E hene, 09.12.2024, 08:38 PM (GMT)

Kulturë

Eshref Ymeri: Përshëndetje atdhetare Prof. Repishti

E hene, 15.02.2016, 11:10 AM


Përshëndetje atdhetare

Profesorit Sami Repishti

I dashur Profesor Samiu,

Në faqen e internetit të gazetës “Panorama” të datës 06 shkurt 2016, lexova me shumë vëmendje letrën që u keni dërguar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për mendimin paradoksal që qenka shprehur nga një grup ekspertësh juridikë, për të përfshirë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të një neni, sipas të cilit duhet të mbyllen me kyç dosjet e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Me këtë rast, u njoha edhe me kundërshtimin e prerë të Presidentit Bujar Nishani ndaj propozimit të ekspetëve të lartpërmendur dhe vendosmërinë e tij për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese nëse ai propozim kalon në Kuvend. Nuk ka asgjë për t’u habitur, i nderuar Profesor, edhe sikur ky nen të përfshihet në Kushtetutë me vendim të Kuvendit. Sepse ka kaluar një çerek shekulli që kur diktatura e egër enveriste u përmbys formalisht nga pushteti, por vendin e saj e zunë neokomunistët enveristë, të cilët, normalisht, nuk mund ta dënojnë Enver Hoxhën për krimet e rënda që kreu kundër pjesës më fisnike të popullit shqiptar dhe kundër inteligjencies së shquar që qe shkolluar në Perëndim. Fakti që Kuvendi i Shqipërisë nuk i ka marrë absolutisht në shqyrtim Rezolutat e Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit, fakti që Enver Hoxha vazhdon ta gëzojë edhe sot e gjithë ditën titullin e lartë “Hero i Popullit”, fakti që krerët e partive politike i kanë kthyer këto të fundit në çiflig personal dhe, automatikisht, edhe Kuvendin e Shqipërisë, fakti që Nexhmije Hoxha gjenë hapësira në mjetet e informimit masiv për të shfajësuar kriminelin Enver Hoxha dhe krimet e tij kërkon t’ia faturojë popullit shqiptar, dëshmojnë shkoqur fare se  në stanin e politikës zyrtare me flamur të shpalosur majtist dhe të disa historianëve të marrosur pas tij, ka një tendencë të hapur për rehabilitimin e figurës kriminale të Enver Hoxhës. Ju keni plotësisht të drejtë, i dashur Profesor, kur thoni se e keni të vështirë ta kuptoni heshtjen e rinisë shqiptare, sidomos heshtjen e rinisë universitare, heshtjen e inteligjencies universitare, heshtjen e mbarë popullit shqiptar para fakteve të tilla skandaloze. Me sa duket, klasa politike në pushtet e trajton popullin shqiptar thjesht si “material për konsum”, ashtu siç e trajtonte Enver Hoxha, duke e varfëruar deri në palcë, sepse një popull të varfër që mendon vetëm për kafshatën e gojës, është shumë e lehtë ta mbash nën fre. Një strategji e njohur kjo që i ka rrënjët në lashtësi.

Me respekt.

Prof.dr. Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

13 shkurt 2016



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora