E enjte, 01.05.2025, 07:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Nebi Dragoti: Thirrje gjaku

E diele, 06.03.2016, 11:04 AM


NEBI DRAGOTI

 

THIRRJE GJAKU

 

-QEMAL STAFÊS, VOJO KUSHIT, MUJO ULQINAKUT.

 

Poemë.

 

l-

Ditëluleve të Paqës shqiptare

portat e zemrës u kemi hapur

dëshmorëve ,

heronjëve

me ballin rreze mendimesh në kohëra;

në gjithë kohërat e ardhme

i kemi si yje e diej kaltërsive, lart.

 

Kurrë për t’mos i harruar

ngrohur,madhëruar

nga zjarri i idealit

e baroti i luftës;

meditojmë,

flasim për plagët dhe gjakun,

për gjakun e ëndërrave

dhe kafshatën e bukës.

ll-

Qemali i bie violinës,

nëpër tela dalin këngë revolucioni:

me këngë lirie janë mbushur luginat,

fushat,malet me borë

dhe blerimet e kësaj kohe

na kujtojnë këngën:

“Bashkohi, shokë!”

 

Atdheu bijtë i rrit trima,

trima të sakrificës gjer në fund,

trima që vdekjen s’e përfillin

dhe petrita qëndrojnë vëllazërisht

si grusht.

 

Mësim,

shembull na japin

me këtë lajtmotiv…

 

Kredo: në duar

-flamurin praruar me lotë!

Kredo: në duar

-flamurin kuqezi në demostratë !

Kredo: flamurin

-të pastër në sulme e shqotë!

Kredo: shtërnguar fort

-lart flamurin lagur me gjak!...

 

Bijtë, “Petritat e nënave” betuar,

bijtë arkitektët e “Botës së re”

për Shqipëri të çliruar,

për Shqipëri të shqiptarëve.

Bij të rënë,

si t’u harrojmë vallë?!

Emrat me dashuri zemre

ua kemi shkruar e zbukuruar

si me kostelacione yjesh

në qiellin shqiptar

ose më mirë:

jeni ju

kostelacione yjesh  në qiell,

o ju rreshta të gjatë me partizanë.

 

lll-

Ecte hëna e përgjakur

pasqyruar nëpër pellgje gjaku,

pasqyrë e kuqe në qiell hëna ecte,

ndërsa qëndronte granit,

mbi fashizmin qëllonte

Mujo Ulqinaku.

Hëna kullonte,gjak!

 

Bijtë nëpër tufan

me një torbë fishekësh

e pushkën në krah;

nëpër tufan plagëshumta Shqipëri.

 

Liria mësynte me kondak,

Liria çapitej,

mëgjunjaz ngrihej nëpër gjak!

 

Toka u thosh:”Mbahuni mbas meje!

Ecni! Nuk do të rrëzoheni kurrë!

Ecni! Në token tuaj jeni perëndi,

ecni edhe shembni tirani!

 

Toka e mirë,

bukëëmbla  jonë gjak rrithte;

kush pati më tepë urtësi

nga ç’pati kjo tokë,

toka me buzët e zhuritura,

burimeve, anëdeteve, kaltërsive?

 

lV-

Për një centimetër tokë

vete gjaku në gju,

për një centimetër

bëhet pushkë me shekuj,

se kjo centimetër tokë

është e Shqipërisë

dhe e askujt tjetër.

Dhe do shqipëtari që të rrisë lule,

të prodhojë bukë në Paqë

edhe për botën;

tamam si për veten

mendon ky popull martir!

 

Violina binte e pushka kërciste,

ju burrëroheshit

në rrugët e revolucionit.

 

Koha lehonë e lindjeve të mëdha,

koha pa dështime historike,

koha shumonte “Të birtë e shekullit të ri,

e “djelmëve” për ditët e lira.

 

V-

Nën thundra çizmesh italianësh

Borova digjej,

digjej Borova(…),

por Borova himn fitoreje lartësohej,

ngrihej Borova që digjej…

 

Vojo Kushi

nderte trupin mbi tank;

tanku fashist mposhtej,

tankut fashist

trupi i Vojos u bë barrikadë…

Barrikadë gjaku…

 

Thirrja e gjakut:

Liria skuqej me gjak,

me gjak bij nënash Shqipërie;

për Paqë

gjaku thërriste…

 

Në çengelet e historisë

janë vendosur amanetet

e lëna nga gjaku i derdhur

për ne.

Ne, amaneteve u qëndrojmë

besnikë.

 

Vl-

Buçisnin këngë partizane:

“Rroftë Shqipëria demokratike!

Vdekje egërsirës fashiste!”

 

Jehon sot e nesër:

“Në jetë të jetës

vdekje,

vdekje,

vdekje !”

 

Dakortësi botërore

kjo,

e popujve të botës dakortësi,

në unison

zë popujsh të bashkuar:

“Fashizmit,

luftrave

vdekje përgjithmonë!”

 

Fashizmi

është shporrur

me arkivol !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx