ç’të bëja që e kisha mik në shtëpi. Por ai s’guxon të të shajë ty; s’guxon, se për kokë të vajzave… Ama se si do të bëhet me ato antologjitë, një Zot e di. Ore, nuk kanë edhe faj, jemi bërë shumë...

E nejse. Tani, Qako, rri me shëndet dhe na bëj të fala andej! Dhe kokën lart! Të përqafoj.

.....................

Shënim: Të interesuarit mund të gjejnë hollësi, mund të lexojnë disa faqe nga romani dhe mund ta porositin atë si libërletër në Amazon ose CreateSpace:

http://goo.gl/Goz39M - amazon.com

http://goo.gl/vgMgWc - amazon.ca

https://goo.gl/1IVgS7 - createspace



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora