Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Babai, në grusht mbante lotët e mi
E diele, 14.02.2016, 11:51 AM
SEJDI BERISHA
BABAI, NË GRUSHT MBANTE LOTËT E MI...!
(Rilexim në 43-vjetorin e vdekjes së babait tim, Bajram Berisha)
1.
Një ditë
Tash krejt vonë
U ula pranë varrit të babait
Duke iu përkulur madhështisë së tij
Më përcëlluan shekujt
2.
Tek varri i babait
E dija pse kam ardhur
Falje t’i kërkoj
Se ndoshta ndonjëherë
Nuk e kam kuptuar jetën e tij
3.
U përkula dhe putha varrin:
Më fal o babai im
Se
Ndoshta pa e ditur
Kam bërë ndonjë mëkat
Atëherë nuk i kuptoja
Ndonjë prej këshillave tuaja
4.
Më fal
Nëse kam gabuar diçka
Se gabimet e tilla janë të rënda
Si mëkate ndaj Zotit
Më fal të lutëm
Se sot më mundon llahtaria
E moteve tuaja
E shekujve gënjeshtarë
Që mallin ma bëjnë peshë
Qielli e toke
5.
Baba
Zëri yt edhe sot sa i ëmbël
Tash po e kuptoj
Atë shikimin tënd tej maleve
Sipër qiellit e nën palët e tokës
Por pusho i qetë në tokë, baba
Se fort ke qenë i lidhur me te
6.
E putha edhe njëherë varrin
Derisa
Loti im e dogji barin
Gjer ke eshtrat e babait depërtoi
Atje thellë në varr
Për këtë mëkat të lotit tim
Barin e djegur e ledhatova
Dhe, m’u bë se shpirti m’u lehtësua
Me përkuljen pranë varrit
Tempull përjetësie në jetën time
7.
Pasi u përshëndetem
Sikur shpina m’u shndërrua në sy
U zgjua babai im
Në grusht mbante lotët e mi:
Merri këta
Se unë lotin tënd nuk e dua
Por, biri im
Ruaje tokën
Përqafoje njeriun
Këputi hallkat e burgjeve
Dhe të inateve të botës
Të mendjes së ligë të njeriut
8.
Sikur i mora ata lot
Nga grushti i babait
I piva
Si një gotë me ujë shërues
Atëherë drita kaploi qiellin
Babai pushonte aty ku e lash
Unë ika në rrugëtimin tim të çmendur
Nuk di për kënd dhe për çfarë