E merkure, 11.12.2024, 06:14 AM (GMT)

Kulturë

Albert Habazaj: Biblioteka ''Nermin Vlora Falaschi''

E hene, 29.02.2016, 10:00 AM


Albert Habazaj në Bibliotekën e Universitetit të  Vlorës

BIBLIOTEKA “NERMIN VLORA FALASCHI”, UNIVERSITETI “ISMAIL QEMALI”, VLORË

Nga  Msc. Albert HABAZAJ

VËSHTRIM HISTORIK

...Lashtësia e gjuhës dhe kulturës së popullit shqiptar është e pandarë nga prania e bibliotekave në Shqipëri. Ekzistencën e tyre e dëshmojnë zbulimet arkeologjike, krahas të dhënave për historinë e kulturën e popullit tonë. Edhe qyteti i Vlorës, kur dimë se të dhënat për të nisin nisin në shek. VI p.e.s, mendohet të ketë patur bibliotekë. Kur flitet për bibliotekat brenda perandorisë romake nuk mund të mos përmendet biblioteka që ekzistoi në qytetin e Ilirisë i njohur me emrin Aulona, (Vlora e sotme). Sikurse në Durrës, Apolloni, Lezhë, Finiq, Berat etj. edhe në Vlorë ka pasur qendra të depozitimit të dokumenteve. Manastiri i Zvërnecit dallohej si  një nga qendrat kryesore të grumbullimit të librave në mesjetë. Zvërneci i Vlorës (që në mesjetë quhej Spiranica) ka qenë vendbanim i lashtë, i mijëvjeçarit I p.e.s.

Vlen të theksohet, se pas Kodikëve të Beratit, që janë thesare të kulturës dhe kanë vlera unikale, sidomos Kodiku i Purpurt (mendohet se është i shek.V pas K.), shkruar me gërma ari e argjendi në pergamenë, me përmbajtje fetare e laike; katër kodikët e Vlorës (shkruar nga shek. X-XII) pasurojnë imazhet e hershme të letërsisë së krishterë me fasadat kishtare, çmohen në traditën e dorëshkrimeve të hershme liturgjike dhe bëjnë pjesë në fondin më të rëndësishëm të dokumentacionit të vjetër, që ruhet në AQSH.

“Vlora njihet si një prej qyteteve shqiptare ku për shekuj me radhë janë ruajtur dorëshkrime të rralla, me rëndësi ndërkombëtare” (Sinani, Sh.: “Beratinus”.-Tiranë: Argeta-LMG, 2004; f. 211).

Duke iu referuar botimit “Bibliotekat në Shqipëri” (“Libraries in Albania”) .- Tiranë: Onufri, 1998.-Shoqata e  Punonjësve të Bibliotekave të Shqipërisë; f. 5, miqtë e librit mësojnë sa vijon: “... Shënime të kohës dëshmojnë për ekzistencën dhe të bibliotekave të tjera si ajo e familjes Vlora në shek. XVII-XVIII...”. Dihet që një nga bibliotekat më në zë  të shek. XVII është ajo e Voskopojës, që bulëzoi me ngritjen e shypshkronjës më 1720 dhe lulëzoi me hapjen e akademisë më 1744.

Nga botimi special i cituar më sipër, njihemi me faktin se biblioteka private e familjes së njohur Vlora, ishte vepër e diplomatit plak, Syrja Beut dhe e të birit të tij, deputetit të Vlorës Eqerem bej Vlora. “Fillimet e kësaj biblioteke janë që nga viti 1875 dhe kanë vazhduar dhe më vonë. Në vitin 1916 sasia e librave të bibliotekës arriti 14600 vëllime. Librat ishin në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht, italisht, greqisht dhe shqip. Ishte mjaft e pasur në dorëshkrime arabe, libra fetarë, kurane, histori, qytetërim, albanologji, etj. Më vonë me trajtimin e keq të bibliotekës, sasia e fondit u  pakësua dhe u shpërnda, deri dhe vandalisht. Torturat antikulturore të kësaj biblioteke të njohur dhe në Ballkan e më gjerë, i rrëfen me trishtim e dhembje pinjolli i Vlorajve, albanologu Eqerem bej Vlora në “Kujtimet” e tij. Një sasi e vogël e fondit të mbetur ndodhet në bibliotekën e qytetit të Vlorës.

Një vend të veçantë në historinë e bibliotekës së Vlorës zënë ato të krijuara në fillim të shek. XX, ku do të veçonim kontributin e publicistit Ibrahim Shyti. Biblioteka e arsimtarëve Jani Minga, Mihal Peço, Musa Muho, Ibrahim Kushta, Jorgji Ceko, Tasim Jonuzi, Toli Arapi, Reuf Zaimi, Hilmi Doko etj., me përkujdesjen e kryetarit të bashkisë  Ali Asllani, bëhet themeluese e bibliotekës publike të Vlorës. Më 29 shtator 1936, me inisiativën e tyre, mësuesit e shqipes ngritën bibliotekën e qytetit “për t’i shërbyer publikut vlonjat”.

Sot kjo bibliotekë mban emrin e shkrimtarit Shevqet Musaraj dhe radhitet ndër më të mirat biblioteka të vendit për një shërbim të kulturuar ndaj përdoruesit.

Në qytetin e Vlorës ka një traditë të mirë të bibliotekave, pasi në gjysmën e dytë të shek. XX në këtë qytet, krahas bibliotekës  publike të qytetit, kanë vepruar edhe mjaft biblioteka të tjera si ajo e shkollës Tregtare, e shkollës së mesme Pedagogjike, të shkollave 8-vjeçare, e sidomos bibliotekat e Akademisë Ushtarake të Marinës dhe Akademisë së Aviacionit. Në këtë  djep kulture e arsimdashës të Vlorës u lind dhe u ngrit edhe Universiteti i Vlorës së bashku me bibliotekën e tij, si porta e dijes, si takimi i parë, vizita e parë që të orienton me universitetin.

