E diele, 06.10.2024, 10:39 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Një roman ndryshe

E hene, 15.02.2016, 10:12 PM


Një roman ndryshe....

Shënime mbi romanin….”Për një mëngjez ndryshe” të Albina Idrizit…dhe më tejë...

Nga Timo Mërkuri

1-   Leximi i romanit  “Për një mëngjez ndryshe” krijon atë efekt, që krijon edhe  ajri i freskët dhe drita, që hyjnë nga dritarja e posahapur, në një shtëpi dyer-e-dritare  mbyllur prej kohësh.

Ajri i freskët, fillimisht u shkakton  një marje mëndsh banorëve të shtëpisë, dhe ata e kanë të nevojëshme të qëndrojnë për një kohë ulur, sa  të ambientohet në gjakun e tyre, dyndja e një  niveli të lartë  oksigjeni, që vjen bashkë me ajrin e pastër. Pastaj afrohen pranë dritares, zgjatin trupin tejë parvazeve dhe qëndrojnë aty pa lëvizur, thuaj se soditin një botë të re, që befas është afruar pranë shtëpisë së tyre.

Drita e ditës, që hyn në dhomë bashkë me ajrin, u lbyr sytë  banorëve të kësaj shtëpie, dhe pamjet që shohin pas këtij dritësimi, fillimisht janë të turbullta, si të mbështjella me mjegull. Ata pulitin qepallat, si për të mbrojtur sytë, dhe pas kësaj, dalëngadalë, pamjet dhe sendet fillojnë e konturohen më të plota dhe ngjyrat rezatojnë një bukuri çlodhëse, për sytë e mësuar vetëm me ngjyrat bardhë e zi. Pas kësaj çdo gjë dduket më e bukur në natyrë e në jetë.

Prandaj librat e tillë janë të nevojëshme  për lexuesin shqiptar, për “pasurimin e gjakut me oksigjen”, “për qartësimin e shikimit tonë me dritësinë e  libravetë shkruar ndryshe.

I udhëhequr nga një stil letrar i këndshëm dhe ndjellës, lexuesi nxiton për të kaluar faqet dhe kapitujt, si të nxitonte të hapte dyer e dritare në shtëpinë e sipërcituar, për të zgjeruar hapësirën e hyrjes së ajrit nëpër dhoma, po ashtu, dhe për të zgjeruar hapësirën e shikimit nga shtëpia. Dhe pastaj i rikthehet përsëri  pikënisjes, dritares së parë, jo nga hamëndësimi se mos ka haruar diçka, por nga dëshira për ta shijuar edhe njëherë kënaqësinë  që përjetoi te faqet e  posalexuara.

Dhe i vjen keq kur përfundon së lexuari librin, keqardhje që i shtohet edhe më shumë, kur mendon  se shpesh ka  humbur kohë  duke lexuar  proze, të  shkruar me …prozaizëm..

2-Është i sinqertë pohimi i Prof.Dr. Resmi Osmanit kur thotë se… romanin e lexova brenda një dite…., sepse vërtet ky është një nga ato romane që lexohen “me një frymë”, por ajo që nuk thotë profesori i nderuar është fakti se,  shumë kapitujve të këtij romani, natyrshëm u kthehesh për një rilexim. Seç ka diçka që të tërheq në rileximin e tij, diçka që qëndron tejë gjuhës së zgjedhur, thjeshtësisë të të shkruarit, me metodën realiste, linjës së zhvillimit dhe trajtimit realist të figurës së dy motrave, personazhe qëndrore të romanit, elementë këto të cituar në analizën e tij nga profesori i vëmëndshëm.

Ka vërtet diçka më shumë se kaqë, në këtë roman.

-Ka një të shkruar plot poezi dhe  dhëmshuri njerëzore. Qysh në fillim prezantohen portrete të skicuara plot dashuri,  e shprehur kjo nëpërmjet një figuracioni poetik të ngrohtë,  të cilat të duket se i ke njohur …..ajo kishte ikur në botën tjetër, sipas një marveshjeje të heshtu me zotin, për të lënë pas versionin e saj më të ri, më të përsosur akoma…sa lehtë gënjehen shpirtërat e lirë…, si ishte e mundur që ëndrat e vjetra ti pagëzonte me një emër të ri… e nesërmja erdhi më ngadalë se zakonisht…, etj.

