Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Lamtumirë Eco
E diele, 21.02.2016, 09:41 PM
Lamtumirë Eco
Nga Mehmetali Rexhepi
Fillet e mendimit të Umberto Ecos kapin hapësirën e dy shekujve. Interesimet e tija për njeriun dhe njerëzimin janë të shumanshme, rrezatuese, reflektuese. Sa herë përmendet emri i Tij, vetëtimthi na shpaloset Semiotika, sikur të ishte një sinonim i njëzuar me emrin Eco. Në këtë fushë Eco, ndoshta është emri më i cituar i hapësirës brenda dy shekujve. Lexuesi shqiptar, por, pse mos të pohojmë, edhe evropianët nuk e kanë zbërthyer në mënyrë shteruese thellësinë e gjerësinë e ideve, të formulave, të mendimeve brilante të këtij dijetari, të këtij urtari, që i kaloi caqet e italishtes melodike dhe hyri edhe në shqipen, po se po dhe në kulturën evropiane.
Eco lëvroi, depërtoi, shpaloi shtresë kumtime e shtresë ngërthesa në etimon të fjalës. Kësisoj, ai u bë njëri nga autorët që theu vargonjtë e mendimit, të gjitha paragjykimet e mendimit... Nga maja elitare në thjeshtësinë e rëndomtë: i tillë është gjeniu. Në qoftë se mbetet njëra nga figurat më të cituara, nuk do të thotë se është zbërthyer lënda e minierës së Eco-s. Depërtimet në filozofinë e tij, në semiotikë dhe ligjërime tjera të sferave të shoqërisë bashkëkohore, do të jenë pikëtakime me mendimin e hapur, dhe përfitime derivatesh nga më të ndryshmet që prodhojnë risi idesh...
Ende nuk kemi teknologji të sofistikuar për t`i nxjerrë të sintetizuara, ato xehe të mendimit shoqëror, të një personaliteti, të një ligjëruesi, të cilin Bolonja e mbajti në katedrën e vet të ligjërimit deri në mundësinë e mbajtjes gjallë të frymës...
Eco-n e njohim vetëm sipërfaqësisht. Studimi i brendisë së mendimeve të tija është ndër lëndor, shumë shtresor dhe tejet i begatshëm. Një pasuri e përmasave globale.
Në sferën e diskursit imagjinar, e kemi “Emri i trëndafilit”. Kjo prozë ndjekë dhe bie në gjurmë të grackave e fshehtësisë, hulumtoi të dukshmen dhe të padukshmen e kodeve morale... Stili i ngërthim-shpalimeve është mahnitës dhe befasues, tronditës dhe ndriçues; duke prekur sferat e thella të ndërdymes së njeriut; duke ç`koduar kode me mjeshtërinë e stilit që të mbash frymën pezull.
Ai zbulon mafien shpirtërore që kishte ndërtuar një sistem të sforcuar të besimit... Vetëm e natyrshmja, sipas Eco-s, qëndron dhe është tej kohore.
Te “Emri i trëndafilit” takohemi me një stil kërkimtar, për të kapur mitin e së fshehtës, pleksjen e krimit dhe zbulimin e Graalit, që fshihej në monarkinë e padukshme të shpirtërores.
Eco, faqe pas faqeje, shpalos opskurantizmin e barinjve të grigjës njerëzore, nën tokën e përfaqësuesve të fshehur nën veladon, të panatyrshmen e shpifur, si sferë të amshimit, duke ngadhënjyer vetëm përmes domosdoshmërisë të qenies së ndjeshme, të prekshme, urtisë dhe parimeve themelore të “homo-sapiens”e “homo duplex”...
Tek e natyrshmja dhe blasfemia, mes tyre ngrihet drama e dilemave: e ngadhënjimit të ndërsjellë e së vërtetës dhe improvizimit të saj.
Në këtë nekrolog, le të nënvizojmë vetëm një fije mendimi të thjeshtë të Eco-s: Facebook-un e shpikën njerëzit e mençur, për tu shprehur budallenjtë! Ja pra: një veshje e përshtatshme për psikologjinë e mjedisit tonë!
Ai për të gjithë ne mbetet njëri nga ligjëruesit elokuent, i cili për ne ligjëroi nga distanca.
Të Faleminderit, profesor Eco! Vetëm dukja e trajtës fizike tashmë mungon; intelekti dhe shpirtërorja e Magut është në qindra mijëra kopertina librash... Diskurset dhe imagjinata e Eco-s vijojnë të prekin dhe të zgjojnë mendjet e përgjumjes globale.
Lamtumirë ECO!