UNIVERITETI I VLORËS DHE BIBLIOTEKA E TIJ NË VITE: HISTORIKU

Nga lartësia e 22 viteve, vërejmë se së bashku me universitetin e Vlorës, që mban emrin e Plakut të Shenjtë të Flamurit, po konturohet denjësisht edhe biblioteka e institucionit më të lartë arsimor të Shqipërisë Jugperëndimore. Biblioteka mban emrin e studiueses e shkrimtares humaniste Nermin Vlora Falaschi dhe është institucioni kulturor që siguron informacion për studentët, pedagogët dhe studiuesit e universitetit të Vlorës, që është tempull i dijes qysh me themelimin e tij. Duke vlerësuar zhvillimet bashkëkohore të arsimit, biblioteka e universitetit ndihmon në procesin e mësimdhënies për intelektualët e tij të rinj që dalin nga ky universitet dhe është njësi ndihmëse e këtij institucioni të arsimit të lartë publik.

Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Arsimit, më 28. 02.1994, me vendim nr.105 vendosi të krijohet Universiteti në qytetin e Vlorës. Godina e ish-Komitetit të Partisë dhe ajo e ish-shkollës Mjekësore u përshtatën në funksion të Universitetit të ri që hapi dyert më 10 tetor 1994 për 162 studentët e parë të shpërndarë në tre fakultete: Fakulteti i Tregëtisë me degët Biznes dhe Turizëm, Fakulteti i Marinës me degën Inxhinieri Navale dhe Fakulteti i Infermierisë me degën Infermieri. Në këto 4 degët e para që u hapën trupa mësimdhënëse përbëhej nga një staf prej 10 pegagogësh efektivë. (Sot universiteti i Vlorës ka 4 fakultete: atë të ekonomisë, të shkencave humane, të shkencave teknike dhe të shëndetit publik; numëron 18 departamente, me mbi 10 mijë studentë në tw tre nivelet e studimit, 4 mijë diplomantë, me 105 pegagogë efektivë dhe mbi 400 të jashtëm)

Me çeljen e Universitetit, filluan përpjekjet për krijimin e bibliotekës. Në mes të nëntorit 1994 u krijuan ambientet e bibliotekës (salla e leximit dhe salla e fondeve të librit) me librat e parë, trashëguar nga ish- shkolla e mesme mjekësore “Jani Minga”, si dhe dhurata nga shoqata “Agimi”, fondacioni “Sorros”, etj. Mjediset ishin të vogla, por si fillim të mjaftueshme, sepse Universiteti ishte ende i sapoformatuar. Në prill 1995 vjen një sasi e konsiderueshme, rreth 4500 libra, dhuratë nga universiteti i Nebraskës. Më vonë e vazhdimisht fondi pasurohet nga ambasadat italiane e zviceriane, nga universiteti i Angerit, Fondacioni Zvicerian “Pro Helvetva”, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Biblioteka Shkenore e Universitetit Politeknik,Universiteti gjerman i Siergerit, nga Muzeu i qytetit të Vlorës, nga Biblioteka e Bankës Kombëtare, nga akademiku Shaban Demiraj, prof. Myzafer Korkuti, poeti Fatos Arapi, prof. Rami Memushaj, prof. Valter Memisha, nga humanistja Nermin Vlora, nga Universiteti i Shkupit, nga prof. Aleksandër Stipçeviç e Zeqerija Neziri, nga Word Vision, nga z. Vladimir Kuint, nga pedagogë të universitetit tonë që botojnë tekste mësimore, metodike shkencore e letrare, nga shkrimtarë vlonjatë e dashamirës të shumtë. Instituti i Studimeve Pedagogjike dhe Biblioteka e Fakultetit të Shkencave të Natyrës kanë dhënë një ndihmesë cilësore me dhurimin e shumë titujve të domosdoshëm. Blerja e librit shkencor dhe artistik, sidomos në panairet e librit në qytet, ka qenë dhe është burimi i parë i rëndësishëm për plotësimin e bibliotekës universitare sipas parametrave bashkëkohore. Me zgjerimin e Universitetit lindi domosdoshmërisht edhe zgjerimi i bibliotekës , si me ambiente, ashtu edhe libra. U krijua një bibliotekë e madhe, ajo nr. 1, me sallë leximi e fonde të hapura, në korpusin qendror të Universitetit, (Godina A, Rektorati) në katin e parë të ndërtesës, me kapacitet 120 vende. Një tjetër bibliotekë, ajo nr. 2, me sallë leximi e fonde të hapura, që ofron shërbim me kapacitet 50 vende, u krijua në korpusin tjetër të Universitetit, në katin e tretë të ndërtesës, ku është sot Fakulteti i Edukimit, ai i Shëndetit Publik, Departamenti i Drejtësisë, etj. (Godina B).

Më 28 nëntor 2005, Biblioteka e Universitetit mori emrin “Nermin Vlora Falachi” për të nderuar kulturologen dritërore Nermin Vlora, mbesë e Ismail Qemal Vlorës. Rritet universtieti, rritet dhe biblioteka e tij. Në rrjedhën e viteve, të dyja bibliotekat janë shfrytëzuar maksimalisht, duke shfaqur interesim të madh si nga studentët, ashtu dhe nga pedagogët. Përveç shërbimeve elementare bibliotekare, është bërë katalogimi i librit, duke synuar që me programet kompjuterike biblioteka të shërbejë si urë teknologjie për t’u vënë në lidhje me Internetin. Në fondin e bibliotekës ndodhen vepra të shkencave të ndryshme, të sistemuara sipas Klasifikimit Dhjetor Universal (KDU). Është këndi i librit të huaj e shkencor, libri shqip dhe i përkthyer, këndi i autorëve vlonjatë, vitrina e librit të ri, përshkrimi bibliografik i librit universitar etj.

Nga viti në vit vihet re afrimi i studentëve  me bibliotekën. Kjo shihet në numrin gjithnjë në rritje të anëtarësimit të tyre, ngaqë vlerësojnë se librat mbledhin margaritarët e mendimit për t’ua dhënë njerëzve. Biblioteka është portë e hapur për rreth 15 mijë studentë të Fakultetit të Ekonomisë  me 3 departamentet: të Administrim-Biznesit, të Financës dhe të Shkencave Ekonomike; të Fakultetit të Shkencave Teknike me 8 departamente: të Matematikës, Fizikës, Shkencave Kompjuterike, Kimisë, Biologjisë, Inxhinierisë Mekanike dhe Navale, Inxhinierisë Elektrike, Shkencave Nautike; të Fakultetit të Shkencave Humane me 4 departamente: të Gjuhë-Letërsisë, Gjuhëve të Huaja, Drejtësisë dhe të Edukimit (Cikli i ulët, Parashkollor); të Fakultetit të Shëndetit Publik me 3 Departamente: të Infermierisë, Shëndetit Publik, si dhe atij të Kujdesit për Nënën dhe Fëmijën, etj., që studiojnë me kohë të plotë, si dhe për ata me kohë të pjesshme (part-time, për vitet që bëhej mësim part-time). Orari i bibliotekës ëshë çdo ditë: e hënë- e premte, ora 08.00-16.00. Biblioteka ka qenë e hapur edhe të shtunave e të dielave për pedagogët dhe studentët me kohë të pjesshme  nga ora 08.00-13.00. Për fondin e librave të hedhur në kompiuter është punuar me programin ISIS (deri në vitin 2013). Nga viti 2013 e në vijim punohet në rrjetin COBISS.Net. Po bëhen investime për pajisjen me 10 kompjutera të tjerë, në funksion të bibliotekës dhe lidhjes me Internet.

Në bibliotekën nr. 1 ka qenë përgjegjëse zonja Mira Sharra (1994-2008), njëkohësisht punonjëse e parë e këtij institucioni, qysh me krijimin e tij. Në bibliotekën nr. 2, nga viti 2002-2008, ka qenë studiuesi dhe poeti Albert Abazi (Habazaj), i diplomuar në Shkollën Dyvjeçare të Bibliotekonomisë pranë Departamentit të Kualifikimit në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë dhe kryer studimet e thelluara për katalogim e përshkrim bibliografik të njësive libra dhe jolibra sipas standartit ndërkombëtar të përshkrim bibliografik në Maribor, Slloveni (IZUM).

“Bibliografia e librit universitar (1994-2006, Pj.1)” përgatitur prej tij, është një punim kërkimor-shkencor me vlera serioze për Universitetin e Vlorës. Në këtë bibliografi janë evidentuar 53 autorë-pedagogë të universitetit, me 158 tituj librash, të cilët po e pasurojnë ritmikisht biografinë diturore të universiteti të Vlorës. Universiteti ynë boton Buletinin Shkencor, që del periodikisht, një herë  në gjashtë  muaj, që prej muajit maj 2001 si dhe Gazetën  e Studentëve, që prej prillit 2002, e cila u botua në vend të gazetës  së mëparshme “Kohë & Realitet”, e cila kishte nisur të dilte qysh në maj 2001. Deri më sot janë botuar 13 buletine pa ISSN (2001-2008), 6 buletine shkencore me ISSN 2310-6719 (qysh nga Vëll.1, nr. 1, 2013 e në vijim) ku edhe biblioteka “Nermin Vlora Falachi” ka dhënë ndihmesën e saj.

Qysh nga dita e krijimit deri më sot kanë dhënë kontributin e tyre profesional me përkushtim për bibliotekën e universitetit zonjat Mira Sharra, Elisabeta Shehu, Lida Mezini e Hatixhe Likaj, Msc. Albert Habazaj, si dhe z. Gentian Zejno (2008 e në vijim, i cili zëvendësoi z. Albert Habazaj, që në vitin 2008 erdhi në bibliotekën qendrore në godinën e Rektoratit, ku dhe vijon.

Biblioteka e Universitetit ka patur një bashkëpunim korrekt edhe me bibliotekën e qytetit, ku ka drejtuar me kulturë dhe dashamirësi zonja Liliana Gjika, si dhe, pas daljes në pension të saj, me shkrimtarin Çlirim Hoxha, si përgjegjës i atij institucioni kulturor. Kemi realizuar këmbim përvoje, në furnizimin dhe ndërrimin e librave, për huazimn ndërbibliotekar si dhe në përhapjen e librit, gjithçka  në funksion të detyrës sonë për studentin bashkëkohor, i cili në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë të përvetësojë njohuritë e duhura me ndihmën e fjalës së shkruar dhe me teknikat e format e sotme të popullarizimit dhe përhapjes së librit. Biblioteka  e universitetit ka bërë përurime librash dhe diskutime krijuese të autorëve studentë, pedagogë apo shkrimtarë  të njohur të Vlorës, si dhe përkthimeve që kanë bërë jehonë, të cilat janë pasqyruar dhe nga mediat e shkruara e vizive, kombëtare e lokale, si dhe i kemi të pasqyruara në stendat e veprimtarive të bibliotekës. Janë bërë dhe konkurse të fjalës artistik, si dhe inkurajim i talenteve të reja, duke ndihmuar edhe në botime poetike të studetëve me talent e të pasionuar  në thurjen e vargjeve. Gjurmë mbresëlënëse kanë lënë konferencat shkencore si ajo për 600 vjetorin e Skënderbeut; ajo për 160 vjetorin  e Naimit; Konferencat shkencore “Petro Marko, personalitet i shquar i letërsisë bashkëkohore shqiptare”, ato për ndihmesën shkencore të prof. Rami Memushajt dhe të prof. Ethem Likaj; Konferenca Ndërkombëtare Albanologjioke “Urat kulturore mes Himarës dhe Diasporës Arbërore në shek. XVI-XVIII, kronikë identitare dhe eurocentriste”; prezantim i librit “Ritorno al Paese delle Aquile” (“Kthimi në Tokën e Shqiponjave”) i shkrimtarit italian Aldo Renato Terrusi në bashkëpunim me Instituti Italian të Kulturës në Shqipëri dhe Konsullatën Italiane në Vlorë, si dhe “Il sentiero dei profumi” (“Shtegu i parfumeve” i shkrimtares tjetër italaine Cristina Caboni, në bashkërendim me Shtëpinë botuese “Dituria”, Tiranë, etj. Kemi realizuar takime me shkrimtarë të shquar si Ali Podrimja, Fatos Arapi, Nasho Jorgaqi, Fatos Kongoli, Flutura Açka, Maku Pone, etj., me fizikanin e shquar, prof. Niko Thomo, me studiuesit e njohur Anton Berisha, me profesorët Ymer Çiraku, Gjovalin Shkurtaj, Rami Memushaj, Farudin Krutaj, Mësuesin e Popullit, të ndjerin Kristaq Shtëmbari, me albanologët arbëreshë Francesco Altimari e Matteo Mandalá, etj. Do të veçonim për një bashkëpunim përkushtues e serioz në këto veprimtari me vlerë sidomos dr. Ermir Xhindi, shef i Departamentit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, si dhe dr. Frosina Londo, shefe  e Departamentit të Gjuhës italiane në Universitetin e Vlorës. Domethënëse  dhe me mesazhe të larta njerëzore e kulturore janë bërë veprimtaritë për princin e lirikës shqiptare Ali Asllani, për poetin e studiuesin  e spikatur Nexhat Hakiu dhe për kalorësin e lirisë së fjalës, personalitetin shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare Petro Marko, etj. Në këto veprimtari e konferenca shkencore roli i bibliotekës së Universtetit ka qenë i dukshëm, me kumtesat e përgatitura e të mbajtura nga specialistët e saj, të cilat dhe janë botuar, si dhe me faktin se  veprimtaritë janë bërë në mjediset e bibliotekës universitare.

Për mbarëvajtjen e tyre kemi patur bashkëpunim të frytshëm me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës. Ndihmesë të palodhur organizative ka dhënë dhe prof.dr. Bardhosh Gaçe.

Kemi përgatitur dhe orientojmë në sallë studentët me leksionet e dispencës “Historia e Librit dhe Bibliotekave”, duke i qartësuar se puna me librin do t’i shoqërojë tërë jetën dhe ata duhet të njohim metodologjinë e përdormit të librit dhe punës në bibliotekë, për marrjen e shpejtë të informaciont të duhur. Duke vlerësuar faktin që biblioteka varet direkt nga rektori, kemi mundur të realizojmë marrëdhënie pune shumë korrekte e respektore me tre ish-rektorët: dr. Shezai Bazaj (1994-1998), prof.dr. Bilal Shkurtaj (prill 1998-nëntor 2007), prof. Tanush Shaska (nëntor 2007-2010), si dhe me titullarin e sotëm, prof. dr. Albert Qarri (i cili  në vitin 2010, me një shumicë të cilësuar votash, u zgjodh Rektor i Universitetit të Vlorës dhe vazhdon të jetë në detyrë edhe sot. Titullari aktual  ka vizione të reja, ide e projekte të guximshme, konkuruese edhe për bibliotekën, sa të vështira aq të larta në synimet e bukura ndaj edukimit arsimor. Syri i mendjes dhe i shpirtit të tij, që ka në thelb elementin e ri të qytetërimit, e vlerëson se, si  në çdo universitet të vërtetë, dhe në unversitetin e Vlorës takimi i parë, prezantimi i parë, vizita e parë që të orienton është biblioteka. Ky qëndrim i titullarit na bën të ndihemi më komodë dhe me ndjenjë përgjegjshmërie, që frymëzohet nga Ideali, Besimi dhe Detyra. Në këtë kuadër, edhe ne, me ambicje profesionale, kemi përgatitur  materiale ndihmëse dhe orientuese për përdoruesit e bibliotekës (studentë, pedagogë e studiues etj.) në Microsoft Power Point dhe në formë manuale punimin “Bibliotekat universitare-organizimi i tyre në botë dhe tek ne”. Si rrjedhojë e zhvillimeve të vrullshme në universitetin tonë, që funksionon me katër fakultete: me Fakultetin e Ekonomisë, atë të Shkencave Teknike, të Shkencave Humane dhe të Shëndetit Publik, edhe biblioteka është proces riorganzimi dhe ristrukturimi për të qenë e sigurt në mbështetjen e misionit të Universitetit të Vlorës. Literatura është e klasifikuar dhe në bibliotekën tonë përfaqësohen të 10 klasat sipas tabelës kryesore të KDU. Me përdoruesit shërbehet me kulturë, sipas Kodit Etik të profesionit, duke bërë anëtarësimin me kartelë, sipas rregullores së brendshme, si për studentët dhe për pedagogët, për materiale që shfrytëzohen në sallë dhe për ato që mund t’i huazojë anëtari i bibliotekës. Me emërimin në një detyrë tjetër në universitet të zonjës Mira Sharra, si dhe nga synimi i rektoratit për të krijuar mjedise të mjaftueshme për salla leksionesh për studentët, aktualisht ish-biblioteka nr.1 është përshtatur në një mjedis model për konferenca, analiza, mbledhje, etj. dhe quhet salla “Rilindja” e konferencave. Mjedisi ku u transferua biblioteka në vitin 2008, (kati i dytë i Fakultetit të Ekonomisë) ishte i pamjaftueshëm (90 m²) dhe jo në vendin e duhur, kështu që, me urdhërin e rektorin aktual, gjatë verës së vitit 2015, Biblioteka Qendrore u vendos në mjediset e ish sallës A200 (Rektorati), me sipërfaqe 200 m², me hapësirë, dritë, qetësi, kushte të përshtatshme për studim e veprimtari të tjera ndihmëse në shërbim të universitetit. Biblioteka nr. 2 kryen funksionet e një biblioteke të përqëndruar, që siguron akses studimor për studentët e shkencave humane dhe shëndetit publik. Në sektorin e Bibliotekave të universitetit të Vlorës shërbehet sipas parimeve të Bibliotekonomisë me moton: Më mirë, më lirë, më shpejt dhe, për të qënë mediator midis burimit të informacionit dhe përdoruesit, me lajtmotivin: Të ndjehesh krenar që je bibliotekar!

FUNKSIONET:

1- Biblioteka e universitetit  të Vlorës, si institucion i depozitimit të infomacionit të shkruar dhe elektronik dhe të organizimit e të vënies së tij në shërbim të përdoruesve në mënyrë sa më efektive, është pjesë organike e universitetit në ndihmë të programit mësimor dhe edukativ.

2- Duke patur karakter dinamik, mënyrën e organizimit dhe funksionimit e diferencon progresivisht dhe e transformon, që të ecë paralelisht me objektivat arsimore dhe studimore të  komunitetit universitar, në mënyrë që të sigurojë ofertën cilësore të shërbimeve.

3- Për zhvillimin e koleksioneve biblioteka ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me fakultetet e departamentet për të siguruar pasurim të barabartë dhe në kohën e duhur, edhe pse blerja e librit me tender ka ndodhur që edhe na ka penguar në realizimin e shpejtë të kërkesave të përdoruesve tanë (studentë e pegadogë). Për pasurimin e fondit me materiale të shtypura apo jo libra, me materiale referuese si enciklopedi, fjalorë, materiale bibliografike, direktori, vjetarë dhe almanakë, burime biografike, informacione gjeografikë dhe për udhëtime etj., biblioteka  jonë  planifikon një sasi të buxhetit edhe sipas këshillimit dhe kërkesave të  dekanëve, shefave të departamenteve dhe pedagogëve të lëndëve që ka programi arsimor universitar. Pra zgjedhjen e materialeve e bëjmë si rezultat i kërkesave të përdoruesve.

4- Duke synuar plotësimin e nevojave të studentëve dhe personelit akademik me literaturën e nevojshme etj. në përshtatje me programet arsimore, biblioteka jonë  siguron materiale  të shumta referative, literaturë në numër të mjaftueshëm kopjesh dhe mjedis të nevojshëm për studim

5- Duke patur detyrimisht personel bibliotekar të kualifikuar, shërbimi referativ është i nivelit të lartë dhe po kompjuterizojmë shërbimet tona për të siguruar hyrje në internet për përdoruesit.

6- Nisur nga qëllimi i bibliotekës sonë, që është plotësimi i nevojave të studentëve dhe të pedagogëve për materiale dhe informacione në funksion të programit mësimor, ne ndihmojmë studentët në realizimin e detyrave të tyre dhe pedagogët për ngritjen e nivelit profesional, përmirëson shërbimet nëpërmjet kompjuterizimit të informacionit, si qendër e rëndësishme studimi.

7- Biblioteka jonë organizohet me fonde të hapura, ku studentët shfletojnë lirshëm e në qetësi koleksionet e bibliotekës, për t’u plotësuar në formimin mësimor, shkencor e edukativ, si dhe për t’u shërbyer pedagogëve, punonjësve shkencorë, personelit akademik me grada shkencore, administratës së universitetit që ka interes te libri dhe informacioni digjital, studiuesve të ndryshëm, etj.

8- Nëpërmjet katalogimit ndërtojmë mjetet bazë të kërkimit: bibliografitë, katalogët, indekset, bazat e të dhënave dhe shërbimet bibliografike me synim shërbimin e kërkimit OCLC (On line Computer Library Center).

9- Nëpërmjet Librit të Statistikës së Bibliotekës shënojmë nr. lexuesve të vitit, (çdo ditë, çdo muaj, sipas përkatësisë departamentore e vitit të studimit në UV), sasinë dhe titujt e librave që bëhen hyrje në vit, sasinë e lekëve të fondit, kërkesat për internet, mendimin e lexuesve etj.

10- Menaxhim i burimeve të informacionit dhe shërbimit referues.

BIBLIOTEKA SOT, PREZANTIM

Biblioteka e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë ndodhet në godinën qendrore të Universitetit (Rektorati), në katin e dytë (ish-salla A 200), mbi Sallën e Konferencave “Rilindja”. Sektori i Bibliotekës, sipas organigramës, ka varësi direkte nga Rektori i Universitetit dhe është njësi ndihmëse e institucionit. Biblioteka Qendrore ka emrin e humanistes shqiptare Nermin Vlora Falaschi, Ambasadore e Kombit. Ka një sipërfaqe prej 200 m katrorë. Në bibliotekë gjenden tituj nga të 10 fushat e dijes, të cilat janë sistemuar dhe klasifikuar sipas Klasifikimit Dhjetor Universal (KDU). Të interesuarit gjejnë në Bibliotekë literaturë për çështje të përgjithshme, për shkencën dhe diturinë, organizimin dhe informacionin në fushën 0 (rafti i parë majtas, kur hyn në sallë); për filozofinë fusha 1, për psikologjinë nënfusha 159,9 ( në raftet në vijim majtas para); për fenë në fushën 2; për shkencat shoqërore, ekonominë me nënndarjet e saj, për të drejtën, qeverinë, është fusha 3; (fusha 4 është ende vakant); në fushën 5 gjenden matematika dhe shkencat e natyrës (rafti i fundit i krahut të djathtë, kur futesh në sallë); në fushën 6 shkencat e aplikuara, mjekësia, teknologjia (rafti vijues djathtas, duke ardhur); fusha 7 ka artet, argëtimin, shlodhjen, sportin (rafti vijues duke ardhur); fusha 8 ka gjuhën (shqipe dhe të huaj), linguistikën, letërsinë dhe fusha 9 përmban gjeografinë, biografinë dhe historinë (i pari djathas, kur hyn në bibliotekë). Për të lehtësuar kërkimin, kemi vendosur dhe etiketat orientuese për të interesuarit, sikurse dhe vetë drejtuesi i Bibliotekës është në shërbim të lexuesve dhe studiuesve. Fondi i titujve arrin në 15 mijë, ndërsa inventari i librit arrin në 35 mijë kopje. 65 % e literaturës është në gjuhë të huaj dhe 35% në gjuhën shqipe. Në literaturën e huaj, 75 % e teksteve është në anglisht, ka edhe në gjuhën italiane, frënge, gjermane, spanjolle, ruse, greke, rumune, arabisht e turqisht. Klasifikikimi i librit zbërthehet në trajtë hierarkike. Studentët gjejnë libra për degën ku studiojnë, që nga shkencat kompjuterike, financa, biznesi, drejtësia, kontabiliteti, shkencat detare, matematikë-fizika, infermieria, inxhinieritë, gjuha, letërsia, gjeografia dhe historia. Të interesuarit duhet të antarësohen në bibliotekë dhe për këtë qëllim janë rregullat përkatëse, të cilat i aplikojmë me regjistrimin e tyre në kartelën e lexuesit. Biblioteka funksionon me fonde të hapura, sipas rregullores së institucionit, miratuar nga Senati. Është në funksion të studentëve, të pedagogëve, të studiuesve, të stafit akdemik dhe administrativ, si dhe të punonjësve të institucionit. Në sallën e bibliotekës studiohet dhe mund të realizohen punë studimore, kërkimore shkencore në qetësi nga të interesuarit. Orari i Bibliotekës është 08.00-16. 00 çdo ditë. Ditën e shtunë, të dielën dhe për festat zyrtare është mbyllur. Fondi i Bibliotekës pasurohet me literaturën e duhur dhe korente nëpërmjet blerjeve nga institucioni, pas këshillimeve me dekanët, shefat e departamenteve dhe pedagogët. Pranojmë libra dhurata, të çmuara janë antikuarët, dorëshkrimet etj. Vlen për t’u shënuar takimi i drejtuesve të disa prej bibliotekave kryesore universitare dhe publike të vendit me ministren e Kulturës më 19.01.2015 në Tiranë, ku mori pjesë dhe drejtuesi i Bibliotekës së Universitetit tonë dhe ngriti problemin e nevojës së koordinimit me institucionet e tjera arsimore dhe kulturore. Në kuadrin e edukimit përmes kulturës, Biblioteka jonë mori dhuratë 300 tituj librash (sikurse edhe bibliotekat e tjera pjesëmarrëse). Po ashtu kemi marrë dhuratë 100 tituj nga Biblioteka e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe, në vijim, po kaq nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Biblioteka jonë është përfshirë në rrjetin COBISS. Net për katalogimin dhe përshkrimin bibliografik sipas standarteve ndërkombëtare. Disertacionet e pedagogëve (Doktoraturat) dhe të studentëve të shkëlqyer të Masterit këshillohet të dorëzohen në Biblotekë nga 1 (një) kopje, sepse përveç depozitimit, ruajtjes si pronë intelektuale e tyre e dobishme për komunitetin, si dhe përpunimit bibliografik, përgjegjësi i Bibliotekës, MSc Albert Habazaj ka fituar licençat ndërkombëtare për katalogimin e monografive shkencore etj. dhe realizon pasqyrimin e tyre në sistemin ndërkombëtar të standartizuar, në rrjetin COBISS.Net.

INFORMACION

Biblioteka Qendrore e Universitetit është në korpusin kryesor të universitetit. Biblioteka mban emrin e humanistes Nermin Vlora Falaschi, Ambasadore e Kombit Shqiptar. Biblioteka “Nermin Vlora Falaschi”, me përfaqësues MSc. Albert Habazaj, trajnuar dhe çertififikuar për të gjitha nivelet në standartin ndërkombëtar të përshkrimit bibliografik, nga IZUM, Slloveni, rrjeti COBISS. Net.

Emërtimi zyrtar: Biblioteka “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.

Adresa: Godina A (Rektorati), kati 2, mbi Sallën e Konferencave, Lagjia “Pavarësia”, Skelë, 9400, Vlorë.

1- Gjatë vitit 2012, Bilbioteka e Universitetit tonë pati mundësinë të ishte pjesë e promovimit të realizuar në kuadër të projektit Electronic Resources for Albania (ERA 2012 Project).

2- Është bërë tashmë traditë e Bibliotekës sonë respektimi i 23 Prillit, Ditës Botërore të Librit, duke zhvilluar aktivitete të ndryshme, me synimin e qartë që çdo ditë e vitit akademik të jetë 23 Prill, me qëllimin fisnik që libri të jetë diell për pedagogët e studentët tanë. Këto veprimtari, në funksion të edukimit të dashurisë ndaj librit universitar, shkencor e kulturor janë pasqyruar dhe në mediat lokale.

3- Sipas detyrës së ngarkuar nga rektori i Universitetit, Prof. Dr. Albert Qarri, në bashkëpunim me 4 dekanët e fakulteteve dhe shefat e departamenteve, kemi hartuar “Listën e Librave për UV për vitin akademik 2016” me literaturën e nevojshme bashkëkohore manuale dhe online, sipas kritereve të duhura me autor, titull, botues, datë botimi, çmim dhe ISBN për librat, si dhe ISSN për revistat shkencore.

4- Kemi përfunduar hedhjen me programin EXCEL të inventarit të literaturës, që ka gjendje Biblioteka, proces që vijon me pasurimin e saj në kohë, gjë të cilën do ta digjitalizojmë gjatë kohës, sipas udhëzimeve të ISBD-ve.

5- Qysh me fillimin e vitit 2013, Biblioteka e Universitetit të Vlorës, së bashku me bibliotekat universitare të Tiranës dhe atë të universitetit të Shkodrës pati mundësinë të përfshihet në sistemin kombëtar bibliografik COBISS.AL, sipas kushteve të përgjithshme të bashkëpunimit dhe shkëmbimit pa pagesë të regjistrimeve bibliografike në rrjetin COBISS. Net.

RREGULLORJA DHE ANËTARËSIMI

1- Biblioteka e Universitetit funksionon për studentët, pedagogët, punonjësit e kërkimit shkencor, stafin akademik dhe joakademik (administratën dhe punonjësit e tjerë) të Universitetit.

2- Shërbimi është dy formësh: shfrytëzimi i literaturës me kartelë dhe me pasaportë (letërnjoftim) sipas udhëzimeve përkatëse, ose në sallë me çertifikatë (letërnjoftim).

3- Çdo anëtar i ri duhet të paraqesë letërnjoftimin dhe dokumentet e tjera të duhura dhe të plotësojë formularin e regjistrimit për të hapur kartelën personale të anëtarësimit.

4- Kartela e anëtarësimit shërben për kryerjen e veprimeve sa herë që personi tërheq ose dorëzon libra në Bibliotekë.

5- Disertacionet, buletinet shkencorë, guidat e ndryshme, fjalorët, enciklopeditë, manualet, katalogët, albumet, hartat, librat me vlerë të veçantë dhe unike, antikuaret, shkrimet e rralla, dorëshkrimet, DVD, CD, periodiku etj., shërbehen vetëm në sallë me pasaportë (letërnjoftim).

6- Fjalorët, manualet, albumet, disertacionet, librat me vlerë të veçantë dhe unike, si dhe materialet e tjera të shtypura ose jo libra, të cituara në pikën 4, nuk huazohen. Ato jepen vetëm për shfrytëzim në sallë.

7- Librat apo revistat i jepen të interesuarit për përdorim të jashtëm, konform rregullave me afat maksimal 15 ditor. Në rast se anëtari i bibliotekës ka nevojë për të zgjatur afatin e huazimit të librit, rikonfirmohen shënimet në kartelë dhe kohëzgjatja e shfrytëzimit të librit jashtë bibliotekës, gjithmonë brenda segmentit kohor 15 ditë.

8- Nuk lejohet dëmtimi i librit, të shkruarit në të apo nënvizime të ndryshme.

9- Për çdo libër të humbur nga ana e lexuesit, nëqoftëse nuk bëhet zëvendësimi me të njëjtin titull, zhdëmtohet me 10 fishin e vleftës së librit, me faturë nga Dega e Financës dhe e Buxhetit të Universitetit (për librat e vjetër bëhet konvertimi me çmimet e sotme).

10- Për librat unikalë, në rast dëmtimi, vlerësimi i zhdëmtimit vendoset nga një komision i posaçëm.

11- Në fondet e librit, të periodikut dhe në sallën e fondeve të hapura nuk lejohet të pihet duhan.

12- Brenda mjediseve të Bibliotekës, në sallën e fondeve të hapura nuk lejohet të flitet me zë; studiohet në qetësi dhe mund të komunikohet me zë të ulët.

UDHËZIMET PËR ANËTARËSIM NË BIBLIOTEKËN “NERMIN VLORA FALASCHI” TË UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË

I- Studentët që kërkojnë të bëhen anëtarë të Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë duhet të plotësojnë këto kritere për regjistrim:

1- Të paraqesin pasaportën (letërnjoftimin) tek punonjësi i Bibliotekës (i cili pasi plotëson formalitetet e nevojshme, ia dorëzon prurësit, zotëruesit të dokumentit).

2- Të dorëzojë tek punonjësi i Bibliotekës një fotografi në përmasat standarte të dokumentit (4×5 cm), të cilën punonjësi i Bibliotekës e vendos në ballinën e kartelës së lexuesit (sipër majtas).

3- Të dorëzojë një vërtetim me vulë nga fakulteti, ku vijon studimet, të firmosur nga kryesekretarja dhe dekani i fakultetit. (Vërtetimi konfirmon, që personi i interesuar për t’u anëtarësiuar në Bibliotekën e Universiteti, është student i këtij universiteti, në degën përkatëse për vitin akademik që jemi aktualisht. Vërtetimi nuk kthehet, ruhet në arkivin e Bibliotekës)

4- Regjistrimet e anëtarësimit apo freskimi i tyre (rianëtarësimi) bëhen çdo vit akademik.

II- Stafi akademik dhe joakademik i universitetit, kërkuesit shkencorë dhe punonjësit e institucionit tonë, të cilët kërkojnë të bëhen anëtarë të Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë duhet të plotësojnë këto kritere për regjistrim:

1- Të paraqesin pasaportën (letërnjoftimin) tek punonjësi i Bibliotekës (i cili pasi plotëson formalitete e nevojshm, ia dorëzon prurësit, zotëruesit të dokumentit).

2- Të dorëzojë tek punonjësi i Bibliotekës një fotografi në përmasat standarte të dokumentit (4×5 cm), të cilën punonjësi i Bibliotekës e vendos në ballinën e kartelës së lexuesit (sipër majtas).

3Pedagogët e emëruar rishtas dhe punonjësit e rinj, të dorëzojnë një vërtetim nga punëdhënësi (përgjegjësi i Burimeve Njerëzore dhe Rektori).

BAZA LIGJORE :

Biblioteka e Universitetit të  Vlorës  funksionon në respektim të :

-Ligjit nr.8576, datë  03.02. 2000 “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”.

-Rregullorja e Brendshme  e Bibliotekës, miraruar nga Senati i Universitetit.

-Rregullores tip të MKRS, viti 1992, ratifikuar më vitin 1998.

-Udhëzimeve për hartimin e programit për organizimin e dijeve nga IFLA (Federata

Ndërkombëtare e Sh.të Bibliotekave).

-Ligjit nr.9217, datë 08. 04. 2004 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8576, datë 03.02.200 “Për Bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”.

- Programit COBISS.Net (COBISS.AL, sistemi bibliografik në Shqipëri ndërtuar mbi platformën COBISS, që është sistemi rajonal me shërbimet e përbashkta bibliografike online) për katalogimin e përbashkët sipas standarteve ndërkombëtare të përshkrimit bibliografik, si proces i përpunimit të përbashkët të materialeve bibliotekare (libra, seriale, artikuj, materiale jolibër...)

SEKTORËT E BIBLIOTEKËS;

Arkiv

Fondi albano-balkanologjik (antikuari,shqipe e vjetër, periodik para çlirimit)

Fondi i librave në gjuhë shqipe

Fondi i periodikut shqip dhe të huaj

Fondi i referencave: Enciklopedi, fjalorë, referenca, albume, atlasë, buletine, etj.

Fondi i gjuhës së huaj: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, greqisht, rusisht, rumanisht etj.

Po hedhim bazat për krijimin e Kujtesës së Universitetit, me publikimin e guidës dhe historikut të Biblioteks së Universitetit, duke e përditësuar, pasuruar dhe plotësuar atë.

strukturë nuk kemi akoma mjedise specifike, si fjala vjen një mikrobibliotekë britanike apo të Kongresit Amerikan. Ndoshta dhe një biblioketë lëvizëse do të jetë e dobishme për t’i shërbyer sa më shpejt e më mirë përdoruesit.

Interesat e kohës për universitetin tonë, akreditimi i universiteteve në Shqipëri shtrojnë kërkesën për burime njerëzore në bibliotekë (administratë-drejtues, bibliograf, klasifikator, bibliotekar, apo staf ndihmës; zërin e fundit, sipas mundësive, e kemi realizuar me studentët më të pëkushtuar, të cilët i kemi cilësuar Miq të Bibliotekës).

KËSHILLI I BIBLIOTEKËS:

Në bazë të nenit 24 të ligjit 8756, biblioteka e universitetit ka këshillin e saj si organ funksional këshillimor të drejuesit. Në përbërje të saj kemi dhe pedagogë të njohur për veprimtaritë e tyre kërkimore-shkencore dhe kulturore si dhe studentë të dalluar në mësime, të edukuar e me talent, të miratuar nga titullari. Këshilli i bibliotekës miratohet (freskohet, rinovohet apo rifunksionon me atë staf që ka) çdo vit akademik:

KATALOGËT

Llojet : 1-manualë: topografik,  alfabetik, sistematik,  kronologjik.

2-elektronikë (në proces). Biblioteka e Universitetit ka filluar krijimin e bazës së të dhënave për katalogun elektronik.

Në prag të 21 vjetorit të krijimit të Universitetit dhe Bibliotekës së tij përgatëm në formë të shtypur Guidën e Bibliotekës dhe po përgatisim Historikun e Udhëtimit 22 vjeçar nëpër Urën që lidh Burimin e Informacionit të Edukimit Shkencor me Përdoruesin Tonë të Respektuar.

Katalogu i Bibliotekës

http://www.al.cobiss.net/scripts/cobiss?command=CONNECT&base=92015&mode=5http://www.al.cobiss.net/scripts/cobiss?command=CONNECT&base=<http://www.al.cobiss.net/scripts/cobiss?command=CONNECT&base=99999&mode=5>92015&mode=5<http://www.al.cobiss.net/scripts/cobiss?command=CONNECT&base=99999&mode=5>



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora