E hene, 29.04.2024, 12:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dragusha: Asgjë e matshme nuk është

E merkure, 24.02.2016, 08:30 PM


ASGJË E MATSHME NUK ËSHTË

AJO ÇKA TI JE!

- Rreth librit me poezi “Hylli i Zotit Njeri” të autorit Ndue Dedaj -

NGA NDUE DRAGUSHA

Ditët rropatën nën ritualin e tyre. Natyra, në mes të së cilës lëvrijnë qenie të ndryshme, sjell çdo ditë diçka të re. Kurse ne gërmojmë dhe gërmojmë deri në pafundësi për të sfiduar natyrën dhe përjetësuar qenien. Ditët mund të harrohen, por krijimet tona mbesin dhe ndezin plot besim “Hyllin e Zotit Njeri” në një sistem të ri, në një galaktikë emocionesh dhe ndriçimesh përshkëndijuese të dashurive, ëndrrave, shpresave dhe besimeve. Kështu vjen poezia e poetit dhe shkrimtarit tashmë të njohur shumë më gjerë se vendlindja e tij, Mirditë, mjeshtrit të penës dhe gjetjeve artistike, Ndue Dedaj. Libri i tij më i ri poetik, me titull tejet shprehës, “Hylli i Zotit Njeri”, përmbledh brenda fletëve 101 poezi të shkruara vitet e fundit. Vëllimi fillon me poezinë - pikturë “Autoportret”, ndër krijimet më të bukura të tij, po dhe “sfidante” e poezive të ngjashme shkruar nga poetë të ndryshëm. “Një dèja vu për mua, prej meje... / Nuk janë vetëm shtatë ngjyrat e ylberit / as vetëm laureshat që pingrojnë lisave / Është portreti im i tejmë, i parrokshëm / Që nuk do të mund ta bëjë asnjë piktor! / Me dy gur në duar mbledh bletën e re / Me dorën mbi gurë, si të parët bëj be / Me gurët e mademit thur simfoni Piruste / Me lulet e fjollës end pëlhurë për të bukurat. / ....Asgjë e matshme nuk është ajo çka ti je! / Njeriu që lakmon të jetë vetëm Ai!...” Këtu kemi plotësi të një portreti (autoportreti) përmes marrëdhënies njeri - natyrë, si dhe të moralit, ligjeve, idealizmave, lidhjeve së të përjetshmes - një portret bio, në tre përmasat: dje – sot – nesër. Një dëshirë e ethshme për të ndryshuar disa realitete me këmbënguljen se “asgjë e matshme nuk është ajo çka ti je”, duke bërë të qartë se brenda njeriut ka potenciale të padukshme, ka shpirt brenda qenies, që nuk shihet, por përjetohet.

Autori ecën kështu në brazdën e lëruar prej tij me mjeshtri sidomos me librin poetik paraardhës “Planetare” (2007), i vlerësuar nga kritika në disa plane.

Në procesin e evoluimit të poezisë, poetë të grupimeve e shkollave të ndryshme poetike kanë ndarë mendime të njëjta dhe të ndryshme mbi format e shfaqjes së krijimit dhe kahjet që ndjek rrjedha e perceptimit dhe shllimit artistik. Prandaj, për optika poetike të njëjta, ka pasur këndvështrime dhe interpretime të ndryshme - mbi bazën e aftësive përceptuese, asimiluese dhe krijuese, si dhe të intuitës, përvojës dhe kulturës së fituar. Në këtë kontekst poeti, shkrimtari, gazetari dhe studiuesi Ndue Dedaj ka arritur të japë tërësinë e linjave, sipërfaqeve, lartësive, volumeve dhe ngjyrave përmes figurave të tejme që prekin ndjenjat e njerëzve. Poezia e tij herë pas here shkëndijon përçasje filozofike përmes gjakimit të krijimit, duke iu kundërvënë besnikërisë së verbër dhe pa origjinalitet të normave tradicionale në art, në një përpjekje të vazhdueshme dhe serioze për të realizuar atë artin konvencional, ku dashuria dhe intimiteti në poezi janë lëndë e plotë e jetës, përmes të cilave ajo gjallin.

Në shumë poezi shprehen ide mjaft inovative, që të bëjnë të thellohesh në kuptimin e së vërtetës së jetës, si poezia “Skulptura Nudo”. “U bëra skulptor vetëm një çast / Sa për të vënë një skulpturë nudo në qytet; / Mbi supet e gurta të shtojzavalles së zhveshur / U ulën shumë zogj, / Por nuk pati më njerëz. / Atëherë thashë duhet bërë më shumë / Një paradë vogëlushësh lakuriq / Nëpër rrugë, parqe e shesh; / Këtij vendi t’i dalë turpi i gjësë / Që s’është turp.” Ashtu si Pavlovi, i cili dhe pse kishte dyshime të ndiqte linjën e studimit të tij, me që ai fenomen kishte natyrë “psikike”, vendosi të vazhdonte më tej, dhe poeti Ndue Dedaj, që e njeh thellë natyrën njerëzore, kërkon pareshtur në të, por nuk eksperimenton e luan me shpirtëroren apo shoqëroren, duke krijuar motivet e veta origjinale. Këtë e shpreh dhe poezia që cituam më sipër, duke sjell në vështrim dhe një argument të sociologut shqiptar, Gëzim Tushi se “sido që të arsyetojmë për realitetet morale shqetësuese të shoqërisë sonë, një gjë mbetet e sigurtë: përpjekja për të ndërtuar shoqërinë e shëndoshë dhe individin si person etik, sepse epoka postmoderne, shoqëria liberale dhe natyra ultra-individualiste e njeriut e kanë rrëzuar “besimin iluminist”, që shpresonte se zhvillimi etik i shoqërisë dhe progresi moral i individit do të ishin produkte të thjeshta të zhvillimit të arsimit apo të mënyrave kulturore të “ndriçimit të mendjes”, ku do të hynte dhe letërsia.

Ndue Dedaj përmes poezive të “Hylli i Zotit Njeri” nuk synon t’i japë leksione askujt, njeriun e konsideron si një Hyj, duke pasur parasysh forcën që gjendet brenda qenies së tij, pikërisht tek e pamatshmja dhe e parrokshmja, që e bën të reagojë njerëzishëm dhe të kodojë informacionin etiko – filozofik brenda një kujtese pa limit. Kjo dhe për shkak të aftësive vëzhguese të botës, të cilat i ka mprehur gjatë gjithë kulturës së tij të krijimit, duke patur dhe aftësinë e sintetizimit të vargut dhe teknikën e përpunimit të tij, ku bashkimi i talentit me mprehtësinë intelektuale jep një koncentrat të mrekullueshëm artistik. Poeti arrin të zbulojë disa veçori dalluese të improvizimit artistik, përmes metaforave të gjalla dhe origjinale në thuajse të gjitha poezitë. A mund të shprehet më bukur ideja e të bërit histori të njeriut (përmes ligjërimit artistik si lojë fjalësh me ngjyrim të veçantë emocional - duke iu shmangur përdorimit të tepruar të fjalës si inflacion) se sa tek poezia “Maja e Lleshit të Zi”: “Asnjëherë s’e kuptova fiks / Pse ajo majë s’ishte e imja – po ishte e atij / E kapidanit dragua Lleshi i Zi! / Ani se ai na ishte princ e luftëtar / Ani se kishte hyrë në histori! / Le t’i mbante lavdet, dekorata prej ari / Veç majën e ëndërruar të ma kthente mua! / Atje ishin misteret që kurrë s’i pashë / Se kisha frikën e parzmoreve të tij! / Burimet, likojat, thëllanzat / Të gjitha i kishte vënë ai në tapi / I kishte marrë asaj maje diell e hënë / E kishte zaptuar pa qenë kurrë aty!... / Po pse të mos isha unë princi i saj? / I asaj maje që mbante emrin e tij? / A nuk kisha dhe unë plot trimëri? / Fundja ai ishte bërë princ në beteja / Mund të vazhdonte të “pushonte” / Plot kreshta të tjera të përhime / Kurse unë mund të isha princ / Vetëm i asaj maje... të fëmijërisë sime!”

Kuptohet që nuk mund të rendis të gjitha poezitë përfaqësuese këtu, por mjaft të them se kemi të bëjmë me një art të vërtetë poetik, të një profesionisti të fjalës së shkruar, një njeriu që ndodhet çdo ditë mes nesh, mes njerëzish të zakonshëm. Të jashtëzakonshme ai ka fantazinë, forcën e krijimit dhe dashurinë për njerëzit dhe jetën. E ky njeri është poeti Ndue Dedaj, autori i këtij libri (i katërti i tij me poezi), i cili sapo të bjerë në dorë të lexuesit, nuk do të ketë më nevojë për anonçimin tim, pasi vlerat e librit do të fillojnë “flasin” vetë me lexuesin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora