Kulturë
Poezi nga Donika Dabishevci
E hene, 15.02.2016, 11:58 AM
Donika
Dabishevci
Mall
S’muj me ia kuptu tana grishjet shpirtit
me tan’ kët’ mall mëngjesi.
Përplasma trupit lakuriqsinë
e çilma shpirtin,
n’natyrë tem asht’ me t’dashtë fort
me t’lakmue deri n’adhurim
pa mbarim
le t’derdhet fuqishëm edhe ky mall
ky mall i gjanave t’pamunduna
Se trupi çlirohet skllavnie pos me dekën!
N’atë t’përveçmen ditë
Nji ditë n’përveçmëninë e saj
papritueshëm kam me ta dhanë kumtin
se erdh koha me t’i shkye shtatë lkurat
si rrangalla t’vjetra me t’i thye,
e me t’i gjujtë edhe lëvozhgat e shpirtit
tuj gërmue me e gjetë palcën
e naj vishkull drite n’sy.
Nadje heret masi t’jen mpi gjymtyrtë
kam me t’pa zbuluet tan’ paqtim
qielli ka me dënesë prej gëzimit
shiu ka me gjallue edhe rrasat e vorreve
n’zogj t’hareshëm ka me i kthye
e sytë e gjelbër kanë me lulzue.
Nji ditë n’përveçmëninë e saj
Udhës kah ti
Nisem drejt teje
si drejt preje
me t’u vërsulë
me t’u dhanë
e me t’lanë.
Por, nisi me u qetu bisha
e zemra me ba t’veten
tu’ u gzu se je k’tu veç për mu
e jasht meje nuk ekziston.
E nisa me ta puth synin ngadal
me t’ba t’lumtun n’kët’ mëngjes
me t’marrë e me t’dhanë
e me pa dillin mbi kry tuj zdritë veç për ty.
T’i du sytë e qeshun
edhe kur qiell e tokë lutesh me t’nxanë
du me t’pa k’shtu
ose si trofe t’varrosi me ritual pagan
e shnoshna prej teje
njiherë e përgjithmonë.
Jo sonte
Me mun t’madh e mujta veten
me t’dashtë çmendunisht
përdit’ e ma shumë
frymë kam marrë prej teje
e kam rrnu për dakikat e mishnimit me ty
Tjetra ishte ni pritje e randë
ni harrim i madh ku dashja kthehej n’iri.
T’kam dashtë për ni jetë t’tan’
e për tan’ jetën du me e rrnu edhe sonte
zjermin, dhimtën e dekën bashkë
Me trup t’përvlum’ e t’ngim’
du me u shkund’ tani, me u shnoshë
si mas ni neme t’madhe që t’ka ra hise
Ndaç fol e ndaç hesht po sonte rri.
Mllefosun hana n’ty
Shih, hana është dhezë
shigjeta dhimte plot mllef
dëshprueshëm gjuen n’ty
oxhaktë e shpijave
s’lshojnë tym prej mërzie
za fmijsh s’nihet mrena aty
Ngo, britmën e shelgjeve
fërshllimë t’egër
gjethet kanë marrë
piskamë e erës
qiellin plasaritë
mos qëllofsh udhësh
o i mjerë shtegtar
T’bajnë za
me e nxerrë atë zemër miu
prej sëndukut t’vjetër
ku e ke mshefë
me dalë prej burgut
që ja ke maru vetes
me marrë ni udhë,
me rrnu a me dekë
Unë i rri dashjes teme patundun
s’ke me m’pshtue
n’metsh mas ksajna gjallë
kur t’qetohet ajri
n’dalsh prej ksaj terrine
ke me ndi gulçimën e trupit t’marrë.
Kryqzueme para tij
Jam krejt e brishtë
kur ftyrë e tij m’zen ninëzat
T’dridhmet trupit
ma zi se t’rrçethunat dimnave t’acartë
Krejt n’gjamë, plotë frymë,
humbun n’valë jam,
nji shej’, nji rreze, nji dritë tuj pritë
Fort u qindron tundimeve t’mija
ai i mbështjelluni me diell n’flokë
Prej syve, mollzash, poshtë buzve tan’ musht
kryqzueme e zbrapsun para shenjtnisë s’tij
S’jepet ai,
luftar mitik që s’njeh dorëzimin
Dashnia n’mu veç vjen e rritet
se e du fort e i falem veç t’pajepshmes.
Dashnisë së nji nate
Erën tande nuhas
trupi lehtë m’dridhet
zemra m’rreh ngadalë
prej tutës që s’ke me ardhë
mos gabo
se shpirti copë do t’mbahet
e ma e fortë se deka
asht’ dëshrimi jem për ty
***
Due me ba
tuj kanë
n’nji shkretinë të paanë
a n’nji ishull plot det
ku dallditë frymojnë
n’fillin e vet
n’zall e n’lloq
n’ujë e n’djersë
n’natë me yje e hanë
T’due si s’kam dashtë
kurrë
asnjiherë ma parë
dashni soji t’bajmë
pa fjalë e andrra
veç afsh
Kurrë s’t’kam thanë
se ti je hamshor
e unë harlisun jam
për gja tjetër n’kët’ jetë
zhig s’më mbet’
prekmë
pa fjalë
për net pa gjumë
ta bajmë
***
Due me iu dhanë natës
qysh i jepet nana fmisë
pa asnji fjalë
asnji peng
asnji kusht
Due me t’pas’ krejt,
t’zhveshun
dej n’asht
e me vlu
e me u shkri
me shpërthye
e me kanë e lumtun
veç që jam n’kët’ botë
veç që jam me ty
sall për kët’ çast
kam me luftue dej n’frymë t’fundit
***
Bash s’due me t’pa ma
me ndie dhimtën e ndamjes dej n’asht
me e pa lamshin e zanun n’fyt lak
frymën tuj m’u përbiru
e trupin tuj m’lshu
Bash du me çue dorë prej teje
BOX
Donika Dabishevci u lind në Prishtinë (1980). Fakultetin dhe Masterin në Letërsi Shqipe i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 doktoroi në Universitet të Tiranës, po ashtu në Departament të Letërsisë me temën “Proza poetike në letërsinë shqipe”. Është readaktore në RTK dhe profesoreshë e letërsisë në njërin nga universitetet private në Prishtinë. Ka botuar këto libra: “Krizantema të plasura” (1996) “Imazhe të brishta” (2004), “Proza e poetizuar - F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015) dhe “Kam me ardhë si deka” (2015). Është anëtare e PEN Qendrës së Kosovës dhe e Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës. Me punimet e saja ka marrë pjesë në dhjetëra seminare e konferenca të fushës së albanologjisë dhe gazetarisë.