E shtune, 05.10.2024, 12:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Nuk ke si mos jesh nga Gora?!

E premte, 26.02.2016, 07:43 PM


Nuk ke si mos jesh nga GORA?!

" Besëlidhja GORARE-1906" nga KOÇI  TAHIRI

(ese)

Nga Përparim Hysi

Për Gorën kam dëgjuar aty, mesviteve '50-të, përmjet valles aq të bukur"Gorarçe" që e kërcenim në nivel krejt prej amatorësh, por me një "valltar" të vërtetë që, për çudi, tek vinte në mbrëmjet tona të vallëzimit, kësa valleje i jepte një vend të veçantë. Ky, valltar kaq i vërtetë, ishte profesori ynë i algjebrës,Kiço Zisi, me origjinë nga Korça.  Merrni me mend, një djalosh në vakt, afër dy metrosh që, kur kërcente "Gorarçen", mend përthyhej mbi  tokë dhe, tek bëhej lideri i kësaj valleje, tërhiqte me vete një zinxhir të tërë valltarësh. Kjo ndodhte gati dy herë në muaj dhe "Gorarçja" qe ajo qershiza mbi tortë në mbrëmjet tona.

Mandej, pak nga pak, njohuritë e mia për Gorën dhe gorarët u zgjeeruan dhe u rritën dhe një ditë prej ditësh, ndodhi dhe ajo profecia që tregojnë: "Nuk erdhi mali tek Muhameti,por shkoi Muhameti tek mali". Me mua ndodhi pak më ndryshe. Unë nuk shkova në Gorë, po erdhi Gora tek unë. Ç'them, nuk është lojë fjalësh apo një truk, por një realitet. Gorën tek unë e solli një ambasador nga Gora me emrin KOÇI TAHIRI. Siç e shihni, fjalën ambasador nuk e kam vënë në thonjëza, se kështu e quaj Koçi Tahirin dhe, në vizionin tim, jo vetëm e meriton këtë atribut, por duhet të shkojë në gjendjen civile ( në shkresat zrytare të regjimit që shkoi, quhej "pasurim" biografie) dhe mbiemrit Tahiri duhet t'i shtojë dhe atë GORA. Është i çuditshëm: vetëm me trup është në Tiranë, por me shpirt është në Gorë. Kurrë nuk e gjen duarbosh, por o me libra, o me gazetën "Besëlidhja Gorare". E bën vullnetarisht nga a-ja tek zh-ja. Sodisfaksioni më i madh moral: kënaqësia që ndjen, kur njerëzit e  njohin Gorën jo vetëm si një krahinë gjeografike, por ca më shumë historinë e lavdishme të saj sa, po t' i referohem me të drejtë gorarit tjetër, Zenun Fero, mund të thosha: "Gora është përrua historik që derdhet në lumin e historisë kombëtare".

Pikërisht, këtu qëndron dhe vlera e librit "Besëlidhja Gorare-1906". Pra, brenda librit ka 110 vjete histori dhe, tek shfleton faqe për faqe, njihesh me fakte e dokumente historike që ia zbardhin faqen gjithë krahinës së Gorës. Viti 1906 është si një fshat që duket dhe nuk do kallaus. Në vitin 1906 është bërë besëlidhja e parë dhe në shesh betejat me pushtuesit turq, janë pagëzuar jo pak por 15 kapedanë me çetat e tyre luftarake. Ato çeta, siç shihet nëpër faqet e librit, nuk kanë bërë vetëm atë jetën e komitëve apo të kaçakëve, por, pse në rremba kishin gjakun valë, veprimet e tyre luftarake i shtrinin edhe jashtë trevave të Gorës dhe bashkëvepronin edhe me patriotë të tjerë, si: me çetën e vëllezërve Topulli, me Themistokli Grëmenjin, me Mihal Gramenon e Spiro Bellkamenin, me Sali Butkën dhe çetat e kapedanëve gorarë e dogjën barotin deri në shpalljen  e pavarësisë më 1912. Mandej në luftë me andartët grekë dhe ca më tej në vitet e pushtimit fashist.

*     *     *

Po le të dalim që nga deti e të zbresim në stere. Shfleton librin dhe sevdalisesh pas bëmave të një komiti a kaçaku si Kajo  Babieni. Kajo Babieni është as më pak dhe as më shumë, por nipi i një kaçaku me famë si Shahin Matraku. Dalë nga "shkolla luftarake" e Shahin Matrakut ai u bë legjendar si dajkua i tij. Kajo Babieni me çetën e tij luftarake shkoi deri në Vlorë, për t'u bërë   gardian i forcave që mbronin pavarësinë. Kapedanët e Gorës janë të tillë që, sikur të kesh mundësi  t'i vendosësh në një panel, nuk di se kë të vendosësh në krye: Sa shikon Xhelo Selcën,tak  del Kajo  Babieni;Del Koçi Plovishti, del Ismail Dërdusha,Feim Zboqi,Cane Lozhani, Feta Goca,Pasho Koloneci dhe... a mund që t'i rreshtoj të tërë?

Kapedanët e Gorës ia kanë bërë fora, sa herë që Atdheu ka qenë në rrezik. Kundër andartëve grekë; kundër synimeve sllave dhe, ca më shumë, në kohën e pushtimit fashist.  Kur filloi lufta NÇL edhe Gora bashkë me kapedanët e saj që qenë gjallë,pushkën nuk e hoqën nga dora.  Vetëm në këtë periudhë historike ndodhi dhe "ndarja" e madhe: me komunistët apo me nacionalistët. Dhe autori me objetivitet dhe paanësi di që t'i vërë pikat mbi i: ndasia apo  "pilula me helm" u hodh nga komunistët që disa prej kapedanëve të damkoseshin pa  të drejtë. Natyrisht, kur shikon kapedanë të tillë që tërë jetën dhe tërë pasurinë e shkrinë për Atdhenë, vjen një kohë që damkosen si kulakë,  nuk ke se si mos mbushesh me urrjetje për modelin "bolshevik" nga i cili vuajti gjithë vendi.

Ajo që të bie në sy tek libri, është dhe keqardhja që ndjen autori  (besoj që jo vetëm ai), për copëtimin gjeografik që i kanë bërë sistemet krahinës së Gorës.  Edhe sot krahina e Gorës është copëtuar në mes bashkisë Korçë, Maliq e Pogradec.

*    *    *

Po ta shihni titulli im i esesë është pak sinjifikativ. Nuk e kam shkruar veç si sensacion, po, kur lexoj për Gorën, jam bërë Gorar. Më ka"droguar" KOÇI  Tahiri. Po si mos jem pak "gorar" unë kur nga GORA nuk kanë dalë veç kapedanë të luftrave për liri, por dhe njerëz të ditur në lëmenj të ndryshëm të shekncës, arsimit  e kulturës. Pa modesti të rreme, unë jam dhe pakëz poet, por dhe pakëz shkrimtar dhe, tek hyj në faqet e librit, ja tek shoh, veç tjerash, dhe emrat e dy poetëve që tani kanë shkuar në amshim. Kam qarë me vargje për të ndjerin Vehbi Skënderi që jo vetëm qe lirik i bukur, por unë atij mbiemrit SKËNDERI do t'i shtoja SHEQERI. PO  Koçi Petriti a nuk  qe një ESENIN në lirikat e tij. Dhe hajde pastaj dhe mos ji nga Gora? Kur lexon listën e njerëzve të nderuar nga Gora, është një listë e gjatë e gjatë që, pa dashur të hiperbolizoj, mund të them: e gjatë, e gjatë që këtu e deri në Berat. Nuk ke kë veçon më para? Por, pak "pragmatist" jam unë se, tek i hedh sytë mbi atë listën që sos në  Berat, tak dhe qëndroj tek një Profesor-dokor,Ali Refatllari. Ky dhe më dhimbset  dhe më lipset. Sidomos, në këtë moshën time, kur qeveria  më ka bërë dalje ( për moshën time ka vendosur: sa dhe si ta kenë nga Zoti,se kam  mbi 10 vjet që kam kaluar mbi gjashtëdhjetë e pesë), epo më ka bërë ajo dalje, po mua më dhimbset lëkura dhe kam vendosur, kur ta shoh keq që drejt e tek ai doktori dhe t'i them:- Dhe unë "jam" nga Gora! Nëse nuk beson, pyet KOÇI TAHIR GORËN! Për më shumë për Gorën, vetëm të lexoni librin dhe do më jepni të drejtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora