Kulturë
Hamit Taka: Natë në shtëpinë e vjetër
E enjte, 18.02.2016, 08:16 PM
Hamit Taka
NATE NE SHTEPINE E VJETER
Lart
Mbi çati
Rri hëna
Si pika mbi i.
Çdo gjë prej guri:
Çatia me rasa
Oborri me pllaka
Muret të latuar
Lyer me gëlqere
prej hëne.
Në fund të oborrit
Pusi i bardhë
Në krye të pusit
Çikriku i ndryshkur
Rreth çikrikut
Litari i heshtur
Në fund të litarit
Kova e shtypur
…Çikriku ngre litarin
Litari ngre kovën
Kova derdh ujin
Mbi gjoksin tim
Të shuaj mallin…
Mbi ngashërimin e errët
Të natës
Ngrihet Ylli i gjallë
i Mëngjesit…
ME LODHEN PUSHIMET
Më lodhën pushimet, zagushia e verës
Rrugëve të qeta, hijet pa frymëzim;
S’i duroj dot më vështrmet therës
Të pleqëve idhnakë, që ecin me përtim;
Ky djali i Xhelos na mbajtka paksa lart,
S’e kemi parë më të dalë nëpër ara.
Dikur ai ngjishte kapelen me kashtë
Dhe kodër e bënte grurin përpara;
Me qibër e vinte kashtoren mbi kokë,
Lehtaz e vërtiste drapërin si pëndë
Po thonë se kalemin e paska të fortë,
Librat i ka mbushur me dritë e me këngë;
Në kasolle shkoj vrap e rrëmbej shatin
Nëpër mjegulla mëngjesit hapin nxitoj,
Me misrin e ndezur e mas tani shtatin,
Me kallirin e rëndë vargjet krahasoj…
Dua t’u tregoj serbes se jam ai që isha
Se jam vlagë plisi, jam pigment blerimi,
Kur meraku më grrinte për mbjelljet,ugarin
Shokët e mi flinin mbi libra leximi;
Afrohen e më thonë: e ke dorën të artë.
Të pakët e ke punën, por e bën me cilësi.
Shatin posi laps e fushën posi kartë
Thjesht i përdor me gas e lehtësi…
Nëpër vargje, thonë, të harbohet malli
Të ka lezet fjala, s'të mbin egoja si krisja
Shumë qejf i ke lirikat e baladat,
Domosdo damarin e ke ti nga gjyshja…
1982
KUNATES
Sa gjëra sjell sot ndër mënd, sa gjëra,
Për ty, moj kunata ime e dashur!
Motër s’kisha, por ti motër m’u bëre
M’u bëre nënë me zemër të hapur!
Me sytë e bukur, të ëmbël çdo ditë
Ma pikturoje ti një copëz lumturi
Dhe nuk e di si u ndamë ne një ditë
Nuk e di çfarë na ndodhi, nuk e di!
Ç’dritë përhapje në shtëpi e gëzuar!
Ç’kohë të bukura, o motër, qenë ato!
Do ta digjje ti dasmën me flakë të kulluar
Sikur vajza e pabesë të më thoshte një po!
Nuk më harrohet dita kur ika syrgjyn
Më përcolle deri lart, te udha e madhe
Sa kam qarë atë ditë me lotët e mi rubin!
Sa qave dhe ti, moj motër, sa qave!
Më ndoqe gjatë me zemrën e përlotur
Deri lart te qafa e malit me shtigje.
Lamtumirë thashë për ty, o motër!
Lamtumirë përherë dhe ty vendlindje!
Të më falë dhe shtëpia që ika pa leje
Po në duar të sigurta e lashë pas shpine!
Nuk e di, moj motër, çfarë ti ndjeje
Kur letrat i merrje prej viseve alpine.
Të përshëndes, o motër, të përshëndes!
M’i puth me mallë pëllumbat e tu!
Në se dikush do të guxojë fatin t’ua prekë
Do të vejë gjaku, o motër, deri në gju!...
Ç’kujtime, moj motër, ato vite plot dritë!
Ç’mallë e ç’dhëmbje ruaj sot në gji!
Nuk e di si u ndamë papritur një ditë
Nuk e di çfarë na ndodhi, nuk e di!...
KUJTOJ ZERIN TEND
-Kushtuar Anastas Gërmenjit, ish-spiker te Radio-Korça, me të cilin u njoha gjatë viteve në Veri-
Kujtoj zërin tënd-dhuratë perëndie
Kur kumbonte mbrëmjeve te radio-Korça;
Sikur të ishe më herët andej larg prej Rusie
Vetë Stalini do të merrte te Radio-Moska*
Mbi zërat e tjerë do të ngrihej zëri yt
Në çdo konkurs, në botë le të ishte
Kishin çfarë kishin njerëzit në shpirt
Ah, çfarë zëri! Zemra u pëshpëriste.
Ç’pati perëndia me mushkëritë e tua
Që t’i mbuloi me hije e t’i damkosi?…
Para mikrofonit, ah, mbete i hutuar
Sikur fytin një korb ta hante, ta sosi;
Kujtoj sot, o mik, zërin magjiëmbël
Si t’u tjetërsua befas, si t’u plagos…
Atje në Veri rrije shpesh shpirtdhëmbur,
Po në radio zëri kumbonte, doemos.
*Disa politikanë kanë thënë se Stalini e fitoi Luftën e Dytë Botërorë me spikerin e Radio-Moskës, që nuk e ndërronte as me një mijë gjëneralë.
VDEKJE S’KAM NGA SYTE E TU
Çfarë vështrime plot hir gazmor
Si pasqyrim i hënës mbi Jonin blu!
Më kot përpiqen qerpikët me zor-
Magjinë syve t'ua fshehin ashtu!
Si dy kupëza lulesh të përkryera
Pak lotë në skaje-vesë e shi
Në kopshte të kaltra të pa përlyera
Me këngë bilbilat të bëhen fli…
Pasqyrë flakësh, e hollë-ujvarë,
Bebëza rebele shndrit plot jetë;
Dhe atij që ëndërrat iu bënë bar
Zemra i pëshpërit me zë sekret.
Mrekullitë fshehur në sytë e tu
Si kërkues thesaresh eksploroj
Ca ëndërra të fjetura atje-këtu
Si zambakë nën ujë atje zbuloj!
Ç'vështrime të befta plot ngashnjim
Si pasqyrim i hënës mbi Jonin blu!
Provokuese janë… nuk ka dyshim…
Po vdekje s’kam nga sytë e tu…