Kulturë
Ndue Dedaj: ''Zylo'', meteor në kohë stuhie
E merkure, 24.02.2016, 09:31 PM
“ZYLO”, NJË METEOR NË KOHË STUHIE
NGA NDUE DEDAJ
“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit sikur është harruar, dhe pse ka qenë ndër të paktët tituj romanesh që nuk ishte e nevojshme të përmendej bashkë me emrin e autorit, ngaqë autor - libër ishin shkrirë në një. Kanë kaluar 40 vite dhe ai tashmë ka historinë e tij si libër “sui generis” në Shqipëri, anipse sprova të sukseshme proze satitike kishte patur qysh në vitet ’60 me romanin “Kali i mbretit, kalorës të rinj” të Qamil Buxhelit. “Shkëlqimin” nuk e lartësoi kritika letrare, por lexuesi i etur për letërsi jo skematike. Përkundrazi selitë zyrtare nuk është se e pritën me brohoritje e pa vërejtje, por ishte klima oponente e “Hostenit” që e mbruajti, falë një redaksie të talentuarish dhe drejtuesit të saj kurajoz Niko Nikolla, edhe vetë shkrimtar humori. Edhe Kadaresë i kritikoheshin veprat, shpesh me tone të rrepta, por publiku, lexuesi i pëlqente ato pa masë, ndaj dhe librat e tij afirmoheshin, por pa e shuar “vigjilencën” kritika letrare dhe ajo partiake. Sa herë ta rilexozh “Shkëlqimin”, ai të shijon më shumë, si ajo vera e vjetër. Zylo është komiku, kurse Demka tragjiku. I pari lexohet nga i dyti, që ia “kishin thithur energjitë raportet”, siç thoshte Demka për veten. Raportet e kanë tjetërsuar e shformuar, duke kthyer në automat. Ai zhytet në honin e burokracisë, populluar nga lukunia e “shokëve”: shoku Q, shoku Shemshedin, shoku Zylo. Kujton kohën e shkuar, para pesëmbëdhjetë vitesh, kur ishte shkrimtar, botonte tregime e novela dhe nuk ishte më pak i tatentuar se kolegu i tij Adem Adashi, që vazhdonte të shkruante letërsi. Kurse tash nuk ka më kohë as për festat familjare. Është bërë i gjithi laps e letër, individ i zhveshur nga vetveteja, që thjeshtë ushqen makinën e burokracisë me raporte. Duket se e gjithë bota rrotullohej rreth raporteve. Ata që e kanë jetuar atë kohë e dinë mirë se sa peshë kishte një raport në jetën e një institucioni. Zyrat mund të mendoheshin pa gjithçka, edhe pa dru zjarri, por jo pa raporte. Aty shkruhej “socializmi”, siç ishte dhe siç nuk ishte. Për përgatitje raportesh ngriheshin grupe pune, krijoheshin ekipe që punonin me javë e me muaj. Dhe nuk mund të kishte raport të shkurtër. Ishte një imitim i raporteve që Enver Hoxha mbante në kongrese, plenume, aktive partie, apo në popull. Një formalizëm i kulluar gjigandoman. Raporti i tij i kongresit nuk mund të ishte më pak se 250 faqe, ku duheshin nja tetë orë për ta lexuar. I vetmi bollek i asaj kohe ishin raportet e fryra, që kërkonin një dyzinë me Demka për t’i shkruar. Nuk mund të kishte institucion pa Demkën e vet.
Agolli kishte kapur zemrekun që e bënte burokracinë të “kënduar”, me një tallje të pamëshirshme ndaj saj. Demka i qahet së shoqes se raportomania e kishte sfumuar letërsinë tek ai, duke zhvlerësuar kuptimin e fjalës, e cila tashmë ishte vetëm raport. Ajo, e pabudallepsur nga raportet e thata pa yndyrë, e këshillon të shoqin që të marrë një raport mjekësor e të shpëtojë nga raportet, që e kishin shterpëzuar si krijues, por ai e di se nuk ka asnjë mjet që ta shpëtojë nga mallkimi i tij tragjik prej raporteshkruesi. Dhe nuk ka kufi hipokrizia, depersonalizimi. “Dy javë të tëra u cfilit Zyloja me këtë raport”, i thotë Adila (gruaja e shokut Zylo) Demkës që është i detyruar ta përtypë zemërimin. Autori vazhdon nga fillimi në fund parodizimin e figurës groteske të shokut Zylo, i cili beson se është dhe mendimtar - ai shkruan ca bejte naive që i leçit për esé filozofike. “Mendimi fluturon si zogu” është zbulimi i Zylo Kamberit, apo “Tingulli është babai i këngës” etj. Zylo e këshillon vartësin e tij, Demkën ta shkruaje më dy l fjalën filozofi, si për të përqeshur shpurën udhëheqësore të vendit që shqiptonte: fillozofia m-l, kllasa punëtore etj. Ai skalitet nga pena e Agollit si një kalorës i fytyrës së vrerosur, që lodhet në punë, nuk bën pushime, si nëpunësit që mbanin dritën ndezur mbas orarit zyrtar, duke u shtirur se punonin dhe në kohën e lirë e të tjera kinezërira të tilla qesharake.
Thënë ndryshe, përmes figurës së Zylos, Agolli ka treguar rapsodizimin e pushtetit, që nuk qenka tipar vetëm i shoqërive të mbyllura. Zylo pret rapsodët dhe ndihet mirë në shoqërinë e tyre, pasi ata vetëm e miklojnë me fjalë të mira. Kulmi i satirës autoriale është kur Zylo mburr rapsodët dhe fshikullon shkrimtarët që shkasin nga tabani kombëtar. “Një këngë tuajën nuk e krahasoj as me dhjetë romane të tyre”. Kështu endet romani faqe pas faqeje me humor burimor të përpunuar në laboratorin e shkrimtarit. Ka një butafori familjare, gruaja e Zylos beson se ka një bashkëshort të shquar, po ashtu djali i tyre nxënës, Diogjeni, nuk bën gjera të vogla, siç ka moshën, por kompozon simfoni. Është deliri tipik shqiptar, i pemës pa kokrra, që haset dhe sot në prototipa të tillë dhe jo vetëm. Shkrimtari e shpie zotërinë e tij të fishkur gjithandej, vetëm që ta vendosë në situata sa më komike, ku të shpalohet më mirë karakteri i tij, si në viset e Përmetit, “pranë djersës së kazanit”, ku vete për fuqizimin e vatrave të kulturës. Atje e ka burimin dhe shprehja “Do të ndeshemi, kryetar” që Zylo ia thotë kryetarit të kooperativës. Zylo e mban vrapin në Afrikë, ku ruan moralin proletar, nuk pranon para xhepi nga shoqëruesi kongolez, përpiqet të ruajë dhe Kleopatrën që të mos shkasë në prehrin e borgjezisë. Ai dhe atje kërkon të takojë fshatarët, sipas mësimit enverist “gju më gju më popullin”, por ata rrojnë në tribu pyjeve tropikale. Njerëzit shpotisin se shoku Zylo kishte shkuar në fshatat afrikane për të ngritur vatrat e kulturës dhe përhapur marksizëm - leninizmin. Ylli i shokut Zylo bën që të forcohet rrethi i servilëve pranë tij dhe të përflitet se do të shkojë ambasador në Hollandë. Pa tregon dhe një heroizëm zotëria ynë komik, duke rrahur një vagabond në plazh. Shoku Zylo flet gjithkund, në provat gjenerale të shfaqjeve etj., si gjithë kategoria vanitoze e funksionarëve të sojit të tij, që siç thuhej në popull iu fliste karrigia dhe jo mendja. “Siç kemi thënë dhe herë të tjera, shoku Zylo nuk mund të rrijë pa dhënë mendime”, shkruan autori. Po ja që papritur vjen çasti kur ai do të mbajë fjalimin e fundit, një fjalim përdëllyes natyrisht, që thellë-thellë ka tingëllimën e një mandate, ani se suita e tij vazhdon të valvisë flamurin e shqyer të interesave meskine. Shkëlqimi i Zylos më në fund ka rënë, autori ia kthen personazhin popullit si një “shakaxhi të përparimit”. Ama ka rënë “Zylo” i Agollit, por jo Zylot e zyrave. As Demkat. Burokracia shqiptare është një salamandër që vetëm ndërron trajtë dhe ngjyrë.
“Shkëlqimi” është mbase vepra letrare më tipike e llojit në letërsinë e gjysmëshekullit të vet. Sado qasjes me Servantesin, Gogolin e të tjerë, ajo është prej brumi shqiptar. Ky roman mund të shihet veçmas, por dhe si pjesë e një historie letrare. Pas poezisë lirike të fillimit të viteve ’60 të poetëve të rinj avanguardë Kadare, Agolli, Arapi, Qiriazi e të tjerë, romanit premierë të krejt letërsisë moderne shqiptare, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë (1964), pasuesit të tij dinjitoz “Lumi i vdekur” (1965), romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), filmit artistik “Kapedani” (1972), komedisë “Zonja nga qyteti” etj., letërsia dhe arti shqiptar po hynin në një fazë të re në vitet ’70, po të mos bumullonin rrufetë dhe orteku i Plenumit IV të KQ. Kjo vepër gjeneroze, në ditët e sotme mbase dhe paragjykohet, si e krijuar nën metodën e realizmit socialist. Por në analizën letrare shkencore nuk ecet me paragjykime. Koha e tranzicionit do të kalojë dhe “Shkëlqimi” do t’iu kthehet lexuesve si një diamant me shkëlqim të gjithëkohshëm. Ai do t’iu thotë gjeneratave të reja shikoni sa megalloman të bën pushteti autokratik (Zylo), ku zyrtari besonte se ishte dhe mendimtar dhe po ashtu sa mjeran të bën të qenit i përdorshëm i shefave (Demka).
Po çfarë ka mbetur nga Zylo? Edhe sot liderët politikë shkojnë gju më më gju me popullin, njëherë në katër vjet, kur vijnë fushatat elektorale. Edha ata shqiptojnë gjithë ditën e ditës esé të tipit Zylo, ndaj janë të shquar për batudat e tyre dhe stilin “kauboj” të sjelljes. Edhe këtyre iu pëlqejnë t’iu mbajnë çadrën, të bien fort boritë e makinave kur kalojnë ata dhe trafiku të mbahet peng prej tyre. Atëherë ishte fjala “shoku”, tash është fjala “shef”. Sot nuk ka më Demka, që shkruajnë fjalime për shefat e mëdhenj, por ka sekserë që bëjnë pazare për shefat, ndaj sot do t’ia vlente të shkruhej “Shkëqimi dhe mjerimi i sekserëve”. Kurse kreu i fundit “Shoku Zylo në kufijtë e legjendës” është një leksion brilant për të gjithë ata të moshuar të regjimit të djeshëm që mbledhin lart e poshtë vlerësime me fjalë të zgjedhura për “madhështinë” e tyre, shpalosur në monografitë që shkruajnë për ta shokët e miqtë. Nëse ata do ta lexonin Zylon nuk do t’i porositnin ato librushka për veten. Ja që Zylo nuk qenka mplakur aspak, qenka gjallë mes nesh, ndonëse me rroba firmato të blera shtrenjt nëpër Europë.