E diele, 06.10.2024, 10:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Loti të përcjell kudo

E merkure, 17.02.2016, 08:18 PM


“LOTI TE PERCJELL KUDO”

Nga libri më i ri i poetit TAHIR BEZHANI

 

DHIMBJE E FSHEHUR

 

Herët zgjohem nga dhimbja

Trupit të lodhur shkon zhurma

Vijnë rrapëllima të heshtura

Asnjë krismë nuk dëgjohet

Një mall më përvëlon e ikën

Zjarri sa nuk shuhet

Shpirti, erë  e dalldisur

I pashpjeguar rrugëtimi i tij....

 

Gjakovë,30.01.2016

 

 

FLLUSKË HIRI

 

Ecja me vrap

Hapësirës së  kallur

Asgjë nuk vërehej

Re avulli mbuluar hapësira

Djersitje ashti

 

Dhimbjeve të mundimshme

Gishtat prekin  floskat e hirit

Në galaktikë trupat ecin

Nuk takohen asnjëri me tjetrin

 

Asgjë nuk vërehet

Në sfondin e ndezur

Qetësi mashtruese...

 

28.01.2016

 

 

KUJTIM  VJESHTOR

 

Buzë detit shëtis i vetmuar

Sodis valët e qeta vezulluese

Pulëbardhat me sqepa të mprehtë

Lozin bukur syprinës së kaltër

Bukuria troket në mallin  veror

 

Gjurmë gishtërinjsh

Të djegur rërës

Një shishe e hedhur

Notojnë si kujtimet e mija përmallshëm

Ikin dika si anije pa busull

Oqeaneve e deteve pa fund

 

Një shikim melankolik ngulitur

Përplasej  zemrës sime

Pse heshtja nuk përgjigjet ?!...

 

 

NË DHOMËN TIME

 

Dhoma ime katrore

Një tavolinë,dy karrige

Heshtja rri përballë

Mbi të një laps,

Një fletë e bardhë

Dridhen bebëzat,buzët,flokët

Lapsi tekanjoz

Përdridhet gishtërinjve

Vargu nuk del nga brenda

Pa marrë vala dallgë

Heshtja plaket mërmërimave

Digjet vetëtimave të shpirtit

Pulsimet i kanë zënë pritë zemrës

Një luftë mendimesh po ndodh

Në logun e hapur të jetës

Betejat janë të mundshme...

 

Gjakovë,28.01.2016

 

 

SHETITJE NË PISHNAJË

 

Malit  me  pisha

Bukuria i këndon shpirtit

Shtatlartat përshëndesin përkulur

Ajri miklon fytyrën e strukur

Harroj të shikoj diellin në ikje

Dita dha shpirt në zemrën time...

 

Inatësisht hënën e prita

Qiellin e mbuluar me gaca yjesh

Me aromë pishash u deha

Kënga e shpirtit hesht

 

Si i robëruari i mendjes

Në udhëkryq dëshirash humba

I ngrirë në heshtjen e flakët

Në vrapin e fundit të qëndresës....

 

 

TINGUJ E ZEMRËS

 

Krismat lozin valle

Në ritmin e shpirtit

Notat formojnë tingujt

A dëgjoni ushtimën e zemrës

Derdhur në vaje kënge:

“Bubullimë te Shkëmbi i Kavajës”?!...

 

U çmend bukuria nga brenda

Jehojnë tingujt larg

Deri në majën e malit të zbraztë

Ofshamë e djegur

Lot i grrithur stepave

Këngë e heshtur fle

Në bukurinë e vrarë...

28.01.2016

 

 

NDARJA

 

Mes nesh heshtje e zjarrtë

Dera e hapur nuk bëzante

Pragu dëshmitar i vdekur

Sytë treteshin në valë lotësh

Atë ditë kur u ndamë

 

Lamtumira nuk dilte nga buzët

Kishte marrë arratinë

Viteve të futura në shpirt

Dy zemra një ritëm kishin

Atë ditë

Buzët me plagë u ndanë

Koha fluturoi

Harresa nuk të mbulon kurrë

Nëse dëgjon rënkimet e mia

Mëshirohu!

Kthema zjarrin

Ta kthej flakën

Loti të përcjell kudo...

 

Gjakovë,29.01.2016

-Per ZemraShqiptare, mes-Shkurti 2016-

 

Dera e Tahir Bezhanit eshte gjithnje e hapur per shoke e miq. Ne kete foto, nga e majta poeti gjakovar T. Bezhani, redaktori i pergjithshem i ZSh-se Z. Lushaj dhe krijuesi tropojan Zog Hysenaj. Gjakove 2015.

Shenim: - Ilustrimi i ketij Cikli me kete foto eshte i Redaksise



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora