Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Duke menduar për këngën “Vajzë e Valëve”
E premte, 04.03.2016, 09:11 PM
Duke menduar për këngën “Vajzë e Valëve”
Nga cikli “Autorët e monumentit Kënga Himarjote”
Nga Timo Mërkuri
Duke punuar për monografinë “Autorët e Monumentit Kënga Himarjote”, vetvetiu ndalesh më së shumti dhe mediton mbi këngën “Vajza e Valëve”, për arsyen e thjeshtë së ajo është shndruar në një këngë- simbol, jo vetëm për Himarën.
Kjo këngë e inçizuar në pllakat PATHE në vitin 1930, në udhëtimin e dytë të grupit himarjot, me tekst të Neço Mukos, e kënduar nga katërshia himarjote Neço Muko, Koço Çakali, Pano Kokaveshi dhe Andrea Bala ndodhet e inçizuar në diskun nr 44033.
Jehona e madhe që pati kjo këngë dhe pëlqimi mbarëpopullor I saj, duke I lënë vendin e nderit në “sofrën” e këngës iso-polifonike himarjote, u shoqëruar edhe me hipotezime, hamëndësime dhe supozime të ndryshme, me krijimin dhe rikujtimin e legjendave të ndryshme për të gjetur burimin e kësaj kënge. Sepse dihet që ne shqiptarët jemi “mjeshtra” për të kërkuar dhe atë që nuk egziston.
-Për autorësine e tekstit të kësaj kënge ka patur hamëndësime nga njohësit e këngës popullore në Himarë dhe në trevat përreth. Disa, ndërsa përjashtojnë autorësinë e Neço Mukos, pëshpërisin si autorë të këtij teksti, që nga antarët e grupit të mësipërm e deri te poetë dhe rapsodë të ndryshëm popullorë himarjotë apo të trevave të tjera. Madje nuk mungojnë edhe hamëndësimet për ndonjë përkthim apo përshtatje të bërë nga Neço Muko, veprim tepër i zakonshëm për ‘të dhe që dëshmohet edhe te disa nga këngët e inçizuara në Paris.
Por ja që në një fletë fletoreje të Janko Palit ku janë shënuar të gjitha këngët e Neço Mukos, për këtë këngë ka shënimin….Era dhe fjalët prej N.M.H.(Neço Muko Marjoti) duke i dhënë fund në këtë mënyrë debatit.
-Duke e studiuar me kujdes tekstin e kësaj kënge, konstatojmë se:
-Kënga Vajzë e Valëve pasqyron në radhë të parë një botë shpirtërore shqiptare dhe një realitet shqiptar me një fjalor tipik himarjot, duke mos lejuar ekuivoke dhe mëdyshje në këtë drejtim.
-Kjo nuk është thjeshtë një këngë e një dashurie të parealizuar të një çifti Romeo-Zhuljeta himarjot. Tematika e dashurisë, e parë në kontekstin e këngës, është mbartëse edhe motiveve dhe ideve të tjera, që përjashtojnë kategorikisht hamendësimin e ndonjë përshtatjeje apo përkthimi nga ndonjë gjuhë tjetër pretenduese .
Kënga “Vajzë e valëve” në radhë të parë është kënga e besës së dhënë. Këtu kemi besën e dhënë vajza-djalit (dhe djali vajzës), për një pritje të kthimit të tij, për mos ta tradhëtuar, për mos u martuar me ndonjë pretedent tjetër. Pra, gjithsesi është një besë shqiptare..Vajza i ka dhënë besën e dashurisë djalit, që do ta presë deri në …vdekje, dhe e pret. Ajo nuk e koncepton vonesën e djalit si një mundësi të tradhëtisë së tij, duke u lidhur me ndonjë femër tjetër të vendit ku ka shkuar. Ajo merakoset nga kjo vonesë për arsye të tjera…rron apo nuk rron… dhe kur i vjen letra e djalit me fjalët… tjetër vënd më prêt … , dilema e saj mer fund.
Pas kësaj, ajo nuk mendon për të jetuar me ndonjë djalë tjetër, kandidat i mundshëm për bashkëshort dhe arsyeja e vendimit të saj nuk është fakti se është një jetime. Cilësimi jetime është metaforik më shumë se sa real, për arsye se, dihet tashmë ndihma që jipte bashkësia himarjote për sigurimin e garantimin e jetës së fëmijve jetimë dhe sidomos kontributi i kësaj bashkësie për martesën e vajzave të mbetura jetime, duke u bërë dasmën dhe siguruar prikën.
Ajo vendos të shkojë pranë djalit… Ne u ndam’ këtu o djalë, qielli atje lart/Do të na bashkoj’I dashur pritëm se po vij. sipas konceptit parakristian të një bashkëjetese më të mirë, në atë botën atje lart. Ajo nuk vendos të bëhet “kallogre” murgeshë, sipas konceptit kristian, ajo vendos të bashkëjetojë me të dashurin në qiell, sipas konceptit parakristian. Ajo nuk lutet që mbi var ti vendosin ndonjë kryq (si te kënga Hyri prilli shkriu bora) për arsye se ajo nuk i kushton rëndësi fatit të trupit të saj në tokë. Ajo i gëzohet fatit të afërm të lumturisë së bashkëjetesës më të dashurin …atje lart. Dhe në qoftë se ky lumturim i kërkon sakrifikimin e jetës tokësore, ajo e bën pa mëdyshje këtë sakrifikim.
-Emigrimi masiv si dhe ikja e burave dhe djemve shqiptarë, në përgjithësi, dhe himarjotë, në veçanti, lënia në shtëpi e grave dhe e të dashurave, si dhe besnikëria e tyre, bashkë me pritjen e stërgjatur për kthimin e djemve e burrave nga kurbeti apo nga luftërat ku kishin, shkruar ishte një karakteristikë e botës shpirtërore shqiptare.
-Fakti që nuk përcaktohet asgjëkundi në vargjet e këngës shkaku i largimit të djalit, a ka ikur si emigrant në Amerikë, emigrant në Francë (Europë në përgjithësi), ikja si ushtar në Venedik apo nizam në Turqi,( si rast i rallë se Himara nuk dërgonte djemtë nizamë në ushtrinë Turke). Kjo mungesë, nuk na lejon të përcaktojmë saktësisht kohën për të cilën flet, dhe për pasojë, as kohën e krijimit të shtratit të saj, si këngë më vete. Sepse edhe kjo këngë (tekst) e “re”, rrjedh si lumë i ri në pranverë, mbi një shtrat lumi të vjetër.
Vjetërsia e këtij shtrati përcaktohet edhe nga legjendat e ngritura mbi këtë këngë apo në linjën e kësaj kënge.
Kështu, sipas legjendave, vajza as mbytet dhe as vetëmbytet në det. Ajo qëndron në një shkëmb
në breg të detit dhe lotët që i rrjedhin, i pikojnë mbi shkëmb, duke krijuar tek ai gropëza të vogëla me anë të thepisur, si të jetë çpuar shkëmbi me trapano. Realisht shkëmbijtë e bregut të detit janë plot gropëzime të tilla, me anë të mprehta, të shkaktuar nga stërkalat e dallgëve.
Sipas legjendës, janë lotët e Vajzës së Valëve ato që krijuan gropëzime te shkëmbinjtë (Lamtumir o gur…vuajte dhe ti për mua).. Pasi të gjithë shkëmbinjtë e bregut u gropëzuan nga lotët, kur fillojnë vargjet …mermë o valë e det…, vajza nuk u hodh në det të mbytej ose të vetmbytej por u shkri si llavë e zjarrtë dhe u shtri ndënë valë, duke u ngurtësuar, gjysma e trupit nën ujë e gjysma tjetër e trupit në breg.
Po të shikosh realisht pllakat e gurta në brigjet himarjote, ato ngjajnë si njerëz të shtrirë në breg të detit, me këmbët e futura në ujë.
Por ka edhe më. Nëpër gropëzat e krijuara nëpër shkëmbinj, nga lotët e vajzës së valëve, kanë mbirë një tip luleje që quhet “Lulja e lotëve” dhe të cilat kanë vërtet shijen e athët të kripës së lotëve, apo të ujit të detit.
-Pra, një këngë e tillë, e krijuar mbi një shtrat legjende, qoftë si tekst, qoftë si melodi, dëshmi e talentit poetik të autorit, është një pasqyrim i botës shpirtërore shqiptare, në përgjithësi dhe asaj bregase në veçanti. Himara ka karakteristikën e veçantë që të gjitha “ikjet” dhe “ardhjet” e djemve bëheshin vetëm nga rruga detare, me varkë ose anie dhe asnjëherë me tokë, nga Llogaraja apo nga Saranda. Arsyet janë të shumta, por më kryesorja është lehtësia e ikje-ardhjes së njerëzve me anie, pasi Himara ishte dhe është port, pavarësisht nga madhësia e portit apo e anieve që ankorohen në të. Arsye është edhe fakti se rruga detare Himarë-Korfuz ose Himarë –Itali ishtë më e shkurtëra dhe më komode për të emigruar në krahasim me rrugën tokësore Himarë-Sarandë dhe pastaj në Korfuz ose Himarë- Vlorë-Itali, duke kapërcyer Llogaranë. Pra kjo pozitë gjeografike e Himarës dikton edhe “ikjen” e kësaj vajze nga kjo jetë nëpërmjet valëve të detit dhe jo duke u hedhur psh nga shkëmbi apo në ndonjë mënyrë tjetër vetsakrifikimi.
-Stili i kësaj kënge, qoftë si tekst,( por më tepër edhe si melodi) është në stilin e hershëm të vajtimit me ligje. Dhe arsyet janë të plota për të ecur në këtë stil, vdekja e një dashurie, vdekja e djalit larg vendlindjes ( në luftë a në kurbet), dhe më pas vdekja e vajzës, janë si shumë vdekje për një këngë, po të kemi parasysh se kënga është ngritur edhe për një …sëmundje. Ato figura artistike dhe melodike që rezëllejnë me shumicë në shtratin e kësaj kënge, janë thjeshtë lotë të ngurtësuar e të kthyer nëpër gurrë, mbi të cilët ecën …kënga.
Të kuptohemi, stili i këngës himarjote nuk është kushtëzuar nga stili i tekstit të këngës “Vajzë e valëve”, përkundrazi, teksti i kësaj kënge është teksti më i përafruar (bashkë me këngën Hyri prilli shkriu bora) i stilit të këngës himarjote, i “avazit” himarjot. Stili i “avazit” himarjot, ndonëse mbi tabanin e këngës iso-polifonike shqiptare, është “revolucioni” muzikor i Neço Mukos dhe shokëve të tij.
-Bisedat e vajzës me zogjtë dhe gurët, pjesmarja e agjentëve atmosferikë në gjëndjen shpirtërore dhe si pararendëse e ngjarjeve që do vijnë Erdhi dimri i keq, një mëngjez të zi/U nxi qielli dhe deti gjëmon, bie shi janë një dëshmi e lashtësisë së konceptimit, lashtësi që shkon para kristianizmit, deri në antikitet pavarësisht se kënga është shkruar në kohët moderne.
Kjo lashtësi, dëshmon burimin kohor të këngës, pavarësisht se kur është shkruar ajo dhe në se e ka shkruar këtë tekst Neço Muko apo ndonjë tjetër.
Botën që pasqyron kjo këngë ne e gjejmë nëpër legjendat dhe përallat e herëshme shqiptare.
Është meritë e Neço Mukos që, në një shtrat të stërlashtë shqiptar, konceptual, me një botë parakristiane shpirtërore, të na japë një kryekëngë të tillë dhe ca më tepër ta muzikojë në mënyrë që të krijojë një kryevepër muzikore.
-Vargu dhjetë, njëmbëdhjetë, katërmbëdhjetë rrokësh është dëshmi tjetër e “përzierjes” së vargjeve karakteristike të eposit të kreshnikëve me vargje të epeve dhe baladave himarjote dhe krijimeve popullore mëvonëshme, kjo e bërë në një mënyrë mjeshtërore, sa që nuk dallohet fare diferenca e rrokjeve. Këtë funksion “mbulimi” e kryen iso-ja e këngës, melodia. Është si të ngresh muret e një kalaje, ku gurrët e madhësive të ndryshme lidhen me njeri tjetrin me llaç (melodik) në mënyrë të pazgjidhëshme. Dhe funksionin e fortësimit të murit e kryen llaçi dhe jo madhësia e gurrëve.
Kemi theksuar se kënga himarjote nuk bazohet te rima dhe ritmika tradicionale e vargjeve por te funksioni, gjatësia dhe forca e iso-s.
