E diele, 10.11.2024, 09:28 PM (GMT)

Kulturë

Ermelinda Kashah: Në kërkim të vlerave të së bukurës

E marte, 16.02.2016, 07:25 PM


NË KËRKIM TË VLERAVE TË SË BUKURËS

Mendime për librin e ri të Pëllumb Goricës

NGA ERMELINDA KASHAH

Libri i radhës që më ra në dorë titullohet “Fjalë muzash” i studiuesit Pëllumb Gorica. Natyrisht, kur lexon libra të tillë provon ndjenja të shumëfishta. Të vjen mirë që arrin të takohesh me një qytetar pretencioz të “republikës së letrave” ashtu siç e ka përshkruar dikur këtë racë shkrimtarësh i madhi Lasgush Poradeci. Gjithmonë zbërthimin analitik të një libri e kam pas sa të thjeshtë aq edhe të vështirë, e thjeshtë përsa i përket fushës që njoh, por e vështirë pasi përveç përgjegjësisë që kam nuk mundem të përmbledh në kaq rreshta laboratorin e gjallë të shpirtit të studiuesit, të fshehtat dhe misteret e kësaj “teknologjie” poetike. Pa u saktësuar dhe pa bërë një kompromis me formimin e kujdo krijuesi, nuk mundem të vendos dot urat lidhëse me konstitucionin shpirtëror mes meje dhe tyre, mes meje dhe lexuesit.

Por, në këtë libër, kam ndjerë thellë emocione për tre arsye:

Kontakti me librin ka funksion drejtpeshimi dhe emancipimi;

Mundimi mbinjerëzor është vatra reale për këtë autor;

Kultura, ndjeshmëria dhe traditat fituan kontaktin tim të drejtpërdrejtë me studiuesin, gazetarin dhe poetin Pëllumb Gorica.

Mendoj se për të realizuar të vërtetat e krijuesit nuk mund të hyhet pa ndihmën e tij dhe se personalisht nuk mbetem përpara ansamblit të madh të ndërtesave, siç ndodh rëndom në Shqipëri, por vështrimi im mbetet dhe ngulitet po aty, duke mbetur besnike me atë çka hidhet në tregun e letërsisë për këta studiues, si Pëllumb Gorica. Studiuesi në fjalë nuk është dëshmi tkurrjeje dhe as depozitë e periferive letrare, por arsyetimi i procesit të formatimeve letrare. Realizon të gjitha përfytyrimet e mundshme për Hapësirën në “Kohë”. Kultura e sjelljes përfshin dhe konstatuimin e bashkëbiseduesit, më kujtohet kur polemizonte Tolstoi, i cili këtë e bënte bindshëm dhe e kishte sistem të mendimit. Refleksi intelektual i autorit është pjesë e dialogut, kontaktit të lexuesit, duke bërë që të kemi kohezion në aktet tona letrare.

Studiuesi teksa bashkëshoqëron imagjinatën dhe realen, perspektivën shoqërore, ka krijuar një univers, duke u mbështetur fuqimisht në atë letërsi dhe në atë traditë popullore të rrëfimit. Teksa zhytem dhe thithem nga vorbulla magjike e stilit të autorit, kuptoj se ai mbërthehet mes historisë së tij reale dhe mistikës së lashtësisë së vet kulturore. Poezia është dominante, figurat mbeten të përhershme, ato për të cilat poezia e ka të pamundur të jetë kaq prodhimtare, një mision i ri për të ndërtuar një poezi të re. Me vrullin e përmbysjes studiuesi kalon në fushën ku punon dhe shpreh vetveten më së miri. Me kurajon dhe vullnetin e paepur sheh historinë e krahinës Sulovë, një histori lokale e kombëtare. Rikonstruktimi i ngjarjeve të rikthen në histori. Vendlindja është motiv mjaft frekuent që shënon përjetimin, që ngrihet dhe merr peshë përtej kompetencave lokale. Si ndikime naimiane mund të vërejmë motivet e shpeshta përshkruar me kolorit romantik, si vende harmonie, gëzimi e paqeje shpirtërore. Në këtë linjë është dhe ligjërimi poetik i hapur, pa tentuar nga abstragimet e shtjellave ciklike, duke ndërtuar një komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin, kryesisht përmes tropeve të thjeshta, si: krahasimeve, epiteteve, të cilat krijojnë një atmosferë të shëndetshme, ngazëllimi e përtëritjeje. Prania e fjalëve si vendlindje, të bukurat kujtime, përmbledhin ndjenjat e mirësisë, dashurisë e përvetësuar dhe natyralizuar mbi vizione dhe këndvështrime të caktuara poetike. Jo vetëm kaq, por studiuesi nuk i shpaloset me kurrfarë imponimi lexuesve, duke dëshmuar kështu shije të holla poezie me lëng jete, të spërkatur e qëndisur plot figura, qëmtuar e sjellë bukur këto figura shpesh prej yjësive të shndritshme. Tisi romantik, stili oratorik që shkon deri në modelin e gjendjes së madhe shpirtërore, më japin argumentin e një qasje të butë dhe prekëse ndaj të “shenjtave” njerëzore, të cilat vlerësohen si tërheqje dhe ndikim nga energjitë poetike të verbit. Studiuesi është simbol i gjallë i poetit qytetar, poezia e të cilit paraqitet si implikim i fortë në problematikat sociale dhe ekzistenciale të kohës, i pasur në vetëdijen estetike se nëpërmjet letërsisë transmetohet sistemi dominant në nivelet e etikës, që më sjell ndër mend modelin poetik të Pol Elyarit. Lëvizja është dominues i përjetshëm i universit poetik të studiuesit Pëllumb Gorica. Poezia gjallon në kontinuitet sa herë ajo trajton motivet e traditës.

Poezia si shkrim, identifikohet tërësisht me idetë që e kanë përcjellë autorin gjatë udhës së tij. Ai forcon dhe konsolidon fuqishëm idetë e tij, të një kulture të veçantë të vetëdijes, frymës kulturore dhe letrare. Stili i shkrimtarit është marrëdhënia që ai i përcjell lexuesit, synim ky, për ta ngjitur kulturën e letërsisë shqiptare në lartësi të denja euro-perëndimore. Kjo është premisë e rëndësishme dhe orientimi kulturor që e dëshiron vetë autori. Çdo mendim i ndërtuar në këtë mënyrë i jep të drejtën “poetikës” së studiuesit të inkuadrohet sipas një parimi historiko- kritik, as përpara e as jashtë historisë, por vetëm brenda saj. Autori nuk privohet nga dinamizmi ideologjik që shkaktohet nga raporti i saj me botën e jashtme, por trajtohet si një dinamizëm që mbahet në kontroll prej formës gjuhësore, princip rregullator ky, i dialektikës së tensionit krijues të veprës, formë kjo, që e kam hasur te shkrimtari i madh Ismail Kadareja, në një pasash te “Uzina që ka lidhje me bukën”, botuar te “Emblema e Dikurshme”.

Vetë fusha e tipologjisë letrare provon shkallë objektiviteti, sepse modeli letrar i tij formulon modele estetike/historike dhe teorike. Secila ikje nga tipologjia tek interpretimi, të kthen në shtratin e leximit personal në të cilën dialogojnë dy botë: e tekstit dhe e lexuesit. Rezultati buron nga një lexim i sotëm, prandaj është dhe i mundshëm. Mund të themi se krijimtaria në esencë është organizim i ri i realitetit në kohë. Koha me përmasat e saj moderne nuk është më koha e studiuesit e as e shkrimit; nuk është koha e personazhit e as koha e figurës, ajo është koha e lexuesit, si për shembull, te “Rrëfim për moshën e mallit”; “Anatomia e dashurisë”, dhe vargjet e Milianov Kallupit; “Mbrëmja e dashurisë që puthet veç me metafora”; “Ka gjithmonë dritë në fund të tunelit”;“ Kur jeta përjetohet si një ëndërr e bukur”; “Testamentin e lotit nuk e tresin shekujt”; ” Pavdeksi e pikturuar në mbretërinë qiellore”;“Erëra të reja fryjnë … “; “Një krijues që i shërben me përkushtim jetës ” etj. E pra, në simbiozë me diturinë dhe elegancën e stilit, përmes kthjelltësisë së argumentit, të qëndrimit kritik dhe të pakompromis, ndaj fenomenit shqyrtohet optika krejt origjinale e cila komunikon drejtpërdrejt me lexuesin shqiptar. Si shqetësim dhe brengë, çka frymon në libër, ndjejmë dhe prekim problematikën e mprehtë shoqërore. Si ëndërr dhe vizion lirie, si ideal dhe frymë e saj, studiuesi përfaqëson mendësinë e shkrimit poetik jo vetëm për atë hark kohor, por si një cak letrar i përsosur edhe sot e gjithë ditën.

Studiuesi ka mundur të shfytëzojë një kulturë postmoderne, duke bërë që në të, të ndihet larmia letrare. Detyra e shkrimtarëve është që të jenë të hapur ndaj kulturave të tjera sepse, përderisa vepra e studiuesit neutralitetin letrar dhe modern e arrin si proces esencial i së resë, kjo do të thotë se vepra na përball me të bukurën dhe kohën reale. Filozofia shkon deri në konceptin e kohës, të cilin në plan të parë dalin ndjenjat, mendimet, meditimet, dashuria e njeriut. Ne mund ta kuptojmë kohën vetëm atëhere kur mund ta kuptojmë njeriun. Kjo është e vërteta që hasim në krijimtarinë e autorit Pëllumb Gorica. Temat kryesore janë: dashuria, bukuri të natyrës, jetë e përditshme, miqësi etj. Autori është shpirti i letërsisë bashkëkohore shqiptare dhe nënvizimi nga ana ime i aspekteve të veçanta tek secili prej nesh, është terësisht gjykim vlerëmatës, edhe pse vetëzgjedhja e temave përmban parapëlqimin dhe nevojën e domosdoshme të gjetjes së vendndodhjes në sistemin tonë letrar. Studiuesi e merr fjalën në dy pamje: si kumt dhe si ide, pra ai realitet kompleks dhe gjysmë-mitik i kumtit, trajta mendore dhe organizimi i qenësishëm shfaq realitetin e artikulueshëm me asociacionet e shumta specifike. Ky tipar krijon dhe aftësinë botëkrijuese dhe ndryshuese të studiuesit. Koncepti i fjalës prodhon jo vetëm nocione ekzistenciale por edhe kontekstin ontologjik. Linja e mendimit tim më jep dhe idenë e saktë të asaj çka nënkuptoj unë dhe lexuesi.

Si përfundim, mund të themi se, dituria dhe miqësia me autorin duket se shkëlqejnë përmes punës sonë.

Ky libër do të mund të ishte bërthamë e pjesës së letërsisë bashkëkohore që do t’i kushtohej këtij autori në një histori të ardhshme të letërsisë. Gjithashtu do të mund të ishte një model frymëzues për studime të tjera, për poetë, studiues dhe shkrimtarë bashkëkohorë pak apo aspak të studiuar, duke bërë që ky libër të meritojë vlerësimin optimal.

Falenderimet e mia të sinqerta për studiuesin, për të gjithë ju lexues që ju jemi borxhlinj: unë, shkrimtarët dhe libri.

Rrugë të mbarë librit!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora