Kulturë
Qazim Shehu: Proza biografike e Bajram Canametit
E shtune, 20.02.2016, 05:02 PM
PROZA BIOGRAFIKE E BAJRAM CANAMETIT PËRMES POETIKËS SË QËNDRESËS
NGA QAZIM SHEHU
Publisti dhe studiuesi Bajram Canameti me librin e fundit për Shahin Doçi sjell nje të vërtetë tronditëse të sistemit të dikurshëm komunist:të vërtetën e tmerrit dhe raprezaljes komuniste ndaj kundërshtarëve, një e vërtetë e pakontestueshme përmes faktesh dhe ngjarjeve të cilat janë të denja për filma horror. Kjo raprezalje ishte aq e skajshme sa shtrihej jo vetëm mbi individin, po edhe mbi fëmijtë e vegjël, ajo merrte përmasat e një inati dhe harbutërie që nuk njihte shenjën më të vogël të humanizmit. Elemenimi i kundërshtarit arrin deri aty sa të mos i sigurohet as një strehë nën dhe. Me këto ide, ose me këtë përftesë mendimore u ndava kur lexova librin e Bajram Canametit për Shahin Doçin. Autori e ka ndjekur heroin e vet përmes dokumentimeve arkivore, dëshmishë dhe njohurive të veta, po gjatë rrugës ka arritur të plotësojë edhe një tablo të përgjithshme për të kuptuar se çfarë ngjau në vitet e Luftës së Dytë Botërore e më pas në zonat nacionaliste të Veriut e në krahina të ndezura, siç ishte Macuklli i Matit. Kështu ai sa rrëfen për heroin e vet aq edhe e degëzon shikimin në atë tablo ngjethëse vetëm duke dëshmuar të vërteta që i binden një arsyetimi kohor për të shkuar deri tek besimi autentik i tyre. Në kërttë prosede të vendosjes strukturore të rrëfimit të vet ai arrin të shkruajë një libër që lexohet me një frymë dhe të na bindë jo vetëm për pasurinë e materialit faktik po edhe të krijojë një shtrirje të fakteve , sa në aspektin kronologjik aq edhe në ngjizjen e tyre në brumin e kohës. Edhe pse vitet e ndarjes nga diktatura komuniste ecin sa kjo diktaturë të ecë mbrapsht drejt muzeut, prapë terma të tillë si antikomunist mbeten ende me një mbresë të fuqishme për ata që kanë vuajtur dhe mbajnë mbi shpinë një mal me brenga nga ajo kohë vrastare, po ehe për njerëz që kanë lexuar mbi atë kohë. Një gjë duhet kuptuar se ende mjaft gjëra nuk janë thënë, nuk janë zbuluar a dalë siç duhet. Në këtë pikëvështrim, Bajram Canameti ka bërë një punë të guximshme dhe të vlershme e denjë për t`u përshëndetur. Historia e dëshmimit të së kaluarës jo si një paradë e një feste të hidhur po duke i zbuluar asaj anën e panjohur, është bërë shkruar nga historianë e studiues të zot si Agim Musta, At Zef Pëllumbi, Bedri Blloshmi , Luan Myftiu, Reshat Kripa etj, po Bajram Canameti në këtë hulli e sjell kontributin e vet. I gjithë vështrimi i autorit shtrihet në zbulimin historisë së fiseve së Matit , veçmas të Macukllit , si një histori fisesh nacionaliste , kodifikuar e veshur me tradita të lashta të bujarisë, mikpritjes dhe zakoneve të lahta, e në këtë rrafsh që shërben si sfond romantik dhe dramatik ai vendos figurën e Shahin Doçit dhe të familjes së tij, të vëllezërve, fëmijëve , gruas, dhe të njerëzve të afërt. Lufta e Shahin Doçit kundër komunizmit vjen në ndërgjegjësimin kolektiv se komunizmi në këto anë erdhi jo si çlirim në kuadër të luftës së përbotshme, po si raprezalje , terror, djegie shtëpishë e vrasje të pakupptimta. Kështu era e lirisë botërore përzihej me një hakmarrje të pakuptimtë , frikë dhe shfryrje të një egërsie të ligë, qëllimi i së cilës ishte instalimi i një pushteti vrastar e mizor. Shahin Doçi në arrati edhe pse fëmijtë i kishte lënë peng në duart e komunistëve, nuk u dorëzua, por ai luftoi deri në çastin e fundit dhe u vra ose u zhduk nga ata, duke mos i dhënë të drejtën për një varr si shenjë, një varr që kërkon emër edhe sot. Rrëfimet e autorit janë ngjethëse dhe të mbështetura në dëshmi autentike të njerëzve të tij, të njerëzve të tjerë, në hulumtimet e arkivave dhe kështu plotësohet tabloja për ta çuar shterueshëm historinë në kufjtë e një besimi tronditës. Ky libër e merr vlerën gjithashtu se është shkruar me një stil lakonik të rrjedhshëm, impresionues dhe të detyron ta shfletosh herë pas here për të ndjerë peshën e një narracioni kumbues që shkulmon nga dhimbja njerëzore pas kaq vitesh. Si një studiues dhe njeri që e plotëson profilin e vet krijues në vendosjen e temës shtjelluese në kufijtë e një dije të gjërë, autori, Canameti arrin të konkludojë saktë në mjaft vështrime të tablove historike me qëllim që t`i rrijë sa më afër të vërtetës që ajo të flaës vetë dhe lexuesi t`i nxjerrë po vetë përfundimet e tij, flitet për një lexues të prirur drejt saj , jashtë propagandës fiktive dhe dilemave çkurajoze. Kjo mënyrë është një sukses i prosedeut krijues të autorit dhe përbën bazën kompozuese të librit. Kështu monografia shkrihet në një polifoni zërash të vuajtjes dhe të heroizmit. Janë dhjetra e dhjetra detaje të veçanta(njeriu në punë të vet vritet tek pragu i shtëpisë, kulla që digjen, urdhër për internime, internime grashë, fëmijsh, degdisje dhe mbjellje frike, riardhje drejt truallit pas kaq vitesh pa gjetur asgjë në të, ekspedita ndëshkimore , ndeshje dhe beteja, Macuklli shndrrohet në një teatër luftimesh, ashtu si dikur në luftë me të huajt, po ata ishin të huaj, ndërsa tani luftojnë shqiptarë nacionalistë me shqiptarë të indoktrinuar me idetë e komunizmit pansllavist). E gjithë kjo panoramë jepet në përshkrime të shkurtra, me data, njerëz dhe saktësisht. Kështu proza biografike e Canametit përimton historinë dhe qep me fijet e kujtesës një kostum të përflakur të asaj kohe. Plotësimi i tablosë bëhet kronoligjikisht po edhe në retrospektivë, përmes metodës të zërave që e mbushin dhe përvijojnë një reliev dramatik të saj. Dhe e gjithë kjo bëhet duke evokuar edhe një të kaluar sa të largët të fisit Doçi aq edhe të afërt duke hequr nënkuptueshëm paralele historike midis kohrave që pikëtakohen në një ide :qëndresën kundër çdo pushtimi. Pushtimi komunist pas një lufte heroike kundër të huajt, luftë të cilin kjo ideologji shpesh e manipuloi me sllogane kombëtariste, ishte absurditeti më i madh që koha ia imponoi truallit shqiptar. Edhe pse flet për Shahin Doçin dhe ai mbetet pikëreferimi kryesor, autori e tejshtrin vështrimin e vet nëpër kohë me qëllimin ideotematik që të na rrëfejë se figura e tij ishte e tillë, që kishte lindur dhe ishte brumosur me idealet e lashta të fisnikërisë dhe qëndresës përmes kësaj krahine me histori. Kjo mënyrë e të parit të figurës kryesore që trajton, na jep mundësi që ta plotësojmë këshërinë tonë dhe vetiu të njihemi me një histori më të plotë të Matit dhe të qëndresë së shumë njerëzve. Lista e njerëzve të pushkatuar, të burgosur dhe të internuarve, të shtëpive të djegura, të familjeve të internuara , mbetet një dëshmi e përmasve të masakrave të asaj kohe dhe e afron vërtetësisht idenë duke e bërë më të besueshme atë se çfarë ishte . Autori sjell në përqasje kohrat e reja, Shain Doçin e Ri, nipin, nipërit, njerëzit e Shahin Doçit , punën e tyre të sotme , zotësinë dhe vazhdimin e traditave të fisit, të cilët bëjnë shumë që kujtesa për këtë dëshmor të nacionalizmës të mos jetë vetëm një detyrë e fisit, po ajo të sillet me përmasat e saj edhe për të tjerë. Kështu libri na kujton idenë e vazhdimësisë së traditave liridashëse edhe sot në kohërat moderne dhe të shpërndarjes së njerëzve në vende të ndryshme. Librin e freskojnë mjaft poezi dhe tekste këngësh folklorike kushtimisht të këndshme dhe që sjellin profile njerëzish të ndryshëm të përmendur për vlerat e qëndresës dhe të virtyteve nëpër kohra. Libri i Canametit është një prozë biografike e shkruar me rrjedhshmërinë që paraqet fakti i cili dyndet nga mjegullat e një kohe të afërt dhe në penën e Canametit e merr vlerën duke u mbjellë në logjikën e ngjarjeve që vijnë të trajtuara me besnikërinë e së vërtetës. Canameti ia heq mjegullat kohës, dilemat, ideologjitë për të na treguar si u zhytën në mjegull njerëzit, si u mbarsën me ideologji të vërteta dhe të gabuara. Stili jetësor dhe fuqia e shprehjes së thjeshtë e bëjnë këtë libër jo vetëm të lexueshëm për të gjithë grupmoshat, po aty gjejmë një lartësim të poetikës së vuajtjes njerëzore në një kohë të caktuar me mesazhe që shpalosin krahas vuajtjes edhe krenarinë për traditat e fisnikërisë matjane. Ky libër përcjell kumte të qarta , jashtë çdo anësie, sepse Bajram Canameti me penën e tij të stërvitur edhe në libra të tjerë di t`i japë ato. Me këtë libër, pas librave:(Thesari i urtësisë, Porta e diellit, Panteon i fjalës, Shpëtimtari, Mesazhe drite);ai ngjitet në kuotën e mirëpritur të një proze biografike ku poetika e vuajtjes dhe e qëndresës motivon vlerën e respektit aq natyrshëm dhe besueshëm.