-Ka një dendësi informacioni të shkruar plot art e finesë, që zgjon kujtime tek kushdo që e ka jetuar apo njohur jetën dhe zakonet për të  cilën flitet …ngjanin të vogëla (religjionet e botkuptimet e bujtësve) brenda universit të atij konaku…që qëndronte mbi të gjitha….gjithçka që shihnin brenda asaj avllie, ishin ato që u mungonin (në jetën e tyre)…strehoi me kujdes fotografinë thellë në kraharor mes palëve të gjoksores, aty ku trokisnin ëmbël ëndrat e saj…kam hise në hallin tënd, po aqë sa në gëzimin tënd,…fjalët u thanë …ftohtë, pa ngjyrë…nga miku i tij po klithte pamundësia…., nuk foli, megjithatë tha mjaftë,…nuk pati asnjëherë dashurinë  e ëndëruar që i kishte falur pjekuria e trupit vashëror dhe urtësia…etj …

-Ka një miklim te personazhet, te sinqeriteti i tyre në dialogë, që të çel një buzëqeshje në lexim, e të ngjëll dashuri.

Shkrimtari duhet ta dojë personazhin, ta ndjekë pas (siç ndjek djali heshtazi  vajzën për të cilën ëndëron) me dashuri, e po me dashuri të shkruajë ç’bën, ç’ndjen e ç’mendon ai, personazhi. Shkrimtari nuk ka të drejtë të komentojë veprimet e personazhit, ai vetëm i pasqyron ato. Momenti kur shkrimtari fillon e komenton veprimet dhe mendimet e personazhit është momenti i kapërcimit të kufirit të fushave të  artit dhe hyrja në baltovinën e prozaizmit.

Shkrimtari duhet ta dojë personazhin e tij, siç e do Albina dhe portretin  tja  pikturojë me dashuri… Vetullat e trasha ngjajnë si perde mbrojtëse rrebesheve të kohës, po aqë sa edhe shkëlqimeve lëbyrëse të çasteve….buzë të plota, me një plevit të lehtë…si mbetje e një buzëkuqi të papërshtatshëm me rastin, të fshirë me dhunëKëto ishin fjalët që rënuan bedenat më të fortë të qënies sime….E di. (që bota është plot meshkuj),por asnjëri nga ata nuk është Guri…nuk më pëlqen emri Zanë. Nuk e dua.Dua emrin tim…asnjë natë e kaluar me Gurin nuk kishte zgjatur as sa çereku i një nate pa të… ( Po rezervohem në citime në këtë shkrim sepse boll e kam nënvizuar e anash shënuar librin në lexim)

3-Autorja shkruan me sinqeritet dhe frymëzim, dhe ndoshta, pikërisht ky sinqeritet dhe frymëzim i të shkruarit, është gjetja e artë e autores, e cila nuk është sforcuar për të përshkruar skena e skema të stisura e të kërkuara. Frymëzimi, kjo dritë e padukëshme që e udhëheq autorin të “ecë” pas personazheve e ka udhëhequr Albinën në rrjedhjen e natyrëshme të romanit, duke e bërë të dëgjojë dhe përshkruajë  një melodi të përherëshme, të pranishme në çdo faqe, si gurgullimë përroi. Është kjo “muzikë” që ta mban ndezur vëmëndjen dhe të detyron që ta përjetosh (lexosh) gjithë ngjarjen përnjëherësh.

4-Kjo është e “ndryshmja” e këtij romani, që e ka të pranishme në çdo frazë  magjinë artistike e të bën për vete. Është e pamundur që , ndërsa lexon këtë roman, të mos gëzohesh, trishtohesh, vuash dhe jetosh, madje dhe të dashurosh personazhin kryesor, Emën, madje dhe duke menduar se …ti, ndryshe nga Guri mund t’ia lehtësoje dhimbjen e lodhjen, jetën.

Duke e lexuar këtë roman, natyra poetike e të shkruarit  frymëzon edhe lexuesin që të jetojë jetën e personazheve.

E thamë që në krye që romani është plot poezi dhe jam dakort me konkluzionin e shprehur se… poezia … është opozita e çdo lloj prozaizmi dhe statizmi të artit dhe të jetës.

Por jo vetëm kaqë.

Me këtë roman “ndryshe” Albina Idrizi del tejë kontureve të kohës, si një shkrimtare  e cilësuar, madje deri aty, sa të kemi të drejtën  ti lejojmë vehtes …të dëshirojmë roman të ri prej saj (R.Qosja).Edhe më të  realizuar, do të shtoja unë. Ndoshta në këtë rast mund ti citoj autores (si e drejta ime prej  lexuesi) faktin që…sado lart të jesh ngritur/po nuk u ngrite dhe pak/ ke rënë papritur..(Ricos).

5-Por nga cili këndvështrim e pashë unë “ndryshen “ e romanit të Albina Idrizit?

Censura letraro-politike e diktaturës moniste ka kryer edhe funksionin e një “dige” betoni te një ujëmbledhës, duke mos lejuar rrjedhjen e “ujrave” letrare të “turbullta” nëpër   kanalet vaditëse të fushave ku kutivohej “buka e re” e “njeriut të ri”. Por censura, ndërssa filtronte ujrat, shtonte natyrshëm aluvacionet, mbetjet, në basenin e ujëmbledhësit. Në këtë mënyrë , ndërsa pakësohej uji i filtruar që ridhte, shtoheshin aluvacionet  nga prurjet e përenjve. Drurë e gjethe, hedhurina njerëzish, këto të prezatonte qetësisht pamja e ujëmbledhësit.

Dhe një ditë, nga pesha e madhe e aluvacioneve të mbledhura nëpër vite, diga shpërtheu.

Ujrat e turbullta, u sulën teposhtë përenjve, me një buçimë trallisëse , që  të krijonte imazhin e fundit të botës. Drurë e gjethe dhe hedhurina të ndryshme fluturonin përmbi dallgët e turbullta dhe fshikullonin ajrin përeth. Furia e ujit, si rendje e kuajve të harbuar, shkulte shkëmbenj nga vendi dhe i  vinte përpara me rrokullimë. Një furi që s’ndalej as nga zoti, sepse ishte zemërimi i  zotit vetë.

Vetkuptohet që s’dëgjohej gjëkundi këngë bilbilash dhe as rrëkeza e ujit të pastër, e burimit aty pranë, nuk dukej gjëkundi.

Një i mënçur që e pa shpërthimin e digës, mendoi bregun e detit. A ishte bregu i detit i pjerrët, që ta fuste  këtë lubi uji drejt e në det, duke shpëtuar kështu brigjet dhe jetën në to, apo ishte bregu i rrafshtë, ku kjo lubi do të shtrihej sa gjatë- gjërë, duke u shndruar në një baltovinë kënetore, burim sëmundjesh e fole zvaranikësh.

Kështu shpërthyen  botimet kinse letrare. Të gjithë “çobanët” u bënë poetë dhe poetëve su ngeli gjë, veçse të bëheshin çobanë.

Ujrat nuk u kthjelluan, janë ende të turbullta, sepse brigjet letrare të trashëguara nga socrealizmi nuk qenë  të thepisura dhe baltovina me erën e saj të rrëndë, po na “dikton” shijet me një epidemi botimesh pa vlerë, për të cilat shoqëria me kohë ka kërkuar vendosjen e një “karantine”.

6-Por shkrimtarët dhe poetët e vërtetë, ndonëse  janë një “minoritet” shoqëror,  në fakt janë ajka e shoqërisë, deri në atë nivel, sa që, kultura e një kombi, matet me respektin dhe nderimin që ky komb u bën shkrimtarëve dhe poetëve të vetë.

Të kuptohemi, shkrimtarët nuk janë…inxhinjerë të shpirtërave njerëzorë (Stalin) të gjithë shoqërisë, që pa punën e tyre, shoqëria të mbetet në vend.

Letërsia është një nevojë shoqërore, jo një qëllim më vete, e ca më pak një mjet. Nqse ne nuk e rimodelojmë dot shoqërinë (gjë të cilën nuk e pretendojmë), ne mund të ndriçojmë shpirtërat njerëzorë, në rrugëdaljen me dinjitet nga labirinthi i stërgjatë i  kohës të tranzicionit.

Është gjithashtu normale, që  veprat e tyre nuk janë të vlerësuara dhe të kërkuara nga gjithë populli ….”Sonatat e Bethovenit, tabllote Da Vincit apo kryeveprat e Shekspirit nuk kanë vlerë për shoqërinë në përgjithësi, por kanë vlerë për ata që i njohin dhe dinë ti shijojnë ato” ka thënë Hayek. (Nobelist  në 1974 në Ekonomi).

Në shoqëritë e mbyllura, është shteti ai që kultivon shijet letrare, si me thënë, është shteti ai që vendos se …cilat lule do lulëzojnë e do bëhen buqeta apo kurora…

Në shoqëritë e lira, shijet letrare janë si process evolimi i njerëzve të lirë në ecje e progress kulturor. Ato janë produkt i bashkëjetesës kolektive dhe askush nuk mund ti imponohet tjetrit në këtë drejtim. Është pikërisht shumësia e shijeve ajo larmia e buqetës së luleve që na bën ta dëshirojmë dhe mirëpresim me entussiazëm. (Një tufë lulesh një ngjyrëshe të krijon një besdi në shije). Çdo njeri përpiqet të lartësojë e zgjerojë shijet dhe njohuritë, duke kontribuar në këtë mënyrë në progresin e shoqërisë në këtë drejtim.

7-…E shëmbëm Murin e Berlinit socrealist, madje,  morëm me vehte nga një “copë muri”, “për kujtim”, të cilin, në vënd që ta vendosim në stendat e muzeumeve, pavetëdijshëm e vendosim si “jastëk ndënë kokë”. Vetkuptohet që me këtë “jastëk ndënë kokë” edhe ëndrat që shohim do jenë “me mure” dhe për pasojë, edhe nëpër librat tanë do çfaqen “mure”. Ende në prozën tonë gëlojnë “heronjtë pozitivë” pavarësisht se janë veshur me kostume apo  minifunde. Temat e veprave aktuale janë  kinse patriotike e nacionaliste, me një vetëvlerësim dhe antipati për të huajin, duke e vendosur vehten në qëndër të botës etj etj. Por elementi më i dallueshëm është vlera letrare me të cilën shprehen. Frazat dhe vargjet që, kur i lexon, të duket se…të kafshojnë, sa të vjen të ulërish.

Në mardhënien shkrimtar-lexues ka një humbje kolosale besimi.

Arsyeja është se në tribunat letrare dominojnë lloj lloj mediokra. Këta janë …detashmenti i…grafomanëve… të cilët …marshojnë triumfalisht me…penë mbërthyer, duke përmbysur  gjithçka që gjejnë përpara dhe që quhet vlerë letrare.

Kështu shpjegohet fakti që kemi detashmentin e kinse-poetëve me nga 40-50 vëllime poetike secili, krahas poetëve të vërtetë me tre-katër vëllime poetike.

Shumë vetë këtë e quajnë krizë letrare. Për mendimin tim gabojnë. Kjo nuk është kriza. Ky është një “boom” botimesh, një inflacion “faqesh të shkruara” vlera reale artistike e të cilave është në rënie të përditëshme dhe që kjo sjell si pasojë moslexueshmërinë e tyre nga lexuesi.

Realisht, ne kemi sot një “boom” botimesh dhe një moslexueshmëri në rritje.

“Boomi” i botimeve, që karakterizohet një cilësi mediokre dhe e ka origjinën pikërisht nga dalja nga diktatura.  Janë ujrat dhe aluvacionet që , me shpërthimin e digës, krijuan baltovinën-kënetore pranë bregut..

8-Mosleximi i librave nga lexuesi, (dhe jo nga krijuesit që shkruajnë pa lexuar…F.Terziu) është pikërisht elementi i parë i krizës letrare, është kundërveprimi ndaj fenomenit të inflacionit të letrave pa vlerë të shkruara. Sepse kriza fillon kur vihet në lëvizje mekanizmi kundërveprues, mekanizmi që synon stabilizimin dhe kthimin në normalitet të vlerave .

Është gati e njëjta gjë si me krizën ekonomike. Superprodhimi nuk është krizë, është rendiment prodhimi. Kriza fillon pikërisht tek tregu, kur vlera e mallit që afrohet është më e madhe se vlera që afron tregu. Kështu malli ngelet pa u shitur, dhe vlera e investuar në prodhimin e tij nuk riciklohet.

Kështu ndodh dhe në letërsi. Vlera (artistike, jo monetare) e veprave që ofrohen nga “boomi” i botimeve, është më i lartë se çmimi që afron tregu . Veçse këtu, duhet të kemi parasysh se te çmimi i tregut përfshihen  si elementë  vlerësues shija dhe koha. Askush nuk do që të prishë shijet e tij dhe të humbasë kohën me disa vepra të rëndomta apo bejte “çobanësh” të veshur me kostum.

Kriza në letërsi, do vijë si një dallgë e madhe, që  rrafshon “kështjellat” prej rrëre, të ngritura në brigjet  e letërsisë nga fëmijët e çdo moshe.

Koha jonë ka nevojë për një krizë të tillë, për një dallgë të madhe …pastrimi të brigjeve letrare dhe harimi të vlerave pa vlerë artistike. Përderisa  kemi “boomin” e botimeve, me siguri së shpejti fillon kriza.

Kjo krizë letrare nuk ka të bëjë me mungesën e botimit të veprave të mirëfillta letrare dhe me vlerë, sepse realisht, vepra me vlerë nga autorë dinjitozë botohen në çdo periudhë historike. Kjo krizë, ka të bëjë me mungesën e besimit të lexuesit ( që e cituam më sipër) te vlera e librave të botuar, pa bërë më parë selektimin dhe diferencimin. Kjo ka dhe rrezikun se, si pasojë e lodhjes së lexuesit nga super-boomi i botimeve, të mos lexohen as krijuesit e vërtetë.

9-Autorët e vërtetë e kanë gjetur  mekanizmin e shpëtimit nga kriza. Me mungesën e censurës shtetërore, ata forcuan dhe ritën autocensurën. Dhe sipas fjalës së popullit..”floriri mbetet flori kudo që të bjerë” lexuesi i vërtetë e gjen floririn letrar duke “situr” male me prozë prozaike.

Një nga rrugët për të dalë nga “kurthi”i “boomit” të botimeve zhurmuese është edhe hypja në anien e letërsisë europiane, nëpërmjet përkthimeve cilësore. Letërsia e vërtetë nuk i njeh kufijtë nacionalë dhe shtetërorë.

Për fat të mirë, shkrimtarët dhe poetët që shkruajnë pa lexuar, nuk i konceptojnë interesat letrare jashtë krahinës së tyre dhe nuk kërkojnë të presin biletën për në anien e linjës europiane. Ata presin që europa të vijë ti gjejë  te klubi ku pinë kafen e mëngjesit.

10-Unë nuk  bëj parashikime afatgjata për fatin e ecurisë së letërsisë, sepse këtu duhet patur parasysh ecuria e shijeve të lexuesit dha aftësia e autorëve për të ndjekur personazhin në kohë.

Në qoftë se duam të ecim me kohën, duhet të kemi kurajën të ndërmarim një nisje të re. Dhe kjo nisje fillon nga vetvetja. Duke aplikuar edhe një profilaksi ndaj virusit  epidemik

të “letërsisë” pa art, duke zgjedhur për biblotekat dhe shijet tona vepra të vërteta letrare.

7-Ju siguroj unë, se të lexosh dhe të rilexosh “Për një mëngjez ndryshe” është një terapi e shkëlqyer ndaj “epidemisë” së prozës prozaike  që përjetojmë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora