E shtune, 12.10.2024, 09:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Karamelet e Kostello Shollës

E marte, 16.02.2016, 08:11 PM


KRISTAQ TURTULLI

KARAMELET E KOSTELLOS SHOLLËS

tregim

Kostello Sholla ishte i pa përsëritshmi, bas baritoni i serenatave, hokarari, pijetari shëmbullor dhe i kudogjenduri i panaireve, karamele bërësi e shitësi zemërgjërë. Qejfliu i grave, dorëshpuari i burrave, zemërbardhi i fëmijëve. Karamelet e tij ishin më të veçantat, të shijshme, me mente, të ëmbla, shumëngjyrëshe. Me nektarin e luleve, përgatiste esencat e ndryshme të karameleve, i hidhte në kazan, përgjatë përgatitjes se brumit. Kostello kish përgatitur forma të ndryshme; fluturake, rrumbullake, zemrake,dredhrake, bastunake. Për ritet fetare  prodhonte karamele të vogla në forme bajame. Në fejesa e martesa, përgatiste karamele me zemra të vogla e të mëdha shumëngjyrëshe, me aroma dehëse.

Në përvjetorin e një feste fetare, që organizohej në qytetin M të shtetit fqinj, për nder të lindjes së një shenjtori të madh. Kostello Sholla nuk ndënji pa ua kënduar, duke qeshur e ngjeshur ua tha në fytyrë:

”Vëllezër, si shumë festa që keni në qytetin tuaj edhe ky shenjt i madh që përkujtojmë sot, është lindur dhe rritur në qytetin tim. I di Kostello mirë këto punë. Ka studiuar Kostello historinë dhe legjendën. S’ka gjë, festoheni, është gjë e mirë dhe Kostello ju respekton shumë...”

Vendasit përdrodhën buzët, s’folën. Ata mund ta zbonin, e tepron  ky Kostello me rromuze. Por çdo aktivitet pa karamelet e Kostellos ishte si gjella pa kripë. Vendasit u bënë mënjanë dhe i përgatitën vendin, ku vinte tezgat me karamele, në krah të kishës, aty ku rruga ishte detyrimisht e kalueshme për të gjithë vizitorëtm dhe hotelin ku të kalonte natën.

Kostello fjeti lehtë. Në mëngjes, hapi tezgat, mbi to vuri letra të pastra, të lyera me vaj arome, të mos ngjiteshin. Dhe hapi në tavolinë karamelet, si lulet më të mrekullueshme të pranverës, së bashku me fluturat. Shitësit e tjerë e vështronin me zili dhe mëri. Kostello ishte i çiltër, nuk i vinte re, shënd e verë shpërndante rreth e rrotull karamele.

Kostello Sholla, pati shitje të jashtëzakonshme dhe dehje të madhe. Paratë e fituara i bëri rrush e kumbulla; u dhuroi grave lule, karamele fëmijëve dhe gota të mëdha me raki burrave. Ishte lavdia, xhelozia dhe gracka e tij. Mjalti dhe hidhësia. Të gjitha femrat me buzët e tulta i dhuruan puthje të nxehta, jo në faqe, por me afsh në buzë. Në copëra fletësh të shkruara bukur, e ftonin:

‘Kostello në mesnatë të pres’

Kostello Sholla u gjend në mëngjes, në shtratin e tij i zhveshur lakuriq, së bashku me një femër të panjohur, lakuriqe dhe ajo. Vajza kishte lëkurë si lëmesa e qepës, ngjante me shumë një lepurushe e posa dalë nga dimri. Syvegjël, si dy pika bojë të zezë. Hundë poçe dhe gojë katrore. Flokët e vajzës ishin gati pa ngjyrë, rendonin me shumë drejt të gjelbrës se shpëlare, të lodhur. Vendasit shqyen derën dhe hynë brenda. Dhjetëra sy të egërsuar, nervozë, u ngulën mbi të.

“Kostello, Kostello!”

Kostello kërkoi të ngrihej, me njërën dore mbuloi trupin me çarçaf, ndërsa dorën tjetër e vendosi mbi dyshekun e fortë prej kashte

Dëshmitarët e zhurmshëm e mbytën njëzëri.

“Qëndro aty, Kostello Sholla.”

Kostello lëshoi trupin të binte në dyshek. S’foli.

“Të pritëm me gjithë të mirat Kostello, por ti si hor i horave rëmbeve vajzën më të mirë e zhveshe e përdhunone, -  i thanë:- Qëndro gollomesh, të vijë prifti të martoje. Ndryshe të pret burgu. S’ka derc  merc.”

Kostello u përpoq të mbrohej:

“More miq, si do më martoni kështu,”  ia bëri: “ Ku e njeh Kostello këtë femër. Kjo s’ka ndonjë bukuri, më ngjan si lapucere. Prisni.”

“S’e njeh thotë,”vendasit zbardhen dhembët me dashakeqësi, “ Si u zhveshe gollomesh natën e shenjtin e madh, bëre kurvëri, u zhgërryeve si derr në kashte Kostello dhe, pa pikë turpi na shan vajzën më të bukur të qyteit.”

“Prisni, martoni ose burgosni rakinë, jo Kostellon,” u lut ai:” Unë s’e preka me dortë këtë femër, ndoshta rakia. Pyesni rakinë.”

Vajza  bardhoshe, vërtiste sytë sa andej këndej dhe ngjeshtë hundën poçe, pas gjoksit të zbuluar të Kostellos. Ajo nuk ngjante si një lepurushe, ishte më shumë dhelpërushe, ndoshta dhe gjarpërushe.

“Shko tutje moj, që s’ta di emrin. Pa me thuaj, mirë që unë isha tapë, ti çfarë ishe, shishe?!”  i tha.

Ajo s’i ktheu përgjigje. Filloi të qante, fshinte lotët dhe qyret e mbështillej si mumie me çarçaf.

“Qan dreqi, qan. E lidhi Kostellon me litarë pabesie dhe tani qan,”  pëshpëriti Kostello, “ më zuri magjia e puthjeve. Po ti moj që nuk ta di emrin, ku ishe, nga mbive ishe kakaroçe në këtë shtrat prej kashte?! Ç’e do moj Kostellon pa zemër, më thuaj çe do?”

Ajo nuk fliste, vetëm qante.

Ashtu të mbështjelle me çarçaf, u vunë kurore. I martuan. I urdhëruan prerë:

“Puthuni!

“Daleni,” u tha ai: “Kur s’i di emrin, s’i ta thërras e ta puth?”

“Kaq shpejt u ngop menjëherë maskarai, s’do të puthe nusen,”ia bënë vendasit.

I veshën me përdhunë me tesha të reja. Kostello Sholla vështronte vajzën me bisht të syrit, herë i dukej miushe, herë dhelpërushe e gjarpërushe, por jo lepurushe. Nuk i kujtohej ta kishte parë ndonjëherë dhe jo të kish bërë seks me të. Kostello puthi plot femra: bardhoshe, bionde, ezmere, brune. Këtë miushe, dhelpërushe, gjarpërushe nuk mbante mend ta kish puthur. I futen në dhomë dhe i detyruan të flinin se bashku ligjërisht.

“Më jepni të pij,”bërtiti me të madhe Kostello: “Nuk bëhet seks me këtë kur esëll. Isha i dehur kur m’u fut kjo në shtrat. Eh, e lidhën Kostellon e lidhën!”

“Jepini raki, të farmakoset, te dehet, të thyejë qafën,” thanë vendasit: “I martuar është tani. S’ka më tërci dhe vërci.”

Kostello piu raki me gllënka të mëdha direkt nga gryka e damixhanit. Përplasi buzët, ia krisi gazit, qeshi me të madhe, duke rrahur gjoksin me tërsëllëm.

“Tani moj virane, jallane, tullane,”  bërtiti ai, “prit,  mu kujtua,Tula e ke emrin. Hë?! Më dukeshe më e bukura e botës. Hajt, le të kërleshemi në çarçafët e botës. Me unazat e botës. Me rakinë e botës. Kashta e botës. Nuk e di veglat a janë të botës. E kam fjalën për hallatin, pilen tim, se gjysma tjetër, vrima jote provokuese, e embël e hidhur është e botës. Le të shkërdhehemi. Le të bëhet nami në qafë, në fytyrë, në gjirin e në shpellë të botës, kur e shenjtin tonë e ka përlarë bota.”

Nëpër mjegull i u kujtua Kostwllos kjo femër flokë shpëlarë, tmerrësisht e bardhë, që iu qep kur rakia i bllokoi trurin. U mbështet i tëri tek ajo dhe eci në humbëtirë. Ajo e tërhiqte me durim nëpër shkallët e ngushta të shtëpisë që i dhuruan vendasit, për një natë. Ai s’ ishte i sigurte në bëri seks me të apo jo. Atëherë si u gjend i zhveshur lakuriq, pa një leckë në trup! Mbi të gjitha nga u gjenden vendasit dhe hynë me potere në dhomën e tij!

Kur i doli rakia Kostello donte të arratisej dhe lidhi çarçafin në hekurat  e dritares. U përpoq të mos bënte zhurme, mos zgjonte miushen,  dhelpërushen, gjarpërushe, por ajo i mbiu e zhveshur lakuriq, me gërshërë në dore. Sytë e saj shkëndojinin si dy thëngjij të vegjël, të ndezur në errësirë. S’ fliste, hapte dhe mbyllte  dy anët e gërshërës, si akrep.

“Hë, më thuaj çfarë do, burrë,”pëshpëriti Kostello: “ Burri do të ikë.”

Ajo luajti kokën kërcënueshëm dhe filloi të priste çarçafin e lidhur. Kostello vështroi poshtë, po të hidhej do thyente kokën.

“Na moj ti, Kostello është martuar me rakinë, qejfin, jo me Tulen. Lëre Kostellon të ikë.” i tha ai.

Ajo s’ po bënte shaka, po i hollonte çarçafin.

“ Uh, ç’më polli belaja,”foli i mërzitur  Kostello: “Na moj e uruar. A më do ti, a do Kostellon me gjithë raki?

Ajo luajti kokën në shenjë mohimi.

“E do Kostellon ti, e do?”

Ajo luajti kokën në shenjë pohimi.

“Shiko, e dashka Kostellon. U lidhe Kostello. Mirë, Kostello nuk mban inat.”

Tula luajti kryet e gëzuar, u përdrodh si nepërkë. Ai u ngjit dhe hyri në dhome. I tha të vishej. E lidhi nga e para çarçafin, vështroi Tulen që nga koka deri në këmbët dhe shau rakinë.

“Së paku mban erë femër,” foli me vete.

U kacavjerën në çarçaf dhe humbën nëpër natë. Ai vraponte me gjithë fuqinë të ikte prej saj,  por pranë veshin ia qullte fryma e Tules.

“Le të jetë sikur e kam rrëmbyer,”murmuriti:  “Së paku të ngushëlloj shpirtin.” .

Aa s’bëzante, e ndiqte si hije. Nata ishte e thellë dhe qyteti i shtetit të huaj gromësinte dhe hije te tjera përdidheshin rreth tij.

Kostello e mësoi Tulen të  punonte brumin e karameleve, por mbledhjen, zënien dhe hedhjen e nektarit të luleve nuk ngutej tia mësoi. E zbonte e mbyllte derën nga brenda me çelës, kur përgatiste esencën. Punonte vetëm. Tula e inatosur i trokiste në derë, bërtiste, shante. Kostello s’ i përgjigjej.

“ Nektari i luleve është aroma, drita, ëndrra e jetës,”thoshte Kostello: “Nektari dhurohet, nuk merret dhe as nuk vidhet.”

Tula i vodhi lirinë dhe i polli tre vajza. Të gjitha diçka gjelbëruake, si tre kotele. Kostello krijoi tre trasta, fuste vajzat brenda, i hidhte në shpinë. Së bashku me to, bridhte fshat më fshat,  shiste karamele. Vetëm e vogla, Leta ishte sikleti i Kostellos, i ngatërrohej ndër këmbë dhe i gërmonte nëpër xhepa, i vidhte paratë. Kostello i mërzitur ia shkulte duart nga xhepat dhe tundte kokën trishtueshëm.

“Mos bijo, mos. Ajo jot ëmë, të mësoi të gremisesh në xhepa, është ves i keq dreqi.” i thoshte e shtonte rënkueshëm.”Jot ëmë m’i zbraz xhepat natën, kur jam i dehur. E ti moj dhelpërushe e vogël, mundohesh të më ndukesh, ditën! Ik. Lërmë të qetë. S’i ke lënë gjë sat ëme. Shko luaj, shko.”

Kostello thërriste pranë vajzën e madhe, Danën, i jepte të holla të blente diçka për të ngrënë. I lodhur, i mërzitur drejtohej në lokal, pinte dhe qeraste të gjithë. Kostello dehej ditën. Tula e tradhtonte natën. Kostello qante dhe qeshte përgjatë pirjes. Vetëm Dana, vajza e madhe i qëndronte pranë. Vajza e shkundte nga mënga, i përgjërohej të mos humbiste rrugëve por të shkonte me të në shtëpi. Kostello e vështronte në drite të syrit dhe përmbytej nga lotët. Ai përgjërohej për Danën, vajzën e madhe.

Një ditë të ftohte vjeshte, Kostello u gjend i vdekur, në njërën nga stolat  e vjetër të  lulishtes së qytetit. Kostello dukej sikur flinte, gjoks zbërthyer, ku në të i kishte qëndruar një gjethe e verdhe bliri, si medaljon i artë. Faqoren bosh të rakisë, e mbante të shtrënguar në dorë. Kostello ishte i ngopur, i dehur, xhepzbrazur, shpresëhumbur.

Tula nuk pranoi ta fuste në shtëpi edhe pse vajza e madhe lutej dhe qante me dënesë. Kostello kishte lënë dy gisht letër, futur në xhepin e brendshëm të xhaketës. E gjeti Dana, por vajza nuk ia tregoi Tules.

Kostello shkruante:

“Në kapakun  e dytë, sekret, të kutisë së madhe të karameleve. Unë Kostello Sholla, kam vendosur disa të holla. Janë kursimet e mija. Të blihet raki dhe, përgjatë varrimit tim të pihet, të këndohet, të dehen, të varfrit, zemërbardhët, të gjithë miqtë e mi. Shpirti i Kostellos është avull rakie dhe frymë kënge.”

Dana, e bija e përmbushi amanetin e të atit, duroi me gjakftohtësi, zemërimin dhe dhunimin e Tules. Rrugët e qytetit u mbushen me njërës, pinin,  këndonin dhe kërcenin. I madhi Kostello edhe me vdekjen e tij e shkundi qytetin; dhuroi liri, dashuri dhe këngë. Bashkëqytetarët u mallëngjyen, mblodhën të holla, për nderimin e kujtimit, të thjeshtit Kostello Sholla. Ai nuk ishte vetëm karamele bërësi, shitës, por ishte mbledhësi i nektarit të luleve, ëmbëlsira, mjalti. Ai ishte i varfri dhe njëherësh me i pasuri i qytetit. Miqtë pinin dhe deheshin tek varri i Kostellos Sholles. Ai ishte dehja dhe dhembja. Besnikëria dhe tradhtia.

Tula mblidhte e nervozuar buzët edhe pse me paratë e dhuruar nga bashkëqytetarët, ndërtoi shtëpi të madhe dykatëshe. Tula s’e kish dashur Kostello Shollen. Nuk mundi ti a vidhte esencën e nektarit të luleve. Lakuriqësia e dikurshme ishte trilli i saj i pare dhelparak. Ajo kërkoi dhe krijoi vazhdimisht trille të tjera. Nuk ishte e vështirë t’i gjente. Të gjitha treteshin harroheshin, banalizoheshin. Nuk ishte më një mizë dhe një grerë...”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora