Kulturë
Baki Ymeri: Poezi, melankoli dhe ndjeshmëri
E hene, 29.02.2016, 04:29 PM
POEZI, MELANKOLI DHE NDJESHMËRI
(Irena Ilo Gjançi, Me sytë e jetës, Triptik, Vlorë 2015)
Nga Baki Ymeri
Poetesha Irena Gjançi u lind më 1 Maj 1957 në Korçë dhe 25 viteve të fundit banon e krijon në Larisa të Greqisë. Vëllimi i saj i parë strukturohet në 5 cikle: Lirika, Për njerëzit që dua, Malli për vendlindjen, Për jetën, Plagë mërgimi. Në kuadrin e pasthënies, Nase Jani zbulon “një botë ku shpirti fluturon i lirë, me krahë poezie. Poezitë gati janë lirika të ndjera, me motivet e dashurisë, të mallit për vendlindjen dhe dhimbjen e emigracionit.” Poezia e vërtetë, fillimisht lind në shpirtin divin, pastaj zbret në mbretërinë e muzave duke i përvetësuar vetëm ata që kanë lindur për pavdekësi. (Gheorghe Coltun).
Pavdekësia e mallit ëndërron bardhësinë e shenjtë të dëborës. Irena noton në oqeanin e dhuntisë së shenjtë. Autorja ka talent të lindur dhe imagjinatë të bujshme. Poezia, melankolia dhe përjetimi i jetës në plotëkuptimin e fjalës. Kujtimet e dashurisë e zbukurojnë kuptimin e jetës. Buzëqeshin vargjet e saj duke u shkrirë në shtjellat e frymëzimit, sidomos kur shpirti e shijon nektarin e buzëve kur: “Unë puthjen e prisja, e doja// Dhe dora s`shkëputej nga dora”. Autori i pasthënies thekson se Irena “dashurinë nuk e ndan dot nga dhimbja”. Këtë e ilustrojnë edhe vargjet vijuese: “Kudo, në qendër është njeriu./ Dhe kush i shkruan njeriut e do jetën./ Dhe kush i shkruan dashurisë, e do jetën./ Por dashurinë nuk e ndan dot nga dhimbja.”
Irena lidh një dialog me fenomenet, me kohën, me pritjen, me jetën, me yjet. Ajo ëndërron të jetë jeta “lojë dashurie”. Shpirti i saj i dedikohet një relacioni kërkimtar, poetja duke gjetur kuptimin e ekzistencës në shtjellën e mistereve, të kuptimeve të thella të jetës dhe provokimeve të botës. Vargjet e saj reflektojnë zërin e zemrës, ngase u kushtohen ëndrrave, yjeve, shpirtit, natyrës, dhe dashurisë. Jeta sentimentale zë vend dominant në vargjet e saj. Autorja shkëlqen me sintagmat “zog i harlisur”, “flatrat e përjetimit”, “hija e vdekjes”, “dhimbje mbi dhimbje”, “në vdekjen fatale ku qajnë retë”, “mëngjesi me ëndrra dashurie”, “nektari i ëmbël i gjinjve të njomë”, apo: “Ku ta dijë vjeshta që zhvishem dhe unë,/ Me mendime vjeshte që ma gulçojnë frymën” etj.
Kemi theksuar dikurë dhe vlen ta përkujtojmë faktin se vetëm shpirtërat e mëdhenj mund ta kuptojnë rëndësinë e jashtëzakonshme të karakterit dhe mirësisë: “Për të gjithë ne, karakteri njerëzor implikon logjikën e vlerës. Poetët e mëragtës sonë dëshmojnë një pjekuri të jashtëzakonshme kur vjen fjala për karakter, vlera lirike dhe mirësi shpirtërore. Nëpërmjet veprës së vet, autori konfirmon bindjen se arrin nëpërmjet profesionalizmit dhe mbahesh nëpërmjet karakterit. Vlera e një teksti të mirë, i kapshëm edhe për opinionin e huaj, është platforma fundamentale e mendimit dhe njohjes”.
Irena Gjançi ka një stil të veçantë për të shkruar direkt, pa u fshehur në shpinë të fjalëve. Stili i saj nuk ka të bëjë me ashpërsinë, por me një realizëm fin. Nuk është as komplekse, as me paragjykime, as shokante, por përkundrazi: e guximshme dhe e ndjeshme. Ajo markon/shënon/regjistron shkallët e jetës në sensin pozitiv, pa i zhgënjyer gjeneratat konzervatore që qëndisin poezi me rimë. Pjesa dërmuese e poezive të saj të joshin deri në rilexim. Kritikën e pranon me humor dhe përgjigje të ëmbla, sepse është një krijuese që shkruan atë që e sheh, që e përjeton, që e ndjen, një plus më shumë për të vajtur më tej.
Irena Ilo Gjançi
U DASHUROVA ME POETIN
S`e di as vetë si ndodhi kjo punë,
shfletoja mendimet e tij nëpër natë…
Qëndroja nëpër fletë, nëpër fjalë poezie
dhe rendja pa frymë, në rrugën e gjatë…
Pastaj e lodhur rrashë në ëndërrime,
isha përballë unë dhe poeti…
I flisja e më fliste fjalë dashurie,
me erë trëndeline, me fjalë dallgë deti...
Dhe poezinë e gjeta,
kur poeti më gjeti...
TRËNDAFILI I DASHURISË
Në çdo mëngjes gjej në ballkon,
një trëndafil të bardhë...
Kush ma ka hedhur nuk e di,
nga ç`zemër më ka ardhë?
Mos dora jote e këput,
në çdo mëngjes për mua?
Mos trëndafili je vetë ti,
që s`thua dot:Të dua!
Sa gdhihet shpejt dal në ballkon,
aty pret trëndafili...
Në çdo petale-poezi,
aromë më mbushet gjiri...
LARGUAR TË AFROHEM
Iki nga ty, vi prapë tek ty,
me veten jam ngatërruar...
Iki me ditë, prapë netëve vi,
djersitem deri në thua...
Bëj të të shaj, të të mallkoj,
pastaj prapë drithërohem...
Largohem-larg, prapë të mendoj,
larguar të afrohem...
VETËM S`KE JETË
Një trup i vetëm është asgjë,
kufomë e gjallë dhe pa jetë.
Pranë njëri-tjetrit duhen dy
që të jetojnë me të vërtetë.
Më mungon shumë, o gjysma ime,
te vetja nuk ndjej më asgjë!
Them: jam në jetë, a n’ëndërrime,
Dhe gjysma tjerër po më lë!?!
Dhe ndjehem hije, që më tremb,
hije që hije s`ka në jetë...
Kur mbetesh vetë dhe jeton,
dhe jeta vetë, s`është e vërtetë...
SONTE
Sonte dua të mbyll sytë,
lot mos bien mbi kitarë…
Pres një yll të më puthë buzët
dhe të dehem si e marrë…
Sonte s`dua të jem vetëm,
sa të vijë mëngjezi tjetër...
LOJA E DASHURISË
Lot e qesh me mua këtë natë,
me afsh-gjoksi përkëdhel qerpikët…
Brenda syve më hedh një grusht zjarr,
ndizen flakët dhe s`duan të fiken...
Ngatërrohet fryma brenda frymës,
buzët s`dinë ç’bëjnë përmbi buzë....
Të jetë jeta: lojë dashurie
Nuk do lodhesh ti,
s`do çlodhem as unë....
LERMË SONTE…
Lermë sonte, dua të ri vetëm,
mos m`a hapni, mos ma mbyllni derën,
mos m`i trembni kujtimet e jetës...
Lermë sonte të shtrihem në vite,
mos m`i fshini lotët që nxjer shpirti,
kur të qesh, prapë mos u çuditni...
Lermë sonte, lermë vetëm sonte,
të dëgjohem kur të flas me vete...
Dhe iu them, tashti ma kini frikën,
se njeriu flet më shumë me heshtje...
Lermë sonte, sonte nuk jam unë,
po shëtis e vetme nëpër udhë
DUA TË SHKRUAJ NJË LETËR.
Sonte nuk dua të flej,
nuk dua të shikoj ëndrra të tjera!
Dua të të kem në sy,
si atëherë!
Në agun e muzgut
do përcjell yllin e fundit
dhe do të shkruaj një letër dashurie.
Do ta
filloj si dikurë me fjalët:
- I dashur
Dhe në fund: - E jotja përjetë!
Dhe s`di pse më dridhet dora pa shkrojtur
e shikimet derdhen si retë...
Gëlltitem e mbytem mes lotëve,
më tremb ideja e letrës.
Dua të të shkruaj një letër,
pa lindur dielli!
Kam frikë mos ikësh nga sytë!
(Larisa, 21/1/2016)