-Kënga “Vajzë e valëve” është kënga simbol e Himarës, që e bëri të famshëm edhe vetë grupin e Neço Mukos, qoftë për melodinë e saj, novacion në këngën iso-polifonike shqiptare, në theksimin e rolit të hedhësit, e cila është një gjetje brilante e Neço Mukos, gjetje që i dha një fytyrë të re, të bukur dhe të dhimbëshme shpirtërisht kësaj kënge, sa që me të drejtë u specifikua si “avazi himarjot”( kënga himarjote) në familjen e këngëve popullore shqiptare.
-Në një bisedë me Lefter Çipën , ai këmbngul se emri i kësaj kënge lexohet gabim, duke u lexuar “Vajzë e Valëve” (valët e detit) duke e trajtuar si vajzë e detit etj. Ajo duhet lexuar “Vajzë e Valeve”. Valet janë lëndinat malore ku rëndom loznin e dashuronin vajzat e fshatrave, tek kullosnin bagëtinë. Pra kjo vajzë e valeve, e lëndinave, kjo bareshë, ka zbritur nga mali në breg të detit, prej nga u nis në kurbet a në luftë i dashuri i saj, dhe prêt ti kthehet apo ti vijë , ndonjë lajm a ndonjë letër. Si vajzë mali që është nuk di not dhe mbytja apo vetëmbytja e saj në det është më llogjike.
Argumentat e Lefterit qëndrojnë edhe për vetë faktin se fshatrat e bregdetit të Himarës janë fshatra të ngritura në male dhe jo në breg të detit, dhe burimi jetës së tyre ka qënë blegtoria e jo detaria.
Të dyja rastet janë llogjikisht të pranueshme dhe asnjëri prej tyre nuk i ul vlerat këngës, përkundrazi, variant i Leftër Çipës zgjeron horizontin letrar të saj.
Por ajo që nuk është thënë deri më sot është roli i Koço Çakalit në këtë këngë dhe në tërësi në grupin e Neço Mukos. Koço Çakali nuk është thjeshtë marësi i kësaj kënge apo dhe i këngëve të tjera. Ai është autori i vijës melodike të këngëve himarjote. Qënia e tij si marrës është një dëshmi e pranueshmë. Tradicionalisht në këngët popullore, marrësi është edhe “kompozitori” i këngëve. Dhe Koço Çakali është marës i mbi 80 këngëve.
Fakti që ai ishte tenor (amator) brilant në disa këngë hymn si Shqipëria, Hymni i Flamurit etj, dëshmon aftësinë dhe talentin e tij muzikor.
Interpretimi i suksesshëm i tij në këngët të muzikës së lehtë, krahas tenorëve dhe sopranove të famëshme, që ju bashkuan këtij grupi është një dëshmi tjetër e talentit të këtij mjeshtri të madh të muzikës, aktualisht ende i pa vlerësuar.
Kështu që me të drejtë grupi mund të quhet “Grupi i Koço Çakalit me udhëheqës artistik Neço Mukon”. Madje po të shohin foton e revistës Pif-Paf të janarit të vitit 1928, aty vetë Neço Muko shkruan qysh në kopertinë se…Drejtor është z N.H.Marrioti…duke publikuar për vehten e tij rolin organizativ, krahas faktit që ishte autori i teksteve të këngëve.
Por duke qënë se këta artistë nuk e kishin mëndjen për të ndarë “tituj e grada”, por mendonin vetëm për të ngritur këngë monumentale, edhe ne do ti shohim si bashkëautorë të këtij monumenti, ndonëse do evidentojmë kontributin e veçantë dhe të përbashkët të secilit.
Ne do admirojmë këngët himarjote dhe nuk do krahasojmë se cili yll shkëlqen më shumë në këtë yllësi.
Por do të theksojmë edhe faktin se ishte Dhimitër Varfi ai që e “lëmoi” këtë monument himarjot, ashtu sië lëmohet mermeri i statujave, duke u bërë më të gjalla, më të ndritëshme edhe detajet më të vogëla.
E parë në këtë konteks, me të drejtë mund të themi se Dhimitër Varfi dhe grupi i tij, në përbërjen
e të cilit ishte dhe Pano Kokaveshi, ishte vazhdimi novator i grupit të Neço Mukos.
Por te kënga himarjote, për ta shijuar tërësisht atë, duhet patur parasysh dy element kryesorë të saj. E para është iso-ja e këngës. Kënga himarjote gjithë bukurinë dhe madhështinë e ka tek iso-ja. Marësi i këngës himarjote rëndom thotë gjysëm vargu….Vajzë e valëve…pastaj marësi humbet rolin parësor të tij, sepse pushtetin e mer iso-ja. Nuk mund të kuptohet kënga himarjote pa ison e saj karakteristike. Vetë kënga mund të krahasohet me një shqiponjë, por isua është qielli ku fluturon shqiponja, është deti ku lundron anieja. Gjithë këngët popullore shqiptare shumëzërëshe kanë iso, por isoja e këngës himarjote ka specifikën e saj, jo aqë te tonaliteti se sa te ëmbëlsia. Gjithë dhimbja e shpirtit himarjot është mishëruar te iso-ja e këngës. Prandaj te kënga himarjote, nëpërmjet iso-s, është shpirti i këngëtarit që i flet shpirtit të dëgjuesit. Shtoi kësaj faktin që kënga himarjote ka shumë lot shpirti, atëherë e kupton arsyen pse të gjithë dëgjuesit e kësaj këngë lotojnë me shpirt dhe duan të futen në vorbullën e iso- së grupit himarjot. Duan të marin me vehte, qoftë dhe një copëz melodie.
Iso-ja e këngës himarjote luan edhe rolin e refrenit. Përgjithësisht tekstet e këngëve himarjote nuk kanë refren, në kuptimin tradicional të tij. Madje shpesh herë këto tekste nuk kanë as rimë vargjesh, në ndryshim nga kënga labe e cila bazohet te vargjet e rimuara dhe te refreni. Te kënga himarjote, këto funksione i kryen më së miri vetë iso-ja.
Elementi i dytë që i duhet kushtuar vëmëndje në këngën himarjote është hedhësi.
Në fakt, roli i hedhësit ka egzistuar në këngën tonë popullore edhe para Neço Mukos. Por Neço Muko i dha këtij zëri një rol më vendimtar, më karakteristik. Figurativisht, roli i hedhësit është si direku kryesor i anies, në të cilin lidhen të gjitha velat dhe në krye valvitet flamuri. Dhe direku kryesor , jo vetëm që mban ekuilibrin e anies në lundrim, por duke qënë pikëmbajtësia e velave, përballon edhe forcën e erës mbi vela, duke ndikuar në rritjen apo ngadalsimin e ecjes së anies nëpër detin me fortune.
Kur ngrihet zëri i hedhësit të këngës himarjote edhe zoti ndalet nëpër qiej dhe, nëpërmjet reve hedh sytë në Himarë e vështron, kush është ky që gjëmon si ai (zoti) vetë. Mos ka ardhur në tokë, në Himarë ndonjë zot i ri?
Po ku e ka origjinën ky zë dhe pse ka një natyrë të tillë?
Bazuar te fakti se kënga iso-polifonike e ka origjinën te vajtimi, hedhësi është personifikimi i rolit të vajtores që “klith” në grupin e vajtoreve, në çastin kur në odën e mortit hyn ndonjë i afërm i të ndjerit, që për ndonjë arsye ka ardhur me vonesë në mort, ose në momentin kur të afërmit e të ndjerit janë të lodhur nga vajtimi dhe për pasojë, i ulin tonalitet e vajit dhe ligjërimin do ta nisë një vajtore tjetër. Ky zë vajtimi tërheq vëmëndjen e të pranishmëve mbi gjëmën që i ka rënë shtëpisë apo mbi faktin se një vajtore tjetër nisi vajin.
Ky është argumentimi i egzistencës së këtij zëri në këngën iso-polifonike dhe origjina e tij nga vajtimi. Por edhe te vajtimi me ligje, ky zë ka ardhur nga kohëra më të herëshme, nga të qarët me bot, nga gjëma, të qarët me gjëmë, kur gratë shkulin flokët e çjerrin faqet duke klithur fjalë dhimbjeje për të ndjerin.
Ardhja e këtij zëri nga gjëma te vajtmi me ligje e më pas te kënga, tregon rrugën e gjatë që ka përshkruar kënga popullore deri në konsolidimin e saj. Kjo “atavizëm” e gjëmës në këngën himarjote dëshmon unitetin e elementëve të këngës, por në radhë të parë dëshmon lashtësinë e vijueshmërinë e etnitetit. Të marësh një zë arkaik nga gjëma dhe vaji dhe ta shndrosh në një element fin dhe karakteristik të strukturës së këngës, duhet të jesh një artist i madh. Kënga iso-polifonike në përgjithësi dhe ajo himarjote në veçanti, dëshmoi se populli ynë është një popull artist dhe Neço Muko, si bir i tij, ishte një artist i madh, fatkeqësisht i pavlerësuar sa duhet.
Por për këto dy zëra kemi folur edhe në librin “Shënjtëria e iso-s” dhe “Madhëria e saj-Kënga iso-polifonike” prandaj nuk po zgjatemi më tepër.
Por lind vërtetb një mendim i beftë pas konstatimit të këtyre fakteve. Duke qënë se kënga , qoftë si tekst, qoftë dhe si melodi ka ecur në një shtrat arkaik dhe duke patur parasysh se te kjo këngë nuk specifikohet shkaku i ikjes së djalit, ushtar apo në kurbet, si mund të ishte teksti dhe melodia e kësaj kënge psh para njëmijë vjetësh. Që do ishte në shtratin e linjës së vajtimit, kjo nuk diskutohet, por sipas traditës shqiptare, ndryshe vajtohej i vdekuri në kurbet dhe ndryshe I vrari në luftë si nizam i Turqisë apo ushtar i Venedikut. Trasformime të tilla kemi edhe në rastin e Neço Mukos, te kënga e Urrës së Qabesë, këngë e inçizuar nga grupi himarjot në Paris, në pllakat PATHE, por teksti dhe melodia e kësaj kënge e kënduar nga himarjotët është totalisht ndryshe nga teksti dhe melodia e Skraparit. Ideja që përçon dhe emocioni që shkakton është e së njëjtës natyrë.
Për krahasime studimore dhe hipotezimi po japim më poshtë këngën “Vajzë e Valëve”, ku për efekte studimore, nuk bëmë përshtatjen e tekstit me shqipen letrare, por e lamë siç është kënduar nga grupi
Vajzë e valëve*
Disku nr 44033
Teksti Neço Muko
Këndojnë; Neço Muko, Koço Çakali, Pano Kokaveshi, Andrea Bala
Vajzë e valëve, zemra më s’të mban
Dhe mbi gur nd’anë të detit qan, e zeza qan
Pret atë që prêt dhe një dhimbje ndjen
Gjithë bota ven’ e vinë, po ai nuk vjen.
Prandvera arrin, një mëngjez të qet’
Vijn’ e shkojnë dallëndyshet, vajza u thërret
“Ju të bukur zogj, tek ju kam një shpres’
Ju që shkoni det’ e male dua t’u pyes
Një jetime jam, pa nën’ e baba
Një që kisha një që doja iku dhe më la
Mos e patë ju, rron apo nuk rron
Ndonjë lajm a ndonjë letër, vall’ a më kujton
Shkoi shumë koh’, vetëm pa njeri
Qante veten , qante fatin n’atë varfëri
Erdhi dimri i keq, një mëngjez të zi
U nxi qielli dhe deti gjëmon, bie shi
N’ëndër seç e pa djalin në vapor
Sikur shkoi dhe i hodhi vajzës një kuror’
Letr’ e zezë vjen dhe me të vërtetë
Djali kishte udhëtuar, pa kthim e përjetë
Thoshte i mjeri djalë; Vajzë e valëve
Mere këtë letrë e qajmë , tjetër vënd më prêt
Ah moj, kjo dynja, një qëndrim nuk mban
Dashuria jonë shuhet, fati i zi na ndan
Mos u dëshpëro, ti je vajzë e re
Un’ martohem n’atë jetë, ti martohu atje
Vajzë e valëve, ti qofsh me shëndet
Mos kujto jetën e shkuar, por haroje shpejt
“ O i dashur djalë, shkove dhe më le
S’pate faj as ti as unë, ashtu qe për ne
Ne u ndam’ këtu o djalë, qielli atje lart
Do të na bashkoj’, i dashur, pritëm se po vij
Lamtumirë o gur, mjaft’ më për kaq koh
Vuajtje edhe ti për mua, po shkoj, më s’të shoh
Haj dynja dynja nuk ke gjë të drejt
Lamtumirë o jetë e rreme, merrmë o valë e det.