E hene, 29.04.2024, 06:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Kadiu: Brenga mërgimtari

E diele, 21.02.2016, 11:52 AM


BRENGA MËRGIMTARI

 

1. Vatanet e mia

 

O Devoll; të qofsha falë

Vatan të kam e më ke djalë

Asgjëkund s'të dhimbset toka

Si aty ku të bie koka

 

Ku s'kam qenë e ku s'kam shkelur

Devollin kund s'e kam gjetur

Këmbët nuk më kanë zënë dhe

Gjëkund s'gjeta tjetër Atdhe

 

Shkova në male, shkova në fusha

Kurkund me frymë s'u mbusha

Ngado që brodha nëpër Botë

Shqipërinë s'e gjeta dot

 

Fati im, si miliona shqiptarë

Nëpër Botë të shpërndarë

Lënë shtëpi e lënë Vatanë

Veç mall e derte me vete kanë

 

Sot ndjehem i përmalluar

Fëmijërinë duke kujtuar

Kur në Mançurishtin e paparë

Loznim te çezmat me 12 sylinjarë

 

Kujtoj kur në Ivan neve shkonim

Përpjetë ishte, por s'ja përtonim

Dhe bashkë me shoqërinë

Mblidhnim çaj e trëndelinë

 

Pastaj, kur shkoja në fshatin Tren

Sot në mendje po më vjen

Me kushërinj edhe me shokë

Bëheshim një çetë, tok

 

Përpjetë bënim nga Gollombreci

Dhe tatëpjetë nga Zagradeci

Te Guri i Hanit zhvisheshim avash avash

E në Gjol laheshim krejt gollogash

 

E ku gjenden më ato dëfrime

Ku përsëriten ato gëzime

Kudo ku shkoja, kudo ku rrija

Ishin vatanet e mia

 

Mëngjes haja tek Burimet e Ventrokut

Drekën Vranisht, te Çezma e xha Minokut

Ke dajot në Zëmblak darka më zinte

Në Pojan dita më gdhinte

 

Mbaj mend, si ditë të argjendta

Kur gjyshja më çonte tek vendet e shenjta

Me këmbë shkonim, me këmbë kthenim

Lodhjen fare nuk e ndjenim

 

Bekimin e Zotit kur kërkonim

Vakëfin e Inonishtit vizitonim

Për hall shëndeti, kur deshim derman

Në Satrivaç thernim kurban

 

Kur ca më tepër unë u rrita

Me biçikletë Devollin gjezdisa

Nga Cangonji në Bozhigrad

E bëja veç për një sahat

 

Të gjitha këto janë të shkuara

Por mbeten të paharruara

Edhe se në Amerikë rri

Ëndrrat i shoh veç në Shqipëri

 

Ndonjëri mund dhe të më thotë

Po kthehu, pse ëndërron kotë

E mund të pyesë, pse e qysh

Por sigurisht, ai s'do jetë gjysh

 

Pse s'kthehem dot në Shqipëri

Veç shpirti im hallin ma di

Kam këtu ca shokë të mij

Që dua t'i bëj devollij

 

Janë një qerre me nipa të mbarë

Më kanë lidhur keq me litarë

Këta më dysh më kanë ndarë

Mendjen e zemrën ku t'i çoj më parë

Nuk di se ku do ta kem varrë.

 

2. Malli do më vdesë

 

Shqipëri moj hallemadhe

Fëmijët na i shpërndave

Ca në Evropë, ca në Amerikë

O burra, kush mund të ikë

 

Po ne pleqtë, ne kërcunjtë

Nuk kemi zemër të drunjtë

Se Zoti na ka bekuar

Për familje të bashkuar

 

Jo nga qejfi, por nga halli

Dhe ne ikëm nga Vatani

Se shtëpinë e duam plot

Pa fëmijët, s'rrojmë dot

 

Erdhëm këtej, jetojmë mirë

Mirëzeza, pa Shqipërinë

Malli për të do të na vdesë

Dheu i huaj, a do na tresë?

 

Shqipëri moj të kam nënë

Ndjehem keq që të kam lënë

Të njoh ty në çdo pëllëmbë

Të kam gjezdisur me këmbë

 

Dyzet vjet për ty punova

Sa munda të zbukurova

Malet dhe fushat e tua

I kam dashur dhe i dua

 

T'i dua lumejtë, t'i dua përrenjtë

T'i dua detet edhe liqejtë

T'i dua drurët, më dhimbset çdo gur

Çdo gjë e jotja, ka tjetër nur

 

Në Devollin tim dua të shkoj

Gjithë të gjallët t'i takoj

Në varre, të vdekurit t'i nderoj

Nga një lule t'iu dhuroj

 

Shqipëri, të kam me vete

Më ke dhënë shumë derte

Shumë brenga e shumë mall

Sa zemra nuk po m'i mban

 

Ndaj po qaj, me lot po qaj

Ç'faj të kem bërë, dua ta laj

Do të më kthehet qetësia

Veç kur të jetë mirë Shqipëria

 

Kadri Kadiu

Denver, Kolorado



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora